In Memoriam Ilaz Bajrami- Kosova, 08.06.1943 – 27.06.2023
Në vend të përkujtimit të veprimtarit dhe luftëtarit të devotshëm për liri, Ilaz Bajrami- Kosova, po e ripublikoj për ju intervistën e realizuar me të në vitin 1995 dhe të botuar në të përkohëshmen “Rruga Jonë”, që botohej në Lion të Francës dhe te gazeta “Zëri i Kosovës”, që ishte organ i LPK – së.
Familjes Bajrami dhe të gjithë shokëve e bashkëveprimtarëve të Ilaz Kosovës ju shpreh ngushëllime. Lamtumirë Baca Ilaz!
Me gjithë qenien e tij në Rrugë të Lirisë
Ilaz Bajrami është njëri prej shumë bashkatdhetarëve që kohën më të gjatë të jetës së tij e kaloi në mërgim. Për lexuesit e gazetës «Rruga Jonë» ai flet për jetën e tij, angazhimin e tij në veprimtaritë atdhetare, gurbetin, gjendjen e sotme të popullit tonë si dhe rrugën që duhet të ndjekin shqiptarët për të mos pasur jetën e pelimtë, siç thotë Xha Ilazi, të cilin bashkëatdhetarët në saje të angazhimit të tij vetmohues për çështjen e Kosovës e njohin si Ilaz Kosova.
«Rruga jonë»: Për shkak të varfërisë që na e shkaktoi pushtuesi, në rini të hershme u detyruat të largoheni nga familja, nga vendlindja, për të gjetur punë që të mbani familjen, a mund të na përshkruani atë kohë të rinisë suaj të hershme?
Ilaz Bajrami: Në fillim të viteve gjashtëdhjeta isha në moshën 17 vjeqare. Atëherë u detyrava të mbajë familjen. Askush nuk punonte, jo vetëm nga familja ime, por mund të them edhe nga fshati Devajë, më duekt se në atë kohë nga tri fshatra punonte vetëm një person si kurir shkolle. Ishte varfëri e madhe, përgatitesha për rrugë, nuk kisha as valixhe. Axha im nga thasët e bëri njëfar traste sa për t’i futur ca gjëra të imta që më duheshin për rrugë. Nga Ferizaj u nisa dhe shkova në Beograd. Pas dy javësh gjeta punë në një ndërmarrje ndërtimore «7 korriku» .
Tërë kohën sa kam kërkuar punë dhe sa kam punuar në këtë qytet kam shetitur gjithë Beogradin dhe gjithmonë më shkonte mendja si mund të jetë ky qytet kaq i rregulluar e i zhvilluar në të njejtin shtet ku është edhe Kosova. Ishte ndryshim i madh. Atëherë si shtatëmbdhjet vjeqar nuk e dija se Kosova është koloni e Beogradit.
«Rruga jonë»: Po ndonjë ndryshim tjetër nuk vrejtët?
Ilaz Bajrami: Gjithmonë më rri parasysh një parrullë e shkruar në stacion të trenit në Beograd. Aty shkruante «Boegrad se gradi». Parulla e tillë e theksuar bukur mirë nuk mund t’i shmangej syrit as më të voglit kalimtar, kurse mua pas vitit 1981 kur e kam dëgjuar parullën Trepça punon Beogradi ndërtohet (Trepça radi Beograd se gradi) ajo parullë nuk mu ka hequr kurrë nga mendja…
Ndryshim tjetër ishte se në këtë qytet nuk silleshin policët si në Kosovë. Unë i kam shumë të freskta në kujtesën time zullumet që i bëri UDB-ja, mbi popullsinë shqiptare, jo vetëm në Kosovë por kudo që kishte shqiptar nën ish-Jugosllavi që nga mbarimi i luftës së Dytë Botërore e këtej. Ne vitin 1956 nga fshati im, duke i torturuar çnjerëzisht në pikë të dimrit i mbajtën tërë natën 14 burra në borë e acar, ndër ta ishte edhe babai im…Nuk ka pasur lagje e fshat në Kosovë që nuk janë torturuar tmerrësisht shqiptarët nën pretekstin se po i fshehin armët… Ajo periudhë njihet si aksioni i armëve…
E gjithë fëmijëria dhe rinia ime e hershme më kujtohej dhe kur bëja krahasime shihja ndryshime të mëdha, çdo ditë e më mirë më qartësohej pozita e popullit tonë, pastaj nga ofendimet qe na i bënin punëdhënëst mua si i ri mu kristalizonin gjërat.
