PREJARDHJA E FISIT CAMI
Kanë ardhur nga Malësia e Madhe dhe janë vendosur në Selitë të Mirditës. Kanë qenë katolik. Filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Shembja e Idhujve” i shkrimtarit dhe skenaristit Skënder Drini është historia e fisit Cami i sjellë në një periudhë të mëvonëshme të mesit të shekullit XX-të, sepse largimi nga Malësia e Madhe dhe nga Selita duhet të ketë ndodhur në shekujt XV-të e XVI-të. I pari i Camajve, pasi vret kapedanin e Selitës, largohet e kalon në Dibër si kaçak. Në Dibër nuk përdoret prapashtes -aj dhe quhet jo Camaj e Lleshaj, por Cami e Lleshi.
I pari i Camit i ka bërë një shërbim Hoxhollit të Dibrës dhe ai i ka fal jetën dhe e ka lënë të lire, si dhe i ka dhene motren dhe dy fshatrat e Gjorices si pronë. Janë shtuar dhe janë bërë mbi 400 shtëpi këtej e përtej kufirin dhe nuk e kanë ndërruar mbiemrin, si dhe nuk kanë bërë lidhje martesore, megjithëse janë larguar brezat. Kanë qenë e janë kompakt e të bashkuar dhe pjesëmarrës në luftrat për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet osmanllie, serbe e bullgare. Në Dibër janë myslimanizuar, por nuk mbahen si mysliman fanatik.
Të parët kanë qenë krerët e Malit të Gollobordës, deri në maj të vitit 1943, kur u krijuan Këshillat Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe u shpërbën e humbën funksionin të Nëntë Malet e Dibrës.
Stërgjyshi im, Shaban Mahmut Cami ka qenë anëtar i kryesisë të Shoqatës të Bashkimit Kombëtarë dhe është vrarë si komandant çete në Luftën e Parë Botërore kundër forcave pushtuese serbo-bullgare. Eshtë shpallur Dëshmor i Atdheut.
Gjyshi, Feta Shaban Cami është njohur si legjenda e Luftës së Parë Botërore në krahinë dhe ka qenë komandant çete e ka luftuar kundër forcave pushtuese serbo-bullgare, si dhe është vrarë e masakruar nga serbët dhe është shpallur Dëshmorë i Atdheut. Veprimtaria e tij bashkë me patriotin Dan Cami përshkruhen në botimin e prof. Gazmend Shpuzës me titull”Lëvizja fshatare në vitet 1913″, botim i ASHSH.
Babai im, Ahmet Feta Cami ka marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore pas vrasjes të të jatit, Feta Camit dhe ka mbaruar studimet e larta ushtarake e ka punur si oficer në Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan. Ka përcjell Zogun deri në Kapshticë dhe është kthyer e ka puth flamurin, si dhe ka dhënë dorëheqje, sipas kujtimeve të ish-kolegut të tij, Isuf Kokomirit, duke u shprehur, se i kam shërbyer vetëm ushtrisë kombëtare dhe nuk i shërbej pushtuesit e fashizmit. Brenda natës kthehet në Dibër. Strehon të larguarit nga detyra si major Murat Bashën, të arratisur të tjerë e të larguarit nga ushtria. Merret për një vit me organizimin e propogandës kundër pushtimit fashist dhe organizimin e informacionit për situatat politike në Shqipëri e në krahinë nëpërmjet vëllait të tij Kurt Camit, që merrej me tregëti dhe me tregëtarë të tjerë që bënin në Dibër të Madhe e në Tiranë dhe nga miq e koleg të tij, si dhe nga persona që shkonin derë më derë e sofër më sofër te parisë së vendit. Mban një fjalim me 28 nëntor 1939 në pazarin e Homezhit për rëndësinë e ditës së 28 nëntorit dhe për situatën politike në krahinë e në Shqipëri, që mirëpritet e duartrokitet nga dëgjuesit.
Në janar të viti 1940 krijon çetë antifashiste, që për një vit organizohen e grumbullon forcat e çetës antifashiste, duke e quajtur Çeta Antifashiste e Gollobordës (të Malit të Gollobordës), megjithëse anëtarët e çetës i kishte pothuajse nga e gjithë krahina e Grykës së Vogël. Ajo çetë mbronte krahinën, që të mos binin nën ndikimin e fashizmit dhe të pushtetarëve kollaboracionistë. Shumë fsahatra të krahinës nuk kanë paguar të dhjetat e të tjera protesta.
-Në fund të muajit prill 1941 organizon me punëtorët e rrugës hedhjen në lumin Dri të dy makinave të ngarkuara me armatim, që po kalonin nga Librazhdi për në Shupenzë.
-Me 2 prill 1941 organizon me çetën aksionin për marrjen e armëve e të armatimeve në depot e armatimit të Batalionit të Divizionit “Firencia” i disllokuar në Krivarek të fshatit Tërbaç, ku vritet një ushtarë e një oficer italian. I sjellin armët tek shtëpia e Ahmetit dhe gratë e shtëpisë e të vëllazërisë i fshehin larg shtëpisë. Me ato armë armatoset e gjithë çeta. Për këto dy aksione arrestojnë 8 vetë, 7 djem e burra Cami dhe një nga Luznia, si dhe i vendosin në rrjesht për t’i pushkatuar. Meqe ishin të palidhur, kur i vendosin në rrjesht, largohen në drejtime të ndryshme dhe u pushkatuan vetëm 3 vetë si Ejup Cami gjimnazist në Tiranë, Musa Cami fshatar dhe Mexhit Lezi, izmeqar. Por këto aksione ia ka përvetësua Haxhi Lleshi, i cili në atë periudhë ka qenë në Beograd. Sipas kujtimeve te tij (Haxhiut), i raporton Enver Hoxhës në vitin 1944 për këto dy aksione, sikur i kishte bërë çeta e tij. Enveri i thotë: “Çeta jote qenka para çetës së Pezës. Përse nuk është shkruar? Për mosnjohje apo për zili”.
Me 7 prill 1941 vjen Haxhi Lleshi me dy nipërit tonë e njëkohësisht kushërijtë e tij dhe i kërkon Ahmetit të takojë një major serb, që ishte në Krivarek dhe t’i mbështeste ato, për të penguar sulmin e forcave fashiste italiane ndaj Jugosllavisë. Ahmeti i përgjigjet: “Hasmi i vjetër nuk bëhet mik”. “Unë do të luftoj më vete e jo me ju”, sipas ditarit që ka lënë dhe e kemi botuar.
Haxhi Lleshi me majorin serb komandonin forcat jugosllave për të penguar sulmin e forcave italiane ndaj Jugosllavisë.
Ahmeti atë natë dërgon një njësit prej 5 vetësh të komanduar nga i vëllai i vogël i tij, Fasli Cami, normalisti i Elbasanit, për të shkuar në Gjoricë me një letër dhe porosi, që të luftojnë më vete e jo me jugosllavët. Atë natë brezi kufitarë ka qenë i pushtuar nga forcat italiane dhe ato jugosllave. Gjatë udhëtimit të njësiti u ndesh në një pritë të pararojës jugosllave apo italiane dhe vritet Fasli Cami, që njihet si mësuesi i parë dëshmor në Shqipëri.
Pastaj arrestojnë 19 burra e djem Cami me Ahmet Camin në krye, që e kanë akuzuar si organizator. Qëndrojnë në burgun e Tiranës e Burrelit një vit e gjysëm dhe babai im ka dhënë 300 napolona flori organeve gjyqësore të korruptuara të atyre viteve dhe lirohen me një vendim të rremë i firmosur nga z/ministri i MPB, Beqir Valteri, sepse ishte edhe kunati i mbesës të familjes tonë. Ndihmuan për largimin e tyre Kolet e Valterët në Mat. Pasi ishin larguar të burgosurit Cami, Beqir Valteri urdhëroi, që të arrastohen përsëri. Ai urdhër qe farsë si për të justifikuar veten.
