Lëvizja\UÇK

Dervish Çadraku: Lëvizja Popullore e Kosovës në Rahovec e rrethinë

VEPRIMTARIA E LPK-së NË KOMUNËN E RAHOVECIT

Kumtesë e lexuar në Akademinë e mbajtur nga Shoqëria LËVIZJA dhe komuna e Rahovecit për 40 – vjetorin e bashkimit politik te organizatave patriotike – krijimin e LPK – se…

Ndonse shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore  morën  pjesë  në Bllokun Antifashist, dhe  kishin  bërë një luftë të atillë që Shqipërinë e çliruan pothuaj pa ndihmen e të tjerëve ushtarakisht, duke iu  ndihmuar edhe të tjerëve në vijat e frontit , ata serisht u tradhëtuan, kurë është fjala për premtimin e tërësisë teritoriale të trojëve të tyre dhe të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet. Bazuar në këtë, në vend që të përmirësoheshin gabimet që iu bënë në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës, populli shqiptar edhe një herë u tradhtua pikërisht nga ata që duhej të ishin garantuesit e kësaj  lirie dhe bashkimi. Në fakt, në radhë të parë shqiptarët e Kosovës, që në fillim kishin rezervat e tyre, nga se jo njëherë gjatë historisë së tyre të përgjakshme e kishin pësuar në kurrizin e tyre padrejtësinë. Madje këta “garantues“ u përpoqën ta formalizojnë ”me letra” këtë aneksim duke e organizuar edhe të ashtuquajturin Kuvendin e Prizrenit  të mbajtur më 8,9,10 korrik 1945. ”Vetdëshira” apo “vetdeklarimi” i bashkimit me Jugosllavinë ishte vulosur me gjakun e atyre që ishin kundër këtij aneksimi, duke i vrarë e persekutuar  me dijen edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Lufta për liri dhe bashkim në një shtet, si synim jetik dhe strategjik i shqiptarëve, do të bartet si amanet ndër breza, që kurë kishte shkelur këmba e ushtarit të parë  romak në tokat e pushtuara ilire, pas betejave të përgjakshme në mes të  ushtrive të Romës dhe të ushtrisë ilire të  Mbretëreshës Teutë. Dhe kjo rezistencë  iliro-arbëroro-shqiptare ka vazhduar përkundër  baticave dhe zbaticave duke u bartur deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës, e cila rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.

Pjesë e mozaikut të rrezistencës dhe e luftës për liri të trojeve shqiptare nën ish- Jugosllavi me trungun amë, Shqipërinë, ishte edhe Rahoveci.

Pas shtypjes së përgjakshme të Brigadës së Shaban Polluzhës ushtarë të të cilës kishte  edhe nga kjo komunë, organizata të ndryshme në nivel të Kosovës të krijuara nga njerëz të pa kënaqur me rezultatet e Luftës Nacional Çlirimtare, po organizonin grupe të ndryshme ilegale edhe në këto anë për ta luftuar këtë rirobëri. NDSH-ja, Besa Kombëtare e organizata e  grupe të ndryshme ilegale, kishin regrutuar  qindra veprimtarë me autoritet me  qëllim të formimit të formacioneve ushtarake që do të merrnin barrën e luftës për çlirim dhe bashkim me shtetin amë, Shqipërinë, ndonëse, disa nga këto organizata, me programet e këtyre kishin krijuar edhe huti dhe paqartësi në popull. Shumë bartës dhe përgjegjës të këtyre veprimeve atdhetare, shpejt u zbuluan nga  UDB-ja dhe u ngriten procese të mëdha gjyqësore, duke i dënuar me vdekje dhe me shumë vite burg.

Megjithatë, shumë të rinj dhe intelektualë, vazhdojnë të fymëzohen me luftërat dhe idetë atdhetare të paraardhësve të tyre ndër shekuj siç ishte Sylejman Krasniqi nga Hoça e Vogël i cili ishte njëri nga ata që u burgos për këto ide. Ai pas vuajtjes së burgut nga pamundësia për të qëndruar këtu, arratiset në Shqipëri për të na dhuruar tërë atë veprimtari të vlefshme  letrare si burim frymëzimi për rininë shqiptare.