Gjithçka më sillej në kokë. Ikjet e shqiptarëve për në Turqi, torturat e të gjithë shqiptarëve të rritur në kohën e Rankoviqit, papunësia, ngecja mbrapa e arsimit, zhvillimit ekonomik, ekskomunikimi i kulturës sonë kombëtare, etj. Në moshën tetëmbdhjet vjeqare i kuptova të gjitha dhe fillova të gjykoj drejt e nganjëherë edhe të flas në ndonjë mjedis, se na i kanë futur këmbët në gjysëm opinge.
«Rruga jonë»: Fillimisht ju punuat nepër vende të ndryshme në ish-Jugosllavi pastaj u orientuat në Perendim si ishte vija e jetës suaj gurbetqare?
Ilaz Bajrami: Më lart thashë se në vitin 1960 jam larguar nga fshati Devajë dhe kam filluar të punojë në Beograd punë të ndryshme deri në vitin 1964. Në këtë vit u dasht ta ndërpres punën sepse më morën ushtar. Pas mbarimit të ushtrisë kur u ktheva në familje sërish pashë se punët i kishin pasur si është më keq. I kishte katandisur varfëria jo vetëm familjen time por tërë Kosovën. Beogradi ishte një metropolë e madhe kurse në Kosovë kishte vetëm një vijë hekurudhore që përshkonte gjithë Kosovën vetëm sa për të tronsportuar të mirat dhe pasuritë e Kosovës për në Beograd dhe vendet tjera atëherë jo vetëm të Serbisë.
Në këtë gjendje deshe nuk deshe duhej kërkuar punë. Në Kosovë punë nuk kishte. Bashkë me afro tridhjetë veta nga komuna e Vitisë u nisa për në Banat në vjeshtë të vitit 1964 për të punuar. Atje gjetëm punë për të qëruar misër. Pas përfundimit të kësaj pune prap jam kthyer në Beograd. Në ndërmarrjen ku kisha punuar më herët nuk më pranuan sepse nuk isha kthyer fill pas mbarimit të ushtrisë, por gjeta punë në një ndërmarrje ndërtimore ku fillova të punoj si muratorë.
Në fund të viteve gjashtëdhjeta enti për inkuadrim kishte hapur konkurs për dërgimin e punëtorëve nga Kosova në Perendim sidomos në Gjermani. Sa kam punuar në Beograd gjithmonë kam menduar të largohem sa më parë nga ky vend i cili eksploatonte atdheun tonë, djersën e popullit tonë. Me hapjen e këtj konkursi menjëherë jam kthyer dhe kam konkuruar, por, meqë nënpunësve të entit nuk u dhashë asgjë, ata më refuzuan me pretekstin se gjoja nuk e paskam tensionin e gjakut në rregull. Unë kisha vendosur më heret që askujt të mos i jap mito. Ndonëse më refuzuan vendosa që të shkojë vetë në Perendim dhe në vitin 1970 kam shkuar në Austri. Atje menjëherë gjeta punë dhe në këtë shtet kam punuar deri në vitin 1976 pastaj kam kaluar në Zvicër ku ndodhem edhe sot. Gjatë kohës sa kam punuar në Austri dhe deri në vitin 1982 rregullisht kam shkuar nga dy tre javë apo ndonjë muaj në shtëpi kurse nga viti 1982 nuk kam mundur të kthehem asnjëherë në Kosovë.
«Rruga Jonë»: Gjatë kohës sa keni qëndruar në Austri por edhe në Zvicër sigurisht se keni punuar rregullisht ç’punë punonit dhe a keni hasur në shqiptar si e kalonin kohën?
