Vështrim/Analizë

Arben Hoxha: Rrëgjimi i dinjitetit të vullnetit

RRËGJIMI I DINJITETIT TË VULLNETIT
Sa herë Kryeministrit Albin Kurti, nën presionin e mediave, është shtrënguar për të dhënë shpjegime për ekzistencën e kundërthënies midis idealit të tij të djeshëm, si objekt i vullnetit dhe ligjit moral që nuk kushtëzohet nga rrethanat konkrete politike e historike, dhe veprimeve të tij të sotme që i nënshtrohen rrethanave konkrete, ai, në përpjekje për ta bërë inekzistente antinominë e mendjes së tij praktike (sikur kjo të ishte murtajë vdekjeprurëse për integritetin e personit të tij) është përgjigjur duke thënë se “ne kemi ndryshuar metodat, por jo edhe qëllimet”.
Metodat dhe qëllimet nuk janë entitete metodologjike me identitete të dhëna njëherë e përgjithmonë, të izoluara dhe pa ndikim në njëra tjetrën. Historia politike na dëshmon se jo njëherë metodat janë shndërruar në qëllime, duke e tjetërsuar karakterin e indentitetit fillestar të vetë qëllimeve. Si shembull kemi Napoleonin e Revolucionit Francez, Revolucionin Rus të vitit 1917 etj.
10 Shkurti i 2007 shënon pikën më të lartë të manifestimit të vetëdijes kritike politike në Kosovën e pasluftës së UÇK-së. Paqartësia e sotme rreth vendimeve për “Asociacionin”, e “Zonat e mbrojtura” qartësisht, drejtë e dinjiteshëm është artikuluar me fjalë, veprime e gjak në kauzën e protestës së 10 Shkurtit të 2007-tës. Të çosh në emisione televizive në kundërshtim të “Zajednicës” eksponentë, të cilët, me forcë deri në santanizim, e kanë kundërshtuar kauzën e drejtë të protestës së 10 Shkurtit të 2007-tës, përpos se shënjon një gjendje mendore kundërthënëse, ai gjithashtu është një akt që manifeston një potencial të madh rrënues për qëndrueshmërinë morale të çdo lloj kauze të drejtë, jo vetëm të djeshme, por të sotme e të nesërme.
Retorika që e mohon marrëdhënien dinamike e sinergjike mes metodave e qëllimeve – sepse vetëm ashtu mbrohet (e pambrojtshmja) dhe lartësohet virtyti moral i “pathyeshmërisë”, i “konsistencës”, i “koherencës” dhe i “pagabueshmërisë” në profilin etik prej politikani të Albin Kurtit – jo vetëm që nuk mund ta mbulojë e ta bëjë të padukshëm praninë e fenomenit të antinomisë së mendjes praktike në jetën tonë politike, por se, përtej kësaj të keqeje, ajo bëhet nënçmuesja e rrëgjuesja e dinjitetit të vullnetit – si parim i ligjit të domosdoshmërisë – burim frymëzimi ky për sendërtim kauzash të drejta ndër brezat e ardhshëm.
Fitoret e vogla pragmatike nuk mund të ndërtohen dhe të kenë qëndrueshmëri në kurriz të rrënimit dhe zhdukjes së referencave të mëdha morale kohore!