Lëvizja\UÇK

THERANDA SHËNOI 40 – VJETORIN E BASHKIMIT POLITIK TË ORGANIZATAVE PATRIOTIKE – KRIJIMIN E LPK – së

THERANDA SHËNOI 40 – VJETORIN E BASHKIMIT POLITIK TË ORGANIZATAVE PATRIOTIKE – KRIJIMIN E LPK – së
Dje, Shoqëria LËVIZJA, bashkë me komunën dhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, mbajti Akademi mirënjohjeje dhe falënderimi edhe në Therandë në 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave patriotike – krijimit të LPK – së, që ishte sinteza e dëshirës dhe përpjekjeve të një populli të pushtuar për liri e bashkim kombëtar. Në themele të këtij bashkimi u derdh gjaku i kryeprotagonistëve dhe Heronjve të këtij BASHKIMI: Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla… U dashtën 5 vite përpjekje, përkushtim, angazhim dhe veprimtari që ky BASHKIM, në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme, të konstituohejë në një organizatë të mirëfilltë politike, kombëtare e çlirimtare me program e statut dhe me organe të zgjedhura vendimmarrese e drejtuese… Bashkimi politik i 17 Janarit dhe HERONJTË e tij u bënë burim frymëzimi, energjie dhe force për organizatën që lindi dhe që po ndërtohejë e konsolidohejë në kushte dhe rrethana të një terrori dhe represioni shtetëror të Jugoserbisë pushtuese… Ky BASHKIM rezultoi të ishte i qëndrueshëm dhe u kurorëzua me organizimin e Luftës së Armatosur – krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për faktin se ishte i lidhur dhe bashkërenduar me shtetin Amë… Bashkimi i 17 Janarit ishte ngjarja që hapi epokë të re për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ky bashkim dhe krijimi i LPK – së (emri i fundit i organizatës) pati rëndësi të veçantë kombëtare dhe rezultoi fitimtar me çlirimin e rreth 11 000 km katrore të tokës së pushtuar të Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. E megjithatë, 40 -vjetori i këtij BASHKIMI historik dhe fitimtar po shënohet nga Shoqëria LËVIZJA, e përkrahur nga vullneti i mirë e miqësor i kryetarëve të komunave dhe nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, por jo nga institucionet e Republikës!! Lëvizja Kombëtare Shqiptare, përpjekjet, veprimtaria dhe lufta e saj politike, antipushtuese e Çlirimtare nuk është përfshirë në programet dhe tekstet shkollore dhe universitare edhe sot e kësaj dite!! Edhe krijimtaria letrare dhe artistike e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe e veprimtarëve-luftëtarëve të saj nuk është pjesë e programeve shkollore dhe universitare!! Kërkohet bashkim dhe përkushtim i forcave atdhetare e përparimtare shqiptare që kjo shkollë (Akademi) e madhe kombëtare, politike, emancipuese dhe demokratike, LËVIZJA, të bëhet “pronë” dhe pasuri e institucioneve për edukimin e rinisë shqiptare shkollore e studentore përmes programeve dhe teksteve shkollore dhe universitare, si dhe e krijuesve tanë në gjithë Shqipërinë e shpallur më 28 Nëntor, që ka mbi 90 000 km katrore…