Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Ne dhe të tjerët në kohë lufte

Të tjerët

Bota po tundet në themelet e saj. Që nga Lufta e Dytë Botërore shoqëria njerëzore nuk është përballur me një luftë të këtij intensiteti. Rreziku i një lufte të re botërore asnjëherë s’ka qenë më real dhe i prekshëm. Përballja e madhe Rusi – Perëndim (SHBA) po merr përmasat e një konfrontimi të përgjithshëm midis këtyre dy “botëve”. Lufta për zgjerim influencash, tregjesh dhe pasurish e burimesh (sidomos energjetike) mund të shpie në një luftë bërthamore me rreziqe asgjësimi për jetën në tokë. Kjo gjendje e re i ka frikësuar të gjitha kontinentet e të gjitha vendet. Secili komb e secili vend po merr masat e tij që ta përballojë sa më me pak pasoja këtë përplasjen midis atllarëve. Ruajtja apo krijimi i rezervave ushqimore dhe energjetike ka fituar përparësi në të gjitha vendet normale. Nuk po pyet kush për nevojat e tjetrit. Secili po merret me përmbushjen e nevojave të tij dhe krijimin e sa më shumë rezervave për vete. Detyrë mbi detyrat për shtetet dhe qeveritë është bërë edhe siguria – mbrojtja. Frika nga një luftë e mundshme botërore është e pranishme kudo…

Po ne, shqiptarët?

Vend dhe komb i copëtuar në gjashtë shtete! Në katra prej tyre me “statusin” poshtërues prej të pushtuari dhe në dy shtete tonat, shqiptare. Shteti ynë AMë, i shpallur në vitin 1912 për gjithë Shqipërinë (deri aty ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë…), por i realizuar vetëm në një të tretën e Shqipërisë dhe shteti i imponuar i Kosovës së çliruar (pa vise) nga Serbia pushtuese (10887 km katrore).

Shteti ynë AMË që nga viti 1990 ishte në agoni, hera – herës në komë, pas terapisë shok që mori nga ata që kishin marrë përsipër ta kthenin çdo gjë në zero! Nga një vend me bujqësi moderne e shumë të zhvilluar dhe nga një vend që siguronte bukën për 4 milionë banorë u shndërrua në një vend që i lutet Serbisë pushtuese ta mbaj me bukë, t’i dërgojë grur, edhe pse sot s’i ka 2 milionë banorë, sepse gjysma e tyre ikën, morën botën në sy!! Republika e Shqipërisë, falë politikave mercenare e vandaliste të klasës së shitur politike e shtetërore, nga një vend me industri të lehtë e të rëndë dhe me industri nxjerrëse e përpunuese, që plotësonte relativisht mirë nevojat e vendit, u shndërrua brenda pak vitesh në një vend që nuk prodhonte asgjë, pa industri fare!! Republika e Shqipërisë nga një vend me 10 brigada tankesh (mbi 1 000 tanke), me mijëra gryka zjarri e raketa të shumëta tokë – ajr, me mbi 200 avionë luftarakë të kohës e me dhjetra helikopterë u shndërrua në një vend pa një tanks, pa gryka zjarri e pa raketa, pa një avion!! Hapësira ajrore e shtetit tonë AMË “ruhet” nga avionët grekë!! Të mos flasim për rrënimin e shkollës, të kulturës, artit, shkencës, mjedisit, pasurive kombëtare, burimeve energjetike, etj..

Prandaj, më vjen me qesh me ironinë e cinizmin e Edri Ramës e të politikanëve tjerë kur marrin në gojë shtetin e Enver Hoxhës… Sidomos, kur “qahen” para të huajve për “fatin e keq që pati vendi i tyre, që kishte vuajtur diktaturën më të egër që ka njohur bota”!? Të paktën të kishin këllqe për të siguruar bukën, ujin, mbrojtjen, rendin, sigurinë, mirëqenien… për popullin dhe vendin e tyre, edhe mund ta kuptonim ironinë apo cinizmin e tyre prej sharlatanësh. Por, si nuk u shkon nëpër mend se Enver Hoxha me partinë e tij e mori (pasi e çliroi) vendin me rreth 850 mijë banorë, kurse e la (vetëm për 40 vjet) me rreth 4 milionë banorë… Të arriturat tjera në ekonomi, bujqësi, infrastrukturë, kulturë, arsim, letërsi, art, industri, mbrojtje, siguri, energji – elektrifikim… janë të njohura.

