Lëvizja\UÇK

Fjala e Zenel Kelmendit për vëllaun Hero Qerim Kelmendi

ZENEL KELMENDI – PËR HEROIN QERIM KELMENDI / SHPIRMADHIN
Të nderuar dhe të dashur shokë, miq, bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar të Shpirtmadhit tonë,
Të dashur veteranët dhe invalidë të Luftës se shenjtë të UÇK – së!
Të nderuar familjar të Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut!
Motra dhe vëllezër,
Para se t’i them disa fjalë për Heroin tonë, Qërim Kelmendin, në emër të familjes se ngushtë dhe të gjerë të vëllazërisë Vuthaj në Llabjan dhe në emrin tim personal përzemërsisht ju falënderoj që keni ardhur të merrni pjesë në përkujtimin e 3-të të Shpirtmadhit tonë.
Urojmë që këtë pjesëmarrje në përkujtimin tonë t’ua kthejmë në gëzimet tuaja!
Qysh i ri, kur kam lexuar veprat kushtuar heronjve tanë, si: “Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës” dhe “Shota dhe Azem Galica”, të autorit Ajet Haxhiu; “Prijësja e komitëve“, “Mic Sokoli”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top, Bajram Curri”, “Oso Kuka”, etj., të shkruara nga Sulejman Krasniqi dhe vargjet e GJ. Fishtës, nga “Lahutën e Malësisë” e shumë vepra të ngjashme patriotike, gjithmonë kam menduar se ata nuk ishin të tillë, por penat e shkrimtarëve apo të studiuesve ua kanë glorifikuar (zmadhuar) meritat dhe ua kanë madhëruar bëmat dhe trimëritë e tyre deri në ato përmasa, shpesh, edhe mbinjerëzore.
Prej se i kam njohur në detaje disa të burgosur politik, si Metush Krasniqin, Rexhep Malen, Ukshin Hotin e disa të tjerë), disa veprimtarë, si Jusuf gëvallen, Kadri Zeken, Ibrahim Kelmendin dhe disa tjerë) dhe disa luftëtarë, si Fehmi Lladrovcin, Xhemajl Fetahu, Qerim Kelmendin e disa të tjerë, mendoj se nuk ka penë që mundet (ka mundësi) t’i përshkruaj meritat, vendosmërinë, guximin, sakrificat dhe bëmat e lavdishme të tyre. Lidhur me këtë, për herë të parë po deklarohem se edhe Heroi ynë, Qërim Kelmendi, ishte njëri ndër veprimtarët, luftëtarët, guximtarët, atdhetarët, sakrifikuesit dhe vetëflijuesit më të mëdhenj që kam njohur gjatë periudhës 1967-2020, dhe, pos disa tipareve që i përmenda më lartë, ai ishte edhe
një veprimtar, shok, mik dhe ushtar besnik dhe i patundur ndaj zotimeve dhe detyrave që i kishte marrë përsipër, për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Po ashtu, ai ishte një humanist i dalluar, sepse, brenda mundësive që kishte, .mbante qëndrime njerëzore e fisnike ndaj shokëve dhe bashkëkombësve tjerë që ishin më të varfër se ai dhe vazhdimisht tregonte dashuri të thellë ndaj njerëzve të tillë dhe kujdeset për mirëqenien e tyre. Ishte njëri ndër të rrallët që, për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, në çdo kohë dhe në çdo situatë ishte i gatshëm të dhuronte dhe sakrifikonte çdo të mirë dhe vlerë materiale që e zotëronte ai apo familja e jonë dhe, mbi të gjitha, ai ishte i gatshëm të flijonte jetën e vet për kauzën e shenjtë kombëtare.
Të nderuar pjesëmarrës dhe pjesëmarrëse!
Me lejoni që t’i tregoj edhe disa tipare, veti dhe karakteristika të veçanta të Shpirtmadhit tonë, sepse, në këtë përkujtim, është shumë vështir të thuhen dhe të shpalosen edhe gjërat më elementare për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Heroit tonë Kombëtar, Qërim Kelmendit.
Po ju drejtohem me togfjalëshin “me lejoni” sepse, njëra ndër vetitë e tij më të theksuara ka qenë modestia. Madje, pa u hamendur mund të them se ai e kishte një modesti të tepruar dhe, po të ishte fizikisht në mesin tonë, automatikisht, do të reagonte ose do ta lëshonte këtë ceremoni përkujtimore, sepse e pengonte kur dikush lavdërohej apo i thurte lëvdata ndonjë të afërmi të vet. Ai shpesh kritikonte, përse dikush flet, lavdërohet dhe mburret për gjëra që janë të zakonshme dhe të domosdoshme për çdo shqiptar. Madje edhe lufta edhe lufta për lirinë e popullit të vet është detyrë e secilit bashkatdhetar, prandaj ai apo ajo s’ka pse të lavdërohet për një punë apo vepër që e ka pas detyrë ta bënte. Për mua – thoshte Shpirtmadhi ynë – këto lëvdata janë njësoi sikur dikush t’i thurë vetes lavdi pse e ka punuar arën e vet ose pse ka bërë një punë të zakonshme në shtëpinë e vet.