Ilaz Kosova: Si rëndom kemi bërë punë të rënda. Kërkonim punë që të fitojmë pak para dhe gjithmonë thoshim se do të kthehemi në Kosovë përgjithmonë në fund të vitit.
Shqiptar kam hasur kudo që kam shkuar, thuajse të gjithë bënin punë të rënda ose nuk kishin mundësi të punonin fare. Ka pasur raste kur dikush një lopë kishte pasur dhe atë e kishte shituar për të pasur para për rrugë dhe në fund nuk kishte mundur të gjente punë, kur i kishte hargjuar ato para të pakta ishte detyruar të kthehej në shtëpi në gjendje edhe më të rëndë se çe kishte lënë pa ardhur në Perendim.
«Rruga Jonë»: Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, shqiptarët që punonin në perendim filluan të organizojnë protesta dhe të solidarizohen me kërkesat e popullit në atdhe. Ju jeni ndër punëtorët e parë që iu bashkuat dhe ndihmuat në organizimin e këtyre demonstratave në shumë vende të Evropës a mund të na i përshkruani ato momente si keni vepruar dhe si e keni ndier veten në demonstratat e para ?
Ilaz Kosova: Në fillim duhet theksuar se atëherë Jugosllavia ishte e përkdhelura jo vetëm e Evropës. Organizimi i demonstratave kundër këtij shteti atëherë haste në pengesa të shumta. Fillimisht pas demonstratave të pranverës së ‘81-shit, në Evropë demonstrata e parë është mbajtur në Vjenë, unë në këtë demonstratë nuk munda të marrë pjesë më kanë thënë se në këtë demonstratë bashkatdhetarët tanë kanë pasur shumë telashe me austriakët. Kjo demonstratë pati dëshmuar se Evropa duhet të njihet më mirë me çështjen e popullit tonë dhe thuajse ne ishim i vetmi faktor që duhej të ndikojmë që e vërteta mbi gjendjen e robëruar të popullit tonë të depërtoi nëpër vendet ku punonim.
Në përendim demonstrata e dytë është mbajtur në Bern të Zvicrës. Me padurim e pritnja ditën kur të organizohej. Paraprakisht kishim shpërndarë shumë thirrje e njoftime mbi organizimin e saj, madje edhe pllakata kishim vendosur nëpër qytete të shumta të Zvicrës. Në Bernë vendtakimi ishte në stacion të trenit. Filluam të tubohemi. Sa u bëmë mbi 200 veta Rrusta e shpalosi flamurin kurse në ballë të masës doli një njeri me një kapelë të cilin e thërrisnin «Kaçketë». Ai ishte Kadri Zeka. Ç’është e vërteta ai u fliste ëmbël të gjithë atyre që vinin, më foli edhe mua por emocionet që për herë të parë dilnja në demonstratë nuk më kishin lënë që ndonjëri të më bëjë përshtypje. Masa sa vinte e shtohej vinin bashkatdhetarë pa ndërprerë nga të gjitha anët e Zvicres. Ajo filloi të lëviz në drejtim të ambasadës jugosllave. Në ballë të sajë ishte Kadriu i cili dikur filloi të flasë. Fjala e tij dukej se i bënte për vete edhe zvicëranët ndonëse nuk e kuptonin se ç’thoshte. Nga kjo demonstratë më kurrë nuk jam ndalur dhe në të gjitha protestat kudo që janë organizuar në Evropë jo vetëm kam marrë pjesë por jam munduar që të jep kontributim tim modest edhe për organizim. Në këtë kohë janë bërë shumë aktivitete patriotike e adhetare. Për një kohë të shkurtër kemi arritur që numër të konsiderueshëm të bashkatdhetarëve ti mobilizojmë në këto aktivitete si dhe ti pengojmë aktivitetet e përfaqsive diplomatike të shtetit jugosllav. Dihet se merita të jashtëzakonshme për këto punë kanë pasur dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka të cilët u bënë të dashur për të gjithë neve. Në këto aktivitete pata rastin që me këta dëshmorë të njhem edhe prej së afërmi.
