Shqipëria/Aktualitet

Deklarata nga Athina për arrestimin e Belerit, Xhaçka: U kap në aktivitet kriminal ndaj zgjedhjeve të lira

T’u bëhet e qartë, prerë dhe pa ekuivoke fqinjve grekë se Republika e Shqipërisë është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet e drejtësisë dhe shteti shqiptar nuk i japin llogari shtetit grek dhe as nuk marrin “urdhëra” nga ai për zbatimin e ligjeve në territorin e Republikës. Qytetarët e Himarës janë shqiptarë dhe shtetas të Republikës së Shqipërisë, për ta përkujdeset shteti shqiptar. “Interesimi” dhe angazhimi i Greqisë për Himarën shqiptare dhe himariotët duhet të konsiderohet ndërhyrje brutale dhe shoviniste… Greqisë dhe institucioneve të saj duhet t’u kërkohet që t’i njohin dhe respektojnë në plotëni të drejtat e Çamërisë dhe të popullit të saj shqiptar për t’u kthyer në vatrat dhe pronat e tyre stërgjyshore. Shteti grek duhet t’i njoh dhe respektojë edhe të drejtat e shqiptarëve arvanitas që jetojnë shekuj me radhë në tokat dhe vendin e tyre… Republika e Shqipërisë duhet t’ia bëj të qartë Greqisë fqinje dhe botës që nuk do t’i tolerojë ndërhyrjet dhe pretendimet për shkombëtarizimin dhe greqizimin e popullit shqiptar në Himar. Koha kur Kisha dhe shteti grek greqizonin shqiptarët me dhunë, terror e gjenocid ka kaluar për të mos u kthyer kurrë më. Prandaj, Tirana zyrtare duhet ta ndihmojë fqinjen e saj të racionalizohet dhe të jetojë me kohën e sotme… (GL)

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka reagoi pasditen e sotme në Twiiter në lidhje me deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë për arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në Himarë, Fredi Beleri.

“Është thuajse e pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin janë shumë të qarta. Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Xhaçka.

“Nuk e kuptojmë se si të qenurit me kombësi greke, mund ta përjashtojë atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Policia e Shtetit arrestoi dje Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit ”Bashkë fitojmë” për bashkinë e Himarës.

Arrestimi i Belerit është kryer pasi kandidati për kryetar bashkie në Himarë akuzohet për blerje votash.