As burgosja e emblemës së rezistencës, Adem Demaçit me shokë  dhe e shumë veprimtatëve tjerë nuk po i frikësonte shqiptarët, madje veç sa po e rriste atdhetarizmin  sidomos të të rinjët, atdhetarizem ky i cili shpërthen në demostratat e vitit 1968, të cilat shpalosën publikisht qëllimin dhe vendosmerinë e shqiptarëve të Kosovës, për një republikë të barabartë më republikat tjera në Jugosllavinë e diktatorit Tito. Si rezultat i kësaj, të drejtat e shqiptarëve me Kushtetutën e vitit 1974 domosdo u avancuan edhe pse jo mjaftueshëm.

Represioni serb dhe gjendja e rëndë ekonomike si çdo kund në Kosovë edhe në Rahovec po e  çonte popullin drejt organizimeve të pandalshme alternative për të dalë nga kjo gjendje me qëllim  të fitimit të drejtave të tyre legjitime. Në këtë drejtim në vitin 1975 një grup të rinjsh e formojnë grupin ilegal “Kosova e Re”.

Ky grup i përbërë fillimisht nga Dervish Çadraku, Islam Krasniqi, Adem Hoti, Qamil Çadraku, Avdi Duraku, Halit Kryeziu etj. ndërmerrte aksione për grisjen e flamujve të Jugosllavisë e të Serbisë, të fotografisë së Titos, të shkruanin   parulla “Rroftë Shqipëria”, “Kosova Republikë”, parulla  për lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë dhe aksione të ngjajshme. Poashtu shpërndanin literaturë, fletushka dhe revista  me  qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të rinisë përparimtare shqiptare.

Arrestimi dhe ndëshkimi i disa anëtarëve të këtij grupi dhe denimi i tyre me burg të rëndë, nuk e zbehu aspak vullnetin për rezistencë ndaj pushtuesit. Përkundrazi kjo e intensifikoi  edhe më shumë luftën dhe  përpjekjet për Republikë e Kosovës.

Demostratat gjithëpopullore të vitit 1968, shënimi i 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shtypi dhe televizioni shqiptar, sidomos aktivitetet e guximshme të grupëve ilegale, po e bënin punën e tyre me shumë sukses në ngritjen dhe forcimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarët nën Jugosllavi duke vepruar konkretisht në teren.

Të gjitha këto do të ndikojnë në ardhjen e erërave të ngrohta të jugës së marsit të vitit 1981, të cilat po e ngjallnin  blerimin pranveror të idealëve. Kjo i ndezi zemrat e djalërisë shqiptare për të vërshuar dhe mbushur rrugët e Prishtinës dhe të qytetëve tjera  të Kosovës, për të protestuar dhe kërkuar fuqishem  liri për popullin e shumëvuajtur shqiptar. Këto ngjarje tronditën Ballkanin dhe faktorin ndërkombëtar e bëri të kthej vëmendjen nga Kosova që po përgjakej.

Që nga 11 Marsi, në Prishtinë, Prizren e qytete tjera në mesin e qindra e mijëra demonstruesve, kishte edhe dhjetëra djem dhe vajza nga Rahoveci madje në radhët e para duke e sfiduar pa frikë  milicinë vrastare serbe të armatosur deri në dhëmbë.

Në çastet më të nevojshme që duhej për t’i dalë zot kauzës për lirinë e Kosovës dhe për t’a mbrojtur dhe orientuar atë, doli kolosi dhe intelektuali i guximshëm  i përmasave gjithëkombëtare, Ukshin Hoti nga Krusha e Madhe,  duke ia shtuar kështu vlerat kësaj  lëvizje dhe këtij  vrulli rinor.  Angazhimi dhe burgosja e tij dhe e plot djemve dhe vajzave atdhedashëse në mbrojtjen e kësaj kauze, si dhe nevoja për liri, ndikoi edhe më shumë në  rritjen dhe intensifikimin e veprimëve të ndryshme ilegale  kundër robërisë shekullore. Domosdoshmëria e kësaj kundërshtie e bëri qe pothuaj në çdo trevë ku jetonin  shqiptarët në ish-Jugosllavi, të rritej   numri i grupëve klandestine, të cilët po i shumëfishonin veprimet dhe aksionet në teren. Mirëpo sado të forta të ishin këto grupe, tanimë qartë u vërejtë se me këto programe dhe veprime të parcializuara nuk po arrihej dot qëllimi final, liria e shumëpritur. Prandaj, u pa nevoja si kurrë më parë, e gjetjes së një zgjidhjeje për veprime efikase.

