Shtegtime nëpër Atdhe (CCIV)
TERNOCI I MADH – FSHATI MË I MADH NË GADISHULLIN ILIRIK KU KËNDOHET E FLITET VETËM SHQIP
Nuk dimë si ta quajmë, fshat apo qytezë Ternocin apo Ternocin e Madh, vendbanimin më të madh shqiptar në Kosovën Lindore, komuna e Bujanocit. Pasi shumica e kanë quajtur fshat, kështu do ta quajmë edhe ne. Fshat, sepse pos një shkolle fillore, nuk di që ka institucion tjetër publik. Në të vërtet ekzistojnë dy fshatra njëri pranë tjetrit me të njëjtin emër; Ternoci i Madh dhe Ternoci i Vogël ose Mal Ternoci.
Ternoci i Madh është fshat fushor i tipit të grumbulluar, vetëm 3 km larg qendrës komunale, Bujanocit. Ky fshat, me më shumë se 1200 shtëpi dhe me mbi 10 mijë banorë, ishte fshati më i madh në ish-Jugosllavi e tash fshati më i madh në hapësirat shqiptare, mbase fshati më i madh edhe në tërë Gadishullin Ilirik.
Thuhet se edhe në shek. XVI Ternoci ka qenë vendbanim i madh, më i madhi i Kadillëkut të Vrajës dhe më i madh se qytetet e atëhershme të Vrajës e Preshevës. Sipas një regjistrimi të vitit 1519, në Tërnoc jetonin 120 familje me rreth 600 banorë. Gjatë regjistrimeve të popullsisë të pasluftës së Dytë Botërore, numri i popullsisë paraqitet, si vijon: në vitin 1948 – rreth 3900 banorë, në vitin 1953 – rreth 4400 banorë, në vitin 1961 – rreth 5000 banorë, në vitin 1971 – rreth 5600 banorë, në vitin 1981 – rreth 6300 banorë, në vitin 1991 – rreth 5900 banorë, në vitin 2002 – rreth 8900 banorë dhe në vitin 2016 – mbi 10 mijë banorë. Rreth 4000 banorë të Ternocit apo mbi 35 për qind e tërë popullsisë së fshatit kanë emigruar në shtetet perëndimore, kryesisht në Zvicër. Mërgimtarët, të organizuar nëpër shoqata në mërgim, e ndihmojnë fshatin e tyre për qëllime humanitare dhe për rregullimin e infrastrukturës, kurse e gjallërojnë gjatë muajve të verës, në korrik e gusht.
Ternoci ka tokë pjellore, dhe kjo ka mundësuar që popullsia e fshatit të jetojë mirë nga bujqësia e blegtoria. Që në shek. XVI Ternoci ishte prodhuesi më i madh i grurit në Kadillëkun e Vrajës. Madje, fshati kultivonte edhe linin (vendin e dytë në Kadillëk), konopin e kultura tjera bujqësore. Në atë kohë Ternoci kishte edhe një numër të zejtarëve; mishtore, këpucëtarë, rrobaqepës, farkëtarë, mullisë etj. Edhe sot ternocasit janë mjeshtër të dalluar të shumë profileve zejtare dhe tregtarë të zotët, çfarë nuk i gjen tjetërkund. Kohëve më të vona, që nga viti 1940 e deri para pak viteve ternocasit kanë kultivuar kulturën e duhanit. Mirëpo, për shkak se janë mbyllur fabrikat e përpunimit të duhanit, që nga viti 2017 pushteti e ka ndaluar kultivimin e kësaj bime industriale.
Në vitin 1968 / 1969 për herë të parë, me peripeci të shumta, në Ternoc janë hapur paralelet e ndara të një shkolle të mesme, të gjimnazit të Preshevës. Me angazhim të gjithanshëm, me entuziazëm të pashoq e me dëshirë të flaktë atë vit shkollor në Ternoc u hapën dy paralele të gjimnazit me 70 nxënës, prej tyre me vetëm katër vajza. Paralelet u vendosën në hapësirat e shkollës së vetme fillore, ku qëndruan deri në vitin 1974, kur u krijuan kushtet, me kuadro e nxënës, që paralelja e ndarë fizike të pavarësohet nga Gjimnazi i Preshevës. Pasi u pavarësua, gjimnazi i Ternocit u transferua, në vitin 1974, në qytetin e Bujanocit, ku ndodhet edhe sot, por tash i transformuar në drejtime të ndryshme.
Për shkak se është fshat i madh dhe i pastër shqiptar, Ternoci i Madh mbetet cak i diskriminimit politik e ekonomik, madje shpeshherë duke u etiketuar nga organet e shtetit serb dhe nga mediat serbe si çerdhe e krimit, si bazë e bandave dhe e mafisë, si qendër e shpërndarjes së drogës dhe e kontrabandës, si fshati i shndërruar “shteti në shtet”, se gjoja në të nuk mund të hyjë xhandarmëria, se gjoja këtu nuk zbatohet rendi e ligji etj. Ky diskriminim dhe trysnia e përhershme politike e policore e ka bërë jetën e ternocasve të padurueshme e të pasigurt, kurse papunësia e varfëria e madhe e kanë bërë jetën të pa perspektivë. Për pasojë, gati gjysma e popullsisë së fshatit, veçanërisht rinia, kanë emigruar në shtetet perëndimore.
Gjatë luftës në Kosovë dhe në Kosovën Lindore Ternoci përjetoi presione, provokime, kërcënime të shumta. Te Muri i Rekës së Ternocit, gjatë luftës në Kosovë, më 23 prill 1999, forcat ushtarake serbe, pasi i kishin kontrolluar të gjitha shtëpitë e fshatit në kërkim të armëve dhe të pjesëtarëve të UÇK-së, e kishin marrë peng tërë popullsinë e fshatit, pleq, gra fëmijë, i kishin grumbulluar dhe rreshtuar për t’i pushkatuar. Pas disa orëve të mbajtur në të ftohtë e në shi, në momentet e fundit, popullsia ishte liruar sepse, siç thuhet, ishte lëshuar një urdhër nga lart. Kështu, kanë shpëtuar nga pushkatimi, nga një akt i rëndë gjenocidi, si një Srebrenicë e dytë, rreth 6000 banorë të Ternocit. Provokimet dhe kërcënimet nuk kishin të ndalur. Ato ditë organet serbe u kishin dërguar ftesa të rinjve të fshatit për mobilizim ushtarak, duke krijuar presion, frikë e pasiguri e me qëllim të spastrimit etnik të fshatit. Provokimet dhe kërcënimet e tilla ishin të përditshme, jo vetëm në Ternoc, por në tërë Kosovën Lindore, e cila atëherë nuk ishte pjesë e luftës por jetonte nën ethet e luftës.
Si fshat i madh, Ternoci ka nevojë edhe për hapësira të rregulluara shlodhëse. Një e tillë është edhe ujëvara në dalje, mbi fshat, te Muri i Rekës së Ternocit dhe afër një mulliri të vjetër, që është një vend i bukur dhe shumë i vizituar nga banorët. Aty, në vendin ku ishte terrorizuar popullsia dikur, sot është bërë një pushimore e bukur, një mrekulli e krijuar me nismën dhe kontributin e vet banorëve.
Vizita fshatit më të madh të rajonit paraqet njohje dhe përvojë tejet interesante. Fshat i bukur me vlera e tradita kombëtare, të ruajtura brez pas brezi. Fshat i dalluar në Kosovën Lindore dhe në tërë hapësirën kombëtare.
add a comment