Histori

Enver Hoxha: “Banda antizogiste” që qëndronte në emigracion në Bari të Italisë

“Banda antizogiste” që qëndronte në emigracion në Bari të Italisë.

Enver Hoxha shkruante :
   Aty kishin “uzurpuar” kafene “Stopani”-n, ku qëndronin orë të tëra duke konsumuar politikë pa bereqet. Sakaq, pjesa tjetër e dërgatës “antizogiste”, me Ali Këlcyrën, Qazim Kokoshin, Rexhep Mitrovicën etj., u vendosën në Paris.
Në krye kishin, gjoja, Kol Tromarën, por asnjëri s’e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin. Këtyre myteberëve, u qe mbushur mendja top se ishin politikanët më të zotë që kishte njohur Shqipëria.
Për aq kohë sa i njoha , ata kurdoherë i kisha parë duke luajtur në klubet e kumarit, në kinema etj. Dukej që kishin para boll. “Ku i gjejnë, more Remzi Fico?”, e pyesja këtë, një student në mjekësi e që e kishte mik Kol Tromarën. “Marrin pare të madhe nga qeveria franceze si politikanë që janë”, më thoshte Remziu. Qendrat e tyre qenë “La Coupole” dhe kafene të tjera me nam. Atje luhej dhe kumar, bëhej politikë, “rrëzohej Zogu”, “ngrihej populli shqiptar” prej tyre dhe atje ndaheshin edhe frangat e dollarët që ua siguronte rruga e tradhtisë ku qenë futur.
Aty kam parë mjaft herë Kol Tromarën. Nuk më kanë parë sytë arrogant më të madh, megalloman, si ai. Kokën e mbante lart dhe syzet alla amerikane, vishej me rroba të zeza, si ata “kakerët” dhe ecte, shikonte e fliste sikur e mbante botën mbi supe. Qazim Koculin as e njoha kurrë. Ali Këlcyrën një herë e takova dhe këtë herë i vajta në shtëpi për t’i çuar një letër.
Kishte një apartament shumë të mirë. Ai mezi më futi në sallon , më dha një cigare, thirri shërbëtoren franceze dhe i tha të më bënte një kafe. Aty më pyeti për çfarë studioja dhe ç’kishim nga Shqipëria. Sa piva kafenë, u ngrita dhe ika. S’ia pashë më surratin këtij tradhtari as jashtë, as kur erdhi në Shqipëri me pushtuesin. Sejfi Vllamasin po ashtu një herë e kam takuar në Paris; si ky, si Rexhep Mitrovica më janë dukur njerëz më të thjeshtë,asaj kohe dhe më të njerëzishëm se të tjerët.
Kështu i kam njohur këta njerëz para pushtimit italian. Tok me pushtimin italian u kthyen edhe këta zotërinj në Shqipëri dhe mendimet e tyre ishin po ato për të cilat kam folur më lart. Tash nën hijen e pushtuesit këta “patriotë të shquar” do ta drejtonin popullin dhe vendin në rrugën e “demokracisë” e të përparimit… fashist.
Ç’bënë gjithë këta farë “lejlekësh” që u kthyen nga kafenetë e Europës? U çmallën me miqtë e tyre, vendosën lidhje politike me “demokratët antizogistë”, me të cilët takoheshin nëpër kafene. Këta të ashtuquajtur “demokratë antizogistë” tash me pushtimin e vendit ose mbanin vendet që kishin pasur në kohën e Zogut, ose ishin ngritur në “rutbe” dhe po pasuroheshin më shumë në kurriz të popullit dhe me ndihmën e fashizmit.
“Patriotët e shquar” të kthyer nga Europa tatonin terrenin, nuhatnin nga vinte dhe si vinte lireta, tatonin kuislingët, hierakët fashistë, hiqeshin si njerëz “të panjollosur” politikisht, si “politikanë të zotë”, prandaj tash që “u bë deti kos këtyre u duhej dhënë jo luga, por luharja”. U instaluan me banime; rroga u vazhdonte, por se në ç’rrugë, nuk dihej. Pushtuesit i interesonte që kjo rrogë të legalizohej, por, nga ana tjetër, kjo do të thoshte që këta pseudopatriotë të komprometoheshin, të futeshin në valle.
Por Italia fashiste nuk mund t’i përdorte përpara Vërlacëve, Merlikëve, Eqerem Bej Vlorës, Maliq Bushatit etj. Këta ishin violinat e para, të tjerët duhej t’i nënshtroheshin regjimit kuisling e pushtuesit dhe të punonin për të. Kështu që këta “patriotë” u futën në valle dhe morën rroga të majme e “shpërblime patriotike”.
Një pjesë u fut në “këshillin e shtetit”, i krijuar apostafat për ta, të tjerët u bënë feudalë, disa të tjerë morën rroga e ryshfete, duke bërë një propagandë të maskuar kundër rezistencës së popullit. Futjen në shtetin fashist këta e konsideronin “nevojë për të marrë kalanë nga brenda” dhe me paturpësinë më të madhe dënonin ata që luftonin për të shkatërruar kalanë nga jashtë. Populli u ngrit në këmbë kundër pushtuesit dhe qeverisë gjakatare të Vërlacit e të Mustafa Krujës, kurse këta myteberë kritikonin luftën dhe e quanin “lodër kalamajsh”.