Ahmeti qëndron pak kohë në Grykë Nokë tek Shaqir Rusi dhe kthehet e riorganizon çetën antifashiste. Si çetë antifashiste ka bashkëpunuar në fillim me çetën antifashiste të baba Faje Martaneshit në Martanesh e të Lim Zenelit në Grykë të Madhe, me Mahmut Pervizin në Zerqan. Vetëm kur i ka shkuar Zoi Themeli e ka biseduar me Ahmetin, ai ka pranuar të bashkëpunojë më çetën partizane të Zogje të krijuar në maj të vitit 1942 me komandant Haxhi Lleshin.
Me 25 maj të 1943, sipas Fjalorit Enciklopedik të Shqipërisë, kjo çetë njihet si çetë partizane që pranon si komisar mësuesin korçar Spiro Velko, që punonte si mesues ne Radovesh prane fshatit Viçishtit dhe kishte miqësi me mësuesin Fasli Cami, si dhe ishte pjestarë i çetës antifashiste të Ahmetit që me krijimin e çetës. Çeta partizane e Gollobordës ka qenë e pranishme në krijimin e Batalionit partizan të Dibrës, sepse ishte Ahmet Cami inisiatorë e organizatorë i krijimit të Batalionit partizan të Dibrës. Por Vukmanoviç Tempo sjell Haxhi Lleshin si komandant dhe Esat Ndreun si komisar të Batalionit, sepse ishin komunist. Ahmet Cami qe ftuar për të marrë pjesë në Labinot të Elbasanit në krijimin e Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, por Tempo e kthen nga rruga dhe dërgon Haxhi Lleshin, sepse Haxhiu ishte komunist, ndërsa Ahmetin e kishte cilësuar si nacionalistë të thekur.
Çeta e Ahmetit ka bërë shumë aksione për çlirimin e zonës së Gollobordës e të Grykës së Vogël dhe të Dibrës së Madhe e të zonave të tjera shqiptare përtej kufirit. Në organizimin e festës së çlirimit në Dibrën e Madhe, Ahmeti bie në konflikt me Tempon, sepse Tempo urdhëron heqjen e flamurit shqiptar nga tribuna, sepse sipas tij, Dibra e Madhe ishte Jugosllavi. Por Ahmeti i përgjigjet: “Ju keni premtuar, se me fitoren e Luftës kundër fashizmit viset shqiptare në Jugosllavi do t’i bashkohen shtetit Shqiptar. Çetat tona partizane i çliruan këto krahina, prandaj duhet të vendoset flamuri ynë kombëtarë. Nëse do të hiqet flamuri shqiptarë, e gjithë Dibra është e rrethuar dhe nuk mund të dalim paq prej këtu në këtë ditë të çlirimit të Dibrës së Madhe”. Ahmeti ishte ngarkuar me çetën e tij dhe të një pjese të Batalionit të Martaneshit për ruajtjen e rendit e të qetësisë të qytetit të Dibrës së Madhe e të fshatrave për rreth. Me insistimin e Ahmetit, flamuri shqiptar nuk hiqet.
Tempo i bën dy letra Enver Hoxhës me kërkesën, që të kthehej Haxhi Lleshi në Dibër, se kanë ngrit krye forcat nacionaliste. Enveri i çon letër Haxhi Lleshit, që ishte në Krujë dhe i shkruan, që të kthehej në Dibër, se Tempo na akuzon për nacionalizëm. Kthehet Haxhi Lleshi në Dibër të Madhe dhe u jep urdhër çetave partizane të ktheheshin brënda kufirit të Shqipërisë për të marrë pjesë në luftën e Peshkopisë. Gjatë kthimit vetëm çetës së Ahmetit i bëhen dy prita, por kaluan pa dëme nga strategjia që ka përdorur dhe nga influenca e njohjet e mëdha që kishte Ahmeti. Në luftën e Peshkopisë në krah të çetës partizane të Gollobordës vihet një çetë serbo-malazeze prej 45 vetësh dhe luftime janë bërë vetëm midis tyre, si dhe të vrarë e të plagosur ka pas vetëm në çetën e Ahmetit, ku është plagosur rëndë edhe Ahmeti dhe ka ndërruar jetë pas një jave me 30 tetor 1943 në Spitalin e Tiranës. Çetës partizane të Gollobordës i kanë vënë emrin çeta Ahmet Cami, sipas dokumenteve te AQSH. Ka qenë propozuar dy herë nga Dibra para viteve ’70, për t’ju dhënë titulli “Hero i Popullit”, por e ka penguar Haxhi Lleshi, sepse e ka pas cilësuar si nacionalist ashtu siç e patën cilësuar Tempo e Jugosllavë të tjerë. Vetëm në vitin 2021 presidenti i Shqipërisë Ilir Meta Ahmet Camit i dha titullin “Dekorata e Artë e Shqiponjës” e barazvlefshme me Heroin e Popullit. Në kujtimet e tij del se Haxhi Lleshi i ka përvetësuar e mohuar luftën Ahmet Camit dhe e ka përbaltur figurën patriotike të këtij dëshmori e të familjes dhe gjithë farefisit Cami si dhe mua. Në bisedën që kam patur me profesor Kristo Frashërin, më ka pyetur:”Pse Haxhi Lleshi kishte shumë urrejtje ndaj babait tuaj, Ahmetit?”
Unë iu përgjigja, se në ditar Ahmeti shkruan:”Me Haxhiun ishim të korenteve të ndryshme”.
Më vonë në fondin e Haxhiut kam gjetur materialin e bisedës së Haxhi Lleshit me profesor Kristo Frashërin, që e kishte thirrur për të shkruar Historin e Popullit të Dibrës gjatë LANÇ, ku e urdhëron profesorin:” Të hiqen Camet nga historia, të mos përmenden as për mirë e as për keq! Ata ishin të gjithë tradhëtarë. Edhe disa dëshmorë unë (Haxhiu) i bana. Tefta ishte me biografi të keqe, por më pyetën mua (Haxhiun) dhe e çova në shkollë të lartë”. Në fakt ai më ka hequr, që të mos vazhdoj studimet jashtë shtetit. Afro 1/4 e dëshmorëve në Varrezat e Dëshmorëve në Dibër janë Cami.
Profesor Kristo i përgjigjet:”Unë jam historian dhe nuk mund t’i heq nga historia. Camet kanë qenë faktor i rëndësishëm dhe kryesor në LANÇ më shumë pozitiv dhe pak negativ”. Në takimin që kam patur unë më vonë me profesorin, më ka thënë:”Nuk e shkrova Historinë e LANÇ të Dibrës prej tij (Haxhiut). Haxhiu ma ka hequr emrin që kam qenë partizan në Dibër dhe nuk figuroj si pjesëmarrës në LANÇ”.
SHKOLLIMI DHE NGRITJA IME NE PERGJEGJESI
Unë s’arrita ta njoh babain tim, sepse babai ishte në luftë dhe ne si familje jetonim në fshatin Lubalesh tek Ali Kotili, ose në Sopot tek daja Islam Kamberi, sepse përndiqeshim si familje komuniste nga regjimi kollaboracionist i atyre viteve të luftës. Mbarova shkollën fillore në fshatin Viçisht dhe vazhdova shkollën 7-vjeçare e të mesmen pedagogjike në Peshkopi si konviktore. Jam një nga 14 vajzat e para në Dibër, që kemi mbaruar shkollën 7-vjeçare e të mesme në konvikt. Në vitin 1955 kam qenë caktuar si nxënëse me rezultate shume të mira për të marrë pjesë në mbrëmjen e Vitit të Ri në Pallatin “Ali Kelmendi” në Tiranë, ku ka përshendetur Enver Hoxha dhe na dhuruan nga nje pako të gjithë nxënësve të dalluar. Në vitin 1959 kam marrë pjesë në Konferencën Kombëtare të korespondetëve vullnetar të “Zërit të Popullit”. Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike kam qenë e zgjedhur si sekretare e rinisë të gjithë shkollës pedagogjike të Peshkopisë me 400 të rinj e të reja të ardhur si nxënës nga zonat Veri Lindore.
