Kulturë\Letërsi

Ismail Kadare: Një popull është i qytetëruar kur kultura e tij godet dhe qorton mungesat dhe veset e tij

Një popull është i qytetëruar kur kultura e tij godet dhe qorton mungesat dhe veset e tij
… Kur themi racizëm nënkuptojmë një reaksion që vjen nga jashtë, nga një tjetër racë. Racizmi kundërshqiptar ka një karakteristikë të veçantë se ndihmohet pabesisht nga vetë shqiptarët. Kam folur mjaft për këtë e s’dua të zgjatem. Kur mbroj vlerat e kombit që i përkas kjo s’do të thotë se nuk ia njoh, madje nuk ia denoncoj veset.
Por të shkallmosh gjithçka duke nisur nga gjuha shqipe, ta përqeshësh atë që është ndër shtatë-tetë gjuhët themelore të Evropës, ( e kjo nuk është fantazia ime, por ekziston prej disa shekujsh në të gjitha tekstet serioze të gjuhësisë), kjo është për të vënë vajin. Dhe këtë e bëjnë intelektualët e shitur shqiptarë. E natyrisht me ta bashkohen pastaj ca horra të huaj, ata që s’i njeh kush në vendin e vet, e që vijnë e bëhen arbitra në kulturën shqipe.
Dua të më kuptoni drejt: unë e di fare mirë ç’është euforia nacionaliste, patriotizmi mburravec e folklorik, unë e di fare mirë se një popull është i qytetëruar kur kultura e tij godet dhe qorton mungesat dhe veset e tij. Unë i njoh fare mirë mungesat e popullit që i përkas: kapërdisjen e padurueshme shqiptare, etjen për t’u dukur, smirën, prirjen për përçarje e gjer tek ajo më e rënda e shfaqur kohët e fundit: prirjen irracionale për shkatërrim.
Fragment nga libri: ” Unaza në Kthetra”