“Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror! Nuk do të përtërihet shteti shqiptar as me gjykata, as me anketa, as me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… për t’u vendosur në tërësi paqa, duhet të përdoret thellësisht terrori… Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalclirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”, çirrej krimineli nazsist, Xhafer Deva. Kjo ishte platforma kolaboracioniste e qeverisë kuislinge naziste të Mithat Frashërit (GL)
Ngjarja e 4 shkurtit 1944 ka hyrë në memorien e shqiptarëve si “Nata e Shën Bartolomeut”, kur në rrugicat e Tiranës u derdhën forcat mercenare të ministrit të brendshëm Xhaferr Deva dhe ekzekutuan dhjetëra qytetarë të pafajshëm. Si shkak për këto reprezalje u përdorën dy atentatet që komunistët zhvilluan një ditë më parë kundër Xhaferr Devës dhe Kadri Cakranit, ku mbetën të vrarë një xhaxha i Devës dhe një nip i Cakranit. Kjo reprezalje i kalon përmasat e një hakmarrjeje personale, sepse nuk u drejtua vetëm kundër organizatorëve të atentatit, por kundër gjithë popullsisë tiranase që mbështeste luftën kundër pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë.
Pas Borovës kjo është masakra më e madhe që popullsia shqiptare përjetoi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, ka një ndryshim. Këtë radhë organizatorët ishin shqiptarë, të vendosur në shërbim të pushtuesve. Me terrorin që kryen kundër bashkëkombësve të tyre, ata i bënë pushtuesve gjermanë shërbimin më të mirë, të cilët shpresonin se këto masa do ta trembnin e largonin popullsinë nga lufta. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta. Ndoshta ilustrimin më të mirë për pasojat e kësaj ngjarjeje e ka bërë gjyshi i një mikut tim, gazetar i njohur, i cili i kishte treguar atij: “Eh mor bir, pas asaj që na panë sytë më 4 shkurt, fillova edhe unë të shpërndaja trakte rrugëve të Tiranës, ndonëse nuk isha përzier kurrë në kësi punësh”.
***
Pavarësisht se në Operacionin e Dimrit, nëntor 1943 – shkurt 1944, gjermanët nuk arritën të shuanin plotësisht lëvizjen partizane, ata arritën t’i detyronin partizanët të kalonin në pozicion mbrojtës dhe të kufizonin zonat e influencës së tyre politike dhe ushtarake. Këto zhvillime mundësuan një stabilizim të përkohshëm të situatës politike të qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Po ashtu, këto zhvillime përforcuan edhe shpresën e Ballit Kombëtar për të ardhur në pushtet pas luftës, tashmë që kundërshtari politik dhe ushtarak ishte pothuajse asgjësuar. Në fakt, kjo ishte dhe arsyeja që Balli Kombëtar bashkëpunoi menjëherë me gjermanët.
Në këtë kuadër, në fund të janarit 1944, u zhvillua një takim ndërmjet Mehdi Frashërit, Xhaferr Devës dhe komandantit të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani. Synimi i takimit ishte zgjerimi i kabinetit Mitrovica, duke përfshirë në të edhe tre anëtarë të Ballit Kombëtar, ndonëse për gjermanët kjo ishte e perëndishme në këtë kohë. Sikurse do të lexojmë më poshtë, atyre u interesonte vetëm bashkëpunimi ushtarak me Ballin Kombëtar.
Pra, Balli shpresonte të zgjeronte zonën e tij të influencës dhe të kishte kësisoj shanse më të mira, për të qeverisur vendin pas largimit të gjermanëve. Për këtë zhvillim, Neubacher i raportonte më 13 shkurt Ministrit të Jashtëm gjerman, von Ribbentrop si më poshtë: “[….] Hyrja e ministrave të rinj në qeveri nuk është e rëndësishme. Balli Kombëtar, i cili u krijua në kohën e tij si një organizatë kundër okupacionit italian dhe ishte solidarizuar me kundërshtarët tanë (britanikët), deri tani nuk pranonte të mbante hapur përgjegjësi. Përfshirja e disa burrave në qeveri, të cilët janë përfaqësues të këtij fronti, është rezultat i luftës sonë të përbashkët me përkrahësit e Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Jugut, të cilët të armatosur prej nesh luftojnë kundër partizanëve të kuq. Bashkëpunimi i Wehrmacht-it tonë me formacionet e Kadri Cakranit në Shqipërinë e Jugut rezulton tepër i suksesshëm deri tani. Javën e kaluar dështoi një atentat i komunistëve kundër Cakranit, ku mbeti i vrarë nipi i tij”.
