Opinion

RAPORTI YNË ME FLAMURIN

Për habi të madhe, deri sa flamuri shtetëror i Kosovës humb terren në Kosovë,  ai për ditë e më shumë po e fiton atë në diasporë, ku euforia fillestare nuk po zbehet.

Ali Mehmeti, Gjenevë, 24 nëntor 2020

Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve të Kosovës me flamurin e tyre kombëtar dhe pastaj shtetëror, prej Luftës së Dytë Botërore (LDB) gjer me sot ka shënuar shumë lëkundje.

Është dashur mbi një çerek shekulli pas LDB, pas kërkesave dhe sakrificave të pareshtura, të paguara me jetë, gjak dhe burg të patriotëve tanë Fazli Grajqevci, Adem Demaçi dhe mijëra të tjerë, që të fitohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar. Pavarësisht trysnive të ndryshme nga autoritetet jugosllave dhe sidomos atyre serbe, gjatë 3 – 4 dekadave në vijim, flamuri kombëtar ka mbijetuar gjer në vitin 2008. Dhe paradoksalisht, atë që fituam me gjak dhe nën  okupim, e falëm në “liri”. Natyrisht, duke mos e pyetur popullin, por duke e manipuluar atë me lloj-lloj arsyetimesh, ku kryesori dhe të cilit i besohej më së lehti, ishte se nuk mund të ekzistojnë dy shtete me flamur të njëjtë! Argument ky që nuk qëndron, sepse ka shumë raste të kundërta Indonezi – Monako, Rumuni – Çad, Holandë – Luksemburg … Arsyeja e vërtetë ishte që Kosova të shpallet shtet shumetnik, kurse në një shtet të tillë nuk mund të pranohet flamuri vetëm një etnie! Pavarësisht që nuk ka shtet më të pastër etnik, përveç Republikës së Shqipërisë, në krejt Evropën.

Shumë shpejt pas këtij formulimi-koncesioni, qytetarët e Kosovës kanë filluar t’i ndiejnë pasojat. Nga viti 1999 jemi duke u marrë me pozitën e pakicës serbe brenda Kosovës për të arritur tani në pikën kur ata kërkojnë një “republikë serbe” brenda Kosovës, të kamufluar me emrin e asociacionit të komunave serbe – Zajednicës. Askush nuk merret me zhvillim ekonomik, kurse buxheti i shtetit mbushet kryesisht nga të ardhurat e mërgatës, pavarësisht sesi quhen ato mjete, remitanca, dogana, para në xhep, …, madje edhe eksporti, që bëhet nga Kosova bëhet duke falënderuar ndërmarrësit nga mërgata. Planifikimi hapësinor nuk ekziston, kurse ndërtimet bëhen në mënyrë kaotike dhe sipas nevojave të pushtetarëve. Për hallet e shtresave në nevojë askush nuk brengoset! Të pagjeturit janë harruar! Madje, Driton Selmani, është lodhur nga ata. Mjetet e fondit pensional, të plaçkitura nga Serbia, askush nuk i përmend dhe nuk janë temë e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel, kurse mjetet e sotshme të trustit pensional mbahen diku larg nga Kosova dhe nuk investohen në zhvillimin e Kosovës!! Mjetet nga ndërmarrjet e privatizuara nuk u kthehen punëtorëve dhe po ashtu nuk investohen në Kosovë, sepse nuk ka siguri thonë; kurse nga ana tjetër biznesi vendor kreditohet nga bankat e huaja me kamatat më të larta në Evropë, për të cilat paska siguri.

Për mos t’ju hyrë në hak, duhet thënë se politikanët tanë nga viti 1999, përveç se janë marrë me pozitën e serbëve, janë marrë edhe me rritjen e pasurisë së tyre personale, në mënyra nga më të ndryshmet. Sidomos, me procesin e privatizimit, i cili u shndërrua në grabitje masive të pasurive të përbashkëta kombëtare, nga “komandantët” dhe “kolaboracionistët” kombëtar dhe hajdutët ndërkombëtarë, pa dallim!!  

Prania e flamujve nëpër dasma është një indikator shumë i vlefshëm për të kuptuar raportin e qytetarëve ndaj tyre. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, flamuri shtetëror dhe ai kombëtar ishin të pranishëm në çdo dasmë. Por, pas euforisë fillestare, sot, 12 vjet pas, shumë rrallë (e hiq) mund të shohim flamurin shtetëror nëpër dasma sepse, përsëri po mbretëron shqiponja dykrenore. Por, sa më pak që flamuri shtetëror shihet nëpër dasma, aq më shumë është i pranishëm nëpër vende publike me rastin e festave apo manifestimeve të ndryshme, duke eklipsuar plotësisht flamurin kombëtar!   

Arsyet pse ndodh kështu, mund të kërkohen në zhvillimet e sipërpërmendura. Jo pak ndikim kanë pasur edhe fjalët e politikanëve dhe zyrtarëve shtetëror, të cilët në bisedat e tyre private, çdoherë janë shprehur, ose më saktë arsyetuar, se ky flamur është rezultat i kompromisit, është imponuar, jemi detyruar, ai nuk na zgjon asnjë emocion, është thjesht një leckë dhe se gjithmonë në zemrat tona do të mbetet flamuri kuq e zi. A thua, e pyesin vetën ata, se cili flamur do të zë vend në zemrat e fëmijëve të tyre që po rriten me këtë leckë? Mund të jetë edhe kështu si thonë ata, mund edhe të mos jetë, por ata harrojnë (apo nuk duan t’ia dinë?) se kështu po kompletohet infrastruktura e nevojshme për ngritje të një “kombi të ri”, atij “kosovar”. Ekzistimi i flamurit, himnit, stemës, publicistëve që propagandojnë ndryshime gjuhësore dhe kulturore me ato të shtetit AMË, televizioni që përdor dialektin gegë(!!), stërkeqja e sistemit arsimor, bastardimi i gjuhës standarde nëpër mediume të shkruara dhe elektronike dhe, mbi të gjitha, interesat e klasës politike, janë tokë pjellore për “kombin e ri”. Fatmirësisht, numri i këtyre eksponentëve është ende i vogël, por nuk përjashtohet mundësia e multiplikimit të tyre me ndonjë “injeksion financiar”.                   

Dhe për habi të madhe, deri sa flamuri shtetëror i Kosovës humb terren në Kosovë, ai për ditë e më shumë po e fiton në diasporë, ku euforia fillestare nuk po zbehet. Arsyet mund të jenë të shumta, por paaftësia për ta ndërlidhur situatën e rëndë ekonomike me atë politike, është arsyeja kryesore. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare sportive, të futbollit sidomos, dhe mos lobimi i Serbisë për ta kundërshtuar këtë anëtarësim, mund të lexohen sikur “kontribut” i Serbisë për rritjen e dashurisë ndaj flamurit shtetëror të Kosovës. Megjithatë, është vështirë të shpjegohet ky fenomen. Derisa të gjithë pajtohen me argumentet se ky flamur është i imponuar, na kanë obliguar, është leckë … , prapë se prapë, po thuaj në çdo festë në diasporë valëvitet edhe flamuri shtetëror i Kosovës krahas atij kombëtar, edhe pse askush nuk i obligon dhe askush nuk ua imponon përdorimin e tij!!