Në këtë kohë përfaqësitë diplomatike të shtetit jugosllav përpiqeshin t’i largojnë bashkatdhetarët tonë nga Lëvzja që kishte gjetur shtrirje në të gjithë Evropën, por edhe në tubimet që ato i organizonin me bashkatdhetarë tanë mjaftonte vetëm një zë Kosova Republikë në mënyrë që edhe këto tubime t’i shndërronim në protestë antijugosllave.
Në çdo kohë bartësit kryesorë të këtij aktiviteti, dëshmorët e lartëpërmendur kanë qenë të gatshëm të na japin udhëzime, këshilla e detyra të cilave ne pastaj u përmbaheshim me përpikëri. Me Kadriun disa herë isha takuar në Gjenevë ku na sillte materiale të ndryshme si për bashkatdhetarë ashtu edhe për të huaj, kurse me vëllezërit Gërvalla jam takuar në Gjermani kur patëm shkuar për të kremtuar bashkë 28 Nëntorin në vititn 1981.
E shastisur nga ky motorr i fuqishëm i Lëvizjes shqiptare jo vetëm në Perendim, UDB-ja organizoi atentat mbi këta tre bijë të popullit dhe në natën e zezë të 17 janarit të vitit 1982 i vrau nga prita, dhe i ndau nga rruga çlirimtare që punonin me aq elan dhe përkushtim të madh.
Mund të them se në këtë kohë ishte bërë një homogjenizim i bashkatdhetarëve, kishte të atillë që u frigoheshin tubimeve e demonstratave sepse atëherë «pasuli hahej kokrra kokrra» por me zemër e shpirt shumica ishin të një mendjeje. Rezultat i punës së tre dëshmorëve në bashkimin e grupeve ilegale antipushtuese ishte formimi i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi sot Lëviizjes Popullore të Kosovës anëtar i së cilës jam që nga themelimi i saj.
«Rruga Jonë»: Aktiviteti i pandërprerë në perendim ka ndikuar që të dalloheni nëpër manifestimet atdhetare dhe kështu të bini në sy të lakejve të pushtuesve, të cilët pastaj ju kanë denoncuar në organet e UDB-së, si e kuptuat këtë?
Ilaz Kosova: Në mars të vitit 1982, të gjithë ne që ishim aktiv në veprimtaritë atdhetare ishim në gjendje shumë të rëndë pas vrasjes së udhëheqësve tanë, padyshim se në gjendje të tillë ishte edhe gjithë populli pos atyre që punonin për pushtuesit, pos tradhëtarëve. Ideali dhe shembulli i shokëve na jepte forcë. Në këtë kohë unë shkova në shtëpi me vete mora edhe sasi të konsiderueshme të materialit propagandistik dhe ua dërgova shokëve në Kosovë. Posa kanë vërjetur se unë jam kthyer ne shtëpi organet e UDB-së kishin ardhur të më arrestojnë. Rastësisht nuk kisha qëlluar në shtëpi dhe me të dëgjuar u largova nga fshati e më vonë u ktheva sërish në Zvicër. Kjo ishte hera e fundit kur kam shkeluar në tokën e Kosovës, tanimë u bënë 13 vite e gjysmë dhe nuk mund të mirret me mend sa vështirë e kam. Për trembëdhjet vjet Kosovën vetëm e ëndërroj por nuk e shohë dot dhe të dini se të vetmin ngushllim e kam se gjatë tërë kësaj kohe jam angazhuar të kontribuoj për çlirim të saj. Këtë angazhim ia kemi borxh sa Kosovës aq sa edhe brezave që vinë që të mos e kenë fatin tonë.
Që nga vitit 1960 kur për herë të parë kam dalur në kurbet e deri me sot d.m.th. për tridhjet e pesë vjet në shtëpinë time në Devajë nuk e kam bërë më shumë se një vit po të mbledhë tërë kohen sa kam shkuar për të parë familjen ose për të pushuar.