Pas një pune kolosale të lodhshme dhe me plot rreziqe, me 17 janar të vitit 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë, Jusuf Gërvalla i kishte  bërë bashkë grupet e shpërndara atdhetare, mu si Skënderbeu Princat e Arbërit. Por UDB-ja jugosllave duke e parë rrezikun e këtij bashkimi, e vret Jusuf Gërvallën së bashku me bashkëpunëtorët e ngushtë të tij tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Por tanimë ata  ia kishin arritur   qëllimit sepse pikërisht atë ditë, nga tharmi i shpërndarë i rezistencës, ishte themeluar Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Kjo organizatë atdhetare dhe nacionalçlirimtare, u formua  me bashkimin e disa organizatave, të cilat kishin në programet e tyre ideale, dëshira dhe synime të përbashkëta për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë.

Lëvizja Popullore për Republikën e  Kosovës ose LPRK-ja ( më vonë LPK), e mori përsipër organizimin e rezistencës dhe të luftës me qëllim të realizimit të këtyre objektivave.

Që nga kjo ditë, pothuaj se nuk kishte patriot apo grupacion serioz që veprimtarinë e tyre e kishin   përqendruar në luftën për liri dhe që nuk ishin të lidhur në  një mënyrë apo tjetër  me këtë organizatë. LPRK-ja u bë organizata që jep kurajo dhe frymëzim, jep këshilla dhe detyra për veprim dhe bashkim në luftën e shenjtë për liri. LPRK-ja, duke u bazuar  kryesisht në vrullin rinor me shpirt vetmohues dhe  kundërshtues ndaj pushtetit gjakatar serbo-jugosllav, u rrit dhe u forcua në saje të guximit, sakrificës dhe gjakut të anëtarëve të saj të cilët vinin nga gjiri i populli liridashës.

Kjo frymë dhe kjo detyrë e shenjtë, kishte arritur edhe në  komunën e Rahovecit. Individë e grupe shokësh, që vepronin në forma të ndryshme, po përpiqëshin ti koordinonin veprimet për rrethana të reja të shumëpritura sepse bashkimi i organizatave dhe shkrirja në LPRK po krijonte mundësi dhe efekte shumë më të mëdha. Duhet potencuar, që anëtarë  dhe treshe të LPRK-së nga kjo komunë, kishte edhe më heret, por me bazë jashtë kësaj komune. Sikur që kishte edhe nga ata që   kishin vepruar  përmes Këshillit Popullor të  LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi   apo KÇBK-së (Komiteti për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar) si Selim Gashi, Binak Berisha, Ukë Gashi etj. të cilët shkruanin parulla atdhetare nëpër vende të ndryshme të kësaj  komune. Por, përpjekjet e para  për një grup më të strukturuar dhe të instruktuar nga LPRK-ja, në Rahovec, u  bënë në vitin 1985 duke mbledhur rreth vedi entuziastë e guximtarë, për të vepruar siç e kërkonte programi ambicioz i kësaj organizate. Mirëpo ky grup nuk mbijetoi gjatë sepse bërthama e grupit u burgos brenda një kohe të shkurtër duke i dënuar me disa vite burg. Mbase entuziazmi i tepërt, përvoja e pa mjaftushme, por edhe rrjeti i dendur i  UDB-së e bëri që ky grup të mbetet i pa strukturuar dhe me pamundësi veprimi më të gjerë, ndonëse, veprimet sporadike dhe individuale nuk u ndalen asnjëherë.

