Demonstratat e vitit 1981
Demonstratat shpërthyen në një situatë disi të pafavorshme për Shqipërinë e për vetë Kosovën. Disa vite më parë Bashkimi Sovjetik kishte kryer agresionin kundër Çekosllovakisë duke e pushtuar këtë vend sovran. Kurse Shqipëria, si reagim ndaj një akti të tillë të paprecedentë, kishte marrë vendimin për daljen nga Traktati i Varshavës. Në rrethanat e një situate shumë të tendosur e me rreziqe për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por dhe për paqen e stabilitetin në Ballkan ku si Jugosllavia, ashtu dhe Shqipëria kërcënoheshin e rrezikoheshin drejtpërdrejt nga ndërhyrja ushtarake e Bashkimit Sovjetik, ishte e nevojshme që të qetësohej gjendja në kufijtë mes vendeve dhe të forcohej përgjithësisht mirëkuptimi e bashkëpunimi me fqinjët. Përballë rreziqeve të përbashkëta që vinin nga synimet ekspansioniste të imperializmit agresiv rus, shteti shqiptar qe deklaruar se do të mbronte deri në fund lirinë e pavarësinë e atdheut, e njëherësh do të mbështesë dhe luftën e popujve të Jugosllavisë për ruajtjen e pavarësisë së saj kundër synimeve dhe kërcënimeve që vinin në atë kohë nga Bashkimi Sovjetik. Por, mbështetja që i jepej Jugosllavisë në ato momente kritike nuk e zbehu interesimin e Shqipërisë për Kosovën dhe përgjithësisht për shqiptarët në Jugosllavi dhe nuk pengoi udhëheqjen e saj për mbajtjen e qëndrimeve të duhura në mbrojtje të së drejtave të tyre të ligjshme. Në një takim me nje grup profesorësh nga Kosova që kishin ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Dytë të Studimeve Albanologjike, zhvilluar në vitin 1968, Enver Hoxha do të theksonte se përmirësimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë nuk do të bëhet kurrë në kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Megjithëse momentalisht, përballë kërcënimeve të BS-së, vihej re një përkujdesje nga të dyja palët për të zbutur tensionet, përsëri në shtypin dhe propagandën jugosllave herë pas here ndërmerreshin sulme ndaj Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj, me akuzat e njohura për gjoja ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë e për nxitje të separatizmit e irredentizmit në Kosovë. Këto sulme Shqipëria i vlerësonte si përpjekje për ta detyruar të hiqte dorë nga mbështetja për shqiptarët në Jugosllavi. Në përgjigje të tyre Enver Hoxha deklaronte prerë se Shqipëria do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat legjitime të vëllezërve kosovarë dhe do të demaskojë e dënojë terrorin që Beogradi ushtron ndaj tyre. Në të njëjtën kohë, në përputhje me orientimin politik të përcaktuar nga shteti shqiptar, duke shfrytëzuar rrugët dhe mundësitë që ofronin situatat, zhvillimet e manovrimet që bëheshin në Jugosllavi, por dhe liberalizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, u bënë përpjekje maksimale për krijimin e hapësirës së nevojshme për komunikim të drejtpërdrejtë me Kosovën, për dendësim kontaktesh, sidomos me institucionet analoge mësimore, shkencore e kulturore. Një situatë e tillë u shfrytëzua për dërgim tekstesh, mbajtje ligjëratash nga pedagogë e punonjës shkencorë, shkëmbim përvoje në mësim, kualifikim e punë shkencore, të cilat ndikuan në konsolidimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, në zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës, si dhe në mbajtjen gjallë të ndjenjave kombëtare e të një situate të ndezur patriotike në Kosovë. Ndërkohë që ky proces po thellohej, duke ndikuar dukshëm në arritjen e disa objektivave të rëndësishëm të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, papritmas në Shqipëri erdhi lajmi për shpërthimin e një uragani të fuqishëm në Kosovë. Në sheshet e Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës ishte derdhur