TIRANË, 17 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot në Kuvend, gjatë diskutimit të disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, se synohet ndalimi i prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve mbajtëse plastike.
Sipas saj, “shkaku për ndërmarrjen e kësaj iniciative janë rezultatet negative të pasqyruara në gjendjen e mjedisit”.
Kumbaro sqaroi se amendimet që propozohen synojnë ndalimin prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse sipas përcaktimit të këtij ligji, me trashësi për çdo anë më të vogël se 70 mikron dhe me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kilogramë.
Njëkohësisht parashikohen gjoba nga 1 deri në 1,5 milionë lekë për ata që prodhojnë, importojnë apo tregtojnë këto lloj qesesh.
Duke treguar fotot e ndotjes së shkaktuar nga qeset njëpërdorimshe, Kumbaro renditi shifra që e bëjnë të domosdoshme këtë iniciativë.
“80 % e mbetjeve në det vijnë nga toka përmes lumenjve që derdhen në det. 90 % e tyre janë plastikë dhe ambalazhe plastike. Me rreth 80.400 tonë në vit mbetje plastike të keqmenaxhuara, Shqipëria është një ndër 5 vendet më ndotëse të Adriatikut. Shqipëria ndot me 3.2 miliardë qese plastike, që do të thotë 3 qese plastike për njeri në ditë, e barabartë kjo me 26.280 tonë në vit”, tha Kumbaro, duke theksuar se koha mesatare e përdorimit të një qeseje plastike njëpërdorimshe nga qytetarët është vetëm 12 minuta.
Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për votimin e ndryshimeve ligjore, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit dha një sërë argumentesh për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
Kumbaro sqaroi se ato nuk degradohen, dëmtojnë rëndë jetën e faunës së egër, nuk janë të lehta për t’u ricikluar për shkak të peshës së papërfillshme që kanë, nuk ripërdoren dhe përhapen me lehtësi kudo në ambient.
Kumbaro kishte edhe një mesazh për deputetët e opozitës, që kanë mbajtur një qëndrim pozitiv gjatë diskutimit në komisionet parlamentare, ndonëse zgjodhën të mos e votonin këtë nismë ligjore.
“Nëse një javë më parë e gjithë bota u bashkua në Marrëveshjen Globale kundër Plastikës njëpërdorimshe në gjirin e OKB-së, ia vlen të bashkohemi në emër të tokës, të detit, të ushqimit dhe të ajrit që ndajmë bashkë pa votë, sepse të gjitha këto nuk i kemi trashëguar nga askush, por ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë të cilëve duhet t’ua kthejmë të pastra!”, përfundoi fjalën e saj Kumbaro.
/m.m/r.e/