Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Nuk ka Atdhe pa luftëtarë

NUK KA ATDHE PA LUFTËTARË
(Këngë për Luftëtarin e Lirisë), 10
Kuptojeni Luftëtarin kur kërkon të pamundurën:
kur një Kosovë e fshijnë nga hartat e dheut,
unë e përqafoj amshueshëm,
se gjaku im aty e ringjall,
atdheu është shpirti im e unë jam shpirti i tij,
e ku keni pa atdhe pa luftëtarë,
e ku keni pa luftëtarë pa atdhe?
Kuptojeni Luftëtarin kur thotë:
njerëzit nuk vriten as në kohë lufte a paqeje,
mos ma merrni për ligësi,
pse i mbroj qeniet njerëzore
të gjuhës e të mos-gjuhës,
i ruaj nga rreziqet, nga kurthet vdekjeprurëse,
kujdesem t’u dal në krah nga shpifjet,
për ta ruajtur arën nga brejtësit dhe breshëri,
për të marrë frymë siç e ka frymëmarrjen qielli.
Kuptojeni Luftëtarin edhe kur lutet:
lutem për njerëzit para shenjtorëve të të gjithë botës
dhe përgjërohem për fatin e tyre
që asnjë luftë më të mos e kenë,
lutem përpara greminave të fatit
që i marrin në gji të pushkatuarit,
përpara humnerave të kohës që na i hanë sytë,
përpara udhëve të dritës, kur na braktisin ëndrrat.
Kuptojeni luftëtarin kur thotë:
më falni pse përleshem me kohët e shëmtuara,
që vënë në kokë aureola të rreme për të vërtetën,
frone të shtira në emër të drejtësisë,
apo ndeshjet me ata që ia kanë shitë vetveten djallit.
Kuptojeni Luftëtarin, kur shqetësohet e betohet:
nuk e pranoj një atdhe me ëndrra të trishtuara,
e dua një Arbdhé e një Shqipdhé me pamje si të Flamurit,
ndryshe shpirti im e gjen qetësinë
vetëm kur Atë e ringjallim nga përbaltja,
vetëm kur Atdheut i kthehet Krenaria e Luftëtarit.
(11 janar 2023)