«Rruga Jonë»: Gjatë viteve tetëdhjetë si në Kosovë ashtu edhe në perendim nuk ka pasur ndonjë organizim të mirëfillt të ndonjë subjekti politik në përjashtim të Lëvizjes, kurse nga vitit 1990 kemi një mori partishë politike në Kosovë dhe të degëve e të nëndegëve të tyre në Diasporë. A mund të bëhet një krahasim i këtyre dy periudhave kohore ?
Ilaz Bajrami: Edhe më herët gjatë vieteve tetëdhjeta në Perendim ka pasur disa organizime kryesisht të reaksionit të Luftës së dytë botërore por ato absolutisht nuk kanë pasur ndonjë ndikim kanë qenë të kufizuara në dy tre individë, kurse në Kosovë pos Lëvizjes nuk ka pasur asnjë organizim tjetër antipushtues. Të gjitha grupet që janë formuar në Kosovë që janë të shumta kanë qenë në platformë të Lëvizjes. Edhe në perendim ka mundur të formohet mdonjë grup apo ka ndodhur të jenë bërë fraksione por asnjëra nuk ka arritur t’i përballoj kohës. Qysh gjatë viteve tetëdhjetë është parë se krijimi i grupeve apo ndarja qoftë edhe në dy grupe është kuntraproduktive për rrethanat në të cilat jeton populli ynë. Në rrethana të okupimit klasik popullit i duhet unitet e jo ndarje. Pjesa e organizuar e popullit duhet të angazhohet për bashkim e jo për ndarje. Eshtë dëshmuar se çdo ndarje nuk ka sjellur asgjë tjetër pos përçarjes. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe formimin e partive të shumta politike e të asociacioneve të ndryshme si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.
Thuajse për një dekadë Lëvizja kishte punuar aq shumë sa kishte kristalizuar në vëmendjen e çdo shqiptari pozitën tonë, kishte organizuar shumë protesta e demonstrata si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, kishte senzibilizuar dhe ndërkombëtarizuar çështjen e pazgjidhur kombëtare të gjysmës së popullit shqiptar, kishte përkatitur masat e gjëra popullore për rezistencë aktive antipushtuese.
Për një dekadë aktivitetet patriotike, revolucionare e çlirimtare të Lëvizjes, shtetit të Jugosllavisë ia kishin dridhur themelet.
Për një dekadë burgjet e Jugosllavisë kanë qenë përplot me aktivistë e anëtarë të Lëvizjes, për një dekadë vazhdimisht janë vrarë e masakruar bartësit kryesor të aktivitetit revolucionar e çlirimtar, por pushtuesit kurrë nuk arritën ta shuajnë veprimtarinë dhe rezistencën çlirimtare.
Rezultat i kësaj rezistence aktive ishte edhe shpallja e Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut 1990 pra i shpalljes së Republikës së Kosovës, i nxjerrjes së Kushtetutës së Kaqanikut. Po të mos ishte ky presion i popullit këto akte sigurisht që nuk do të bëheshin fare.
Pas këtyre akteve në vend që të vazhdonim edhe më me forcë aktivitetet çlirimtare për të jetësuar republikën ne u tërhoqëm me sygjerimin e partive politike të cilat u krijuan gjatë vitit ‘90. Kjo tërheqje ishte një prapakthim i çështjes sonë kombëtare rezultat i sajë është vendosja e kufirit të ri nepër trojet tona, si dhe largimi masiv i shqiptarëve nga atdheu dhe degdisja e tyre nepër rrugë të të katër anëve të globit.
Krijimi i shumë partive politke nuk ka sjellur ndonjë progres të çështjes kombëtare, përkundrazi. Edhe në diasporë shumë parti politike i kanë ndërtuar degët e tyre. Kjo gjë solli një katrahurë në mërgatën shqiptare. Mund të them se si në Kosovë ashtu edhe në diasporë krijimi i partive politike mbi të gjitha solli përçarje. Tërë energjia e grumbulluar ka tendencë që nga këto parti të derdhet në probleme të brendshme.
Fillimisht me formimin e tyre shumëkush mendoi se çështja do të zgjidhet aq lehtë siç e predikonin ithtarët e rrugës pacifiste se liria do të na zbret nga qielli, vetëm sa nuk thoshin, duhet të bëhemi gati kush është më i zoti për ta pritur në dorë. Fatkeqësisht u dasht të kalojnë pesë vite për tu bindur, se ato kanë mundur të jenë vetëm ëndërra.
