Vështrim/Analizë

Muharrem Xhafa: Gëzimi i pleqve është jeta në familje (me nipa e mbesa) e jo jeta në shtëpitë e pleqve

I thashë një shoku e miku francez: Bruno, për “kulturë”, a më dërgo të shoh një azil pleqsh. Dakort, më tha miku,  por do të bisedosh edhe me banorë të azilit e me përsonel që shërben në të!

Pranova. Dhe, me që mendimet e banorëve të azilit m’u dukën të mençura, i  përmblodha dhe po i publikoj, pa cënuar thelbin e thënieve të tyre.

Në përgjithësi, azilantët nuk shprehën pakenaqësi për kushtet e jetesës dhe shërbimet në azil, po për fëmijët e tyre, që i kishin çuar për të jetuar e vdekur në azil! Sigurisht, ata që ishin “njeri pa njeri” dhe të mbetur në “rrugë të madhe” ishin të kënaqur!

Një azilant tha se i kishte thënë djalit të tij : Unë endé ec me këmbët e mia, ndaj mos më ço në azil; madje, herë herë, më merr në shetitje, sepse, duke qenë perkrah teje, u dëshmoj të tjerëve se nuk jam pa njeri! Gjej kohë edhe të drekojmë së bashku, që të ndjej ngrohtësinë tënde dhe të nipave e mbesave! Po, siç e shihni, ai nuk më dëgjoi!

Një tjetër tha : Kur djali i vetëm më tha se do të më çonte në azil, i thashë : I miri im, unë nuk kam nevojën tënde ekonomike, po mos harro se, kur ke qenë i vogël, ti nuk ecje me hapin tim dhe jo rrallë të kam marrë “hopa” në qafë. Pse kaq mosmirënjohës?! E di që jo pak herë tregohem kokëfortë, po ne pleqve na pëlqen  të kundërshtojmë këshillat e fëmijëvet tanë! I vogël edhe ti ke qenë kokëfortë e qaraman! Gezimi im je ti me fëmijet e tu, jo azili!

O zotërinj, tha një tjetër i moshuar : Nuk ka gjë më të  rëndë se të degjosh të moshuarit të ankohen me lotë në sy për fëmijët e tyre, pse i braktisin në pleqëri! Prindi sado i bezdisshëm e plak të jetë, ai e ka lezetin në shtëpinë e tij! Në azil, tha ai, i kam të gjitha, nuk kam as probleme ekonomike, po më mungon familja!

Pleqtë e azilit thoshin se u kishin kujtuar bijve të vet para se t’i dërgonin në azil se për t’i rritur ishin munduar jo pak dhe se si prindër nuk meritonin të keqtrajtoheshin. Të gjithë thoshin se fëmijët, në moshën 18 vjeç, largoheshin nga shtëpia e prindërve me pretekstin e një jete tjetër, moderne, dhe i linin prindërit vetëm ose i çonin në azil dhe se “kujtoheshin” për ta, kur ndokush i njoftonte se prindërit i ke sëmurë ose në spital.

Azilantët kërkuan të dinin nëse kishte azile për pleqtë në Shqipëri. Krejt shkurt, u thashë se në socializëm fëmijët e kishin për turp t’i braktisnin prindërit ose t’i dërgonin në azilet që kishte shteti, edhe pse disa prindër të vjetër, nuk kishin as pension. Ndersa në ditët e sotme ka plot azile! Në çast m’u kujtua një i moshuar ishpartizan, me një tufë djem e vajza, i cili vdiq në azil!

Tiranë, më 28 janar 2023