Jungjatjeta shokë, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë e miq të dashur të LËVIZJES !
Siç jeni njoftuar tashmë, Shoqëria LËVIZJA vitin 2022 e ka shpallur VIT TË LËVIZJES. 40 vite më parë (17 Janar 1982), me bashkimin e organizatave të kohës ishte krijuar LËVIZJA, e cila në vitet e fundit u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës. Bashkimi dhe themelimi i një organizate me karakteristikat e një fronti popullor ishte i dëshiruar nga të gjithë atdhetarët dhe veprimtarët politikë të atyre viteve, por nuk ishte i lehtë… Vështirësitë ishin nga më të ndryshmet. Veprimtaria përçarëse e organizuar dhe drejtuar nga Jugoserbia pushtuese ishte e fuqishme dhe këmbëngulse. Agjenturat dhe sherbimet sekrete (gjithë mekanizmat e shtetit pushtues) të Jugoserbisë nuk lenin gur pa luajtur për të penguar bashkimin e forcave patriotike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në një organizatë – front antipushtues. Falë, kryesisht OMLK – së, e cila ishte organizata më e ndërtuar dhe përgatitur, dhe drejtuesve të kësaj organizate bashkimi u arritë. Në themele të këtij bashkimi ishte platforma e OMLK-së (Tezat e Frontit…). Bashkimi nuk ndodhi me një të shtypur të një pulle, por ishte rezultat i qindra takimeve, shkrimeve, letrave, veprimtarive të përbashkëta (protestave), botimit të gazetave… Bashkimi dhe themelimi i LËVIZJES ishte rezultat edhe i mendjes, pjekurisë politike, kombëtare dhe intelektuale, këmbënguljes, durimit, mirëkuptimit e mirëbesimit dhe marrëveshjes së tre burrave: Kadri Zekës, Ibrahim Kelmendit dhe Jusuf Gërvallës. Jusufi, bashkë me vëllaun Bardhoshin, dhe Kadriu u bënë edhe Dëshmorët e parë të këtij bashkimi, që shprehte vullnetin e popullit të pushtuar shqiptar nga Jugoserbia dhe vullnetin e porosinë konsistente që vinte nga shteti ynë AMË për t’u bashkuar forcat patriotike kundër pushtuesve pa dallim ideje, feje e krahine. Kjo fitore e madhe, bashkimi dhe themelimi i LËVIZJES, tërboi Jugoserbinë dhe shërbimet e saj sekrete që ndiqnin këmba-këmbës bijtë e popullit shqiptarë… Vrasja e dy prej themeluesve të LËVIZJES, Kadriut e Jusufit dhe veprimtarit të shquar atdhetar, Bardhoshit, ishte shprehje e tronditjes që kishte shkaktuar bashkimi i forcave patriotike shqiptare në Beograd. Mirëpo, shteti pushtues jugoserb nuk arriti të kuptonte se nuk mund të vritej ideja e nuk mund të shuhejë fara që ishte mbjellur nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe nga krerët e bashkimit të organizatave atdhetare. Ideja e tyre e bashkimit në një front shpejtë u bë ide e një populli të pushtuar, që po përgatitej ta materializonte atë…
Rëniet dhe ngritjet ishin pjesë e rrugëtimit deri në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme (korrik 1987). Jugoserbia dhe aparati i saj represiv e terrorist kishte mbushur burgjet me shqiptarë, por nuk ia dilte ta burgoste idenë e çlirimit. Jugoserbia po persekutonte, po torturonte e vriste mijëra veprimtarë, por nuk ia doli të vriste idenë e LËVIZJES për çlirimin e Kosovës (me Kosovë LËVIZJA, si edhe shteti ynë, kuptonte të gjitha trojet e pushtuara nga Jugoserbia) me të gjitha mjetet dhe rrugët, edhe me luftë të armatosur. Rezultat i kësaj fare që e mbolli Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e që e kultivoi dhe materializoi LPK-ja, ishte krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Luftës Çlirimtare edhe në Maqedoninë Shqiptare e Kosovë Lindore…
Çështja shqiptare përparoi, pozita e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë u përmirësua shumë. Pas gati një shekulli u çliruan edhe afër 11 000 km katrore tokë Shqipërie. Shqiptarët janë në pozita shumë më të mira për të ecur më tej dhe për ta zgjidhur plotësisht çështjen e tyre, me çka do të radhiteshin përkrah popujve të lirë, të përparuar e të qytetëruar…
Prandaj, shokë e veprimtarë të Shoqërisë LËVIZJA, kudo që jeni e pa dallim partie, krahine e feje, mos i harroni veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përgjithësisht dhe të LPK-së, posaçërisht (patjetër edhe shokët e veprimtarët e LKÇK-se). Të organizojmë takime e akademi mirënjohjeje e falënderimi për ta këtu në Shqipërinë Verilindore (kendej Drinit) dhe në mërgim, jashtë Atdheut. Duke nderuar ata, nderojmë gjithë veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë (me penë e me pushkë), nderojmë LËVIZJEN dhe afirmojmë vlerat njerëzore, patriotike, intelektuale, morale, politike, demokratike e civilizuese që mishronte Ajo dhe veprimtarët e luftëtarët e Saj.
Të dashur bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë !
Nesër mbahet Akademi mirënjohjeje e nderimi për mendjen dhe veprimtarin e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Mehmet Hajrizin, i cili për shumë vite ishte edhe drejtues i OMLK – së…
Me nderim e dashuri ! Kryetari i Shoqërisë LËVIZJA
add a comment