TIRANË, 4 qershor /ATSH/-Bajram Begaj u zgjodh sot Presidenti i ri i Republikës me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim nga Kuvendi i Shqipërisë.
83 deputetë të Kuvendit votuan në seancën e sotme plenare në raundin e katërt për të zgjedhur Presidentin e ri, i propozuar me firmat e 37 deputetëve të Partisë Socialiste.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka gjatë fjalës së saj në Kuvend u shpreh se Begaj plotëson kriteret formale, kushtetuese dhe ligjore.
“Begaj reflekton të gjitha vlerat për të qenë Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i interesit dhe unitetit të popullit si dhe i të mirës publike dhe zotëron të gjitha kapacitetet për të ushtruar kompetencat e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Bajram Begaj plotëson kushtet e parashikuara në nenin 86 të Kushtetutës pasi: Është shtetas shqiptar nga lindja dhe rezulton se nuk ka hequr dorë asnjëherë nga shtetësia shqiptare; Ka lindur në Rrogozhinë, më 20.03.1967 duke plotësuar kriterin e moshës përcaktuar në dispozitën kushtetuese;Ka pasur qëndrim të përhershëm në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë 10 viteve të fundit. Në aspektin ligjor, Bajram Begaj nuk ka asnjë pengesë ligjore për të qenë kandidat për President, pasi nuk ndodhet në asnjë nga rastet ndaluese që parashikohen në Ligjin Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar, dhe Ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar. Bajram Begaj gëzon një reputacion të spikatur në shoqëri si një personalitet me integritet të lartë etiko-moral dhe profesional dhe përfaqëson të gjitha vlerat për të qenë një përfaqësues i unitetit të popullit dhe për të ushtruar me asnjëanësi rolin e kreut të shtetit. Për sa më sipër dhe duke vlerësuar se kandidati që propozojmë për President, përmbush të gjitha kriteret kushtetuese dhe ligjore; reflekton të gjitha vlerat për të qenë Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i interesit dhe unitetit të popullit si dhe i të mirës publike; zotëron të gjitha kapacitetet për të ushtruar kompetencat e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim këtë propozim për t’iu nënshtruar procedurave parlamentare me besimin që kjo kandidaturë do të mbështetet nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kanë nderin dhe privilegjin t’u përgjigjeshin pritshmërive të popullit shqiptar për Presidentin që meriton”, theksoi Bushka.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta firmosi sot dekretin për lirimin e Gjeneralmajor Bajram Begaj nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.