DIMRI E SHPËTOI RUSINË NGA NAPOLEONI ! DIMRI E SHPËTOI RUSINË NGA HITLERI ! A DO TA SHPËTON DIMRI RUSINË EDHE NJËHERË ?
Gjenevë, 1 shtator 2022
Ukraina po derdh gjak për lirinë e vet, kurse Evropa dhe bota demokratike, po derdhin para për lirinë e Ukrainës, por jo vetëm. Gjithë ai armatim që po dërgohet në Ukrainë ka koston e vet dhe këtë kosto, në fund të fundit e bartin qytetarët e kësaj bote demokratike. Por kjo kosto është minimale në krahasim me koston tjetër, të shkaktuar nga mungesa e shumë lëndëve të para që vinin nga Rusia ose Ukraina dhe mbi të gjitha nga reduktimet e gazit natyror që vinte nga Rusia, nga i cili në masë të madhe ngrohet Evropa, përdoret në industri dhe prodhohet energjia elektrike. Sulmi rus mbi Ukrainën ka ardhur ende pa përfunduar mirë pandemia, kohë gjatë së cilës ekonomia ka stagnuar. Kërkesa e shtuar për mallra pas pandemisë, mungesa e lëndëve të para dhe e energjisë në tregjet botërore, e kombinuar me babëzinë e pafund të bizneseve dhe spekulantëve të ndryshëm, ka shkaktuar rritjen galoponte të
çmimeve me pakicë me të cilat duhet të ballafaqohen qytetarët. Pasoja që çdo qytetar i Evropës, dhe jo vetëm, e ndien sot mbi lëkurën e vet, është se aftësia blerëse i është zvogëluar dukshëm, për shkak çmimeve të larta. Arsyeja kryesore është rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, në të gjitha format e saj, nafta, gazi, qymyri, energjia elektrike. Gjersa në vitin 2021 çmimi i energjisë elektrike, për një megavatorë (MWh) ishte 85 euro, para pak ditësh arriti në 850 € dhe nuk ka të ndalur. Prognozat janë se gjatë dimrit mund të arrij gjer në 1500
€/MWh.
Ky presion mbi qytetarët, i pashënuar në dekadat e fundit, patjetër që do të rris pakënaqësitë në popullatë që mund të kulmojnë edhe me trazira të pa kontrollueshme. Dhe pikërisht në këtë bazohet strategjia e Putinit. Që si pasojë
të pakënaqësive civile nëpër shtetet përkatëse, të ushqyera edhe me dezinformata të ndryshme të plasuara nëpër mediume të sponsorizuara nga rusët, qeveritë do të detyrohen të zbusin sanksionet ekonomike mbi Rusinë, në
shkëmbim të gazit.
Sa më të pasura shtetet, aq më lehtë do ta përballojnë këtë krizë. Qysh tani, qeveritë kanë përgatitur pakot e ndihmave për shtresat në nevojë. Në Francë para pak ditësh është aprovuar ligji mbi “mbrojtjen e fuqisë blerëse”, me të cilin ndahen 20 miliardë euro për këtë qëllim. Në fakt, për ndihëm qytetarëve, në forma nga më të ndryshmet janë destinuar 10,3 miliardë euro, sepse 9,7 miliardë euro të tjera janë të parapara për rinacionalizim të ndërmarrjes për
prodhim dhe shpërndarje të energjisë elektrike EDF. Gjer me tani shteti e kishte në pronësi me vetëm 83,9%, kurse ka borxhe dhe duhet të përgatitet për investime në ndërtimin e reaktorëve të ri bërthamor. Pra, shtetëzimi shihet sikur masë e nevojshme paraprake. Duke pasur parasysh faktin se Franca ka 67 milion banorë, i bie se ndihma mesatare për kokë banori do jetë 150 euro. A do mjaftoj për një gjeneratë, jo vetëm franceze por evropiane në përgjithësi, që është mësuar në mirëqenie, pa sakrifica, që të vetmin problem e kishte kur, ku dhe si ta eksploroj planetin Tokë? Apo ndoshta do gjendet dikush që do ju thotë se, kjo është sakrificë minimale që duhet përballur sot, në krahasim me sakrificat e ukrainasve, që nesër mos të kërkohet e njëjta sakrificë edhe nga ju!
Nëse kjo strategji nuk “dhez”, nuk përjashtohet as mundësia e sulmeve masive kibernetike mbi sistemet energjetike dhe ato të transportit për të shkaktuar kaos. Sulmet e fundit kibernetike mbi Shqipëri dhe Mal të Zi, a mos po
paralajmërojnë një skenar të tillë? Nëse kësaj i shtohet edhe mundësia e sabotimeve në këto sisteme nga “kolona e pestë”, që në këtë shekull nuk vepron sipas idealit por sipas dobishmërisë financiare, atëherë duhet të mbajmë
vigjilencë maksimale gjatë muajve të ardhshëm!
Këto rreziqe do jenë aq më të mëdha, sa shtetet janë më pak të qëndrueshme, sidomos në aspektin financiar dhe të sigurisë. Për të gjithë faktorët në trojet shqiptare Ylli polar duhet të jetë fjala e urtë që “PËR NJË PLESHT NUK DIGJET JORGANI!”