Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXIV)
VLLAHIA – FSHATI I ZBRAZUR QË I FRIKËSOHET SHKËMBIMIT TË TERRITOREVE
Nga 40 fshatrat e Shalës së Mitrovicës, fshati Vllahi ishte më i madhi nga popullsia dhe nga sipërfaqja. Vllahia, e quajtur edhe me emrin Katuni i Moçëm, e shtrirë në një rrafshnaltë 1000 metra lartësi mbidetare, sot është një fshat i vogël malor në veri të qytetit të Mitrovicës. Në sistemin monist fshati kishte statusin e bashkësisë lokale apo të qendrës së 11 fshatrave malore të Shalës. Sot Vllahia lidhet me rrugë të asfaltuar me Stantergun (10 km) dhe Mitrovicën (17 km).
Në afërsi të fshatit ndodhen tumat apo varrezat ilire, si dhe gjurmë të vendbanimeve iliro – romake, kurse gjatë mesjetës gjenden gjurmë të minierave sipërfaqësore. Në dokumentet historike Vllahia përmendet në shek. XVIII. Emri vjen nga popullsia vllahe (popullsi ilire e romanizuar), që dikur ka jetuar në këtë fshat.
Në vitet 80-ta Vllahia kishte 200 shtëpi. Sipas regjistrimit të vitit 2011 kishte vetëm 271 banorë, kurse sot ky numër është edhe më i vogël për shkak të shpërnguljes së popullsisë në Mitrovicë dhe në botën e jashtme. Migrimi Vllahi – Mitrovicë është shumë i madh. Shumica e ish-Vllahiasve jetojnë në Mitrovicë, madje llogaritet se rreth 1000 familje, të zbritura nga Vllahia, jetojnë në Mitrovicë. Derisa dikur Vllahia kishte deri 300 familje, sot në të jetojnë rreth 30 familje me rreth 300 banorë të përhershëm.
Fshati Vllahi ndodhet në komunën e Mitrovicës, por në të kaluarën, si edhe sot, i druhet një bashkimi të dhunshëm me komunën e Zveçanit, respektivisht të kalojë në veriun politik të Kosovës. Frikën e kishin përforëcuar lëvizjet enigmatike të disa personave të panjohur në fshat dhe rrethinë, të cilët paraqiteshin si shtetas të huaj, por që flisnin serbisht. Në fund shqetësimin e kishte hequr një britanik, i cili kishte pohuar se kompania e tij po hulumtonte për xehe në fshatin Vllahi. Edhe disa shenja të bardha, në formë koordinatash, të paraqitura në disa vende, kanë bërë që banorët e fshatit të jenë shumë të brengosur, pasi dyshohej se ato janë bërë me qëllim të ndarjes së territorit. Edhe ky shqetësim doli i panevojshëm, sepse shenjat i kishte vënë Agjencia Katastrale e Kosovës.
Zona e Vllahisë ka pasuri të mëdha nëntokësore, pasi gjendet në afërsi të minierave të “Trepçës”. Gjatë mesjetës në territorin e saj kishte shumë miniera sipërfaqësore për eksploatimin e xehes së plumbit. Në Vllahi dhe në fshatin fqinjë, Zijaçë edhe sot bëhen shpime hulumtuese në kërkim të mineraleve të çmueshme dhe është pohuar se nëntoka e këtij fshati ka rezerva të mëdha mineralesh. Deri tash janë bërë 37 shpime apo puse hulumtuese, të bëra nga ekspertët anglezë, të cilët kanë dhënë vlerësime pozitive për xehen e hulumtuar.
Popullsia e Vllahisë tradicionalisht është marrë me bujqësi e blegtori, kurse një pjesë e saj ka punuar në minierat e “Trepçës”. Sot popullsia e mbetur në fshat kryesisht merret me blegtori, me rritjen e dhisë dhe të lopës, për çka janë hapur disa ferma bagëtish. Toka dikur është punuar, kur është mbjellë gruri, misri, patatja, grosha etj., por tash nuk punohet fare.
Të vetmin institucion publik Vllahia e ka shkollën fillore tetëvjeçare, që shërben edhe për shtatë fshatra tjera të afërme. Shkolla e Vllahisë, që e mbanë emrin e mësuesit dhe drejtorit të saj dëshmor, Jashar Begu, është ndërtuar në vitin 1984 me kapacitet për 200 nxënës, por asaj i mungojnë nxënësit. Derisa në vitin 1979 kishte rreth 500 nxënës, sot në të mësojnë më pak se 40 nxënës.
Dikur, në sistemin monist, si bashkësi lokale Vllahia kishte edhe zyrë të vendit (ofiqari), shtëpi të kulturës me bibliotekë dhe qendër shëndetësore. Fshati lidhej me linjë autobusi me Mitrovicën.
Vllahia është fshat i pasur me trashëgimi kulturore. Kështu, në Vllahi është krijuar një muze etnografik privat, i pajisur me mbi 600 eksponate, që dokumentojnë traditat dhe mënyrën e të jetuarit që nga koha e gurit, nga mesjeta e deri te lufta çlirimtare e UÇK-së. Një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Vllahi është xhamia e fshatit, e ndërtuar në vitin 1782, që funksionon edhe sot. Konstruksioni i kulmit të xhamisë është katërfaqësor, i mbuluar me tjegulla.
Një objekt tjetër, me interes të veçantë, është edhe restoranti tradicional dhe bujtina, “Villa Vllahia”, që servon ushqime natyrore të traditës sonë. Restoranti furnizohet me produkte organike të banorëve të fshatit.
Gjatë luftës të gjitha shtëpitë e Vllahisë janë djegur e shkatërruar nga forcat serbe. Shtëpitë tradicionale ose kullat ishin dykatëshe, e në katin e parë ishte kuzhina dhe ahuri i bagëtisë. Të gjithë banorët e fshatit janë të një oxhaku, ndaj vlerësohen për harmoninë që ka mbizotëruar mes tyre. Vlerësohen edhe për faktin se në fshatin e tyre asnjëherë nuk ka pasur vëllavrasje, se nuk ka pasur zënka dhe se në mullirin e vetëm është bluar drithi duke u vetëshërbyer, pa asnjë problem. Problemi më i madh i Vllahisë është zbrazja e fshatit. Edhe pse kjo zonë është malore, fshati Vllahi vuan për ujë të pijes. Fshati ka një ambulancë, por ajo nuk funksionon dhe banorët e Vllahisë detyrohen që shkojnë për shërbime shëndetësore në Stanterg ose Mitrovicë.
Natyra e fshatit Vllahi është me reliev malor, me kodra e male, e përshtatshme për ecje e ngjitje maleve dhe për shëti relaksuese. Prej aty mund të shikohen shumë fshatra të Shalës dhe malet e bukura të veriut të Kosovës. Është vend shumë i bukur dhe i qetë, është natyrë e mrekullueshme, ku mund të jetohet e të pushohet shumë mirë. Është terren ku mund të zhvillohet, më mirë se kudo tjetër, turizmi fshatar dhe malor. Ky turizëm sapo ka filluar të zhvillohet.
add a comment