Me 16 prill të vitit 1988, në Qëndresë (ish Randobravë) në shtëpinë e veprimtarit Mustafë Hoxha, u formua Komiteti i Rrethit i LPRK-së për Rahovec.Në këtë mbledhje mori pjesë sekretari politik i Komitetit Drejtues i LPRK-së  Fadil Vata i cili ishte njëri nga shtyllat e këtij organizimi dhe nën përkujdesjen e tij u bë ndërtimi i strukturës organizative. Aty u strukturuan veprimtarët: Binak Berisha, Selim Gashi, Ramush Krasniqi, Durmish Gashi ,Sokol Haziri, Ukë Gashi etj.Këta djem entuziastë, si bartës të organizimit, morën  përgjegjësinë e shtrirjës së organizatës brenda komunës dhe më gjerë. Përkundër vështirësive që po hasnin në teren, ata bënë një punë të mirë në shtrirjen e ativitetëve gjithandej komunës dhe përtej saj, duke bashkëpunuar dhe koordinuar aktivitetet e tyre atdhetare.

Më 28 maj të vitit 1988 në shtëpinë e Sokol Hazirit në Krushë të Vogël, u bë formimi i sekretariateve. Përfaqësues nga Këshilli i Përgjithshem ishte Fadil Vata. Binak Berisha u caktua delegat për Komitetin Drejtues të LPRK-së, ndërsa Ramush Krasniqi u zgjodh sekretar organizativ, Sokol Haziri sekretar politik, Selim Gashi sekretar operativ, Ukë Gashi sekretar për informim dhe Durmish Gashi ndihmës sekretar për informim. Si rezultat i punës së OMLK-së organ i kësaj organizate në këtë komunë po bëhej  funksionalizimi i sistemit të treshëve, nga të cilët shkruheshin parulla dhe shpërndaheshin shumë trakte, në të cilat kërkohej vetëdijësimi dhe zgjimi i masave në luftë për liri dhe bashkim. Sistemi i treshëve, u shtri edhe ndër studentë e në shkollat e mesme, ku u aktivizuan të rinjë e të reja të shumtë, ndër ta ishin: Smajl Latifi, Ramadan Krasniqi, Elizabeta Çanta, Lule Veliu, Arben Fetoshi, Bekim Luta, Lulëzim Hoti, Bilbil Oruqi, Bardhadie Hoxha.Anëtarë të kësaj organizate ishin edhe dëshmorët Nesimi Elshani, Shkëlzen Krasniqi, Xhemajli Berisha, Agron Fetahu, Jahë Hoti, Avdullah Bugari,Mizair Isma etj. Duhet përmendur edhe shumë veprimtarë që kishin vepruar në periudha të ndryshme  për qështjen kombëtare, duke marrur pjesë në demostratat e 1981 dhe në forma të tjera të rezistencës dhe  që pastaj vepruan në grupe të ndryshme në kuadër të LPRK-së siç ishin: Begzad Gashi (njëri nga organizatorët e demostrates së 25 Marsit 1981 në Prizren), Dervish Çadraku (disa herë i burgosur,  pjesëmarrës dhe i plagosur në demonstratat e  Marsit-Prillit 1981 në Prishtinë )  Adnan Gashi, Sali Bytyqi, Xhelal Canziba, Ibrahim Kryeziu, Haxhi Krasniqi, Ismail Kryeziu, Samedin  Kelmendi, Hysni Thaçi, Maxhun Zeka, Hazer Tara, Kasim Haxhimurati, Qamil Çadraku, Adem Krasniqi, Daut Bytyqi, Ukë Gashi, Sefer Lushi, Remzi Gashi, Zyber Ukaj,Ramush Krasniqi, Nezir Krasniqi, Shefqet Gashi, Agim Durguti etj. Po ashtu kishte veprimtarë që vepronin edhe jasht vendit të cilët pos tjerash bënin edhe furnizime me literaturë dhe material ilegal të grupeve brenda vendit si Ilki Krasniqi, Muharrem Dina, Shaip Hoxha, më vonë Halil Çadraku etj. Ka të atillë që kanë vepruar në struktura jashtë komunës, ndërsa strukturat e brenshme nuk kanë patur njohuri. Në rrethanat e kohës, ishte e pamundur të dihen emrat e të gjithë atyre që u strukturuan dhe vepruan  në radhët e LPRK-së sepse sistemi i treshit nuk e mundësonte këtë. Prandaj, është e vështirë të përmenden të gjithë ata veprimtarë e veprimtare që bënë aktivitete të organizuara ilegale atdhetare në hapsirën e komunës së Rahovecit dhe më gjerë, kurë e kemi parsyshë punën konspirative që bënin ata për t’i ikur vëzhgimit të sigurimit serb.

Këto punë kaq të mëdha dhe me kaq vullnet, që po e bënin të rinjët dhe të rejat  në Kosovë dhe në viset tjera të shqiptarëve në ish Jugosllavi, nuk arriti t’i ndalë e dekurajojë as vrasja mizore e veprimtarit të pa lodhshem të qështjes kombëtare nga Rahoveci, Xhemajli Berisha, i cili vdiq nga torturat e UDB-së në Prizren, dhe kriminelët për ti mbuluar gjurmët e krimit, ia  hedhin trupin nga dritaret e SUP-it. As vrasja e më vonshme në Prishtinë, nga soldateska serbe, e dy figurave më emblematike të ilegalës së asaj kohe, Afrim Zhitia dhe  Fahri Fasliu. Lufta dhjetëorëshe dhe rënja heroike e tyre, e rriti urrejtjen të masat dhe të shokët e tyre veprimtarë, e forcoi  nevojën dhe domosdoshmerinë e mobilizimit dhe të ngritjes me nguti të strukturave aty ku nuk kishte, sepse liria e Kosovës, tani më ishte e sigurtë se pa  përballjen luftarake me Serbinë fashiste nuk do të vinte. Pak kohë pas këtyre ngjarjeve heroike, me 27 janar 1990, për realizimin e idealëve të lirisë, bije heroikisht edhe Nesimi Elshani sëbashku me tre shokët e tij: Agron Fetahu, Hilmi Krasniqi dhe Halim Hoti. Ata ranë  duke iu prirë qindra demonstruesëve që marshonin nga Celina, Krusha, Nagaci e Brestoci, për tu bashkuar me protestuesit tjerë në Rahovec. Ata ranë dëshmorë duke iu lënë brezave shembullin më heroik e më burrërorë se si vdiset për liri.

Këto ngjarje të përgjakshme, nuk e ndalën punën në ngritjen e strukturave më të zgjeruara organizative. Prandaj në maj të vitit 1991 në shtëpinë e Durmish Gashit në Fortesë(ish Bellacërk) nën masa të vëzhgimit dhe të sigurisë nga veprimtarët e angazhuar, u formua  Këshilli i Rrethit. Nga qendra ishte Ramadan Avdiu i shoqëruar nga Behajdin Allaçi, tani dëshmor i kombit Në këtë takim, me aprovimin e të pranishmëve, kryetar i këtij Këshilli u zgjodh  Dervish Çadraku.

 

Në këtë fazë të këtyre zhvillimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e formuar kohë më parë, po shtrinte veprimtarinë e vet pa u penguar aq shumë nga strukturat e sigurimit serb. Ishte një kohë kur ushqehej  iluzioni të masat se Kosova do të çlirohej me dialog dhe pa gjak. Kjo e dëmtoi shumë punën efektive të LPRK-së në teren. Kjo politikë fillimisht ndikoi në homogjenizimin e një pjese të popullit rreth kësaj platforme, prandaj, kishte të atillë që filluan ta cilësonin  punën e anëtarëve të LPRK-së si të demoduar, jashtë kohe, të pa efekt dhe të pa nevojshme. Sepse me rënien e Bashkimit Sovjetik përveç ndryshimeve gjeografike,  në Evropën Lindore dhe Juglindore, kishin ndodhur edhe përmbysje e sistemeve dhe regjimeve nëpër këto vende. “Zhvillimet demokratike” në Jugosllavi sidomos instalimi i sistemit shumëpartiak, heqja e nenit 133 i kodit penal të Jugosllavisë dhe lirimi i të burgosurve me këtë nen, si dhe ngjarjet tragjike dhe zhgënjyese në Shqipëri e kishin bërë të veten tek njerëzit. Kjo kishte ndikuar që në nivel të  Kosovës, një numër i anëtarëve të LPRK-së, duke e parë këtë situatë, provuan që individualisht të futen në radhët e kësaj platforme, mundësisht për ta përvijuar programin e LPRK-së dhe kështu për të ia dhënë një ngjyrë më të fortë rezistencës, apo siç thuhej atëherë nga shumëkush  me ironi “për ta marrë kalanë nga brenda”. Kishte edhe nga ata që si të pa kënaqur me këtë dinamikë të Lëvizjes…, formuan subjekte të veçanta si “Fronti i Rezistencës dhe Bashkimi Kombëtar” dhe  më vonë, LKÇK-ja. Megjithatë, kjo gjendje nuk zgjati shumë sepse statukuoja dhe shterpësia politike në teren e zhvleftësuan të ashtuquajturën rezistencë paqësore dhe paralel me zhgënjimin e popullit, po dilte në sipërfaqe fuqishëm, forma klasike dhe e domosdoshme  e rezistencës apo e grykës së pushkës, për çlirimin e Kosovës.

