NË UJËMIRË TË KLINËS, PROMOVIM LIBRI I UKË SHALËS
E MANIFESTIM DOMETHËNËS PËRKUJTIMOR
I LËVIZJEVE ATDHETARE
Sot në Ujëmirë të Klinës, në shtëpinë memoriale të Sadri Shalës, një tubim domethënës. Fjala është për promovimin e veprës dokumentare me rrëfime personale të Ukës Shalës (mërgimtar në Zvicër), luftëtar i UÇK-së dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Libri mban titullin “Vendimi në Ujmir, lufta për ideal” (kujtime, mbresa, përjetime, dashuri dhe urrejtje) i botuar këtë vit. Merrnin pjesë miq, familjarë, bashkëpunëtorë e veprimtarë të ilegales e luftëtarë të UÇK-së, etj nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe nga mërgata jonë.
1.
Tubimi u mbajt në shenjë të 3 vjetorit të shkuarjes së nënës së Ukës në amshim, si dhe të 92-vjetorit të babait të tij, Sadri Shala.
Manifestimi përkujtoi edhe ngjarjet e vitit 1991, kur në këtë ambient kulle u mbajt Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore të Kosovës, që, siç e thotë libri, qe marrë vendim për organizimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë. Këto çaste i evokoi veprimtari Gani Neziri, pastaj përshëndetën edhe Mustafë Lajçi e Shremet Pantina.
Në ato vite nga kjo familje qenë burgosur babë e bir, Sadri Shala dhe djali i tij Ymeri, kurse Uka qe detyruar të kalojë në ilegalitet e të mërgojë në Shqipëri e në Zvicër.
Manifestimiu përskua edhe nga pika muzikore folklorike nga grupi rapsodik Rifat e Agron Dragaj.
2.
Pjesa e dytë iu kushtua promovimit të librit, për të cilën foli autori i këtyre rreshtave (Prend Buzhala). Po shkëpus një frsgment për lbri :
“Kur e lexojmë librin “Vendimi në Ujmir, lufta për ideal” (kujtime, mbresa, përjetime, dashuri dhe urrejtje)” të Ukë Shalës, bindemi shumëfish vlerën e këtij libri: në radhë të parë, se Ujëmirit, si qendër e rëndësishme lokale, i duhet ti ketë librat e vet, meqë i ka njerëzit e tij, betejat e veta, vlerat e veta dhe historinë e vet. Në radhë të dytë, njerëzit kanë personalitetin e tyre, veçoritë e veta, sfidat me të cilat përballet me ngjarjet gjatë jetës, si dhe rrugëzgjidhjet e e nyjave të kohës e nëpër kohë.
Të gjitha këto të shtyjnë te pohimi në fillim: se vërtet kujtimet, mbresat dhe përjetimet personale shtrihen e shkrihen në këtë libër që lexohet si një roman jete. Këtë ta sugjerojnë edhe dy referencat tjera të titullit: dashuri e urrejtje, në të cilat autori pikëzon dy botë: dashuritë e tij të pafund, siç janë atdheu dhe familja, puna dhe përkushtimi, si dhe urrejtjet e tij ndaj pushtuesve, armiqve të lirisë, ndaj përdhosësve të idealit, lakmitarëve, keqbërësve etj.
Kjo jetë nuk është vetëm rrëfim personal, por ajo shkrihet në marrëdhëniet e raportet me të tjerët: me familjen, me miqtë, me punën, bashkëpunëtorët, bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët, mërgimtarët… Dhe kjo rrjetë takimesh, bashkëpunimesh është tejet e gjerë. Janë kujtime, mbresa, përjetime, shpalime, dëshmi, takime forma tjera të veprimit e gjallimit që shtrihen në pesëmbëdhjetë kapituj.
Meqë ndër kryefjalë e këtij libri është Ujëmiri, atëherë nuk është e rastësishme spe ai e nis edhe me një histori familjare të qëndresës, atë të Ukë Sadri Millës, në fillim të shekullit XX e deri te Uka i sotëm luftëtar i UÇK-së e veprimtar i lëvizjeve kombëtare. Dokumentohen e përshkruhen djegiet, ndjekjet, arrestimet e bastisjet për një shekull rresht ndaj kësaj familjeje e ndaj shaljanëve përgjithësisht.
Aty jep edhe një evokim për Ujëmiri apo, si e quan ai, qytezën:
“Ujmiri në atë kohë, me plotë kuptimin e fjalës, ishte një qytezë, kishte shumë shitore, abulancë, postë-telegraf, koperativën bujqësore si dhe mësues nga të gjitha anët e Kosovës. Kishte edhe dy kaféne, stacionin policor, mullirin me rrymë elektrike, hanin për kafshët dhe nallbanin për mbathjen e kafshëve njëthunbdrake, etj. Dita e premte në qytezën tonë ishte ditë tregu, dhe vendi mbushej me njerëz nga e gjithë Kosova, si Peja, Skenderaj e deri nga Rozhaja e Novi Pazari. Në qendër të fshatit, tek shitoret, ka pasur një bunar për ujë të pijshëm dhe, nga gjithë ajo masë njerëzish që vinin, rrinte një plak që u jepte ujë kalimtarëve të rastit. Afër shkollës ishte edhe furra e bukës. Për ditë tregu, të premteve, vinin rapsodët, tupanxhinjtë dhe defatorët. Si rrjedhojë e gjithë kësaj larmie njerëzish dhe aktivitete, atë botë Ujmiri kishte plotë gjallëri. Më kujtohet se në treg ishte një vend ku grumbulloheshin njerëzit dhe bisedonin e shkëmbenin mendime për hallet e tyre.”
Le ta themi se ky libër na vjen si një homazh dokumentar për historinë njëshekullore jo vetëm të familjes, por edhe të këtyre anëve…
Kujtesa që ringjallet nëpërmes këtij libri dokumentar nuk lëshon thirrje hakmarrëse kundër të tjerëve; porse kjo thirrje i drejtohet ndërgjegjes sonë njerëzore e nacionale për vetëdijesim historik, ndërgjegjes sonë historike si Mësuese e Jetës. E kjo Mësuese gjithsesi po e thotë e do ta thotë Fjalën e Saj. Vlera dokumentare është, detyrimisht, e madhe, për shkak të autenticitetit të ngjarjeve, megjithëse ka një ngjyrim subjektivizues e personalizues të dëshmisë. Autori dëshiron të na dëshmojë, se Historia dhe E vërteta mund të vonojnë, po jo të humbasin; sepse Historia është Muzë e Së Vërtetës dhe sepse Historia gjithnjë e gjithnjë e kërkon këmbëngulshëm Të Vërtetën për të gjitha ato që kanë ndodhur. Dhe kjo e vërtetë tashmë flet nëpërmes gojës së shumë dëshmive e dëshmitarëve. Për Liri, për Qytetërim, për Troje Etnike.”
3.
Në fund, përshëndetën edhe familjarët, kurse autori i librit evokoi e shkëputi momente të librit e të jetës së tij e të familjes, si dhe përgjithësisht të lëvizjes kombëtare në ato vite.
(pb.)
add a comment