Kumtesë e lexuar në takimin letrar e shkencor në Vuthaj të Gucisë…
Bashkimi politik i organizatave shqiptare patriotike – krijimi i LPK – së
Pas përballjes së madhe 25 – vjeçare të popullit shqiptar me Perandorinë Osmane në Shqipëri ra nata e gjatë gati pesë shekullore. Përpjekjet, qëndresa dhe kryengritjet shqiptare kundër pushtimit osman nuk pushuan, por organizimi dhe bashkimi në shkallë kombëtare, që ishte arritur me prisin dhe strategun Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, nuk u arritë deri në kohën e themelimit të Besëlidhjes Shqiptare në Prizren. Pas robërisë shekullore kombi shqiptar po organizohej dhe bashkohej kundër hordhive barbare osmane dhe kundër pretendimeve territoriale të shovinistëve fqinj. Lavdia dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit ishin vënë në themele të Rilindjes Shqiptare dhe të ndërgjegjësimit e të zgjimit kombëtar. Rilindasë si: Jeronim De Rada, Zef Jubani, Thimi Mitko, Vëllezërit Frashëri, Jani Vreto, Kostantin Kristoforidhi, Hoxhë Tahsini, etj. u bënë ideatorët, frymëzuesit, bartësit, predikuesit dhe mobilizuesit e popullit shqiptar dhe të parisë së tij për çlirimin dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë në një njësi të vetme territoriale dhe administrative të qeverisur nga shqiptarët.
Idetë dhe programi i Rilindasëve tanë u materializuan me bashkimin politik e kombëtar të përfaqësuesve të popullit shqiptar në Kuvendin mbarëkombëtar në Prizren. Në thelb të Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte kërkesa për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës së Shqipërisë nga pretendimet grabitçare të shteteve shoviniste fqinje.
Kongresi famëkeq i Berlinit i nguli thikën tokave të Shqipërisë, duke i copëtuar dhe duke ua dhuruar fqinjve tanë shovinistë. Kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre me mjaft sukses armiqtë tanë përdorën edhe armën e quajtur religjion ose fe… Shqiptarët e konvertuar në fenë islame u quajtën turq e mbetje turke, kurse shqiptarët e besimit ortodoks nga shteti dhe kisha shoviniste greke quheshin “grekër”, ndërsa shqiptarët ortodoksë në rajonet e ndikuara, të pretenduara dhe të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi quheshin “serbë” e “malazezë”! Vetëm atë përqindjen e vogël të shqiptarëve të besimit katolikë propaganda e vendeve fqinje i konsideronte për shqiptarë!? E gjithë fushata dhe propaganda antishqiptare bëhej me qëllim të grabitjes dhe përvetësimit të krahinave të Shqipërisë. Perandoria Otomane dhe shtetet shoviniste fqinje, me përkrahjen e fuqishme të Fuqive të Mëdha, ia dolën ta shtypnin Besëlidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe t’i pushtonin e përvetësonin disa krahina të Shqipërisë, duke i vrarë, masakruar e dëbuar shqiptarët nga ato krahina, por nuk ia dolën ta shtypnin dhe vrisnin idenë dhe dëshirën e popullit shqiptar për liri e bashkim të kombit në një shtet të vetëm…
Revolta dhe kryengritjet e viteve 1908 – 1912 ishin përpjekja dhe përballja e radhës e popullit shqiptar me Perandorinë Osmane, që kishte nxjerr në treg edhe një herë tokat e Shqipërisë dhe me pretendimet e shteteve fqinje për t’u zgjeruar në tokat shqiptare. Me gjithë sukseset e mëdha, që shënuan kryengritësit shqiptarë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Londër (Konferenca e Ambasadorëve), e dënuan Shqipërinë dhe popullin shqiptar edhe me një copëtim të tokave tij!
