Portreti/intervista

Xhevdet Çelmeta: Heroina e Popullit Mine Peza

MINE PEZA Heroinë e Popullit ??
Lindi në fshatin Ndroq të Tiranës më 1885
U vra nga dora fashiste gjatë demostratave të nënave dhe grave kundër internimit të të rinjve shqiptarë në ishujt e Italisë, në Tiranë më 17 shtator 1942.
Poeti popullor i ka dedikuar kësaj gruaje trimëreshe, këto vargje në këngë:
Ku kam vajzën, ku kam djalin!
M’i kanë fut n’at burg të zi.
Far’e fisin ma kan tretur,
Larg në ishuj, n’Itali…
Jeta:
Mine Peza, Heroinë e Popullit, pat lindur në vitin 1885 në Ndroq të Tiranës, në familjen patriotike të Alhysve. Ishte familje e varfër, por me shpirt atdhetar. Të parët e saj i patën urryer pushtuesit turq dhe po ashtu edhe regjimin feudo-borgjez të Zogut. Në Luftën e Parë Botërore i vetmi vëlla që pati Minja, ra dëshmor duke luftuar kundër pushtuesve serbë. Minja në rininë e saj u rrit dhe u edukua me dashurinë për Atdheun dhe urrejtjen për shtypësit e shfrytëzuesit, të cilët me reprezaljet që përdornin kundër katundarëve për t’u marrë taksat, duke i lënë pa bukë në vatër, shtonin urrejtjen popullore. Ajo u martua me Miftar Bilalin nga Peza e Vogël, edhe ky me prejardhje familjare atdhetare, që punonte në bujqësi për bukën e gojës. Së bashku me Minen lindën, rritën dhe edukuan 3 fëmijë, 2 vajza dhe 1 djalë.
Minja ishte një grua punëtore, bujare, e dashur, gojëmbël me bashkëfshatarët, miqtë dhe shoqet, e shkathët, e papërtuar dhe e zgjuar. Ishte shumë e gjindshme për të përkrahur të tjerët në fatkeqësi; po kështu merrte pjesë edhe në gëzimet popullore. Të gjithë fshatarët e Pezës së Vogël, por dhe të fshatrave të tjerë e donin dhe e respektonin si bijën e tyre. Mine Peza për arsye se nuk përballonte jetën në fshat erdhën në Tiranë. Këtu u lidh me komunistët, gratë antifashiste dhe të rinj ilegalë që luftonin fashistët dhe spiunët e tyre. Shtëpinë ku banonte ajo e ktheu në bazë të sigurtë për ilegalët dhe për fshehjen e antifashistëve e komunistëve. Ajo ka fshehur dhjetra kuadro të rinisë, gruas nga ndjekia e spiunëve fashistë. Ka pritur me bujari dhjetra të plagosur, është kujdesur për t’i kuruar e aftësuar për në luftë. Për këtë aktivitet ajo është kontrolluar nga fashistët, por me zgjuarsi e shkathtësi i shpëtoi kapjes ng ana e tyre. Minja, i shoqi, vajzat Shaje e Feride, të gjithë u përfshinë në LANÇ dhe bënë sakrifica të mëdha dhe heroike. Djali i Mines, Qazim Bilali, që në fillim shkoi partizan në çetën e Pezës, te Babë Myslimi, dhe më 5 nëntor 1943, ra dëshmor kundër gjermanëve në betejën e Qafës së Kallmit.
Minja në Tiranë u njoh me komunistet Meriban Najdeni, Nexhmije Xhuglinin, etj. dhe mori pjesë në të gjitha demonstratat antifashiste që u zhvilluan në Tiranë.
Demonstrata antifashiste e grave të Tiranës më 17 shtator 1942. Pushtuesit fashistë që synonin t’i jepnin goditje LANÇ, që kishte marrë shtrirje të gjerë në tërë vendin, në mënyrë shumë sekrete përgatitën plane për internimin në ishujt e Italisë të dhjetra të rinjve e të rejave të burgosur politikë. Qarkori i PKSH të Tiranës e vlerësoi këtë moment dhe mori masa të shpejta, u thirr në shtëpinë e Meriban Najdenit. Këtu u shtrua detyra që t’i bëhej thirrje grave e vajzave të qytetit të demonstronin përpara burgut në pasditen e 17 shtatorit 1942, në orën 16.00. Dhjetra gra e vajza, të udhëhequra nga shoqet komuniste, të veshura me çarçaf nën pretekstin e takimit me njerëzit e tyre të burgosur, iu afruan ndërtesës së burgut që ruhej nga forca të shumta policore dhe kërkuan të takoheshin me djemtë dhe vëllezërit e tyre. Ata i kërkuan demonstruesve që të hiqnin perçet, por ato refuzuan. Menjëherë ndërhynë forcat e policisë duke i shtyrë e goditur demonstrueset me qytat e pushkëve. Demonstruesit i bënë ballë sulmit të policisë dhe ishin të vendosur të mos zmbrapseshin. Nga gjokset e tyre buçitën thirrjet: “Poshtë fashizmi”, “Mos na i internoni djemtë e vëllezërit tanë në Itali”, “Na lironi djemtë”, etj. Me këto thirrje të grave u bashkuan dhe zërat e fuqishëm të të burgosurve, të cilët nga dritaret e burgut hidhnin parrullat frymëzuese: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Fashistë, mos vini dorë mbi nënat e motrat tona”, “Rroftë lufta çlirimtare”, etj. Me demonstruesit u bashkuan shumë gra e vajza të familjeve që banonin në afërsi të burgut.
Të befasuar nga një demonstratë e tillë dhe nga vendosmëria e grave dhe vajzave të Tiranës, autoritetet e qeverisë fashiste dërguan forca të shumta policore të komanduara nga vetë ish Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti. Ai dha urdhër të qëllohej mbi demonstruesit dhe u arrestuan shumë gra, të cilat u përplasën në birucat e kuesturës. Ndërsa gruaja që u godit më rëndë nga plumbat e fashistëve ishte bija nga Peza heroike, Mine Peza. Ajo u bë dëshmorja e parë nga radhët e grave antifashiste të Tiranës. Heroina u la amanet grave, vajzave, shokëve dhe djalit të saj që ishte partizan, që të luftonin fashizmin dhe spiunët deri në fund të çlirimit të Atdheut.
Kjo demonstratë pati jehonë të madhe në tërë vendin. Ajo tregoi për forcën dhe rolin e madh të gruas antifashiste shqiptare në LANÇ.
Pas çlirimit, Kuvendi Popullor i ka akorduar Mine Pezës dekoratën më të lartë Heroinë e Popullit. Një nga rrugët e Tiranës mban emrin e saj; para burgut të vjetër është ngritur një lapidari kushtuar aktit heroik që kreu Mine Peza, kurse kënga e saj është e inçizuar dhe këndohet kudo për ngjarjet historike të LANÇ.
Lavdi Heroinës së Popullit, Mine Peza!