E favorizuar nga heshtja e detyruar e lëvizjes partizane, qeveria Mitrovica filloi një sërë reformash politike, për të forcuar pozitat e saj brenda vendit. Në sektorin administrativ u riorganizua aparati qeveritar dhe u riaktivizua gjyqësori. Paralel me këto zhvillime u morën edhe masa të rrepta kundër lëvizjes komuniste dhe përkrahësve të tyre. Motoja e Ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva ishte: “Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror! Nuk do të përtërihet shteti shqiptar as me gjykata, as me anketa, as me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… për t’u vendosur në tërësi paqa, duhet të përdoret thellësisht terrori… Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalclirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”.
Kjo deklaratë e Ministrit Deva është botuar në gazetën “Bashkimi i Kombit” në datën 4 shkurt 1944, pra fill pas kryerjes së masakrës. Por, shenjat për një radikalizim të formave qeverisëse kishin filluar që prej fillimi të Janarit, kur regjenti Mehdi Frashëri mbajti një fjalim përshëndetës për Vitin e Ri.
Gjatë fjalimit ai e vendosi theksin në luftën e hapur dhe pa kompromis kundër komunistëve. Sipas tij, likuidimi i plotë i komunistëve ishte shumë i afërt. Më tej ai dënonte “terrorin dhe agjentët e huaj, të cilët helmonin rininë dhe me metoda lindore kriminele kërkonin të shkatërronin kulturën perëndimore”. Ky fjalim, ishte nga njëra anë i mbushur me nota propagandistikë kundër komunistëve, të cilët ai i quante “të futur nga të huajit për të filluar luftën vëllavrasëse” dhe nga ana tjetër ishte plot thirrje për të pranuar pushtimin gjerman, duke argumentuar se “gjermanët ishin kalimtarë dhe e respektonin pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë”.
Pas këtij fjalimi, qeveria filloi të merrte masa më konkrete. Konsulli gjerman në Tiranë, Schliep raporton më 4 janar 1944 te Neubacher se, “(…) Qeveria ka bërë me dije se, trupat policore kosovare (bëhet fjalë për regjimentin Kosova) kanë kryer aksione spastrimi në rajonin e Tiranës dhe kanë arrestuar 50 persona. Në Shkodër janë arrestuar 35 persona dhe po ashtu janë sekuestruar materiale propagandistikë dhe armë”.
Më tej, në datën 31 janar 1944, Neubacher telegrafon nga Beogradi në Berlin si më poshtë: “Në Shqipëri aksioni antikomunist ka pësuar zhvillime të dukshme. Terrori, ne të cilin ishin përfshirë shtresa të gjera të popullit, ka humbur ndjeshëm terren, si pasojë e goditjeve të pamëshirshme që ka pësuar. Marshimi antiterrorist i Ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva, së bashku me 1500 kosovarët e tij, në Prizren, Shkodër dhe Tiranë, asgjësimi i terroristëve të Shkodrës nëpërmjet një aksioni të veçantë antiterrorist, lufta e pandërprerë e bandave të Ballit Kombëtar kundër komunistëve në Shqipërinë e Jugut, të cilët ne i furnizojmë me armë dhe municione si edhe aksione të tjera të forcave nacionaliste në Shqipërinë Veriore dhe Lindore, i kanë dëmtuar rëndë kundërshtarët komunistë dhe e kanë ndërprerë ndjeshëm terrorin e deritanishëm, i cili bazohej mbi frikën e popullsisë. Popullsia e ka rifituar përsëri guximin të kundërshtojë ndihmën që kërkojnë prej tyre komunistët. Nëpërmjet këtyre zhvillimeve, qeveria ka fituar simpati.