rinia kosovare e mbështetur fuqishëm dhe nga profesorët, intelektualët në tërësi dhe nga shtresat e tjera të shoqërisë kosovare. Ky zhvillim i papritur e befasoi udhëheqjen e Shqipërisë, e cila me sa duket nuk e kishte menduar e parashikuar një evoluim e një shpërthim kaq të shpejtë të situatës. Udhëheqësi i PPSH-së Enver Hoxha, që ndodhej në Vlorë, ndërpreu menjëherë pushimet dhe erdhi në Tiranë ku kryesoi një mbledhje urgjente të forumit më të lartë partiak, të Byrosë së atëhershme Politike. Pjesëmarrësit në mbledhje u informuan për çka po ndodhte në Kosovë. Problemi në Byronë Politike u pa në dy aspekte: Së pari në situatën që do të krijohej në Kosovë, e cila do të shfrytëzohej nga serbomëdhenjtë për të ndërprerë çdo lloj komunikimi e bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë, por dhe për të goditur me grusht të hekurt rininë dhe popullin e Kosovës. Dhe së dyti, problemet dhe rreziqet që mund të krijoheshin në këtë rast edhe për vetë Shqipërinë, për sigurinë dhe stabilitetin e saj. Në mbledhje u fol hapur për mundësinë e një goditjeje të mundshme të Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë. Madje mendimi shkonte deri te dyshimi se mund të ishte vetë Serbia e interesuar për këto zhvillime, se ajo mund të kishte gisht në to e se demonstratat mund të ishin nxitur edhe prej saj, me qëllim që t’i shfrytëzonte për të goditur njëherësh Kosovën dhe Shqipërinë. Këto hamendësime tregonin se të dhënat për atë që po ndodhte në Kosovë me sa duket ende nuk ishin të plota. Në momentet e para të shpërthimit të demonstratave nuk dihej nëse lëvizja ishte e programuar apo spontane, i deshën kosovarët apo i provokuan serbët. Pikërisht kjo mungesë informacioni bëri që udhëheqja shqiptare të prononcohej me pak vonesë. Opinioni u njoftua jo menjëherë, siç do të duhej, por pas pak ditësh. Njoftimi u dha si lajm, pa u shoqëruar me komente e pa u shpalosur vlerësimet e qëndrimet mbi çka po ndodhte në Kosovë. Por pas shoshitjes së dilemave të para, udhëheqja e Shqipërisë arriti në përfundimin se sido që të ishte puna, në radhë të parë e mbi të gjitha, duheshin marrë në mbrojtje demonstruesit paqësorë, populli dhe rinia kosovare, çështja për të cilën ata ishin ngritur dhe njëherësh duhej dënuar ashpër e pa ekuivoke dhuna që nisi të ushtrohej ndaj tyre. Një version i shtruar dhe i diskutuar në atë kohë në opinionin publik ishte fakti nëse shërbimet sekrete të Shqipërisë kishin lidhje me ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë. Sipas rregullave që kishte shteti shqiptar në atë kohë, atyre u ishte ndaluar të zhvillonin veprimtari agjenturore në Kosovë, me përjashtim të rasteve kur kishte zhvillime që lidheshin drejtpërdrejt me mbrojtjen e Shqipërisë. Megjithatë, nuk përjashtohej mundësia që shërbimet sekrete të vepronin edhe jashtë këtyre udhëzimeve. Në këtë kohë, në Perëndim, sidomos në Zvicër e në Gjermani kishte një aktivizim të grupeve që punonin në emigracion për organizimin e një lëvizjeje brenda në Kosovë, me figura të njohura si J. Gërvalla, K. Zeka etj. Shqipëria sigurisht kishte kontakte me ta. Mirëpo ky nuk është argument për të ngritur versionin se demonstratat kishin pasur lidhje e nxitje nga Shqipëria, po të kihet parasysh ai komunikim i dobishëm e i drejtpërdrejtë që ekzistonte para tyre me Kosovën, si dhe faktin që atëherë bëhej tepër kujdes kur ishte fjala për veprime të tilla, që mund të implikonin Shqipërinë në arenën ndërkombëtare e të rëndonin më tej pozitën e saj, edhe ashtu mjaft të rëndë. Në situatën e krijuar, udhëheqja e vendit mori me urgjencë disa masa të karakterit politik dhe ideologjik. Në radhë të parë u forcua mbrojtja e vendit. Forcat e armatosura u vunë në gatishmërinë më të lartë. U forcua sidomos kufiri