Ndër vetitë dalluese të karakterit të Shpirtmadhit tonë ishte edhe vendosmëria dhe aftësia për të marrë vendime të guximshme në kohën e duhur dhe çdoherë ishte i gatshëm për zbatimin e tyre. Pra, ai qysh i ri kishte fituar një besim dhe bindje të palëkundur se liria fitohet vetëm me gjak, e jo me llafe, me konferenca, me tubime, me deklarata dhe me sorollatje të kota.
Është interesant se si Shpirtmadhit tonë, në rininë e tij, i kishte rënë në sy dhe e mundonte shumë, kur lexonte apo kur dëgjonte se në ketë datë dhe në këtë vend, barbarët serb vranë e theren shumë veta apo dogjën shtëpi. Madje, kur thuhej se disa barbarë serb plaçkitën, masakruan apo vranë me qindra ose mijëra shqiptarë, ai zemërohej dhe nuk mund ta merrte me mend se jemi popull kaq i lig dhe frikacak. Ai kishte ardhur në përfundim dhe ishte i bindur se sikur edhe ne shqiptarët të ishim më të bashkuar, më të organizuar dhe më të vendosur që të rezistonim e të luftonim, pa hile, atëherë edhe ne do të vrisnim barbarët serbë dhe ata nuk do të guxonin të silleshin me ne si ujku me qengjat. Kur i kemi filluar aksionet e para – tregonte Shpirtmadhi ynë – jam bindur se gjakatarët serb nuk shquheshin për ndonjë trimëri të veçantë, por, frika jonë e tepruar, ua kishte krijuar bindjen se ata janë trime të dalluar e në jemi qyqarë të mjerë që nuk jemi në gjendje “ta presim as macën prej përsheshi.” Pra, ata, për një kohë të gjatë, kishin krijuar vetëbesim aq të madh sa një, dy apo tre ushtarë, policë apo banditë serb, pa asnjë problem janë në gjendje të luftojnë dhe t’i vrasin 50, 100, 500, 1000 apo edhe më shumë shqiptar. Gjatë aksioneve të para të UÇK-së, kur banditët serb e panë se edhe ne, shqiptarët, të organizuar në grupe të vogla, që përbënin 3-7 luftëtarë të UÇK-së, jemi në gjendje të luftojmë dhe të triumfojnë ndaj një çete, skuadre apo toge të policëve apo ushtarëve serbë, atëherë gjithçka ndryshoi për të mirë. Banditët serbë u binden se edhe ne dimë të vrasim dhe të korrim fitore edhe ndaj njësive më të specializuara të policisë apo ushtrisë serbe.
Ndoshta nuk e teproj nëse them se Shpirtmadhi ynë, qysh në rininë e hershme, shquhej për guximin dhe tipare të larta kombëtare, të cilat, sipas bindjes time, i kishte trashëguar nga Babai ynë, Haxhë Vuthi, ndjesë pastë. Po e them këtë, sepse Shpirtmadhi ynë edhe vetit, virtytet dhe prirje e mirë ose aftësi natyrore që ka një atdhetar i shquar, ia dedikonte ADN-së të secilit njeri që ia ka caktuar natyra. Me këtë ai donte të thoshte se guximi, vendosmëria, devotshmëria, trimëria, humaniteti dhe karakteri i secilit njeri janë çështje e ADN-së që ai trashëgon, prandaj ne nuk kemi çka të lavdërohem për këtë…
Ajo që e pengonte, e shqetësonte, e mundonte dhe e zemëronte më se shumti Shpirtmadhin tonë ishte fakti i shëmtuar, pse dikush, edhe në këtë kohë, duhet ishte spiun ose tradhtar. Sipas tij, nëse dikush ka qenë “i detyruar” të luaj rolin e spiunit ose të tradhtarit, kur ishim të pushtuar nga barbarët serbë, pse ai ose ajo duhet edhe sot të punoi për armikun i cili me shekuj na ka vrarë, na ka çnjerëzuar, na ka asimiluar dhe na ka detyruar që t’i braktisim vatrat tona. E pengonte shumë pse edhe një pjesë e krahut të luftës se shenjtë të UÇK-së, jo vetëm që nuk i pengonte dhe luftonte mbeturinat titiste dhe shërbëtoret besnik të UDB-së, por, përkundrazi, i ledhatonte, i afronte, i privilegjonte, i caktonte ose i emëronte në vendet dhe pozitat kyçe të organeve dhe institucioneve shtetërore. Pos të tjerave, Shpirtmadhi ynë, pezmin, zhgënjimin dhe zemërimin e tij e ka shprehur disa herë në rrjetet sociale (Face Book dhe të tjera), që nga viti 2000 e deri më 27 shkurt 2020, kur Heroi ynë, Qërim Kelmendi, u vra tinëzisht dhe pabesisht nga barbarë, që duhet të kenë qenë të nxitur, të dresuar dhe të paguar nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe nga shërbëtorët e tyre shqipfolës. Shumëkujt i kujtohen komentet, thëniet, reagimet dhe revoltat e tij, të cilat shpeshherë kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Prej tyre po i veçoj dy, që për bindjen time flasin shumë:
