Lëvizja\UÇK

Florin Dervishi: Vasil Shanto – Hero i Popullit

VASIL SHANTO – Hero i Popullit ??
Lindi në fshatin Vrakë afër Shkodës më 17 gusht 1913, në një familje të varfër zejtarësh, furrëxhinj.
Nga gjiri i asaj familje kanë dalë patriotë dhe luftëtarë që kanë mbrojtur identitetin kombëtar shqiptar nga sulmet e armiqve fqinj, kur Perandoria Turke ishte në agoninë e saj për humbjen e territoreve në Ballkan.
Kriza e viteve 1929-1933, e detyruan babanë e Vasilit, Petron, që të largohej nga Shkodra nga fillimi i viteve 1930 dhe të vendosej përgjithmonë në Tiranë.
Aty hapi një furrë buke ku i doli nami si bukëpjekës i mirë. Vasili me të atin punonin gjithë natën, deri në orët e para të mëngjesit, pastaj djali vinte në shkollë se kishte dëshirë të madhe për dije.
Në 1930, Vasili u njoh me militantin komunist revolucionar Ali Kelmendi, i cili ishte kthyer në Atdhe për të filluar zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri.
Në verën e vitit 1931, Vasil Shanto bënte pjesë në celulën e parë komuniste të krijuar nga Ali Kelmendi dhe Asim Vokshi.
Në verën e vitit 1933 u krijua celula e parë komuniste në gjimnazin e Tiranës ku bënin pjesë Vasil Shanto, Skënder Çaçi, Asim Zeneli, etj. Vasili mbante lidhje të vazhdueshme me grupe punëtorësh të profesioneve të ndryshme. Në vjeshtën e vitit 1936 u takua për herë të parë me Qemal Stafën, ku midis tyre u lidh një miqësi e fortë në idealet komuniste. Vasili së bashku me Qemal Stafën i dhanë ndihmë të madhe Migjenit për të botuar librin “Vargje të lira”.
Më 25 dhjetor 1938, xhandarmëria zogiste arrestoi Vasil Shanton, i cili u qëndroi trimërisht torturave çnjerëzore që përdorën hetuesit për t’i thyerë vullnetin dhe karakterin e tij për të kallzuar shokët, por ai nuk i tradhëtoi.
Për këtë qëndrim të papërkulur trupi gjykues i dha dënimin më të rëndë. Por Vasili deklaroi me vendosmëri: “Jam i bindur se komunizmi duhet të ekzistojë patjetër në Shqipëri dhe këtë bindje e kam formuar nga vuajtjet e klasës punëtore” (gazeta “Drita”, 7 shkurt 1939)
Pas pushtimit fashist, Vasil Shanto, bashkë me 7-8 shokë, për të mos rënë në dorë të fashistëve italianë, arratisen nga Shqipëria dhe shkuan në Resnjë të Maqedonisë, ku atje ai takoi patriotin Myslim Peza, i cili ishte emigrant antizogist, dhe ata u miqësuan shumë me njëri-tjetrin. Madje këtë miqësi ata do ta forconin në luftën e përbashkët kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Në prill 1941, kur nazistët gjermanë sulmuan dhe pushtuan Jugosllavinë, të gjithë emigrantët revolucionarë shqiptarë u kthyen në Shqipëri. Vasili me shokë në Tiranë filluan të ngrinin disa baza ilegale.
Populli i varfër i Tiranës filloi të hapte dyert për ilegalët dhe të ndihmonte me të gjitha mundësitë për organizimin e luftës kundër okupatorit.
Më 21 gusht 1941, sipas marrëveshjes që kishte bërë Enver Hoxha me Myslim Pezën, në çetën e Pezës u caktua komisar Vasil Shanto, që nga kjo datë çeta u quajt Çetë Partizane. Vasil Shanto e forcoi çetën politikisht, ushtarakisht dhe tërhoqi një numër të madh të rinjsh e të rejash nga fshati dhe nga qyteti, saqë numri i çetave partizane nga një arriti në shtatë.
Çeta partizane e Pezës çdo ditë hidhej në veprime luftarake kundër fashistëve duke i goditur në befasi.
