Botë

BRUKSEL – BE dënon rezultatet e rreme të referendumeve ruse në Ukrainë

BRUKSEL, 28 shtator /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian denoncoi sot rezultatet e falsifikuara të referendumeve “të paligjshme” që Rusia ka mbajtur në territoret e pushtuara ukrainase.

“Kjo është një tjetër shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, mes abuzimeve sistematike të të drejtave të njeriut”, shkroi në Twitter kryediplomati i bllokut, Josep Borrell.

Moska ka mbajtur referendume që janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar në katër rajone ukrainase të pushtuara nga Rusia, në Kherson, Donetsk, Luhansk dhe Zaporizhia për të justifikuar aneksimin e tyre në Federatën Ruse.

Borrell përsëriti një deklarate të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dje në mbrëmje. “Referendume të rreme. Rezultate të rreme. Ne nuk do të njohim asnjërën”, shkroi ai në Twitter.

Reagimi i Michel erdhi pasi zyrtarët rusë pretenduan se votuesit në katër rajonet e pushtuara të Ukrainës kishin miratuar me shumicë votash pranimin në Federatën Ruse.

“Me të gjitha votat e numëruara, përkatësisht 99% dhe 98% të votuesve në Donetsk dhe Luhansk votuan në favor, në Kherson 87% e votuesve miratuan aneksimin dhe në Zaporizhia 93% votuan pro”, sipas administratave të pushtuese në rajone.

Si hap tjetër, administratat pushtuese të emëruara nga Moska pritet të aplikojnë zyrtarisht te presidenti Vladimir Putin për t’u përfshirë në territorin rus.

Më herët, presidenti rus, Putin theksoi se territoret do të ishin plotësisht nën mbrojtjen e Rusisë, përfshirë arsenalin e saj bërthamor, nëse rezultatet e referendumit do të arrinin një shumicë votash për aneksimin. //a.i/