Objektivë primare me formimin e tyre këto parti e sidomos ajo më e madhja e kishin rrënimin e Lëvizjes e cila për dhjetë vjet ishte ndeshur me tërë Jugosllavinë dhe tradhtarët e brendshëm. Gjithashtu edhe në diasporë të tërë aktivitetin e tyre «çlirimtar» këto parti e kishin orientuar kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës, mbase kishin harruar se ato janë formuar për të luftuar Serbinë.
Ironia e tyre ishte e pashembullt kur thoshin se nuk kemi nevojë të bëjmë demonstrata as në Kosovë e as në diasporë, lrinë do ta fitojmë me laps e gjepura të tjera. Eshtë folur e çka nuk është thënë. Eshtë thënë nga kryetari i LDK e edhe i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova, se po që se nuk vijojnë mësimin nxënësit e studentët shqiptar nepër objektet shkollore, nuk do të mund të vijojnë as serbët. Shqiptarët për të pestin vit mësimet i vazhdojnë nepër bodrume e garazha të ndryshme, kurse serbët, jo vetëm që po i vijojnë mësimet në shkolla e fakultete të ndërtuara me djersën tonë por edhe po e shtojnë numrin vazhdimisht, kurse shkollat tona fillore i kanë shndërruar në shtëpi kolonistësh.
Eshtë thënë se Serbisë nuk do t’i hiqen sanksionet pa u zgjidhur çështja e Kosovës. Ato u hoqën dhe Kosova nuk u përmend jo si problem. por as si nociom gjeogrfik, e për çudi akoma vazhdon të flitet e të na predikohet rruga paqësore e cila padyshim se fundin e ka që ne sërish të mbetemi nën «rahmet» të Serbisë.
«Rruga Jonë»: D.m.th. krijimi i partive politike në Kosovë dhe degëve të tyre në diasporë nuk sollën ndonjë përparim të popullit tonë ?
Ilaz Bajram: Absolutisht. Për të sqaruar lexuesin dua të them se nuk jam kundër partive poltike dhe pluralizmit. Por për të pasur pluaralizëm politik duhet së pari të çlirohet vendi. Këtë punë nuk mund ta bëjë kjo ose ajo parti por të gjithë së bashku. Ne me këtë organizim që e kemi përpiqemi t’i imitojmë shtetet që çështjen kombëtare e kanë zgjedhur dhe lirinë i kanë fituar qysh ne shekullin e kaluar.
Janë mbajtur edhe zgjedhjet, Por Parlamentit të dalur nga këto zgjedhje po i skandon afati katërvjeçar pa u tubuar asnjëherë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet ta bëjmë lojën e shtetit të lirë kur jemi të okupuar, por duht që të veprojmë në bazë të një programi kombëtar ku çdo grup shoqëror apo subjekt të jetë i përfshirë jo si subjekt por të krijohet si një Front i vetëm antipushtues e pastaj pas arritjjes së synimeve tona, arritjes së lirisë mund të dalin në konkurrencë partitë politike dhe vetëm atëherë pluripartizmi do të ketë kuptim.
«Rruga Jonë»: Si e mendoni Ju zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare?
Ilaz Bajrami: Përgjegjja në këtë pyetje mund të del edhe nga përgjegja paraprake. Fillimisht duhet qartësuar kërkesën tonë. Edhe ne vetë sot nuk po e dimë se çka në fakt kërkojmë pa lëre më opinioni ndërkombëtar. Të gjitha subjektet politike duhet ta ngrijnë aktivitetin partiak deri në çlirim të Kosovës. Ato duhet të kenë një unitet në mendim e në veprim. Duhet të veprojnë me taktika të njejta për të arritur strategjinë e caktuar. Eshtë bërë gabim i madh kur ka filluar të ndiqet një strategji parciale kjo ka ndikuar që edhe çështja jonë kombëtare të parcializohet dhe shqiptarët pjesa e okupuar të angazhohen dikush për republikë, dikush për shtet të pavarur në Kosovë, për popull shtetformues në Maqedoni, për autonomi në Mal të Zi e në Kosovën Lindore, të gjitha këto parcializime të veprimeve kanë sjellur si rezultat edhe parcializimin e tokave dhe forcimin e kufirit përmes trojeve tona etnike. Eshtë me interes të madh për ne të ulemi dhe të mendojmë si kolektivitet e ti nxjerrim mësimet jo vetëm nga dështimet e mëdha politike të këtyre pesë viteve të fundit por edhe nga historia e jonë e bujshme.
