Jeta dhe gjaku i derdhur i Heroit 21 vjeçar, Alban Shaqir Ajeti i Gjilanit, për lirinë e pavarësinë e Kosovës shqiptare, mbeten gjallë në Altarin e Lirisë së Kombit e të Shqipërisë
E ndiej si dëshirë e detyrë të shkruaj për luftën e sakrificën sublime e gjakun e derdhur të dëshmorit të ri hero, për Alban Ajetin, që ma bëtë të ditur ju miku im,z. Ismet Sulejmani, që keni kryer edhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Rivarimit të heronjve të kombit të Gjilanit.
Albani u edukua që në fëmijërinë e herëshme me dashurinë për atdheun e kombin shqiptar, me ndjenjat e lirisë e të barazisë shoqërore e ndërnacionale, që u mungonin shqiptarëve në ish-Jugosllavinë, me dëshirat e mëdha e vizionin e gjërë për përparim e zhvillim të Kosovës krahas vendeve të zhvilluara europiane nga dy prindërit patriot, z.Shaqir e znj. Hazire Ajeti.
Arsimimi dhe edukimi atdhetar i Albanit vazhdoi edhe gjatë viteve të shkollimit në shkollën fillore e të mesme dhe në shkollën e lartë, sepse shkolla shqiptare në ato vite kishte karakter kombëtar e frymë popullore, që synonte e realizonte përgatitjen e patriotëve e specialistëve të aftë, që t’i shërbenin atdheut dhe popullit me devocion e përkushtim të madh. Shkolla ndikoi në Kosovë për ringritjen e ndërgjegjes kombëtare. Shkollë e madhe edukimi atdhetar për Albanin ka qenë edhe pjesëmarrja në jetën politike që gjatë viteve të shkollimit, ku është njohur nga afër me vështirësitë e jetën e popullit, me padrejtësitë që vazhdonin të bëheshin mbi kurrizin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serbomadh i Milosheviçit, me mohimin e lirive e të drejtave dhe të simboleve kombëtare të shqiptarëve, duke i trajtuar shqiptarët si shtetas të kategorisë së dytë e të tretë.
Albani që jo vetëm një ideator i çeshtjes të çlirimit të Kosovës, por ai që edhe aktiv e modeli i pjesëmarrjes praktike në jetën politike e ushtarake që, në saj të atij kontributi eprorët e kanë marrë në bazën e UÇK-ës në Zhegoc bashkë me Dëshmorin e kombit, Tefik Zymberin, me të cilin kishte punuar e bashkëpunuar për disa vite.
Drejtuesit e Serbisë përdorën në Kosovë një makineri me një arsenal të madh ushtarak, që synonte të realizonte nënështrimin e popullsisë shqiptare të Kosovës, largimin e pjesës më të madhe të shqiptarëve e popullimin me ardhacak serb, duke praktikuar një gjenocid të paparë e të dhunshëm. Pas viteve ’90 Milosheviçi vendosi paramilitarë serbë në Mitrovicën e Veriut, duke i larguar me dhunë popullsinë autoktone shqiptare, për të ndryshuar raportin e popullsisë në Mitrovicë. Përgjegjësi të madhe për vendosjen e paramilitarëve serbë mban edhe ish-drejtuesi i LKJ në Kosovë A.V. Kjo popullsi serbe e ardhur vonë, kolonizatore, duhet të largohen për në vendet e tyre dhe të rikthehen banorët autoktonë shqiptarë. Pikërisht kjo popullsi ardhacake i krijon shumë shqetësime Kosovës, sepse mbajnë lidhje dhe orientohen nga Beogradi.
Gjatë luftës Beogradi synoi të relizonte shfarrosjen e UÇK -ës dhe të çdo lëvizjeje qëndrese e rezistence antiserbe. Prandaj, sulmoi edhe bazën e UÇK -ës në Zhegoc të Epërm, ku ndodheshin Sali Mustafa, komandanti i Brigadës 171, Fadil Rashiti, Skënder Veseli, Raif Musliu, Bekimi e bashkëluftëtarë të tjerë të Albanit, që luftuan trimërisht dhe qëndruan heroikisht, ku gjatë luftimeve u plagos Albani dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda të luftës, duke mbetur i gjallë në Altarin e përjetësisë të kombit shqiptar. Albani e mbajti betimin:”Atdheun do ta nderoj me jetën time”.
Përkulem me nderim e respekt para jetës e sakrificës sublime të Dëshmorit të kombit shqiptar, Alban Ajetit!
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, më 30 mars, 2022