Për rezultate shumë të mira që arrita me përfundimin e shkollës së mesme pedagogjike, ” Me Vendim të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës Nr.22, datë 13.4.1959 vendosi për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit Tefta Cami dhe Fanije Hoxha nga maturantët e shkollës pedagogjike. (Arkivi Qëndror i Dibrës, Fondi nr.87, Dosja nr.57, Viti 1959, fl.1).
Me që po prisheshin marrëdhëniet me BS, na pranuan kandidate partie “Me Vendim të Byros së Partisë të KP të rrethit të Dibrës Nr.23 vendosi që Tefta Cami dhe Fanije Hoxha të pranohen kandidate partie”. (Arkivi Qendror Dibër, Fondi nr.87, Viti 1959, Dosja 57, fl.11). Sipas njoftimit, shkova në Durrës, për t’u nisur me anije. Por mua dhe Fanijes nuk na doli emri dhe, kur shkuam në Ministrinë e Arsimit, na thanë, se do të vazhdonim në degën për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji me bursë shteti. Fillova studimet në atë degë dhe jetën e partisë e bënim me pedagogët, të cilët diskutonin probleme shkencore, që për mua qe një fakultet i dytë. Personin që më ka hequr nga lista për të studjuar në BS e kam mësuar pas ndërrimit të sistemit nga studimi në AQSH dhe ka qenë Haxhi Lleshi, që e ka pohuar në bisedën me prof. Kristo Frashërin, i cili ka qenë pyetur për gjithçka për Dibrën dhe mua më ka cilësuar me biografi të keqe. Në vitin e parë të studimeve mua dhe vajzës së xhajës Sabire Fasli Cami na pritej bursa çdo 3 muaj në Fakultet, megjithëse ishim studente të rregullta. Vëllai im Moisi, që kish mbaruar Institutin e Lartë 4-vjeçar të shkencave, u interesua dhe na doli pensioni si fëmij dëshmori, që ishte i barazvlefshëm me bursën.
Pasi mbarova Fakultetin, u emrova mësuese e gjuhës dhe letërsis shqipe në Shkollën 11-vjeçare “Demir Gashi” me gjimnaz të sapo hapur dhe për të plotësuar normën jepja mësim edhe në klasën e 6-të e të 7-të të shkollës 7-vjeçare. E mora një klasë të 6-të kujdestari që si klasë vazhdoi edhe në shkollën e mesme. Një ekip i MAK, ku bënin pjesë specialistët e shquar të arsimit Qemal Xhomo e Qemal Mandia, më nxorri mësuese të dalluar. Klasa ime, ku isha mësuese kujdestare u përfshi në nismën me kalueshmëri 100% dhe nxënësit e gjimnazit në lëndët e mija kishin kalueshmëri 100%. Për klasët me kalueshmëri 100% të Shqipërisë është bërë një dokumentarë nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” nga regjizorja Xhanfize Keko, ku është filmuar edhe klasa ime që isha kujdestare në vitin 1966. U emrova n/drejtoreshë e drejtoreshë e shkollës 11-vjeçara “Demir Gashi”.
Në maj të vitit 1967 me klasën time si kujdestare morëm një punë me akord në Ndërmarrjen e Ekonomisë Komunale për shtrimin e rrugës të Llixhave, ku punuam nga 2 ore në ditë për 10 ditë dhe fituam 50 mij lekë. Me këto të ardhura bëmë një eskursion në fund të muajit majë të vitit 1967 në Durrës, ku vizituam Bigën “Adem Reka”, që ishte shdërruar në një qendër pelegrinazhi e vizitash nga e gjithë Shqipëria. Na ftuan për të vizituar edhe një anije kineze drejtuesit e anijes dhe na shtruan një koktej, si dhe bëmë foto, që po ia bashkëngjis këtij materiali.
Pastaj shkuam në Tiranë me tren dhe vizituam Muzeun Historik të atyre viteve dhe Institucionet kryesore të kryeqytetit si Komitetin Qëndror e Kryeministrinë, Ministritë, Ndërtesën kryesore të Univetsitetit etj. Ditën e tretë u kthyem me autobuz në Peshkopi. Eskursioni ndikoi shumë mirë tek të gjithë nxënësit, që m’u dukeshin si më të rritur dhe më optimistë. Unë u lidha shumë me ta, sikur t’i kisha fëmijët e mij. Kishim një dashuri e besim reciprok me nxënësit, që i shikoja e më shikonin në dritën e syrit dhe prisnin akoma më shumë prej meje si mësuesja e tyre. Shokët e miqtë më të mirë edhe tani kam ish-nxënësit e mij.
Në tetor të vitit 1967 u emrova redaktore në gazetën lokale të KP të rrethit të Dibrës me kryeredaktor, Esat Basharin një gazetar i shquar i Zërit të Popullit, që mësova shumë në fushën e gazetarisë prej tij. Në atë periudhë ndoqa e pasqyrova në gazetë vizitat e udhëheqësve te partisë e të shtetit në Dibër si të Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut dhe të Adil Çarçanit e të Kadri Hazbiut në të gjithë sektorët, që po punonin për zhdukjen e pasojave të tërmetit 9 ballësh të 30 tetorit të vitit 1967, ku qenë ngritur e muarrën pjesë specialistë nga e gjithë Shqipëria dhe ndihmuan për ndërtimin e shtepive e të institucioneve arsimore e kulturore dhe shëndetësore në rrethet Dibër e Librazhd. Me 15 dhjetor u deklarua zhdukja e plotë e pasojave të tërmetit.
Në vitin 1968 pata ndjekur diskutimin e madh popullor për revolucionarizimin e shkollës dhe i kisha pasqyruar në faqen time të gazetës lokale. Në fund të diskutimit mblidhet plenumi i KP të rrethit të Dibrës, ku ishte i deleguar sekretari i KQ të PPSH-ës, Hysni Kapo. Por si nga raporti ashtu edhe diskutimet nuk jepej një tabllo e plotë e diskutimit popullor për revolucionarizimin e shkollës. Unë po e ndiqja mbledhjen e pleniumit nga ana e gazetës dhe kërkova fjalën, sepse nuk isha e zgjedhur dhe e planifikuar për diskutim. Sipas kërkesës time, ma dhanë fjalën dhe fola për mënyrën e organizimit të diskutimit popullor e propozimet e bëra nga institucionet arsimore dhe për konkluzionet e rëndësishme që ishin nxjerrë. Kur foli në fund Hysni Kapo tha:”Mësova, se është zhvilluar diskutimi popullor për revolucionarizimin e shkollës nga diskutimi i gazetares, që foli si të ishte ministre e arsimit”.
Më zgjodhën kryetare të BG të Dibrës dhe punova 6-të muaj. Në dhjetor të vitit 1969 më zgjodhën sekretare të dytë të KP-së të rrethit të Dibrës, ku sekretar i parë ishte Sali Stafa. Gjatë punës si sekretare e dytë e Komitetit të Partisë patëm konstatuar shifrat fiktive në fushën e ekonomisë, që i jepeshin shtetit. Shteti e merrte planin, ndërsa furnizimi i popullsisë ishte i pakënaqëshëm. Kishte edhe tejkalim të luftës së klasave. Afro 70-80 % e kulakëve e pa triska fronti ishin familje patriote. Në Dibër kishte mbetur në fuqi deri në vitin 1971 një urdhër i Koçi Xoxes, që të persekutohen të gjitha familjet antisllave. Sipas atij urdhëri edhe familja ime ka qenë pa triska fronti deri në vitin 1948 pas kthesës së partisë e prishjen e marrëdhënieve ne Jugosllavinë. Pas këtij studimi, ia paraqita Byros së Partisë dhe jua dhamë triskat e frontit pjesës më të madhe të familjeve, që nuk ishin implikuar më vonë. I patëm dërguar një raport KQ të PPSH-ës, që e kisha firmosur unë meqë sekretari i parë qe i sëmurë. Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim, ku kritikoheshin organet e partisë e të shtetit të Dibrës për shifrat fiktive e frymën e komandimit e të bajraktarizmit në parti dhe mungesën e demokracisë. U zhvillua një diskutim i gjërë në Dibër dhe u shkarkua sekretari i parë e kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe disa kuadro drejtues të ekonomisë.
