Regjistrimi i popullsisë në Luginë nis nga 1 tetori e deri më 31 tetor
Në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), nga 1 tetori e deri më 31 tetor, do të nisë regjistrimi i popullsisë, pasi ai i vitit 2011 ishte bojkotuar nga shqiptarët, nga që e kishin vlerësuar se ka mangësi. Për vëzhgimin e këtij procesi do të angazhohen 15 mijë komisionerë. Politikanët bëjnë thirrje që të regjistrohen të gjithë ata që kanë lindur në Luginën e Preshevës.
Nga 1 e deri më 31 tetor të këtij viti në Serbi është planifikuar regjistrimi i popullsisë, proces për të cilin do të angazhohen më se 15.000 komisionerë. Ndryshe nga viti 2011 kur shqiptarët e bojkotuan regjistrimin për shkak të shumë mangësive të evidentuara në proces, kësaj radhe vet ligji ka pësuar ndryshime pozitive, e për këtë janë angazhuar Këshillat Nacionale të pakicave.
“Ka mjaftueshëm që të regjistrohen të gjithë banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës, përfshi këtu ata që janë në diasporë, përfshi këtu ata që janë në Kosovë, përfshi këtu edhe njerëzit që janë pasivizuar. Në fletëregjistrimet, përkatësisht në formularët e regjistrimit është lënë hapësira që një anëtar i familjes mund të regjistroj të gjithë anëtarët e tjerë familjarë”, u shpreh Ragmi Mustafi Kryetar i KNSH-së.
Në Komunën e Bujanocit tashmë kanë nisur përgatitjet për këtë proces.
“Na kanë premtuar se gjithçka që është e mundshme do të bëhet që t’u mundësohet shqiptarëve regjistrim dinjitoz dhe ne vetëm kemi propozuar komisioni komunal për regjistrimin e popullatës”, tha Nagip Arifi Kryetar i Komunës në Bujanoc.
Për apo kundër pjesëmarrjes në regjistrim do të duhej të deklarohen subjektet politike që përfaqësojnë shqiptarët në Serbi. Bojkoti i viti 2011 edhe pse ishte vendim unanim politik, megjithatë pati pasoja evidente që rënduan gjendjen e shqiptarëve edhe më shumë.
E për regjistrim janë deklaruar edhe qytetarët shqiptarë.
“Po shihen pasojat, jo Gjygji, jo regjistrimi shumë i vogël. Bile, bile partitë politike duhet të bëjnë thirrje që edhe punëtorët të cilët janë përkohësisht jashtë vendit të vijnë dhe të regjistrohen edhe ta dimë se vendi është i joni”, tha Qemal Ajdini qytetarë.
“Të gjithë çka kanë lindur edhe çka janë të gjallë duhet të regjistrohen edhe ata brenda çka janë këtu edhe ata jashtë vendit, jashtë vendlindjes”, tha Sami Salihu qytetarë.
“Duhet me u regjistri edhe gjithqysh me dal masovikisht me dalën krejt jo me dal vetëm disa”, tha Hesat Rexhepi qytetarë.
Pavarësisht vendimit për bojkot të regjistrimit në vitin 2011, u regjistruan rreth pesë mijë qytetarë shqiptarë ne tri komunat e Luginës së Preshevë . Si pasojë, Serbia Luginën e njohu me vetëm pesë mijë banorë, ndërkohë që Këshillit Nacional ia zvogëloi asamblistët nga 29 sa kishte kur u themelua, në 15 e me këtë iu zvogëlua edhe buxheti për 40 %. Gjykatat themelore si dhe shumë institucione të tjera relevante u bartën nga Presheva e Bujanoci në Vranjë dhe nisi procedura e shlyerjes së shqiptarëve nga regjistri civil.
add a comment