Histori

Organizata e Dëshmorëve: 77 vite nga Shpallja e Republikës – 11 JANAR

Sot mbushen plot 77 vite nga shpallja e Shqipërisë Republikë Popullore.
Erdhi ky zhvillim dhe kjo datë pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas fitores së merituar të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare nga populli shqiptar, i cili sakrifikoi gjithçka, vetëm për nder të atdheut, vetëm për dinjitetin e trashëgimtarëve të denjë të tij, vetëm dhe vetëm për të vazhduar në rrugën e shqiptarizmit dhe para-ardhjes atdhetare të kombit të shqiponjave.
Shpallja e Shqipërisë Republikë Popullore, ishte rrjedhimi logjik dhe atdhetar i përcaktuar që në fund të janarit të vitit 1920 nga Kongresi i Lushjnës, i cili vendosi përfundimisht që vendi ynë të ishte republikë parlamentare. Edhe pse devijimi i vitit 1928 nga Ahmet Zogu që e shpalli vendin monarki në shpërfillje të atij kongresi nga atdhetarë të vërtetë, solli sërish drejtësinë e mohuar prej tij.
Në lidhje me këtë ngjarje historike, autori Xhevdet Shehu në rubrikën dossier në gazetën “Tema” më 11 janar 20018, me titull “Republika, ta festojmë apo ta harrojmë? Si u zhvilluan punimet dhe diplomatët që morën pjesë”, ndër të tjera shkruhet: ” Ka qenë një herë e një kohë, jo shumë larg, kur 11 janarin e përkujtonim me shumë gëzim dhe krenari. 11 janari është festa e shpalljes së Republikës dhe është festuar si një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë moderne për më shumë se gjysmë shekulli.
Duket i thjeshtë ky fakt, ngjan edhe si nostalgji për një të kaluar komuniste. Në të vërtetë nuk është kështu. Harresa politike që i bëhet kësaj ngjarjeje të madhe është e qëllimshme…
Gjithsesi anatemimet e gjithfarëllojshme dhe harresa e qëllimshme nuk ia zbehin aspak madhështinë kësaj dite. Është e pamundur që të ketë kthim prapa, për më tepër kur para disa vjetësh u bë një referendum për formën e regjimit dhe sërish fitoi bindshëm Republika.
11 janari i vitit 1946 është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë tonë kombëtare.
…………………………………………………………………..
Gjithnjë sipas gazetës ‘Bashkimi’ datë 12 janar 1946, shkruhet:
E PREMTE 11 JANAR, HAPJA E ASAMBLESË
Seanca e parë e Asamblesë Kushtetues u hap nga Dr. Omer Nishani Kryetar i Këshillit Antifashist, i cili pas një fjale të shkurtër, ftoi deputetin…, Dr. Petraq Popa, si përfaqësuesin më të vjetër në moshë që të kryesonte përkohësisht mbledhjen.
Pas fjalës së tij, u zgjodhën tre sekretarë të përkohshëm. (Abdyl Këllezi, nënkolonel Pëllumb Dishnica, dhe Sulejman Spahiu figura të rëndësishme të LANÇ për Elbasanin.)
………………………………………………………….
Pas fjalës së Kryeministrit Enver Hoxha, i cili kërkoi dorëheqjen e qeverisë së tij, kryetari i asamblesë ia dha fjalën përfaqësuesit të Korçës, Prof. Sali Mborja, përfaqësues i cili midis të tjerash u shpreh: “Qeveria Demokratike e sotme është një qeveri e popullit shqiptar që u emërua në Kongresin e Përmetit nga Këshilli Antifashist. Është qeveria që lindi nga gjiri i popullit shqiptar në zjarrin e luftës më të egër”.
Më pas, me fjalën e deputetit Mborja, u solidarizuan edhe deputeti i Tiranës Abdyl Këllezi, Thoma Papapano deputet i Gjirokastrës, Rrahman Parrllaku deputet i Kukësit, Gjeneral-major Spiro Moisiu deputet i Durrësit, Kahreman Ylli përfaqësues i Beratit, Dr. Sezai Agalliu deputet i Vlorës, Kol Prela deputet i Shkodrës, Andrea Sahatçi përfaqësues i Beratit, Haki Stërmilli deputet i Dibrës dhe Xhemal Rusi përfaqësues i Korçës.
…………………………………………………………
Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1946, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishte mbledhur asambleja me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, asistonin edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë.
Të bën përshtypje pjesëmarrja në këtë ngjarje e përfaqësuesve të fuqive më të mëdha të kohës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik, Francës dhe Jugosllavisë, si dhe përfaqësues të shtypit të këtyre vendeve.”
Siç edhe përmendet në artikullin e cituar më lart, në atë kohë njëri nga personalitet është elbasanasi dr. Petraq Popa, mjeku që erdhi në Shqipëri më 1920, iu bashkua Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë, duke ngritur ekipin e parë higjeno-sanitar për të mjekuar luftëtarët e plagosur në vijën e zjarrit.
Shtëpia e tij qe bazë e rëndësishme e LANÇ. Shtëpia e tij digjet nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Dr. Petraqi anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar për Elbasanin deri në fitoren e lirisë. Fëmijët e tij qenë të gjithë të përfshirë në LANÇ, Margarita, Juljeta, Agimi dhe bashkëshortja e tij. Dr. Petraq Popa është babai i Dëshmorit të LANÇ Bardhul Popa, si dhe xhaxhai i Akademikut Prof. dr. Agim Popa dhe ish Kryetar i Akademisë së Shkencave. Dr. P. Popa “Mjeku i Vegjëlisë” zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor edhe në zgjedhje e 28 majit 1950 dhe në ato të vitit 1954. Ndërron jetë më 1957.
Në Asamblenë Kushtetuese të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, përfaqësues të Elbasanit janë: 1) Ramadan Çitaku, 2) Prof. Kostaq Cipo, 3) Dr. Petraq Popa, 4) Kadri Hoxha, 5) Sami Baholli, 6) Baba Faja Martaneshi, (24 gusht 1947 Kiço Ngjela) 7) Sulejman Spahiu. ? Prof. Aleksandër Xhuvani, 9) Kadri Musaj.
Një tjetër personalitet është Prof. Sali Mborja, njeriu që në vitin 1928, i thirrur nga Korça për në Tiranë si deputet i asaj kohe, kur në Elbasan merr vesh të vërtetën e mbledhjes së atij pseudo parlamenti, që do të shpallte Ahmet Zogun mbret, kthehet sërish për në Korçë, duke mos marrë pjesë në atë mënxyrë historike dhe tradhti të lartë kombëtare.
OKDA Elbasan, në zgjedhjet e vitit 2021, ka në gjirin e saj nipin e Prof. Sali Mborja, intelektualin e mirëfilltë Ilir Mborja, duke e zgjedhur atë si një nga nënkryetarët e organizatës.
Rikonfirmimi i Shqipërisë Republikë erdhi pas gjakut të derdhur për liri, erdhi pas luftës së ashpër, të pabarabartë në gjithçka, por ndërkohë ato pesë vite e ca luftë treguan vetëmohimin dhe atdhedashurinë e asaj mase të gjerë popullore që e do atdheun, lirinë dhe pavarësinë e vendit të vet, pa asnjë shpërblim.