Të gjitha subjektet e di se një qëllim kanë, por mënyra se si të vihet deri tek ky qëllim është kontestuese. Secili përpiqet që ta imponojë mënyrën e vet, punë që nuk bëhet. Ka vetëm një rrugë për tu çliruar bashkimi i të gjithëve si një, në front kundër pushtuesve. Po të jemi të bashkuar dhe të kemi një mënyrë të përbashkët veprimi atëherë edhe qendrave të vendosjes në politikën ndërkombëtare do t’i imponohemi si faktor i fuqishëm e gjithashtu edhe pushtuesi do të jetë i shtrënguar të ulen e të bëjë dialog me ne se përndryshe i pret lufta. Ndërkaq dialogu me pushtuesit në këto rrethana çfarë jemi ne asnjëherë nuk mund të bëhet ose mund të bëhet sipas kritereve që i përcakton pushtuesi për respektimin e të drejtave njerëzore nën sovranitetin e tyre d.mth. për statusin e Kosovës në këto rrethana dhe me këtë organizim që e kemi Serbia nuk do të bisedojë.
«Rruga Jonë»: Sipas mendimit tuaj sa është duke u angazuar shteti ynë amë drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe a ka mundësi të bëjë më shumë në këtë dejtim?
Ilaz Bajrami: Padyshim se Shqipëria përpiqet të angazhohet për çështjen kombëtare, por ajo nuk angazhohet më shumë se që jemi ne pjesa e robëruar e popullit të angazhuar për të arritur lirinë. Mua nuk më pëlqejnë deklaratat e pamatura të krerëve politikë të Shqipërisë lidhur me problemin e pazgjidhur kombëtar. Ata shpesh e përsërisin atë se do të ruajmë paqen në Ballkan, se ne nuk jemi për ndryshim të kufijve, se duhet të pajtohemi me aq sa na caktojnë të tjerët etj. Nisur nga këto deklarata del se Qeveria shqiptare dhe instancat tjera shtetërore e politike nuk angazhohen dhe nuk bëjnë analiza të mirëfillta por shpeshherë para të huajve na dalin servilë dhe pa i kundërshtuar fare pajtohen me atë që thonë ata për Kosovën dhe viset e saja. Përkundër problemeve të shumta që aktualisht i ka shteti shqiptar konsideroj se ai mund të bëjë shumë më shumë për çështjen e gjysmës së popullit dhe të më shumë se gjysmës së trojeve etnike shqiptare që mbahen të okupuara.
Shqipëria çështje primare duhet ta ketë çlirimin e kësaj pjese të robëruar në mënyrë që të funksionojë trupi i tërë se përndryshe me gjysmën e trupit të paralizuar edhe shteti edhe populli shqiptar nuk mund të prosperojnë.
«Rruga Jonë»: Si mërgimtar i vjetër që jeni si e shikoni sot lumin e madh të njerëzvë që lëshojnë Kosovën dhe vijnë në Perendim?