Shpallja e Pavarësisë në Vlorë ishte bërë për Shqipërinë e katër krahinave (vilajeteve), por vendimet e Fuqive të Mëdha njohën shtetin shqiptar vetëm në një të tretën e tokave të Shqipërisë! Pas tragjedisë gati pesë shekullore nën robërinë osmane dhe pas tragjedisë që shkaktuan vendimet e Kongresit të Berlinit, vendimet e Konferencës së Londrës shënonin tragjedinë e tretë të madhe për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë! Për dy të tretat e popullit shqiptar kishte filluar nata e zezë e pushtimit grek dhe sllav…
Lufta e Dytë Botërore u duk si një mundësi e madhe për korrigjimin e këtyre padrejtësive dhe tragjedive. Mirëpo, ndarja e tokave të pushtuara të Shqipërisë në zona të kontrolluara nga shtetet e boshtit nazifashist krijoi rrethana dhe situata të vështira për bashkimin politik të popullit shqiptar dhe për organizimin e rezistencës dhe të luftës së armatosur antifashiste… Megjithatë, një pjesë e mirë e popullit tonë ia doli të organizohejë dhe të rezistonte e luftonte përkrah koalicionit të madh botëror antifashist. Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare gjeti përkrahje edhe te një pjesë e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të saj, sepse shqiptarët me të drejtë prisnin që pas mbarimit të Luftës t’u njihej e drejta për vetëvendosje dhe bashkim me shtetin e tyre… Me këtë ide dhe me këtë qëllim u organizua edhe Konferenca e Bujanit në fund të vitit 1943, e cila miratoi Rezolutën që shprehte pa ekuivoke dëshirën e popullit shqiptar nën Jugosllavi për t’u bashkuar me shtetin e tij, Shqipërinë… Kjo Rezolutë, kjo dëshirë dhe e drejtë e popullit të pushtuar u mohua nga Jugosllavia e Tito – Rankoviçit… Përgjigjja ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme më 8 mars 1945 në gjithë hapsirën e banuar me shqiptarë dhe represioni e terrori shtetëror i pushtuesit jugokomunist. Kudo bëheshin arrestime, tortura, gjykime dhe dënime drakonike, ekzekutime me pushkatim, persekutim dhe dëbim i shqiptarëve kryesisht në Anadoll, etj. Përgjigjja e shqiptarëve ndaj këtij terrori të organizuar shtetëror ishte organizimi në Lëvizjen Nacionaldemokratike Shqiptare, e cila u ndoq egërsisht nga pushtuesit jugokomunistë derisa u asgjësua pjesa më e madhe e drejtuesve dhe anëtarëve të saj. Mirëpo, fara e kundërshtimit, e përpjekjeve dhe e kryengritjes kundër pushtimit nuk mund të shkatërrohejë. Shqiptarë dhe intelektualë si: Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Kadri Halimi, Ali Aliu, Rafi Halili, Ramadan Shala, Rexhep Mala dhe shumë shokë e bashkëveprimtarë të tyre me zgjuarësi dhe trimëri organizoheshin, përpiqeshin, vepronin e luftonin kundër Jugoserbisë pushtuese. Arrestimet, torturat dhe dënimet me shumë vite burg nuk ia dolën ta thyenin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në tokat e pushtuara. Dukej sikur represioni dhe terrori i aparatit shtetëror të pushtuesit i motivonin edhe më shumë për rezistencë dhe luftë deri në fitore veprimtarët dhe organizatat e shumëta patriotike.
Kjo veprimtari politike kombëtare çoi në përgatitjen dhe shpërthimin e demonstratave të vitit 1968, kur rinia dhe populli shqiptar dolën me kërkesën për republikë dhe vetëvendosje. Përgjigjja e pushtetit pushtues përsëri ishte dhuna, represioni, terrori dhe mbushja e burgjeve jugosllave me shqiptarë që kishin guxuar të kërkonin të drejtat e tyre! 7 – 8 vite autonomi kulturore dhe pak më shumë të drejta e liri për klasën kolaboracioniste nuk e bindën popullin shqiptar që të ulte kokën e të kënaqejë, siç kënaqeshin ajo pjesë e bashkëkombësve kolaboratorë… Shteti pushtues jugoserb nga viti 1945 e deri në vitin 1999 kishte shqiptuar 666 shekuj burg për shqiptarët!
Ndërgjegjësimit për pozitën e vështirë dhe organizimit e mobilizimit për liri e të drejta politike, kombëtare e demokratike i dha shtytje të fuqishme prania e pedagogëve universitarë, e grupeve artistike dhe e librave dhe botimeve nga Tirana. Ndikim të fuqishëm patën edhe Radiotelevizioni i Tiranës, Radio Kukësi, etj. Shënimi i 100 vjetorit të Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit prodhoi efekte të jashtëzakonshme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në trojet e pushtuara shqiptare nga Jugosllavia komuniste… Krahas kësaj përkrahjeje që vinte nga shteti ynë organizoheshin dhe vepronin edhe shumë grupe dhe organizata politike patriotike në Kosovë dhe në viset e saj. Për organizimin, strukturimin dhe veprimtarinë e saj në atë kohë shquhej Grupi Revolucionar i Kosovës, që më vonë u quajt OMLK. Kjo organizatë kishte nxjerrur në vitin 1974 edhe gazetën e parë atdhetare antipushtuese në trojet e pushtuara me emrin “ Zëri i Kosovës”… Shteti ynë dhe OMLK – ja patën ndikim vendimtar edhe në përgatitjen e situatës shpërthyese të Pranverës së vitit 1981. Sigurisht që nuk ishin pa ndikim edhe organizata dhe grupe tjera, si: LNÇKVSHJ – së, Fronti i Kuq e grupe tjera më të vogla…