Në këtë rast u gjenda në konflikt me Haxhi Lleshin. Më kërkoi, që ta takoja dhe më tregoi, se ç’kishte kritikuar Enver Hoxha. Unë nuk isha në dijeni për fjalimin e Enver Hoxhës, sepse po vazhdoja kursin e lartë të filozofisë. Më kërkoi që, kur të punohej ky fjalim në Byron e plenumin e KP të rrethit, unë të ngrihesha e të thoja, se nuk qëndrojnë ato kritika se Dibra ishte Heroinë e Punës Socialiste.
Unë ju përgjigja:”S’mund ta bëj, se ato probleme i kemi patur në raportin e byros, që kam firmosur unë”. Pasi më tërhoqi vemendjen, se pse vetëm unë nga Dibra nuk shkoja të konsultohesha me të, më bëri ofertën e tij, që do t’i jepte babait tim titulli “Hero i Popullit”, mua titullin “Heroinë e Punës Socialiste” dhe disa veteranëve të LANÇ-re Cami do t’u jepte 1000 lekëshen me kushtin, që unë të ngrihesha në mbledhjen e Byros e të Plenumit të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës dhe të deklaroja se kritikat e Enver Hoxhes për Dibrën nuk qëndrojnë, sepse Dibrës i ishte dhënë titulli “Heroinë e Punës Socialiste” dhe se ishte bërë model në të gjithë Shqipërinë.
Unë i shpjegova, se problemet, që ka kritikuar Enver Hoxha janë të drejta. Mesa kam dëgjuar Ahmeti ka qenë propozuar dy herë nga Byroja e Partisë e Dibrës për t’ju dhënë titulli “Hero i Popullit”, por nuk i është dhënë, se jugosllavët e kanë cilësuar nacionalist. Unë s’e meritoj titullin “Heroinë e Punës Socialiste”. Veteranëve Cami të LANÇ jepua vlerësimin si veteranë, se e meritojnë, por që nuk ua dha. Atëhere më kërcënoi, duke më thënë:”Nëse ti nuk e bën, unë (Haxhi Lleshi) do të ta nxijë biografinë tënde e të babait tënd”.
Nuk shkova të informoja në KQ. Mendova, se do ta mohonte. Kur u ktheva në Dibër, ua tregova nënës time trime, Bejaze dhe vëllait tim të zgjuar, Moisit. Nëna më tha:”Mbro gjakun e babait tënd! Më mirë një ditë e shqiponjë se 1000 vjet e sorrë. Edhe po të futën në burg, do të vij nëna të të shohë”. Unë i kisha vajzat të vogla. Dihej në Dibër që kush nuk ishte dakord me Haxhi Lleshin, përjashtohej nga partia dhe disa ishin burgosur. Bashkëshortit tim, dr. Mehdi Canit nuk i kishim folur asnjëherë deri atëhere për konfliktin që kishte patur Ahmeti me Haxhi Lleshin dhe më vonë xhaxhai, Kurt Cami, vëllai, Moisi e të tjerë. Nënën, Moisin e Mehdiun dhe motrat e mija, Lirien, Dritën e Femijen me familjet e tyre, si dhe Bajram Çipurin me Sanijen, kunatin e Moisit dhe kryeredaktorët e gazetës “Ushtima e Maleve” Esat Bashari e Velo Cfarku, Fatmir Çomon, n/kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Ndue Gjinin kryetarin e DPB dhe sektorin e edukimit e redaksinë e gazetës “Ushtima e Maleve” i kamë patur mbështetje në vështirësitë që kam kaluar.
Me 20 korrik të vitit 1973 Haxhi Lleshi erdhi në mbledhjen e Byros së Partisë të rrethit të Dibrës e më përjashtuan nga partia me motivacionin, për mohim të sukseseve të partisë të rrethit të Dibrës, që ishte Heroinë e Punës Socialiste, për zbutje të luftës së klasave, për mendjemadhësi e shfaqje të intelektualizmit dhe biografi të keqe, siç edhe u shpreh në mbledhje Haxhi Lleshi, se Tefta është vajzë parie, babai i saj, Ahmet Cami ka qenë zogist, nacionalist, s’ka pranuar yllin në flamurë e kapele dhe se ai e kishte bërë dëshmorë të Atdheut.
Unë origjinën shoqërore e kisha të shkruar në dokumenta “nëpunës i lartë”.
Unë iu përgjigja:”Dëshmor babai im është bërë me gjakun e tij si gjithë paraardhësit e tij. Ndërsa babai yt ka udhëhequr forcat serbe, se ka dashur ta ve kufirin në Qaf Buall e Qafë Muhurr. Në Grykë të Madhe janë varret masive të të vrarëve, të vrarë nga serbët të udhëhequr nga n/koloneli i Beogradit Halit Lleshi”. Haxhiun e befasoi përgjigja ime dhe u largua nga mbledhja e Byros.
Me 7 shtator më njoftuan për mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH-ës, që u zhvillua më 8 shtator. Në pasditen e 7 shtatorit, më thërret Hysni Kapo dhe më thotë:”Thirra edhe Hekuranin (Isaj-sekretar i parë i KP në Dibër në atë kohë) dhe e porosita të flisni vetëm për punën e jo kundër njeri-tjetrit!”
Unë i thashë se s’kam fol kundër sekretarit të parë, me gjithë rezervat e mija. Por unë do të sqaroj akuzat për biografi të keqe, që më ka bërë presidenti në mbledhjen e Byros së KP të rrethit. Konflikti me presidentin ka filluar që me 7 prill 1941 me babain tim. Nxora nga çanta një nga fletoret e ditarit të babait tim, Ahmetit, ku shkruan, se Haxhi Lleshi ka ardhur me 7 prill 1941 me forca jugosllave. (E kishim biseduar me vëllain, që ta çonim atë fletore deri tek udhëheqja e lartë, për të mësuar ata për ardhjen e Haxhi Lleshit këtej kufirit).
Hysni Kapo u ngrit në këmbë dhe më tha:”I di Partia, se ç’është shkruar aty. Të urdhëroj, të mos flasësh keq për presidentin. Ma përsëriti tri herë urdhërin. Ne do ta trajtojmë problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas”. Nuk e preku fletoren dhe unë e zhgënjyer e futa në çantë.
Në mbledhje të Sekretariatit do të diskutoheshin disa raporte: Një material prej 90 faqesh i ekipit të Aparatit të KQ të PPSH të ushtruar në korrik të vitit 1973, tri raporte të Haxhi Lleshit, si i deleguar i KQ, 19 letra nga Dibra, që kish marrë Haxhi Lleshi me të njejtat përmbajtje kundër babait tim dhe meje, si dhe nje letër anonime, ku unë cilësohesha si kryetare e grupit armiqësor në Dibër.
Merrnin pjesë, përveç sekretarëve të KQ edhe Haxhi Lleshi, Adil Çarçani, Sul Baholli, Gafur Çuçi, që kishte drejtuar ekipin e KQ në Dibër gjatë muajit korrik 1973 dhe Mihal Bisha, drejtor i kuadrit në KQ të PPSH-ës.
