DËSHMORËT E 4 SHKURTIT DHIMBJE E VESHUR ME LAVDI!
4 shkurt 1944. Si në çdo rast të viteve të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, antishqiptarët të shkrirë shpirtërisht me pushtuesit e vendit, edhe më 4 shkurt 1944, treguan “dashurinë” për popullin e pafajshëm, dhe mbi të gjitha, duke treguar “atdhetarizëm të lartë”, vranë dhe masakruan jo vetëm në rrugët e kryeqytetit jetë të pafajshme, por një pjesë i kanë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë, enkas për t’i pushkatuar. Kjo “trimëri” dhe ky “atdhetarizëm” nuk është parë në asnjë anë të globit. Por, siç thuhet, gjithmonë ka një herë të parë, dhe kjo u shënua në shtetin më të vogël, me popullsi të vogël dhe për më tepër, në një popullsi të shkatërruar nga ekonomia.
Sot në 79-vjetorin e përkujtimit të kësaj ngjarje të dhimbshme, Kryesia e Përgjithshme e OKDA të Shqipërisë drejtuar nga Dr. Gjergji Velo, në praninë e sekretarit të përgjithshëm të OKDA të Shqipërisë, Dalan Buxheli, nënkryetarit të kryesisë së përgjithshme Bernard Zotaj, me praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Kombëtar të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, Veli Myftari, me Kryetarin e OKDA Dega Tiranë, Ilir Shkëmbi dhe anëtarë të të dy organizatave dhe banorë të shumtë të Tiranës, u mblodhën në vendin simbol të kësaj ngjarje. E nderuan ceremoninë z. Petro Koçi, Deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, njëherazi anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të OKDA të Shqipërisë, përfaqësues nga Institucioni i Prefektit për Tiranën, nënprefekti z. Bashkim Haxhiu, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi, përfaqësuese nga Bashkia Tiranë, zj. Gjinovefa Kadriu. OKDA Elbasan, e përfaqësoi nënkryetari Bardhul Toda, njëherësh dhe anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të OKDA të Shqipërisë.
Para tubimit përkujtimor përbri Bankës Kombëtare, në mjediset e Bashkisë Tiranë, Kryetari i kësaj bashkie, z. Erion Veliaj, i dorëzon përfaqësuesve më të lartë të OKDA dhe KKV të Shqipërisë, tabelën me emërtimin e rrugës “Dëshmorët e Katër Shkurtit”. Kjo ditë përkujtimore, solli dhe korrigjimin e një padrejtësie të bërë vite më parë, që kësaj rruge, ia kishte hequr këtë emër. E drejta vonon por nuk harron!
Ceremonia përkujtimore nisi me vendosje të buqetave dhe karajfilave të kuq, mbi gurin simbol të ngjarjes, që së shpejti do të marrë formën që i takon me dinjitet, duke vendosur aty pranë edhe basorelievin në përkujtim të të gjithë atyre që u masakruan padrejtësisht.
Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Gjergji Velo. Më pas, fjalën e rastit e mbajti Dr. Bernard Zotaj, i cili theksoi veç të tjerave, se 79 vite më parë, sipas dokumenteve të vetë persekutorëve, janë shuar plot 84 jetë njerëzish. Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i OKDA të Shqipërisë, Dalan Buxheli, falenderoi për rivendosjen e emrit të rrugës nga Bashkia Tiranë, duke theksuar se heqja e emrit ishte qëllim dashakeqës për të fshehur gjurmët e kësaj masakre.
Në tubim foli dhe Kryetari i OKDA Dega Tiranë, Ilir Shkëmbi, që në këtë masakër të pashembullt ka në altarin e të paharruarve dy jetë të humbura nga trungu i tij familjar. Ceremoninë e përshëndeti edhe z. Petro Koçi, i cili përsëriti mbështetjen e tij ndaj vlerave të padiskutueshme të LANÇ, ndërsa 4 shkurtin 1944, e krahasoi me 21 janarin 2011.
Përshëndetjen e vazhdoi më pas z. Aldrin Dalipi, i cili në të njëjtën linjë mbështetëse me z. Koçi, falenderoi të pranishmit dhe punën e organizatave në pasqyrimin legjitim të vlerave të LANÇ.
Ngjarje të tilla janë të dhimbshme, sado vite të kalojnë, por kjo dhimbje tashmë është e veshur me lavdi, sepse populli di të nderojë të rënët, di të vlerësojë drejt çështjet në dobi të Atdheut, di të kujtojë me dinjitet Dëshmorët e tij!
Lavdi Dëshmorëve të 4 Shkurtit! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!
add a comment