Pranvera Shqiptare e Vitit 1981 i dha goditjen vendimtare shtetit jugosllav që dominohej nga hegjemonizmi serb. Kryengritja e vitit 1981 shënoi kthesën e madhe edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në trojet e pushtuara. Populli i pushtuar shqiptar demonstroi me gjithë forcën e tij patriotike, intelektuale, shpirtërore e politike kërkesën e tij për Repulikën Shqiptare në federatën e Jugosllavisë, e cila do t’i bashkonte trojet shqiptare dhe do t’i barazonte shqiptarët me popujt tjerë në federatë. Kërkesa për republikë dhe fuqia me të cilën u manifestua dhe demonstrua kjo kërkesë i kishte tmerruar dhe tronditur pushtuesit… Mbështetja e kësaj kërkese mbarëpopullore nga Republika e Shqipërisë, shteti ynë AMË, i çmendi fare. Shteti shqiptar ishte i vetmi shtet në botë që mbështeti kërkesat e popullit të tij të pushtuar dhe organizoi veprimtari të dendur anemban botës për t’i shpjeguar dhe arsyetuar kërkesat e popullit të pushtuar shqiptar dhe kërkesën e tij kryesore për Republikë… Udhëheqja jugosllave me kokë të nxehtë dhe me urrejtje nisi fushatën e persekutimit, arrestimeve dhe dënimeve masive, duke mbushur burgjet dhe duke torturuar rininë shqiptare me mjete dhe metoda mesjetare, por nuk mundi ta thente vullnetin dhe motivin për liri e bashkim kombëtar të shqiptarëve…
Në mbështetje të kërkesës për Republikë Shqiptare u organizua dhe mobilizua edhe mërgata shqiptare. Ideolog dhe promotor i këtij organizimi dhe mobilizimi të mërgatës shqiptare ishte përfaqësuesi i OMLK – së, Kadri Zeka, i mbështetur dhe mirëkuptuar nga vëllezërit Gërvalla (Jusufi e Bardhoshi), nga Ibrahim Kelmendi dhe nga veprimtarë tjerë të këtyre organizatave patriotike. Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i Kadriut me Jusufin dhe Ibrahimin u bë gjatë shumë takimeve, veprimtarive dhe organizimeve të përbashkëta e konkrete të protestave në Evropë, të botimit të gazetave dhe veprimtarive tjera politike dhe atdhetare.
Pranvera Shqiptare ’81 bashkoi si asnjëherë tjetër popullin e pushtuar shqiptar. Ajo u bë nxitëse dhe motivuese edhe për bashkimin politik të organizatave patriotike. Nisma për bashkim në një FRONT a LËVIZJE e organizatave patriotike ishte e OMLK – së, e cila kishte hartuar edhe “Tezat për Frontin e Republikës”. Në krye të përpjekjeve për bashkimin politik të organizatave të asaj kohe në një LËVIZJE ishte vënë Kadri Zeka, që ishte i autorizuar edhe nga Organizata e Tij për t’i zhvilluar bisedimet e bashkimit. Bashkimi i OMLK – së, LNÇKVSHJ – së dhe Frontit të Kuq ishte arritur edhe formalisht më 17 Janar 1982, në shtëpinë e vëllezërve Gërvalla, në Gjermani. Po në mbrëmjen e asaj date agjentët e shërbimeve sekrete jugoserbe ekzekutuan me plumba Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën, që u bënë themeluesit dhe Heronjtë e BASHKIMIT – LËVIZJES. Me vrasjen e Tyre bashkimi në një organizatë apo LËVIZJE u godit rëndë dhe njohu vështirësi të shumëta nga njëmijë e një pengesat që dilnin në materializimin e bashkimit të arritur nga Kadri Zeka, Vëllezërit Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi. Konsolidimi i këtij bashkimi në një organizatë të mirëfilltë politike e çlirimtare u arritë pesë vite më vonë, në vitin 1987, kur u mbajt Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LËVIZJES dhe kur u miratuan programi e statuti dhe u zgjodhën organet drejtuese të Organizatës. Edhe Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës ishte mbajtur jashtë Atdheut, kurse Mbledhja e Tretë dhe e Katërt janë mbajtur në Ujmir të Klinës dhe në Prishtinë.
Karakteri dhe veprimtaria çlirimtare e LPK – së ishin përcaktuese për organizimin dhe drejtimin e Luftës së Armatosur Antipushtuese. Mbledhja e Katërt e LPK – së në Prishtinë mori përgjegjësinë dhe vendimin historik për Luftë të Armatosur Çlirimtare. Pas kësaj Mbledhjeje u krijua edhe Fondi Çlirimtar “Vendlindja Thërret”, kurse njësitet e armatosura të LPK – së u pagëzuan me emrin: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Krah dhe pjesë e Lufës Antipushtuese Çlirimtare u bë edhe LKÇK – ja, e cila dha kontribut të çmueshëm për çlirimin e Kosovës, kurse lufta e Prekazit, heroizmi dhe rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe Familjes Jashari ishte vendimtare për masovizimin e Luftës Çlirimtare, e cila kishte fituar me kohë përkrahjen e shtetit tonë AMË dhe të kombit shqiptar, kurse më vonë fitoi edhe përkrahjen e SHBA – së dhe të NATO -s. Çlirimi i Kosovës në kufijtë e saj krahinor ishte e arritur historike për shqiptarët por, sigurisht që nuk është dhe s’ka si të jetë stacioni i fundit për kombin tonë dhe për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare.
Nderim dhe Lavdi e përjetshme të rënëve për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë! Rroftë populli shaiptar! Rroftë Shqipëria!