Lëvizja\UÇK

Shoqëria LËVIZJA: Në Kosovë mbrohen paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit e më gjerë

Shoqëria LËVIZJA
Shoqerialevizja@gmail.com
                                                  Për opinionin publik, për qendrat botërore të vendosjes dhe për mediat
                                          REAGIM për ngjarjet e fundit në Veri të Republikës
   Dhuna dhe terrori që po ushtrojnë grupet e organizuara dhe të orkestruara nga shteti fqinj, Serbia shoviniste e Vuçiçit, ka shqetësuar dhe indinjuar, si gjithë shqiptarët, edhe drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e Shoqërisë LËVIZJA. Kjo dhunë e nxitur dhe drejtuar drejtëpërdrejt nga Vuçiçi dhe shteti i tij ka për synim arritjen e njërit prej dy qëllimeve: Qëllimi i parë, i menjëhershëm, është shkëputja e Veriut të Republikës së Kosovës (aneksimi i tij Serbisë). Nëse nuk mund të arrihet ky qëllim, Serbia me të gjitha mjetet dhe rrugët, angazhohet për krijimin e një entiteti të posaçëm serb në 30% të territorit (“zajednicën”) dhe në kohën që do të krijoheshin rrethana të favorshme ta përdor për destabilizim e konflikte dhe shkëputje të këtij territori nga Republika e Kosovës.
 Bashkëkombës shqiptarë! Qeveri dhe diplomatë të Fuqive të Mëdha! Media dhe rrjete sociale!
   Lirinë e fituar të kësaj Republike, që nuk përbën më shumë se një të tretën e Kosovës, kombi shqiptar e ka paguar me lumenj gjaku. Po bëhet gati një çerek shekulli qysh se u tërhoqën të mundura forcat pushtuese serbe, kurse Republika e Kosovës ende ka mbetur peng i “dialogut” me Serbinë!!
   Në shek. XIX paqja midis Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit ishte arritur kryekëput në kurriz të tokave të Shqipërisë!! Kjo histori tragjike për popullin shqiptar dhe për Shqipërinë e tij u përsërit edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), kur tokat e Shqipërisë iu dhuruan shteteve fqinje si të ishin fituar në bixhoz!! Edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore tokat e Shqipërisë mbetën të pushtuara (dy të tretat e saj!), kurse shumica e popullit shqiptar në ato troje ishin vrarë, masakruar e dëbuar si “muhaxhirë”. Dhuna, terrori dhe gjenocidi i orkestruar nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi vashduan edhe midis dy luftërave botërore mbi popullin e pambrojtur shqiptar!! Qeveritë dhe diplomatët e Fuqive të Mëdha, të kënaqura me “paqen” e arritur, fërkonin duart me një gjakftohtësi dhe indiferencë makabre!!
   Gjatë Luftës së Dytë Botërore (kasaphanës së madhe njerëzore!) Fuqitë e Aleancës Antifashiste kishin proklamuar me propagandë e tam – tame “të drejtën e popujve për VETËVENDOSJE” pas përfundimit të Luftës, fitores mbi aleancën e shteteve nazifashiste… Populli shqiptar, në proporcion me fuqinë që kishte, dha kontribut të çmuar për mposhtjen e bllokut nazifashist. Mirëpo, pas mbarimit të luftës iu mohua e drejta për të vetëvendosur, ashtu siç ishte edhe Rezoluta e Bujanit, e miratuar në frymën e dokumenteve dhe proklamatave të Fuqive antifashiste… Dy të tretat e Shqipërisë mbetën të pushtuara dhe, për turpin e tyre, e kërcënonin me copëtim e zhbërje edhe atë copë shtet shqiptar që ishte krijuar pas pazarllëqeve të bëra në Konferencën e Londrës!
   Pas gati një shekulli përpjekjesh, kryengritjesh e sakrificash kombi shqiptar ia doli ta çlironte një pjesë të tokave të tij të pushtuara, Kosovën me kufijtë aktual. Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha i dha fund Luftës shqiptaro – serbe dhe pengoi edhe një herë ose nuk i dha përkrahje të drejtës së popullit të pushtuar shqiptar për t’u çliruar plotësisht nga fqinjët pushtues dhe për t’u bashkuar me shtetin e tij!
   Pas shumë “fërkimesh” e pazarllëqesh, prapa krahve të popullit shqiptar, Kosova e rreth 11 000 km katrore u shpallë “shtet i pavarur e sovran”. Mirëpo, pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës u kufizuan dhe shantazhuan me lloj – lloj projektesh, marrëveshjesh e ndërhyrjesh nga prania ndërkombëtare dhe qendrat e vendosjes!