Në mbledhje përveç diskutimeve e debateve të shumta Enver Hoxha pyeti: Keni dëgjuar të ketë në Shqipëri familje me tri breza dëshmorë të atdheut, siç është familja e Teutës? (Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha më thirrnin Teuta, sepse është i njejti emër, apo forma e parë e emrit Tefta).
Hysni Kapo tha:”Tefta është e bija e patriotit të madh, dëshmorit Ahmet Cami, që ka derdhur gjak”.
Sul Baholli tha: Tefta është vazhdim i punës armiqësore të Zoi Themelit.
Enveri i tha:” Zoi Themelin e dënuat ju të Dibrës. Por ne të kemi thirrë, që të bësh autokritikë për shifrat fiktive dhe frymën e komandimit në parti në Dibër, që i ke futur ti si sekretar i parë.
Adil Çarçani dhe kryetari i ekipit të KQ të PPSH-ës në rrethin e Dibrës, Gafur Çuçi thanë:”Tefta punon mirë, por nuk e duan disa kuadro të Dibrës, që punojnë jashtë Dibrës”.
Kontrolli i ekipit të KQtë PPSH-ës ishte organizuar, për të verifikuar një letër anonime, ku mua më vinin në krye të punës armiqësore të rrethit të Dibrës. Kjo qe edhe arsyeja, që më kontrolluan edhe shtëpinë më 18 korrik 1973, kur nuk ndodheshim në shtëpi. Enver Hoxha për këtë rast u shpreh:”Nuk jam dakord me observimin, që i është bërë Teutës”.
Enveri e trajtoi problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas.
Kur mbaroi mbledhja, Mihal Bisha më tha:” Je e para që fiton në konflikt me Haxhi Lleshin, sepse të gjithë të tjerët janë përjashtuar nga partia e burgosur”.
Pas asaj mbledhje Haxhiu organizoi letra pas letrash si letra veteranësh, të grave, të Bashkimeve Profesionale, letra anonime, intervista me veteranë e ish luftëtarë të Ahmetit me të njejtat akuza dhe Enveri ka shënuar:”Dihet burimi”.
Konflikti me Haxhi Lleshin vazhdoi edhe kur isha ministre.
Kur ndërroi sistemi, mendova, se u mbyll ai kapitull. Por jo…Kërkova që të studjoj fondin e tij, me shpresë se mos gjeja ditarin e luftës të babait, meqë kur ishte Haxhiu ministër në MPB na u sekuestrua biblioteka e babait. Na mbeti ditari i burgut, që e kishte marrë vëllai për ta lexuar gjatë aksionit, që kishte shkuar Shkolla e mesme Pedagogjike e Peshkopisë për hapjen e rrugës Kukës-Peshkopi; romani “Konti i Montekristos” në frengjisht, një libër xhepi frëngjisht për iluministët francez dhe nje fjalor italisht-shqip.
Nuk e gjeta ditarin, por lexova shpifjet e akuzat e Haxhiut ndaj babait tim e gjithë Cameve, ndaj meje dhe vëllait e motrave të mija, që s’kishin të bënin fare me të. Nuk e kuptoj se si një personalitet me një funksion në krye të shtetit shqiptar, në vend që të linte projekte të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë dhe zgjidhjen e çeshtjes kombëtare është marrë me shpifje e thashethemnaja!!!
Në janar të vitit 1976 zgjidhem sekretare e parë e KP të Rajonit Nr 1, që mbulonte organizatat e partisë të KQ të PPSH-ës, të Kryeministrisë e Ministrive, të institucioneve arsimore dhe kulturore e artistike e shkencore dhe sportive të Tiranës.
Në prill 1976 emrohem ministre e Arsimit dhe Kulturës. Nga studimi në AQSH i fondit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, del se Haxhi Lleshi dhe zëvëndësi i tij, Shefqet Peçi kanë votuar kundër emrimit tim si ministre në atë mbledhje. Më vonë Shefqet Peçi më ka kërkuar falje, duke më thënë:”Nuk ju njihja, kam qenë nën ndikimin e tij, që e ka zemrën katran”. Kur u emrova ministre, njëkohësisht drejtova edhe Komitetin e Partisë të Rajonit Nr.1 deri në dhjetor të vitit 1976, kur u zgjodh sekretar i parë i Rajonit Nr. 1 Xhemal Tafaj.
Si ministre punuam bashkë me gjithë aparatin e kualifikuar të Ministrisë dhe Seksionet e Arsimit dhe Kulturës në rrethe, me gjithë institucionet qëndrore me shumë përkushtim që arsimi dhe kultura e artet, sportet të kishin karakter kombëtarë dhe të edukonin dashurinë për atdheun e popullin shqiptar, të lidhej edukimi i brezit të ri me jetën e prodhimin, të rritej cilësia dhe të masivizohej më tej arsimi parashkollor e i mesëm. Në qytet mbi 90% e fëmijve të moshës 3-6 vjeç përfshiheshin në arsimin parashkollor me ushqim dhe në fshat 63% e fëmijve 3-6 vjeç përfshiheshin në arsimin parashkollor me ushqim.
Arsimi 8-vjeçar ishte i detyrueshëm me ligj dhe e vazhdonin të gjithë fëmijët që kishin mbushur moshën 6 vjeç, dmth, mbi 30.000 fëmijë në vit fillonin klasën e parë fillore. Arsimi i mesëm qe masivizuar aqsa në vitin 1987 90% e nxënësve që mbaronin shkollat 8-vjeçare të detyruar me ligj, vazhdonin shkollat e mesme dhe 10% e nxënësve vazhdonin shkollat e ulta profesionale 2 vjeçare e kurset 6-të e dy mujore apo një mujore profesionale. Shkollat e mesme profesionale të sferës prodhuese i përgatitnin nxënësit nga ana praktike në bazat prodhuese, që merrnin kategori dhe fillonin punën në profesionin e tyre. Gjatë 45 viteve u përgatitën 100.000 specialistë e kuadro me arsim të lartë brenda e jashtë shtetit. Në ato vite Shqipëria kishte raportin 1 specialistë me arsim të lartë për 29-30 banorë, tregues i vendeve të zhvilluara. Ndërsa në këto vite raporti është ngushtuar, por është fiktiv.
Në vitin 1977 nga një studim i MAK doli që 80% e shkollave nga klasa e pestë e deri në shkollat e larta si gjuhë e huaj mësohej gjuha ruse. Kryeministri prestigjioz Mehmet Shehu dhe n/kryeministri Manush Myftiu u alarmuan dhe u muarr nje Vendim që brenda tri vjetëve të ndërronte raporti që të kishte këte rradhitje: Anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe me grupe të vogla turqisht e osmanisht, serbokroatisht e greqisht dhe rusisht. I hapëm degët italisht e gjermanisht dhe spanjisht në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, në Universitet dhe në disa shkolla të mesme të Tiranës dhe të rretheve. Muarrëm kuadro pensionistë të këtyre gjuhëve, si dhe kuadro me probleme në biografi dhe në vitin 1980 u zbatua Vendimi i Këshillit të Ministrave. Në Instititin e Larte Pedagogjik të Gjirokastres u çel dega e mesuesis të gjuhës greke, ku përgatiteshin mësues për shkollat e minoritetit grek.
