Portreti/intervista

Gazeta Kushtrim Brezash: Heroi i Popullit Qemal Stafa

20 mars 1920 – 103 vjet – 20 mars 2023 ????????
Qemal Stafa – Hero i Popullit
Qemal Stafa lindi më 20 mars të vitit 1920 në Elbasan.
U rrit dhe u edukua në gjin e një familje me tradita të larta atdhetare. Që kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës, përqafoi idetë përparimtare dhe komuniste, mori pjesë në lëvizjen revolucionare të rinisë dhe u bë një nga drejtuesit e shoqërisë jashtëshkollore “Besa Shqiptare”. Në Tiranë u lidh me Vasil Shanton dhe u organizua në Grupin Komunist të Shkodrës. Dha një kontribut të çmuar për ngritjen e celulave dhe përhapjen e ideve komuniste ndër të rinjtë dhe punëtorët. Në janar të vitit 1939 Qemali arrestohet dhe dënohet me burg nga gjyqi që regjimi i Zogut organizoi kundër elementëve komunistë. Në gjyq Qemal Stafa, nga i akuzuar, u kthye në akuzues, duke deklaruar hapur se ishte një komunist i vendosur dhe se vetëm komunizmi do t’i shpëtonte punëtorët nga shtypja dhe shfrytëzimi. Në prag të pushtimit fashist arratiset nga burgu dhe merr pjesë si organizator në qëndresën antifashiste. Më pas vijoi përkohësisht studimet në Itali dhe pas kthimit në atdhe u detyrua të kalojë në ilegalitet. Qemal Stafa mori pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare si përfaqësues i Grupit Komunist të Shkodrës. U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH dhe në mbledhje për krijimin e organizatës së Rinisë Komuniste Shqiptare, u zgjodh Sekretar Politik i saj. Qemal Stafa luajti një rol të rëndësishëm edhe në shkatërrimin e elementëve përçarës në parti. Mori pjesë edhe në Konsultën e Parë të Aktivit të PKSH (1942). Si komunist i vendosur, ndonëse i ri në moshë, me guximin, aftësitë dhe kulturën e tij të gjerë, shpejt u bë një nga udhëheqësit më aktivë të partisë dhe të luftës çlirimtare.
Qemal Stafa ishte edhe një letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk mposhten nga vështirësitë e që luftojnë për një botë të re.
Në një varg shkrimesh me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”(1961) Veprimtaria e tij revolucionare ra në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndaj më 5 Maj 1942 u rrethua nga fashistët italianë në Tiranë dhe u vra duke luftuar heroikisht.
I përjetshëm kujtimi, gjaku dhe sakrifica e Tij!
LAVDI LANÇ!