TIRANË, 3 prill/ATSH/ “Dita pa makina” ka boshatisur sot nga automjetet rrugët kryesore në të gjitha qytetet e vendit.
Në kuadër të nismës së qeverisë për shpalljen e të dielës së parë të çdo muaji “Ditë pa makina”, strukturat e policisë dhe qeverisjes vendore kanë publikuar edhe hartën e rrugëve në të cilat nuk do të lejohet qarkullimi, si dhe devijimet përkatëse të trafikut.
Në kryeqytet janë marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve për ditën e sotme në disa rrugë të qytetit, ku kufizimi i qarkullimit do të nisë nga ora 09:00 deri në orën 15:00.
Akset ku nuk lejohet qarkullimi janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish- Hotel Dajti”; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”; segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërkohë qarkullimi i automjeteve të shërbimit publik, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të jetë i mundur përgjatë gjithë kohës në këto segmente. Për të gjitha automjetet e tjera aksesi do të jetë në rrugët Ibrahim Rugova, Bulevardi “Zhan D’Ark”, Bulevardi “Bajram Curri” dhe rruga “George.W.Bush”. Qarkullimi në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova” do të jetë i detyruar djathtas.
Nismës “Dita pa Makina”, pas Tiranës, i janë bashkuar edhe bashkitë e tjera në të gjithë vendin, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmangur të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre.
Konkretisht “Dita pa makina” po aplikohet në Durrës, Vlorë, Fier, Berat, Lezhë, Elbasan, Korçë, Dibër, Lushnjë.
Përveç planit për kursimin e naftës, “Dita pa Makina” synon ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, të cilat janë edhe ndotëset kryesore të ajrit./m.m/j.p/