Edhe në fushën e kulturës e të arteve pati arritje të mëdha. Qen ngritur institucionet e artave nga e para. Arritëm të prodhonim 18 filma artistik në vit me tirazh të gjatë nga Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe RTVSH-ja, përveç filmave multiplikativ e dokumentar të shumtë. Tematika e filmimeve kishin synime kombëtare. Janë filmuar episode e ngjarje dhe dokumente që nga antikiteti dhe gjitha epokat e historisë, me epokën zulmëmadhe të Skënderbeut, të Lidhjes së Prizrenit me ideologun Abdyl Frashëri, të shpalljes së Pavarësisë kombëtare me Ismail Qemalin, ngjarje e zhvillime të mëvonëshme, si epokën e LANÇ-re, periudhën e socializmit etj. Teatri i Operës e Baletit përgatitnin e vinin në skenë katër premiera ne vit 2 opera të huaja e 2 opera të kompozitorëve shqiptar, Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore, që vuri në skenë këngët e vallet popullore të të gjitha trevave kombëtare, Teatri Kombëtar që ka vënë në skenë drama e komedi nga krijues shqiptar dhe nga dramaturgjija klasike. Estrada e Shtetit në Tiranë me repertor nga problemet e kohës me humor nga të përzgjedhur nga krijimtaria e popullit. Kultura mori një karakter masiv kombëtar. U ngritën në çdo rreth e Ndërmarrje Ekonomike, Fabrika e Uzina, Kooperativa Bujqësore, Institucione Arsimore e Shendetësore teatro e estrada, ansamble artistike etj.
Edhe sportet muarrën njē zhvillim të madh dhe u masivizuan në të gjithë vendin. Që në ciklin e ulët të shkollave e në vazhdimësi u ngritën klasët sportive, ku stërviteshin e përgatiteshin sportistët e ardhëshëm të klubeve sportive. Janë shënuar arritje dhe marrje çmimesh të para në sportin e qitjes për vajzat, në sportet e mundjes dhe të ngritjes së peshave të rënda, në sportin e volejbollot të ekipit të vajzave, si dhe në sporye të tjera. Në të gjitha ambjentet arsimore e kulturore, Ndërmarrje Ekonomike, Kooperativa Bujqësore u ngritën terrene të thjeshta sportive, ku stërviteshin ekipet e tyre.
MARRËDHËNIET ME KOSOVËN E VISET E TJERA SHQIPTARE
Isha me fat që si ministre e Arsimit dhe Kulturës isha pjesë e projektit të madh mbarëkombëtarë të afrimit të shqiptarëve me atdheun amë, Shqipërinë dhe si ministre e drejtova atë projekt në institucionet e Arsimit e Kulturës, të Arteve dhe Sprteve në vartësi të Ministrisë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën nga vitet 1968 e deri në vitin 1981, kur u ndërprenë kanë një rëndësi të madhe, sepse filloi të shkrijë akulli që qe krijuar për disa vite dhe po të vazhdonte ajo ndarje, do të ndikonte në ndarjen si komb e sllavizimin e plotë të popullsisë shqiptare përtej kufirit. Para se të emrohesha ministre ishin zhvilluar disa aktivitete mbarëkombëtare si:
-Kremtimi i 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtarë, Skënderbeut në vitin 1968 dhe Konferenca Shkencore “Skënderbeu dhe Epoka e tij”, ku për herë të parë kanë marrë pjesë katër historianë nga Kosova, si dhe studjues nga Europa e Azia, arbëreshë të Italisë.
-Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972 sipas motos të Seminarit të Kosovës të vitit 1968 të propozuar nga akademiku Ali Hadri “Një komb, një gjuhë”, ku kanē marrë pjesë përveç studjuesve të huaj edhe studjues e delegatë nga Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, si dhe arbëreshë të Italisë. Kongresi ka përfunduar me një Rezolutë të firmosur nga 75 delegatët për domosdoshmërinë kombëtare të zbatimit të gjuhës standate shqipe.
-Kuvendi i studimeve ilire në vitin 1972 me një Konferencë Shkencore me temë “Mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve” ku kanë marrë pjesë përveç studjuesve të huaj nga Europa e Azia, arbëresh të Italisë, studjues nga Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Në Konferencë prejardhja ilire e shqiptarëve është trajtuar në mënyrë komplekse të shtrirjes së Ilirisë në Gadishullin Ilirik si nga ana ekonomike, të bazës dhe të superstrukturës së organizimit, nga ana historike e arkeologjike, antropologjike, gjuhësore, etnografike, paleontologjike, të arqitekturës e ndërtimeve, të marrëdhënieve e të bashkëpunimit me popujt e tjerë fqinj e etj.
-Në vitin 1978, kur isha ministre, u organizua kremtimi i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe zhvilloi punimet Konferenca Shkencore mbi Programin dhe shtrirjen e programit të Lidhjes në të gjitha trojet shqiptare. Kane marrë pjesë dhe kanë referuar studjues nga Shqipëria e Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, arbëreshë të Italisë dhe të Europës. Për herë të parë është referuar hapur për programin e Lidhjes së Prizrenit e shtrirjen e atij programi si bërthamën e një shteti të pavarur kombëtarë. Në vitet 1870 e 1880 kishin filluar sulmet e fqinjëve për pushtimin e trojeve shqiptare si të serbëve e bullgarëve, malazezëve e grekëve, që Fuqitë e Mëdha të Europës i coptuan trojet shqiptare në vitin 1913, duke ua dhuruar Mbretërisë të Serbisë e të Greqisë.
Pas përfundimit të Konferencave Shkencore për 500 vjetorin e Skënderbeut, te Kuvendit të Parë Ilir dhe të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jane bërë disa botime, që janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë ndikuar në njohjen e saktë të çeshtjes shqiptare në Europë e Botë, sepse deri në ato vite ishin publikuar historia e shtrembëruar e shqiptarëve nga serbët e grekët.
Në të katër këto aktivite janë zhvilluar edhe veprimtari politike e kulturore dhe artistike, ku kanë marrë pjesë udhëheqja e partisë dhe e shtetit shqiptarë si Enver Hoxha e Mehmet Shehu e të tjerë.
U muarrën eshtrat nga Stambolli të ideologut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, që më takoi mua si ministre t’i çoja në Frashër në mes të dimrit në Shtëpinë Muze të Frashërlinjve. Ishin Camet, që e mbrojtën Abdyl Frashërin në atentatin që i bëri klani osmanist me Ago Jegenin, që i plagosi vetëm kalin dhe e përcuallën deri në Prizren, sipas një informacioni të konsullit anglez me seli në Shkup. Dhe për koinçidencë nipi i vëllezërve Frashëri, Refaat Ansari është martuar me vajzën time.
Më ka takuar si ministre të tërheqim eshtrat e Hasan Prishtinës nga Selaniku dhe t’i rivarosnim në Varrezat e Dëshmorëve në Kukës, ku kam folur për aktivitetin e tij patriotik kombëtarë. Ai ka qenë mik i familjes time Cami, që ka ardhur e bujtun dhe ka drejtuar lëvizjen për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga Shkupi kundër forcave pushtuese esadiste dhe serbo-bullgare në Dibër.
TAKIMI ME ENVER HOXHËN
Në janar të vitit 1980 u takova me Enver Hoxhën, ku i raportova për arritjet në fushën e arsimit dhe kulturës, si dhe disa probleme e pengesa, që na dilnin si:
1.Për nevojën e dërgimit të shumë studentëve e specializantëve jashtë shtetit me grupe më të mëdha dhe në disa fusha të domosdoshme të ekonomisë e kulturës, sepse deri atëhere ishin dërguar vetëm disa studentë në shkencat ekzakte. Ne kemi shumë bursa, që nuk po i shfrytëzojmë nga UNESC-o, nga PNUD-i, nga FAO, nga Marrëveshjet Kulturore me Shtetet e ndryshme etj.
Enveri na orjentoi, që të dërgohen grupe të mëdha nga të gjitha fushat, sepse shkenca është universale dhe s’duhet të keni pengesa si Ministri. Sipas këtij orjentimi ne filluam të dërgonim nga 300 studentë e specializantë për çdo vit, që ndikuan në ngritjen e mendimit shkencor të të gjitha fushave.
