Lëvizja\UÇK

Smajl Latifi: Lum kombi që ka të tillë burra si Shkëlzeni me shokë!

Lum kombi që ka të tillë burra trima si Shkëlzeni me shokë!
Në luftën tonë për liri kemi parë trimëri të papërsëritshme. Luftëtarë sypatrembur, të cilët u bënë mburojë për popull dhe Atdhe. Që të jetojë i lirë shqiptari, më 16 prill 1999, në Maznik të Deçanit, ranë burrërisht në një betejë fyt për fyt e të përgjakshme me forcat pushtuese serbe, Luan e Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Shkëlzen Haradinaj.
Luftëtarët tanë, krahas misionit për çlirimin e vendit kishin për detyrë edhe mbrojtjen e popullsisë civile, të cilën e kryen me përkushtim deri në flijimin e jetës së tyre. Kjo dëshmon për përgjegjësinë e lartë që kishin çlirimtarët tanë. Pra, me një anë nga ta kërkohej çlirimi i atdheut prej pushtuesit, njëkohësisht edhe mbrojtja e jetës së njerëzve prej masakrave që kryente pushtuesi serb. Në fakt këtë e dëshmuan luftëtarët sypatrembur të UÇK-së, të cilët me vetëmohim dhe me një moral shumë të lartë ushtarak, luftuan deri në fund për çlirimin e popullit tonë nga okupatori serb.
Gjaku i heronjve, na bënë të ndiejmë çdo ditë boshllëkun e dhimbjen e madhe, njëkohësisht, sot e përherë, edhe krenarinë e natyrshme.
Vepra e tyre është e pavdekshme dhe ndriçon rrugën tonë që kemi përpara vetes.
LAVDI!