A. “Unë e di që ka shqiptar që me urrejnë, por e di se çdonjërit do t’i vinte turp të tregonte pse me urrenë.”
B. POROSI PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS:
1. Kam qenë veprimtar shumëvjeçar i kombit. Të harrohet se kam qenë;
2. Kam qenë pjesëtar i Ilegales së LPK-së, brenda vendit. Të harrohet se kam qenë;
3. Kam qenë i shkatërruar nëpër zyrat dhe podrumet e organet shtetërore të hetuesisë serbo-shqiptare, të kohës, sa ishim të okupuar. Të harrohet se kam qenë;
4. Kam qenë pjesëtar i hershëm i celulave të UÇK-së. Të harrohet se kam qenë;
5. Kam qenë i plagosuri i parë i UÇK-së. Të harrohet se kam qenë;
6. Kam qenë i ngrirë, i mërdhirë dhe i stërngrirë në Alpet kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të harrohet se kam qenë;
7. Kam qenë pjesë e vogël e Historisë së madhe të UÇK-së. Të harrohet se kam qenë.
Shkurt dhe shqip: nuk dua të jem pjesë e atij kombi, ku tradhtari shpërblehet, ku tradhtari nderohet, ku tradhtia është konvertuar në vlerë kombëtare! Pra, nuk dua që emri im i vogël të jetë pjesë e kësaj historie të bastarduar, ku tradhtarët nderohen me epitetin e madh: HERO.
Të nderuar pjesëmarrës dhe pjesëmarrëse!
Nuk ka pjesë të jetës se Heroit tonë Kombëtar, Qërim Kelmendi, duke filluar prej moshës se tij 14 vjeçare e deri më 27 shkurt 2020, kur u vra barbarisht, që ai e ka pushuar apo ndal veprimtarinë e vet për çështjet madhore për kombin shqiptar.
Unë, jo rastësisht, për shkak të natyrës së këtij përkujtimi dhe për shkak të agjendës dhe kohës se limituar nuk fola për biografinë dhe bëmat e Shpirtmadhit tonë, sepse për to kërkohet një kohë më e gjatë. Në këtë rast, u mundova që t’ua prezantoj disa veti dhe tipare të veçanta për Shpirtmadhin tonë.
Ju njoftoj se deri tani nuk ka ndonjë punim, studim, monografi apo libër të veçantë, që i është dedikuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Heroit tonë Kombëtar, Qërim Kelmendit, pos një Shënimi biografik të shkruar nga vëllai ynë Man Kelmendi, i cili është botuar në disa gazeta dhe portale të Kosovës.
Këta rreshta (këtë shënim), kushtuar Heroit ton Kombëtar, po i përfundoj më thënien (komentin) e shokut tonë, veprimtarit dhe atdhetarit të mirënjohur, Shemsi Reçica:
“Këtë fat, të vetëzgjedhur, e ka atdhetari i paepur: gjithmonë është në shënjestër të armikut. Por e ka edhe fatin tjetër: triumfon mbi vdekjen!
Qërimi, prandaj, mbetet i pavdekshëm.
Çdo gjë që thuhet e shkruhet për Qerimin, mbetet pak, në krahasim me përkushtimin e tij të madh për çlirimin e Kosovës.”
Në fund, e shoh të udhës që të ju njoftoi se deri me tani organet e hetuesisë, policia dhe Prokuroria Speciale në Prishtinë, nuk kanë dhënë asnjë informatë konkret për zbardhjen e vrasjes, mjaft misterioze, të Heroi tonë Qërim Kelmendit. Duam të shpresojmë së, një ditë, organet e drejtësisë, do t’i qasen më seriozisht zbardhjes se vrasjeve të shumta në Kosovë. Në të kundërtën, popullit dhe botës demokratike po i tregojmë së ne, shqiptarët nuk dimë apo nuk duam të krijojmë dhe forcojmë shtet të mirëfilltë demokratik.
Pra, edhe nga ky përkujtim u bëjmë thirrje organeve kompetente që të merren seriozisht me zbardhjen e vrasjes së Heroit tonë kombëtar Qerm Kelmendit.
– Lavdi Heroi Qërim Kelmendi!
– Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Popullit shqiptar!
Gllogjan, 27 shkurt 2023
(Zenel Kelmendi)