2.Për vështirësitë që kishim hasur me Komitetet e Partisë të rretheve për zbatimin e Udhëzimit të MAK-ës për kriteret e pranimit në shkollat e larta të nxënësve me rezultate më të mira. Komitetet e Partisë mbi Udhëzimin e Ministrisë kishin vënë si kritet që të vazhdojnë shkollën e lartë vetëm një fëmijë për çdo familje pavarësisht nga rezultatet. Ky kriter na ka krijuar si problem, se nuk po tërhiqen nxënësit më të mirë për të vazhduar studimet në shkollat e larta. Pas këtij takimi, qëndrimet e Komiteteve të Partisë të rretheve ndryshuan dhe filloi të zbatohet Udhëzimi i MAK-ës.
Ky raportim tek Enver Hoxha dhe pyetjet e udhëzimet që më dha, janë botuar në veprën “Enver Hoxha për Shkencën”.
Enveri më foli edhe për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare përtej kufirit dhe u përlot. Më tha:”Ti do të keshë fatin sivjet të vizitosh Kosovën, sipas ftesës që të kanë bërë. Ne kemi sukses me Kosovën se je ti ministre, që vjen nga një familje e madhe patriote, që i planifikoni dhe i ndiqni shumë mirë detyrat për marrëdhëniet me Kosovën.
I kam thënë edhe Ramizit (Alis) që marrëdhëniet më Kosovën janë vëllazërore e jo partiake dhe të mos përmendet emri im(Enverit) dhe i partisë. S’duhet t’i lejoni t’i etiketojnë si titistë e agjentë të UDB-ës shqiptarët e Kosovës. Ata janë më patriotë se ne, sepse luftojnë si kundër sistemit titistë ashtu edhe kundër shtypjes e diskriminimit serb. Shqiptarët e Kosovës janë shprehur, se “vetëm kur të kalojnë mbi trupat tanë, mund të sulmohet Shqiperia”. Këtë shprehje e dëgjova edhe nga Pajazit Nushi, kur na priti në Prishtinë si n/kryetar i KE.
Për mua qenë mëse të qarta këto orjentime.
Deri atëhere ne kishim zhvilluar marrëdhënie institucionale me Krahinën Autonome të Kosovës, dmth, Universiteti i Tiranës kishte lidhur marrëveshje e protokolle bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës të hapur në vitin 1968 dhe të firmosur nga dy rektorët, prof. Jorgji Sota rektor i UT dhe Rexhep Roxhaja rektor i UP. Këto marrëveshje e protokolle nënëshkruheshin çdo vit nga rektorët përkatës. Pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të Larta të Shqipërisë realizonin 80 % të progranit të UP e të Instituteve të tjera të Larta të Kosovës me dhënie leksionesh e marrje në provim, me udhëheqje diplomash e doktoranturash. Shkollat e të gjitha cikleve, që nga kopështi e deri edhe shkollat e larta punonin me tekstet tona. Çdo vit vinte drejtori i Entit Botues Rilindja, Rexhep Zogaj në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Universitarë, merrte tekstet tona dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin për shkollat e Kosovës dhe shkollat shqipe në Maqedoni e Mal të Zi.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte marrëveshje me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kinostudioja “Shqipëria e Re” e Shqipërisë kishte marrëdhënie me Kosovafilm, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me Bibliotekën Universitare të Kosovës, Teatri Kombëtar me Teatrin e Prishtinës, Muzeu Kombëtar me Muzeun e Prishtinës, Institutet e Larta të Shqipërisë me Institutet përkatëse të Kosovës, AQSH me Arkivin e Kosovës, Shtëpitë Botuese të Shqipërisë me Entin e Botimeve të Kosovës, Instituti i Studimeve Pedagogjike me Institutin përkatës të Kosovës e shumë marrëveshje të tjera.
Ishte përgatitur një Projektmarrëveshje arsimore e kulturore dhe shkencore midis RPSSH dhe RSFJ, por sa isha unë ministre nuk e firmosa, sepse synonte t’i pakësonte dhe t’i vinte nën kontroll aktivitetet me Kosovën.
Në tetor të vitit 1980 kam vizituar Kosovën, që ka qenë e mbetet vizita më e bukur e jetës time. Më pritën e rrethuan me shumë dashuri si një motër nga drejtuesit e institucioneve të shtetit e ato arsimore e shkencore. kulturore e artistike, nga rinia e populli i thjeshtë. M’u ofrua, që të bëja një vizitë në Beograd, për të ngritur nivelin e vizitës, por nuk pranova, duke u shprehur:”Po vizitoj Kosovën, se më ka ftuar Kosova. Kur t’më ftoj Beogradi, do të shkoj në Beograd”.
Kur u ktheva në Shqipëri si Qeveri shkuam për vizitë me 16 tetor, për t’i uruar ditëlindjen Enver Hoxhës. Enver Hoxha kërkoi t’i raportoja unë për vizitën në Kosovë, sepse tha:” Teuta ka qenë tek vëllezërit”, ndërsa Themije Thomaj, ministrja e bujqësisë kishte bërë vizitë në Greqi dhe tha:” Themija ka qenë tek miqtë”.
Unë i fola për pritjen e ngrohtë e vëllazërore që na u bë si delegacion në të gjitha nivelet. Që në kufi na priti Ymer Jaka, sekretar i Arsimit e Kulturës dhe Shkencës të KEK dhe dy pionier, që quheshin djali Bashkim e vajza Shqiponja më dhuruan një buqetë me karafila. Enveri u përlot dhe tha:”Na e dhanë mesazhin me emrat e dy fëmijve”.
Nga informimi im gjatë pritjes, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu thanë, se vizita e ministres së Arsimit dhe Kulturës ka qenë e suksesëshme.
Në takimin e Ambasadorit të RPSSH-së në Beograd, Sokrat Plaka me Fadil Hoxhën më 29 nëntor 1980 në pritjen e organizuar me të ftuar e trupin dipllomatik, Fadil Hoxha është shprehur: “Vizita e ministres së Arsimit dhe Kulturës, shoqes Tefta Cami ka qenë e suksesëshme. Puna që ka bërë Ministria e Arsimit dhe Kulturës në fushën e arsimit e kulturës në Kosovë ka ndikuar në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare të brezit të ri të Kosovës. Prishtina na ka shellē një raport të mirë për vizitën e ministres. Ashtu siç punon kjo Ministri, të punojnë edhe ministritë e tjera të ekonomisë të Shqipërisë me Kosovën.
Në shkurt-mars-prill të vitit 1981 shpërthyen demonstratat e studentëve e nxënësve të shkollave në fillim me kërkesa ekonomike dhe më vonë u zgjerua e përfshiu gjithë popullsinë e Kosovës me kërkesa politike dhe parrulla “Kosova Republikë”. Duam liritë e të drejtat e barabarta si të gjitha kombësitë e tjera dhe s’lejojmë të trajtohemi më si popullsi e shkallës së dytë e të tretë. Dhe parrulla e fundit “Republikë- Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”. Që në atë vit filloi armatosja e popullsisë dhe u hodhën bazat e UÇK-ës.
Beogradi reagoi me raprezalje e dhunë, disllokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe gjatë gjithë kufirit me Shqipërinë. Dogji të gjitha librat shkencore, arsimore, kulturore e të letërsisë shqipe, një veprim si në mesjetë. I hoqi statusin e Krahinës Autonome dhe Milosheviçi vendosi paramilitarë në Mitrovicën e Veriut, duke larguar me dhunë popullsinë autoktone shqiptare. Është pikërisht ky grup serbësh, që po i krijon shqetësime shtetit të Kosovës sipas urdhërave të Beogradit dhe nëse vazhdojnë të veprojnë kundër shtetit të Kosovës, t’u krijohet mundësi për largimin e tyre ashtu siç i kanë sjellë.