Megjithatë, Republika e Shqipërisë, në këto 8 – 9 vite të qeverisjes socialiste dhe të Edi Ramës, ka shënuar hapa përpara. Mirëpo, pritjet, me të drejtë, kanë qenë më të mëdha në çështjen e sigurimit të bukës (bujqësisë), industrisë, mbrojtjes, sigurisë, etj. Pozita, që Republika e Shqipërisë ka fituar si anëtare e NATO – s, kandidate për anëtarsim në BE dhe anëtare e Këshillit të Sigurimit do të duhejë t’i kishte dhënë dorë Qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës që të ishte më “afër” Prishtinës së dalldisur nga “pavarësia” dhe më afër çdo krahine të Shqipërisë në rajon. Kryeministri shqiptar, me autoritetin e shtetit AMË, duhej të ishte më aktiv dhe më i përfshirë në bashkërendimin e copave të Shqipërisë dhe vetëm pastaj të shqetësohejë për bashkërendimin me të tjerët… Pra, Kryeministri i shtetit tonë AMË, cilido qoftë ai, duhet të jetë në rolin dhe funksionin e tij si njëshi i kombit, siç është Tirana Kryeqendra e kombit shqiptar. Kombi ynë i copëtuar nuk mund të funksionojë me dy shpejtësi, me dy koka ose me dy qendra!

Tendenca, që ka ngritur krye më shumë se kurrë, që Kosova të jetë e pavarur nga shteti i saj AMË, madje edhe e mbyllur ndaj tij, ndërkohë që po shqyhet duke u hapur ndaj Serbisë e ndaj krejtë botës, mund t’u shërbejë të gjitha shteteve fqinje (pushtuese të tokave të Shqipërisë), mund t’u shërbejë edhe shteteve e fuqive me interesa gjeopolitike e gjeostrategjike, por nuk i shërben kombit shqiptar dhe çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Lufta në Ukrainë dhe kërcënimi i saj për ta destabilizuar botën ka hyrë në javën e katërt, kurse qeveritarët e Prishtinës nuk kanë marrë mundin të shkojnë deri në Tiranë e të shohin ç’duhet bërë në këtë situatë të re që ka lëvizur botën!! Takimet dhe vizitat e vetme janë në Turqi me Erdoganin!! Politika e Jashtme është në gjumin dimëror dhe nuk po e zgjojnë as raketat hipersonike të Rusisë! Të mos kesh politikë të jashtme e Ministri të Jashtme në këtë kohë është faj i rëndë! Edhe më i rëndë është faji i “ngrirjes” së marrëdhënieve me shtetin AMË! Shkojnë e takohen me delegacione të pushtuesit, me kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por nuk mund ta “durojnë” takimin dhe bashkërendimin me krerët e shtetit e të Qeverisë shqiptare!! Pas çdo takimi me këta evropianët, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nga Serbia, qeveritarët tanë deklarojnë se janë të “lumturë” që u pritën prej tyre. Jo vetëm kaq. Kur “gabojnë” me ndonjë paraqitje a koment me vrap u kërkojnë publikish falje! Tjetri përpiqet t’ia mbush mendjen BE – së me “argumentin” se “Kosova as vaksina nuk ka marrë nga Rusia e nga Kina”!! Dua të them që koha kërkon “reformë” të thellë në politikat, qeverisjen dhe sjelljen e krerëve në Prishtinë. Urgjentisht duhet të merren vesh me Tiranën e tyre dhe ta kuptojnë se ajo është qendra e botës shqiptare dhe garancia e vetme e përjetëshme për qenien shqiptare në Iliri. Pa humbur kohë Kryeministri Kurti duhet ta emrojë një Ministër të jashtëm dhe ta “riaktivizojë” politikën e jashtme, diplomacinë, etj., duke u koordinuar me Tiranën. Çështje tjetër e menjëherëshme është MBROJTJA e vendit dhe bashkërendimi pikë për pike me Tiranën zyrtare. Bisedimet me Serbinë do të duhejë të “pushonin” deri sa të sqarohet çështja e luftës në Ukrainë dhe e fituesit atje… Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk duhet të lejohen. Rezoluta e Kuvendit dhe Kushtetuta e Republikës duhet të zbatohen. Një shtet nuk mund të organizojë zgjedhje në një shtet tjetër pa cenuar pavarësinë dhe sovranitetin e tij… Prandaj, të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë. Qeveria duhet t’u përmbahet angazhimeve dhe zotimeve publike që ka marrë mbi vete…