në zonën Kukës-Tropojë me përqendrim forcash të shumta. Kurse në aspektin propagandistik u forcua Radio Kukësi, u morën masa për të forcuar programet në Televizionin Shqiptar, të vetmit televizion në vend e për të vënë përforcues të fuqishëm që të kapeshin valët edhe në Kosovë. Ndërkohë, mbi bazën e tezave të miratuara e në përputhje me qëndrimet e përcaktuara u ndërmor një fushatë e gjerë propagandistike për të sqaruar opinionin brenda dhe jashtë vendit, për çka po ndodhte në Kosovë, për të marrë në mbrojtje kosovarët dhe luftën e dytë të drejtë. Për këtë qëllim u shkruan e u botuan njëri pas tjetrit një numër artikujsh prestigjiozë, nga penat më të spikatura në vend, në të cilat shpreheshin pikëpamjet, vlerësimet dhe qëndrimet e Shqipërisë ndaj demonstratave që po zhvilloheshin në Kosovë. Në tre artikuj, të përgatitur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, në bazë të tezave të tij, të botuar në “Zërin e popullit”, gazeta më në zë në vend, në datat 8 dhe 23 prill dhe më 17 maj 1981, u bëhet një analizë e gjithanshme shkaqeve që çuan në këto ngjarje, politikës shtypëse, diskriminuese e përjashtuese të ndjekur prej vitesh ndaj shqiptarëve, mohimit të së drejtave të tyre legjitime. Në to i tërhiqej vëmendja Beogradit që problemet e akumuluara t’i trajtonte me kujdes e me qetësi, në dialog me shqiptarët, duke evituar çdo përdorim të dhunës, ndryshe paralajmërohej se problemi do të acarohej e situata do të komplikohej jo vetëm me Kosovën, por dhe me Shqipërinë. Me këtë rast i bëhej gjithashtu thirrje udhëheqjes jugosllave, që shkaqet e këtij shpërthimi të mos i kërkojë jashtë vendit, por brenda në Kosovë, pasi këtë situatë, vihej në dukje në artikuj, e ndezën shtypja e egër, gjenocidi i ushtruar prej vitesh ndaj kosovarëve, mohimi brutal i të drejtave të tyre legjitime. Atë e ndezi gjithashtu patriotizmi i zjarrtë i rinisë e i popullit të Kosovës, që nuk mund të duronte më shtypjen që ushtrohej ndaj tyre. Në materialet propagandistike të PPSH-së dhe në prononcimet e udhëheqësve të Shqipërisë, pasi mbështetej për herë të parë hapur kërkesa e demonstruesve për Republikën e Kosovës, si një aspiratë legjitime e një populli që jeton në trojet e veta, theksohej se Shqipëria do të mbrojë deri në fund e me çdo çmim vëllezërit kosovarë në arritjen e këtij objektivi madhor të lëvizjes kosovare. Ngjarjet e vitit 1981 mund të thuhet se shënojnë një kthesë në qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës, duke e futur luftën dhe përpjekjet e saj në shtratin e duhur të interesave kombëtarë. Tani ajo nuk do të hezitojë të demaskojë udhëheqjen e Beogradit jo vetëm për largimin nga marksizëm-leninizmi, siç kishte bërë prej vitesh e që për vendin nuk kishte ndonjë dobi, por në radhë të parë e mbi të gjitha, për trajtimin e shqiptarëve, për mohimin e të drejtave të tyre kombëtare, demokratike e humane. Ky qëndrim i shtetit shqiptar ka pasur miratimin e plotë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Pavarësisht nga problemet e brendshme që kishte vetë Shqipëria, kosovarët e ndienin dhe e shikonin se në fund të fundit e vetmja mbrojtje e mbështetje për ta vinte prej saj. Duke shpjeguar arsyet e miratimit që Kosova dhe kosovarët u bënin qëndrimeve të Shqipërisë, akademiku Rexhep Qosja ka shkruar: “Enver Hoxha kishte ndërtuar një propagandë të fuqishme kundërjugosllave e kundërserbe dhe shqiptarët në Jugosllavi që qysh me gjysh e babagjysh kishin ëndërruar për çlirimin prej sllavëve të Jugut, e duartrokisnin fshehurazi atë propagandë dhe ideologun e saj. Më në fund ata e donin Shqipërinë, pavarësisht çka ishte dhe si ishte. Pse ishte diktaturë nuk lodheshin shumë, sepse diktatura kishte përplot Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.