Beogradi akuzoi Shqipërinë si nxitëse të pakënaqësive e të demonstratave në Kosovë, ku m’u lakua edhe emri im në shtypin e Beogradit dhe miqtë e mij i kishin shkarkuar si Pajazit Nushin, Ymer Jakën, Gazmend Zajmin e disa shefa departamentesh e drejtues institucionesh arsimore e shkencore. Shumë veta i kanë burgosur e u kanë ushtruar dhunë e zhdukur. Edhe mua me 20 korrik të vitit 1981 më ndodhi një aksident i rëndë automobilistik. Ditën e tretë të aksidentit, sapo doli im shoq nga dhoma ku isha shtruar në neurologji, vjen një infermjer e më bën një gjilpërë, që kalova në gjendje kome. Kur kthehet im shoq dhe pyeti motrat e mija, Lirien, Dritën, Femijen dhe kushërirën Sabiren, që ishin të pranishme, i treguan për gjilpërën. Nuk ishte shënuar as në kartelë e nuk ishte infermjer i atij spitali dhe nuk u gjet se kush ishte. Të nesërmen më shtruan në klinikën e udhëheqjes. Ditën rrinte motra ime, Femija, që ishte me pushime si mësuese në Shkollën “Mihal Grameno” dhe natën rrinin Moisi e Mehdiu. E kalova gjendjen e pasojat e gjilpërës nga kujdesi i Mehdiut si neuroinfeksionist i shquar. Ky moment mbeti si enigmë e pazbardhur. Me 19 gusht më nisën për në Paris me avion të posaçëm, që më shoqëruan Mehdiu si familjar e mjek, dr.Arjan Xhumari dhe Meriban Hoxha si infermjere. U shtrova në klinikën e profesor Roia Camille të Spitaleve San Petie dhe profesori më ka bërë tri operacione të rënda në cervikale e në shtyllën kurrizore.
Ditarin e vizitës në Kosovë e kam botuar në vitin 2010 me titull “Katër Ditë Vizitë në Kosovë-tetor 1980”, ku përveç ditarit përfshihen marrëveshje e dokumente arkivore, fotografi të vizitës të Ymer Jakës në Shqipëri dhe të vizitës time në Kosovë.
Në vitin 1987 ndahet MAK në dy Ministri dhe si ministër i Arsimit emërohet Skënder Gjinushi, ndërsa si ministër i Kulturës Alfed Uçi.
Unë u emërova drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë dhe bëra këto reforma:
1.Studentët, që do të vazhdonin studimet në këtë shkollë të kishin mbaruar shkollën e mesme.
2.Futa një cikël leksionesh të Historisë e kulturës së Shqipërisë, si dhe organizova takime e biseda me personalitete te shquara të ekonomisë e kulturës, të letërsisë e arteve, të shkencave albanalogjike e të sporteve.
3.Futa një cikël leksionesh për Kosovën e trojet shqiptare përtej kufirit, që i kam dhënë unë, përveç leksioneve në lëndën e materializmit historik.
Pas ndërrimit të sistemit, më nxuarrën në pension të parakohëshëm dhe fillova të studjoj në AQSH e në Bibliotekën Kombëtare deri sa u mbyllëm nga Covid-19-të. Kam botuar pesë libra si:
1.Ditari autentik i burgut “Ahmet Feta Cami pjesëmarrës i Dy Luftrave Botërore dhe Dëshmor i Atdheut” me ditarin e vitit 1941-1942, kujtime, dokumente arkivore dhe foto të atyre viteve. (autor Moisi Cami-Tefta Cami).
- Ditari “Katër Ditë Vizitë në Kosovë -tetor 1980” Tefta Cami
- “Mehdi Cani-Misionar i Mjekësisë shqiptare” Kujtime të mija si bashkëshorte, të kolegëve e miqve, të disa të afërmve, dokumente arkivore e foto pune e familjare.
- “Historia e një grushti shteti”, ku përshkruhet grushti i shtetit, që i organizohet Gorbaçovit nga byroistët në BS. Eshtë përkthyer nga unë nga frengjishtja. M’u duk një libër interesantë dhe për koinçidencë kjo ndodhi edhe në vitin 1998 në Tiranë, ku u dogj e u zaptuan Kryeministria e RTVSH-ja dhe u krijua një zallamahi në Tiranë.
5.Një botim, që e kam depozituar vetëm në Bibliotekën e AQSH. Kam shpjeguar me dokumente arkivore konfliktin me Haxhi Lleshin, akuzat e manipulimet, shpifjet e gënjeshtrat e pafund të tij.
Kam edhe pesë libra të tjerë në kompjuter.
Më 29 nëntor të vitit 1992, më erdhën për vizitë dy miqtë e mij, Pajazit Nushi dhe Ymer Jaka, të ftuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që kishin marrë pjesë me kumtesa në Konferencën Shkencore për përvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë më 1912 nga Ismail Qemali. Më thanë, se do të vinte edhe akademiku Rexhep Qosja, por i kishte dhënë urdhër z.Sali Berisha të largohej nga Shqipëria si i padëshirueshëm dhe ai ishte nisur për t’u kthyer në Kosovë. Në Qafë Thanë në Doganën shqiptare kishin tentuar t’i bënin dhunë dhe një kontroll të imtësishë profesorit. Por kanë ndërhyrë djemtë e dajës tim, Rami, Vehap e Ismet Duka, që po shkonin në Dibër të madhe, që të mos prekej Rexhep Qosja.
Me Pajazit Nushin e Ymer Jakën biseduam si vëllezër dhe më treguan për dënimet e përndjekjet, që u kanë bërë pas demonstratave të vitit 1981, për situatën në Kosovë. Tani kushtet janë krijuar për të qenë shtet i pavarur.
Më treguan edhe për momentin, që unë si ministre kisha dërguar një telegram në fillim të vitit 1979 dhe e ftoja Ymer Jakën si sekretar i Arsimit, Kulturës e Shkencës të KE të vizitonte Shqipërinë. Telegramin, që të mos na pengonin drejtuesit e republikës serbe, nëpërmjet Fadil Hoxhës ia dërguam Titos, që ishte shprehur:”Erdhi koha të komunikojnë shqiptarët. Të bëhet kjo vizitë dhe të ftohet edhe ministrja, që të vizitojë Kosovën e Jugosllavinë!”
Me ndërrimin e sistemit në vitet ’90 u gjenda e sulmuar ngs korente të panjohura me gënjeshtra nëpër gazeta, me protesta para shtëpisë dhe me një furgon me policë, që ishin urdheruar nga kryetari i PD, për t’më nxjerrë me dhunë e forcërisht nga shtëpia. Dikur kryetarin e PD e kisha mbrojtur. Mosmirënjohja është tipar i delenxhijve. Gazeta RD shkroi, se bashkëshorti im, Mehdi Cami kishte kërkuar për të blerë gjysmën e vilës ku banonim, që e konfirmoi në televizion pa e verifikuar edhe kryetari i lagjes. Bashkëshorti im në atë kohë, që na qenka bërë kërkesa, ndodhej në Budapest si neuroinfeksionist, që shoqëronte motrën e sëmurë të guvernatorit të Bankës. Bashkëshorti im nuk e kishte mbiemrin Cami, sepse si traditë burrat nuk marrin mbiemrat e grave. I çova gazetës RD me datën 18 qershor, 1991, një përgjigje me sqarime, por nuk e botoi, sepse vazhdonte të zbatonte porositë e kryetarit, për t’më përbaltur e diskredituar. Por unë isha e kalitur me sulme të paskrupullta, që koha i çvlerëson.
Sapo ndërroi sistemi u mora me studime në AQSH dhe në Bibliotekën Kombëtare. Vazhdoj të studjoj e shkruaj si dikur, kur isha në punë. Nuk jam e angazhuar në asnjë parti politike, që janë pjesëza e shoqërisë. Jam e gjithë shqiptarëve. Bindjet i kam të majta. Ashtu si politologët më të shquar të botës edhe unë mendoj, se e majta është e ardhmja e njerëzimit.
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës