Botë

Parlamenti Evropian me rezolutë u kërkon Kosovës dhe Serbisë që ta njohin njëra – tjetrën

Parlamenti Evropian, më në fund, ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve. Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçek, ka konfirmuar se ai nuk ishte në favor që në rezolutë të përfshihej thirrja për njohjen e ndërsjellë.

“Siç kam thënë unë nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.