Duke qenë se forcat tona ushtarake përkrah detyrës për ruajtjen e vijës bregdetare, nuk mund të marrin pjesë në një shkallë të gjerë edhe në ruajtjen e sigurisë së brendshme për territoret në thellësi, mobilizimi i forcave nacionaliste kundër aksioneve komuniste vazhdon të mbetet për ne një detyrë me rëndësi vendimtare”.
Siç e lexojmë në dokumentin e mësipërm, masat kundër lëvizjes partizane që ndërmerrte qeveria, i shërbenin në plan të parë pushtuesve gjermanë, të cilët motivonin më tej qeverinë që të mobilizonte sa më shumë forca nacionaliste në luftë kundër partizanëve të kuq, siç i quanin ata. Sigurisht që në krye të këtyre aksioneve qëndronte ministri i brendshëm, Deva.
Në fillim të muajit shkurt 1944, si kundërpërgjigje ndaj arrestimeve të kryera dhe Operacionit të Dimrit të ndërmarrë nga ushtria gjermane dhe forcat nacionaliste, komunistët në qytetin e Tiranës kryen disa atentate të koordinuara ndaj eksponentëve kryesorë nacionalistë dhe bashkëpunëtorë të gjermanëve, siç ishin Xhaferr Deva dhe Kadri Cakrani. Më 3 shkurt mbeti i vrarë një xhaxha i ministrit Deva dhe një nga nipërit e Cakranit, të cilët shërbenin si rojet e tyre. Objektivët e atentateve i shpëtuan sulmit.
Në raportin ditor të Divizionit 297, XXI A.K, të datës 3.2.44 shkruhet se “(…) Gjatë pasdites komunistët organizuan atentate ndaj drejtuesve nacionalistë. Ndër ta ishin edhe ministri Deva dhe Cakrani (Kadri). Si pasojë, grupimet nacionaliste planifikojnë gjatë natës kryerjen e një kundëraksioni. Komandanti i Përgjithshëm (gjerman) urdhëron për trupat (gjermane) në Tiranë rritjen e nivelit të sigurisë duke udhëzuar gjithë trupat dhe instancat gjermane të qëndrojnë larg këtij konflikti (…)”
Si shpagim ndaj këtij sulmi, duke gdhirë 4 shkurti,84 qytetarë të Tiranës u ekzekutuan në oborret e shtëpive të tyre e nëpër rrugicat e qytetit. Viktimat nuk ishin të gjithë komunistë, ndër ta kishte edhe qytetarë të thjeshtë. Pavarësisht se ende nuk është e qartë nëse për këtë aksion ishin vënë në dijeni kryeministri Mitrovica, Regjenca dhe drejtuesit e tjerë të Ballit Kombëtar, përfshirja e këtyre dy eksponentëve të lartë drejtues në këtë masakër është tepër komprometuese si për qeverinë, ashtu edhe për Ballin Kombëtar. Fakti që pas masakrës, nuk pati asnjë prononcim të tyre, por e kaluan ngjarjen në heshtje, hedh hije dyshimi mbi ta. Edhe nëse ata nuk do të ishin dakord me këtë masë ekstreme, qetësia e fituar në Tiranë për pak kohë pas masakrës, ishte për ta një zhvillim pozitiv. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjermane. Në një telegram që Neubacher i dërgon Berlinit më 17 shkurt 1944, pra 13 ditë pas masakrës, shkruhet: “Zhvillimet në Shqipëri mund të konsiderohen ende si të përshtatshme. Shkatërrimi i bandave komuniste vazhdon. Edhe në Tiranë u shkatërrua aparati i Partisë Komuniste nëpërmjet aksioneve spastruese të ndërmarra pa kompromis nga forcat nacionaliste. Qeveria fiton terren, ngritja e Policisë dhe Xhandarmërisë vazhdon, çka premton konsolidim të mëtejshëm të situatës […].