Ilaz Bajrami: Braktisja e atdheut sidomas këto pesë vitet e fundit ka marrë përmasa alarmante. Të gjithë shqiptarët duhet të jenë të shqetësuar nga kjo dukuri. Me shpërngulje populli ynë ka përvoja historike mjaft të hidhura. Shpërngulja e viteve të fundit ka intenzitet më të madhë në krahasim me të gjitha shpërnguljet e mëparshme dhe mund të ketë pasoja katastrofale për ne. Në këtë kohë mund të justifikohet lëshimi i vendit i atyre që janë të rrezikuar dhe i pret burgu ose eventualisht e atyre që gjendja ekonomike, varfëria i shtynë të marrin rrugën e kurbetit por nuk justifikohen në asnjë mënyrë ata që pa ndonjë arsye e braktisin atdheun vetëm për të jetuar më mirë në perendim. Ata që medojnë se do të jetojnë më mirë në kurbet pas një kohe të shkurtër të qëndrimit të tyre këtu do të zhgënjehen. Nuk thuhet kot se në atdhe është balta si në mërgim mjalta.
«Rruga Jonë»: Thuhet se Evropë ka rreth gjysëm milioni shqiptar sa janë të angazhuar ata në aktivitetet kombëtare dhe a ndihmon diapora sa duhet çështjen ?
Ilaz Bajrami: Vërtet në Perendim shqiptarë ka shumë. Por ka shumë pak që janë të angazhuar dhe japin maksimumin nga vetja e tyre në aktivitetet kombëtare. Kam përshtypjen se shumkush para çështjes kombëtare ka vënë interesat e ngushta partiake ose edhe individuale. Këto kanë ndikuar që angazhimi i mërgimtarëve si forcë e madhe morale, materiale dhe vepruese të ngecë.
Më tragjikja është se të rinjtë në diasporë kanë ngelur nën mëshirën e kohës dhe rrugës. Meqë jemi këtu duhet ti kushtojmë rëndësi të madhe shkollimit të fëmijëve tanë dhe krijimin e kuadrove që do ti duhen Kosovës. Eshtë e domosdoshme që edhe diaspora të bashkohet dhe të jetë një forcë e madhe vepruese si në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar ashtu edhe në grumbullimin e të mirave materiale për të ndihmuar luftën për çlirim dhe mbi të gjitha duhet punuar në organizimin e kthimit të bashkatdhetarëve tanë në atdhe të cilit më së shumti duhet t’i detyrohemi.
«Rruga Jonë»: Si kurbetçar i vjetër a keni ndonjë porosi për lexuesit e «Rruga Jonë» dhe për kurbetçarët në përgjithësi?
Ilaz Bajrami: Po. Porosi e ime për të gjithë kurbetçarët është të jenë unik, të mos kenë dallime sidomos kur është në pyetje çështja kombëtare, pavarësisht përkatësisë partiake, të ndihmojnë njeri tjetrin, se po nuk kemi ndihmë të ndërsjellë ne vëllezërit e një gjaku nuk mund të presim ndihmë nga të huajt. Do të ishte mirë që asnjë prej kurbetçarëve tanë -të them kushtimisht me ketë shprehjen e kurbetit- të mos mendoj të fus rrënjë në tokë të huaj por të punojnë e fitojnë këtu e të ndihmojnë dhe të mendojnë për çlirimin e Kosovës dhe kthimin e tyre ku e kanë vendin. Derisa të jenë këtu të kenë kujdes nga asimilimi.
«Rruga jonë»: Po për shqiptarët në Kosovë keni ndonjë porosi?
Ilaz Bajrami: Të gjithë shqiptarëve u preferoj të mos e lëshojnë vendlindjen. Të gjithë të angazhohen aty ku janë për arritjen dhe realizimin e aspiratave të popullit tonë. Në të kundërtën nuk do të kemi lumturi, nuk do të kemi gëzime nuk do të kemi jetë tjetër pos jetë të idhët dhe katandisje.
Për të gjithë shqiptarët lumturia do të vjen me ardhjen e lirisë e liria nuk vjen vet ajo fitohet me punë, djersë, luftë e sakrifica. Populli ynë duhet të jetë vigjilent dhe të mos lejojë që për të satën herë fatin e tij dhe të tokave të tij t‘i përdorin si kusuritje në pazar. Populli shqiptar duhet të ruhet nga tradhtia e re por le ta dijnë edhe ata se shqiptarët dinë të ndëshkojnë tradhtarët.
Ju faleminderit!
Bisedoi Ramadan Avdiu
add a comment