Agim Vinca
Derisa të na mungojë liria, ne do të jemi gjithnjë kryengritës».
(B. Xhaferi, Përtej largësive)
Rruga në të cilën banoj mban emrin e një mareshali.
Në stacionin pranë ngrihet statuja e një gjenerali.
Në parkun ku bëj shëtitjen e mëngjesit
çdo ditë kaloj skaj lapidarit të një ushtari
të vrarë nga bomba gjermane
(gjermane, thuhet, jo naziste!)
në gusht të dyzet e katrës.
Edhe te sheshi Sent-Mishel,
ku rëndom takohen të posadashuruarit,
pranë vrushkujve të ujit që s’shter kurrë
kujtohen të rënët për atdhe…
Te Harku i Triumfit digjet përjetësisht
zjarri i luftëtarit fitimtar.
Ave, Evropë! Të falem!
Lakmi t’i kam Panteonët, sheshet, muzetë,
bulevardet,
ku në çdo hap ka art dhe histori.
Lavdi armëve dhe fitoreve të tua!
Lavdi!
Po përse, moj Zonjë e Madhe,
me paleta e granduniformë,
kërkon nga unë të heq dorë nga lufta ime,
të mos këndoj këngë për lirinë,
të mos u ngre lapidar dëshmorëve,
të mos u thur vargje të rënëve?
E përse djemtë m’i mbyll në burg
e m’i degdis në Hagë –
Ata që lirinë e kërkuan burgjeve
Ata që lirinë e lanë me gjak?!
Zonjë hijerëndë,
me Muze Armësh e Sheshe Invalidësh,
përse kërkon nga unë t’i fshij nga memorja shkronjat
UÇK?!
E përse djemtë m’i degdis në Hagë e m’i mbyll
në Dubravë, në atë hapsanë larë me gjak e lot?!
Përse, madhëri,
nënë luftërash e shtetesh e lirish;
Më thuaj përse,
pash Shën Bartolometë dhe Bonapartët e tu të shumtë
e funeralet e tua madhështore në natën e gjatë të historisë?!
Rruga ku banoj mban emrin e një mareshali.
Në stacionin e parë të metrosë ngrihet shtatorja e një gjenerali.
Në sheshin Shën Mishel kujtohen të rënët për atdhe…
Me vargjet lapidar të Pol Elyarit
skalitur në kujtesën e popujve.
Edhe të popullit tim që e dashuron me afsh Lirinë!
Kurse ju atje UNMIK, EULEX, Bruksel e Ban Ki Mun
kërkoni nga unë të mos këndoj këngë për Adem Jasharin
për Prekazin, Junikun, Kosharen, Karadakun…
E Liridonët tanë që ranë për vatan!
Ç’doni nga unë, madamë? Ç’urdhëroni, zotërinj?
Të bëhem më katolik se Papa
më pontif se pontifi i Romës!
Mos më shtyni të bëhem harbut e t’jua përplasi shqip:
Shkoni në t’sëmës!
(Paris, Tetor 2005; rishikuar në Prishtinë, Mars 2011)
Kjo poezi fitoi Çmimin e parë në Orën e madhe letrare të mbajtur për nder të 30-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 26 mars 2011, në Prishtinë.