Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCX) – TEDELI (VRELLA) – FSHATI I BURIMIT TË UJIT, DRITËS DHE LIRISË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCX)
TEDELI (VRELLA) – FSHATI I BURIMIT TË UJIT, DRITËS DHE LIRISË
Sa kam qëndruar në Banjën e Pejës për shërim, më ka rënë ta vizitoj disa herë fshatin e madh përparimtar Tedel, që ndodhet vetëm 6 km larg. Tedeli (Vrella) është njëri nga vendbanimet më të mëdha e më të vjetra të komunës së Burimit (Istogut), është si një qytezë e qetë, me të gjitha të mirat që ia ka falë natyra.
Fshati Tedel shtrihet në një fushë pjellore pranë maleve të bukura që ngrihen thik përpjetë në lartësi deri mbi 1600 metra. Ndodhet rreth 7 km nga qendra komunale, Burimi, 10 km nga Gjurakoci, 10 km nga Ujëvara e Drinit të Bardhë dhe 17 km nga Peja. Emrin Tedel e mori pas luftës çlirimtare, që është emër i vjetër i fshatit. Ky emër, Tedel ose Tekdel (Tek del uji) lidhet me burimin e madh në lartësi të bjeshkëve mbi fshat. Edhe sllavët e kanë emëruar fshatin sipas burimit të ujit me emrin Vrella (burim). Burimi i ujit mbi fshat furnizon me ujë të pijes dhe për ujitje Tedelin dhe të gjitha fshatrat përreth.
Në një terren të pjerrët mbi fshatin Tedel ndodhet lokaliteti arkeologjik, i quajtur “Krye”, që është një vendbanim ilir, ku ende hasen rrënojat e një fortifikate me funksion mbrojtës të fushës, të bazilikës dhe të rrugës. Bazilika e antikitetit të vonë në Tedel, e shek. IV – VI, është nga kishat më të vjetra në Dardani. Pranë saj ndodhej një nekropol, kurse në brendi të saj kishte sallë të ngrënies, konaqe, sterë të ujit, dy varreza etj. Lart, në shkëmbinj, ka gjurmë të kishave shpellore (eremite). Nga gjetjet arkeologjike dallohet emblema e hyjit pagan ilir, që paraqet veprimtarinë themelore të popullsisë ilire, vreshtarinë apo prodhimin e rrushit dhe të verës. Një pllakë prej guri, me përmasa 90×60, e quajtur Silvani ose Kamcjapi, është zbuluar në malet e Tedelit. Është gjetur edhe një enë me monedha romake, të cilat ruhen në muzeun Arkeologjik të Zarës dhe në Muzeun e Beogradit. Në fshat ndodhen varrezat e vjetra, të quajtura Varret e Latinëve. Në dokumente fshati përmendet për herë të parë në vitin 1397. Pastaj, përmendet edhe në defterin kadastral të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 me emrin Vorodka, kur kishte 16 shtëpi. Në defterin tjetër të vitit 1582 del me emrin Vrella e manastirit të kazasë së Pejës, me 43 shtëpi. Fshati është i regjistruar edhe në një hartë austriake të vitit 1689, kurse në sallnamet e Vilajetit të Kosovës, të vitit 1893, është i regjistruar me emrin Ivrella. Ushtria serbe, pas pushtimit të Kosovës në dimrin e vitit 1913, i kishte burgosur 27 burra të fshatit, i kishte dërguar në një mulli në Burim dhe i kishte torturuar deri në vdekje. Mes viteve 1928 – 1938 në Tedel janë vendosur 53 familje kolonësh serbë me 239 vetë, tash të gjitha janë shpërngulur nga fshati. Nga ky fshat disa familje shqiptare janë shpërngulur në Siri e disa në Turqi.
Sipas statistikave Tedeli kishte 60 shtëpi në vitin 1905, 93 shtëpi me 790 banorë në vitin 1931, 147 shtëpi me 1359 banorë në vitin 1931, 312 shtëpi me 2600 banorë në vitin 1981, 420 shtëpi me 3600 banorë në vitet 1998 – 1999. Sot llogaritet se fshati ka rreth 650 shtëpi banimi me rreth 5000 banorë. Një pjesë mjaft e madhe e banorëve të fshatit jeton në mërgim.
Mund të thuhet se Tedeli është fshati më i zhvilluar dhe më i rëndësishëm i komunës së Burimit. Në vitin 2011 është përuruar fabrika për prodhimin dhe shpërndarjen e pijeve “Sinalco Kosova”, repart i gjigantit ekonomik gjerman “Sinalco”. Fshati ka edhe fabrikën e mbulesave “VrellaTEX”, disa kafiteri, shumë shitore e biznese tjera private. Si një fshat në fushë dhe pranë bjeshkës, me tokë pjellore, me kullota të shumta e me ujëra burimore të mjaftueshme, Tedeli paraqitet, sikurse në të kaluarën, edhe sot një fshat bujqësor e blegtoral, me kushte shumë të përshtatshme për zhvillimin e këtyre degëve ekonomike. Karakterizohet sidomos për burimin e madh të ujit dhe për numrin e madh të mullinjve të ujit gjatë rrjedhës së lumit. Sot kanë mbetur mulliri i Fekajve, objekt i trashëgimisë kulturore, mulliri i Qelë Shaban Bicajt i shek. XIX, që ende bluajnë misër.
Tedeli dikur ishte qendër komunale, pastaj selia e komunës ishte bartur në Gurrakoc e në fund në Burim. Sot është qendër e bashkësisë lokale e pesë fshatrave të zonës së Tedelit. Në fshat është zyra e ofiçarisë, ambulanca, shkolla fillore, çerdhja e fëmijëve etj. Fshati Tedel është vatër e arsimit, është nga fshatrat më të arsimuara në komunën e Burimit. Në qendër të fshatit ndodhet shkolla fillore “Hysni Zajmi”. Është nga fshatrat e rralla që ka edhe çerdhe për fëmijë. Fshati ka dy fusha futbolli, pastaj fushë basketbolli, volejbolli, hendbolli, tenisi, sallë sportive, parku i fshatit etj.
Tedeli ka dhënë kontribut të madh gjatë luftës çlirimtare, duke i dhënë atdheut 28 banorë, prej tyre shtatë dëshmorë, kurse shtatë persona ende konsiderohen të zhdukur. Nga sulmet barbare serbe janë djegur rreth 400 shtëpi, prej tyre dy kulla historike, ambulanca, biblioteka me mbi 8000 libra, fabrika “Teuta” dhe janë granatuar e shkatërruar shkolla dhe xhamia e fshatit. Afër këtij fshati, më 12 prill 1999, është zhvilluar beteja më e rëndësishme e luftës në këtë anë, kur ranë 12 dëshmorë. Nga data 11 deri më 14 prill është detyruar të largohet popullsia nga fshati në drejtim të Rozhajës, Ulqinit e të R. së Shqipërisë. Në vendin ku ishin pozitat e UÇK-së gjatë luftës, para disa viteve është ngritur kompleksi përkujtimor “Dëshmorët e Kombit”, ku pushojnë 60 dëshmorët e komunës së Burimit. Në brendi të kompleksit është ndërtuar edhe një kullë – muze, amfiteatri dhe rrethimi me një mur betoni.
Sivjet në Tedel është përuruar shtegu “Kulti i Dionisit”, nga ku mund të vrojtohen pamjet e bukura të një natyre të gjerë e të bukur e që shërben për ecje të gjata malore. Figurina antike “Kulti i Dionisit”, e gjetur në këtë fshat, gjendet në Muzeun e Kosovës si një vlerë e çmuar dhe e veçantë i trashëgimisë kulturore.
Gjendja e fshatit para lufte me gjendjen pas lufte është e pakrahasueshme. Të gjitha shtëpitë janë të reja e të rindërtuara, të gjitha rrugët janë të asfaltuara, është ndërtuar edhe infrastruktura tjetër e nevojshme e fshatit. Të kujtojmë se gjatë luftës rreth 85 për qind e shtëpive kanë qenë të djegura. Sot fshati është rindërtuar, kurse popullsia e tij kanë mirëqenie relativisht të mirë ekonomike. Tedeli është fshat i vjetër, i madh, i qetë, i rëndësishëm, i arsimuar. Problemi më i madh i tij, si në tërë Kosovën, është papunësia dhe ikja e të rinjve në botën e jashtme.
Vizita fshatit, lokalitetit arkeologjik, shtegut malor dhe, sidomos kompleksit përkujtimor “Dëshmorët e Kombit”, paraqet një përvojë të paharrueshme përkujtimore, kulturore dhe turistike.