Masakra e 4 shkurtit ndaj popullit të Tiranës është një ndër ngjarjet e hidhura të mbetura në kujtesën historike edhe sot. Madje, në ditët e sotme ka edhe interpretime, të cilat e shikojnë këtë ngjarje vetëm si një hakmarrje personale të ministrit Deva, pas atentatit që ju bë atij. Sigurisht që edhe ky është një motiv. Por, nëse bazohemi në dokumentet gjermane, kjo masakër ishte një vazhdimësi e aksioneve që Xhaferr Deva kishte filluar prej kohësh të kryente, duke filluar nga Peja, Prizreni, Shkodra e më tej. Tashmë ishte dhënë shkaku për të terrorizuar edhe popullsinë tiranase. “Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalçlirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”, – ishte motoja e Xhaferr Devës. Përgjithësimi që i bën ai terrorit, është më shumë se hakmarrje personale.
Janë të njohura kontradiktat e Xhaferr Devës me Mehdi Frashërin, thuajse qysh në fillim të krijimit të qeverisë. Këto mosmarrëveshje ushqeheshin nga fakti se, regjenti Frashëri, kërkonte të ushtronte sundimin e tij pa u ndikuar nga instancat e tjera, ndërkohë që Deva në situatën që po kalonte vendi, synonte, e sidomos kur kërkohej një ndërhyrje e shpejtë, të kishte dorë të lirë për të marrë masat të shpejta. Sipas gjermanëve, Mehdi Frashëri karakterizohej në përgjithësi nga një qëndrim oportunist, ndërkohë që Deva, si eksponenti kryesor i përfaqësimit të linjës gjermane në Shqipëri, mbështeste pa ekuivok kërkesat dhe interesat gjermane. Masakra e kryer ishte një përgjigje e shpejtë ndaj sulmeve të komunistëve dhe siç kishte ndodhur edhe herë të tjera, ministri Deva nuk u konsultua me njeri përveçse me gjermanët, për kryerjen e këtij aksioni. Sigurisht që gjermanët nuk mund të ishin kundër këtij aksioni. Ata u kufizuan vetëm me mbikëqyrjen e situatës, – zelli i Xhaferr Devës mjaftonte!
Sa më sipër, arrijmë në përfundimin se masakra e 4 shkurtit ishte e programuar. Atentatet e komunistëve kundër drejtuesve nacionalistë ishte vetëm shkaku për të kryer edhe në Tiranë reprezalje, për të trembur popullsinë e për të mundësuar kështu shkëputjen e tyre përfundimtare nga ndikimi komunist, të cilët luftonin pushtuesit. Sigurisht që edhe hakmarrja personale ishte një motiv. Po ashtu, këto aksione ishin tregues që lëvizja komuniste vazhdonte ende të ishte aktive, madje edhe në kryeqytet. Tashmë, pasi malet ishin “spastruar” prej partizanëve dhe siç është cituar edhe më sipër edhe disa nga qytetet kryesore të vendit, i kishte ardhur radha kryeqytetit për të përjetuar këtë gjë.
Kjo ngjarje do të mbetet pjesë e kujtesës historike të popullit shqiptar, ndonëse pas vitit 1990 ka tendenca për të zvogëluar përmasat e kësaj masakre. Madje, në një mënyrë shumë cinike vihet në dyshim edhe kryerja e kësaj masakre, duke argumentuar me mungesën e një liste të plotë me emrat e viktimave. Sigurisht që qeveria shqiptare nuk kishte asnjë interes për hartimin e një liste të tillë sepse kështu do të dokumentohej terrori i ushtruar ndaj popullsisë. Me shumë gjasa, kjo është edhe arsyeja që sot nuk gjendet asnjë dokument zyrtar i kohës me emrat e viktimave.
Është e parëndësishme nëse në këtë natë terrori u ekzekutuan apo jo 84 shqiptarë, siç hera-herës vihet në dyshim ditët e sotme. Edhe një viktimë e vetme është shumë. Edhe këtë herë, pushtuesit gjermanët ja arritën më së miri “t’i nxirrnin gështenjat me duart e shqiptarëvenga zjarri”.