   Kufizimi dhe shantazhimi më brutal Republikës së Kosovës dhe sovranitetit të saj iu bë me shpikjen e “Veriut serb”!! Kjo pjesë e patjetërsueshme e territorit të Republikës së Kosovës dhe pakica serbe u përdor dhe po përdoret si pretekst nga Serbia shoviniste dhe nga miqtë e saj (të deklaruar e të padeklaruar!) për ta tensionuar e destabilizuar Republikën e Kosovës dhe rajonin!. Më e interesuara për konflikt në këtë rajon është Rusia e Putinit…
   Dhuna, terrori dhe dëbimi i popullsisë shqiptare të atij rajoni nga bandat e organizuara shtetërore të Serbisë (nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare!!) paralajmëronin vështirësi afatgjate për shtrirjen e sovranitetit, të ligjshmërisë dhe rendit demokratik në Veriun e Republikës së Kosovës. Prania e pauniformuar e Serbisë në territorin e Kosovës shqiptare dhe tolerimi i saj nga prania ndërkombëtare do të duhejë të kishin qenë sinjale të mjaftueshme për klasën politike dhe shtetërore të Kosovës, e cila, konform mandatit dhe detyrimeve kushtetuese e kombëtare, krahas “dialogut” me Serbinë duhet të kishte marrë masat për mbrojtjen e Republikës, të rendit të saj kushtetues dhe të territorit të saj…
   Shumë politikanë, përgjegjës për koncesionet dhe marrëveshjet e turpshme kapitulluese, edhe sot kanë fytyrë e “guxim” të radhiten në anën e gabuar, duke bërë deklarata, intervista e duke propaganduar shfrenueshëm në favor të një “zgjidhjeje” të pranuar nga të dyja palët, në dëm të Republikës së Kosovës!! Kësaj politike koncesioniste e disfatiste ua mbajnë “ison” mediat dhe opinionistët e mercenarizuar, duke u bërë shpeshherë telallë e altoparlantë të politikave antishqiptare!
Zonja dhe zotërinj!
   Shoqëria LËVIZJA kërkon nga forcat politike, nga mediat, nga shoqatat autoktone dhe nga inteligjencia që t’i lënë anash interesat partikulariste dhe të bashkohen rreth interesave të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar. Deklarimi, propagandimi dhe artikulimi i qartë e pa ekuivok për pavarësimin – shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, për sovranitet, integritet dhe kontroll të plotë të territorit të Republikës së Kosovës është sine que non për stabilitetin, sigurinë dhe paqenë në Kosovë e rajon…
   Shoqëria LËVIZJA i ka të qarta rrethanat në botë dhe rreziqet që po e kërcënojnë paqen dhe sigurinë globale. Prandaj, u bëjmë thirrje qendrave të vendosjes, kryesisht Fuqive Perëndimore, që të heqin dorë nga angazhimi për ruajtjen e “paqes” në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Përkdhelja e Serbisë, nga njëra anë, dhe trysnia e shantazhimi i Republikës së Kosovës, në anën tjetër, nuk garantojnë paqen në rajon…
   Shoqëria LËVIZJA është e ndërgjegjshme se prania ndërkombëtare në Kosovë nuk është vendosur për ngjyrën e syve tanë. SHBA – ja dhe Fuqitë evropiane e kanë të qartë më mirë se kushdo tjetër se në Kosovë mbrohet stabiliteti, paqja dhe siguria rajonale e më gjerë. Prandaj, kërkojmë që Republika e Kosovës të pranohet urgjentisht në aleancën e madhe ushtarake – NATO, kurse pesë vendet e BE – së ta njohin një ditë e më parë Republikën e Kosovës! Kjo është zgjidhja e duhur imediate dhe e domosdoshme për Kosovën që s’e keni lejuar t’i bashkohet shtetit të saj…
   Shoqëria LËVIZJA u bënë thirrje krerëve të Republikës së Kosovës që politikat dhe veprimet e tyre për pavarësi, sovranitet dhe integritet të plotë t’i bashkërendojnë domosdoshmërisht me shtetin tonë AMË (sidomos), me SHBA – në, me Britaninë e Madhe, me vendet e BE – së dhe me të gjitha vendet tjera që njohin dhe respektojnë, sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të Republikës së Kosovës nga Serbia! Në rrethanat e sotme rajonale dhe botërore bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ngushtë me miqtë e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës shqiptare nga Serbia është pa alternativë…
   Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Tirana zyrtare (e vetmja pronare legjitime e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare) të jetë më serioze, më aktive, më e pranishme dhe më këmbëngulëse për çështjen e pazgjidhur shqiptare, përgjithësisht, dhe për Kosovën, posaçërisht!
   Shoqëria LËVIZJA e kupton se “miku i mirë duhet për kohë të vështira”, prandaj u bënë thirrje miqësore Qeverisë dhe diplomacisë amerikane t’i marrin parasysh dhe t’i përkrahin kërkesat e popullit shqiptar në Kosovën Lindore, të cilit Serbia e vuçiçve i mohon me dhunë e terror të organizuar shtetëror të drejtat dhe liritë themelore kombëtare, njerëzore, politike dhe ekonomike. Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se të drejtat që ka pakica serbe në Republikën e Kosovës…
Prishtinë, më 30 maj 2023                                                              Me konsideratë dhe nderime!
                                                                                                                          Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA
                                                                                                                                          Xhevat Gjini