NASER HAJRIZI
(Në 60-vjetorin e lindjes)
7 korrik 1962-7 korrik 2022
Naser Hajrizi, i biri i Beqirit dhe Fatimesë, ishte rritur dhe edukuar në një familje atdhetare të Strofcit të Vushtrrisë. Xhaxhain e Beqirit, Zymber Hajrizin, bashkë me dy kushërinjtë e tij, Osmanin dhe Hajrizin, forcat serbe i kishin pushkatuar më 1921. Ndërkaq xhaxhai i Fatimesë, Milazim Hyseni ishte dënuar më 1949 me shtatë vjet burg, si pjesëtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare.
Xhaxhai i Naserit, Zeqiri, bashkë me kushëririn, Zenel Hajrizi, më 1961, si pjesëtarë të Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të udhëhequr nga Kadri Halimi dhe Ali Aliu, ishin dënuar me burgim të rëndë.
Beqirit dhe Fatimesë, Naseri u kishte lindur pas 11 vjet martese. Atëherë kur po humbnin shpresën për të pasur fëmijë, lindja e tij përbënte gëzim të madh, jo vetëm për familjen, por për gjithë farefisin.
Naseri i vogël po rritej me përkujdesjen e veçantë të të gjithë anëtarëve të familjes, si një fëmijë i shëndetshëm dhe shumë inteligjent. Në shkollë mësonte mirë dhe po bëhej shumë i dashur me mësuesit, nxënësit dhe familjen. Naseri ishte lexues i pasionuar.
Më 1980 Naseri, bashkë me Asllan Pirevën kishin organizuar një grup të të rinjve, të cilët vepronin kundër pushtuesit nëpërmjet propagandimit të ideve të lirisë dhe me shpërndarje të literaturës e të shtypit klandestin. Në vijim ata hynë në radhët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kohës.
Ndonëse i ri, si maturant i Shkollës së Mesme Elektroteknike “Miladin Popoviq” në Prishtinë, Naseri i furnizonte me literaturë dhe me shtypin klandestin edhe profesorët e vet, si Ahmet Qeriqi, Zenun Gjocaj etj.
Naser Hajrizi, nga 26 marsi në të gjitha demonstratat e vitit 1981 ka marrë pjesë aktive. Më 1 prill, në mbrëmje vonë i kishte thënë xhaxhait të vet Tahirit, se fitorja jonë tashmë është siguruar, sepse është ngritur në këmbë i gjithë populli. Asnjë nga xhaxhallarët, por edhe babai dhe motra e tij nuk kishin munguar në demonstrata, prandaj kjo i jepte një kënaqësi të veçantë Naserit entuziast.
Më 2 prill 1981 Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës (ish Normalja e Prishtinës). Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset, por masa demonstruese marshon drejt qytetit. Ndërkaq ai hyn në një shtëpi, ku ia lidhin plagën dhe vrapon për t’i zënë kolegët.
Rreth orës tetë para dreke, demonstruesit po mblidheshin në qendër të Prishtinës. Shkollarët e ardhur nga Gërmia nuk përfillnin kërcënimin me armë të ushtarëve e policëve jugosllavë, të vendosur rreth Kuvendit të Kosovës. Edhe objekti i sotëm i Qeverisë, atëherë i Bankës Popullore, ishte i mbushur përplot ushtarë e oficerë, të cilët kishin mbërritur gjatë natës. Pas gjysmë ore thirrjesh e brohoritjesh të demonstruesve, filluan krismat, ngjashëm me një natë më parë, kur demonstruesit i kishin shpërndarë me tym ngulfatës dhe krisma nga të gjitha anët. Por atë ditë përdornin edhe plumbat e vërtetë vrasës. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (Sot Kryeministria), Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin me flamur në dorë, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.
Oficeri serb, me snajper nga kati i trete i objektit të Bankës, shtiu kundër demonstruesve, duke lënë të vrarë Naserin dhe Asllanin.
Më 4 prill u bënë homazhet dhe ceremonia e varrimit të Naserit, duke u betuar të gjithë të pranishmit para trupit të tij lapidar. Ato ditë lejonin vetëm katër përcjellës të kufomës, por kortezhi ishte futur në një kamion të mbuluar, me të cilin shkuan te varrezat e qytetit mbi njëzet vetë. Të tjerët individualisht shkuan drejt varrezave…
Pas demonstratave, në vendin ku u vranë heroikisht dy dëshmorët, regjimi ngriti një nevojtore publike me dy hyrje. Sot aty ka dy pemë, sikur bëjnë roje nderi dhe një pllakë modeste përkujtimore për dëshmorët.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, militantë vetëmohues, ishin dëshmorët e parë të kryengritjes së vitit 1981.
add a comment