Vasil Shanto, më 28 tetor 1941, vjen në Tiranë dhe merr pjesë në demonstratën e madhe antifashiste, ku morën pjesë të gjithë komunistët me Enver Hoxhën në ballë. Demonstrata shërbeu si provë e madhe për bashkimin e komunistëve.
Vasil Shanto më 8 Nëntor 1941, mori pjesë në mbledhjen e grupeve komuniste për themelimin e PKSH si përfaqësues i Grupit Komunist të Shkodrës.
Vasili u caktoi detyra të rëndësishme grupeve për caktimin e bazave teknike ilegale dhe për ngritjen e njësiteve guerrile në Tiranë.
Më 28 dhjetor 1941 ai organizoi atentatin në mes të Tiranës kundër agjentit fashist Beqir Kazazi, vrasja e të cilit shkaktoi panik te fashistët.
Më 17 janar 1942 bashkë me 2-3 shokë qëlluan për vdekje spiunin e policisë fashiste Sami Tahiri në Tiranë.
Vasil Shanto u dërgua nga KQ i PKSH për forcimin e punës së Partisë në Shkodër, Martanesh, Elbasan dhe në qytete të tjera.
Ai ishte mjeshtër i maskimit për të përballuar ndjekjet dhe spiunimet e agjentëve të fashizmit.
Më 25 maj 1942, së bashku me Vojo Kushin u nisën nga Shkodra dhe shkuan në zonën e Konjuha të Malit të Zi për t’u dërguar materialet e krijimit të PKSH përfaqësuesve të Kominternit për njohjen e PKSH gjatë korrikut dhe gushtit 1942.
Së bashku me Mihal Durin dhe Misto Mamen u morën me ngritjen e një baze teknike për botimin e gazetës “Zëri i popullit”.
Në shtator 1942, Vasili u mor me çështjet organizative të Konferencës së Pezës. Konferenca e Parë e Vendit e PKSH, që u mbajt nga 17-22 marsi 1943 në Labinot Mal e zgjodhi Vasil Shanton kandidat të KQPKSH.
Enver Hoxha e ngarkoi Vasilin të dërguar të KQPKSH për Qarkun e Shkodrës.
Më 26 korrik 1943, në Shkodër, Vasili organizoi demonstratën e madhe antifashiste ku morën pjesë 10 mijë qytetarë, që tronditën themelet e fashistëve. Në ditët e para të shtatorit 1943, Konferenca e Dytë e Këshillit ANÇl. në Labinot e zgjodhi Vasil Shanton anëtar të KPANÇl. Më 11 shtator 1943, në Shkodër nazistët gjermanë vendosën regjimin e egër terrorist.
Propaganda e komunistëve demaskoi bashkëpunimin e Ballit Kombëtar dhe të Klerit Katolik që u bënë bashkëpunëtorë të gjermanëve.
Nga fundi i vitit 1943, Vasil Shanto së bashku me Reshit Rusin, morën pjesë si përfaqësues të PKSH dhe Këshillit ANÇl të Shqipërisë në mbledhjen e dytë të Këshillit ANÇl të Jugosllavisë, në qytetin e vogël të Adriavicës të Malit të Zi.
Më 29 janar 1944, Vasili, Reshiti dhe dy të tjerë u nisën për në Shqipëri. Udhëtuan ditë e natë në kushte shumë të egra të motit dhe të terrenit në një acar të paparë, rrugë pa rrugë dhe nëpër male që mezi i kaluan.
Kur arritën më 1 shkurt 1944 në Gril të Vrakës, u gjetën të rrethuar nga xhandarët. Vasili dhe Reshiti nuk u dorëzuan derisa ranë duke luftuar me trimëri kundër xhandarëve e tradhëtarëve. Pas çlirimit Kuvendi Popullor i dha Vasil Shantos dekoratën më të lartë Hero i Popullit, ndërsa Reshit Rusit i dhanë statusin e Dëshmorit të Atdheut.
Për të përjetuar emrin e Heroit, shkollës 9 vjeçare në Tiranën e Re i është vënë emri “Vasil Shanto”, ka dhe rrugë që mbajnë emrin e Vasil Shantos.