Pikërisht ajo që u tha dhe u potencua me vija të trasha në Mbledhjen e III të Përgjithshme të LPRK-së në Ujmir, mbajtur me 3 dhe 4 nëntor 1991 (përfaqësues nga Rahoveci, Binak Berisha), në Mbledhjen Konsultative të LPRK-së të mbajtur më 23,24 prill 1993 në Kollare  ( përfaqësues nga Rahoveci Dervish Çadraku) si dhe në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPRK-së mbajtur me 28,29 korrik 1993 në Prishtinë, se LPRK është organizatë politiko-ushtarake dhe si e tillë duhet të veprojë, nëse don ti shërbejë Kosovës dhe lirisë së saj, doli shumë e saktë.  Dhe koha më se miri e dëshmoi këtë.

Duke u bazuar në këto konkluzione dhe për ti bërë ato realitet në teren , shumë të rinjë dhe të reja të kësaj organizate, u fokusuan edhe më fuqishëm në punën në  grupet ilegale, por tani ato do të merren drejtpërdrejt me organizimin e celulave luftarake.

Format e kombinuara të kësaj lufte, si kudo nëpër Kosovë, edhe në komunën e Rahovecit, shpërfaqën guximin dhe përkushtimin e shumë anëtarëve të kësaj organizate, të cilët punonin  pa pushuar duke e rrezikuar edhe jetën e tyre, e disa nga ata edhe ranë për  këto ideale. Ëndrrën dhe angazhimin vetëmohues të veprimtarëve atdhetarë, të vdekur e të gjallë, gjeneratë pas gjenerate e bëri realitet LPK-ja, duke e formuar formacionin politiko-ushtarak, Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës(UÇK)  më në krye Komandantin Legjendar Adem Jashari. Duke u bërë të gjithë bashkë, dielli i lirisë po dukej qartë në horizont. Me dhënien e kushtrimit për luftën finale për liri, shumë anëtarë  të LPK-së edhe në këto anë marrin mbi supe barrën e organizimit  të luftës dhe të drejtimit të strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në përballjet e pa barabarta në mes të UÇK-së dhe hordhive serbo-çetnike, shumë djem dhe vajza, ranë  heroikisht në llogoret e luftës duke hyrë kështu në përjetësi, por duke na e lënë Kosovën të lirë e të pavarur por dhe amanetin e bashkimit dhe të prosperitetit si detyrë mbi çdo detyrë për ne të gjallët.

Rahoveci me angazhimet atdhetare është nga kontribuesit më të dëshmuar për lirinë e Kosovës  sepse në themelet e kësaj lirie është gjaku i 112 dëshmorëve dhe i 838 martirëve që ranë vetëm në luftën e fundit 1998-99 kundër Serbisë. Janë mbi 480 veprimtarë e veprimtare  nga kjo komunë të cilët që nga ripushtimi i Jugosllavisë fashiste më 1945 deri në vitin 1999-2000 vuajtën mbi 518 vite burg apo mbi pesë shekuj dënime të rënda nëpër kazamatet  e Jugosllavisë për lirinë e Kosovës. Rahovecit  kurrë nuk i kanë munguar veprimtarët dhe angazhimi i tyre atdhetar, nëpër të gjitha fazat e historisë, sa herë që e ka kërkuar prej tyre atdheu dhe kombi shqiptar.