Shqipëria/Aktualitet

Fatos Tarifa: Qeveritë e zgjedhura demokratikisht edhe kritikohen… kundër tyre edhe protestohet… Në kohë krizash ekonomike qeveria ndihmon qytetarët e saj, kurse në kohë normale kujdeset për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien ekonomike (Letër e hapur)

I nderuar z. Kryeministër!

Dje dëgjova reagimin tuaj ndaj kërkesave të qytetarëve, të cilët, për të katërtën ditë radhazi, protestonin kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të produkteve të shportës. Protestat kanë qenë paqësore, pa eksese, të nxitura nga varfëria dhe nga përkeqësimi i gjendjes ekonomike për një pjesë të madhe të shoqërisë – në fakt, për pjesën më të madhe të shoqërisë.

Në këto protesta kam parë dhe kam dëgjuar të flasin jo vetëm njerëz ekonomikisht të këputur, shumë të varfër, që jetojnë në vështirëri të mëdha, por edhe një masë jo të vogël të rinjsh studentë, për të cilët, rritja e kostos së jetesës sot projekton një të ardhme jo të begatë e jo të sigurtë në vendin e tyre nesër.

Në këto protesta kam parë edhe intektualë dhe qytetarë nga shtresat e mesme të popullsisë, që protestojnë jo thjesht në shenjë solidariteti me shtresat më në nevojë, por edhe për shkak të pakënaqësisë ndaj qeverisë që ju drejtoni dhe politikave të saj.

Për këtë arsye (rritja e çmimeve dhe e kostos së jetesës dhe hezitimi i qeverisë për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve nga monopolizimi i tregut të karburanteve dhe nga abuzimet e sipërmarësve të mëdhenj të llojit Kastrati & Co.) dhe në këtë mënyrë (krejt paqësore), nëse mundësitë do më lejonin, protestave të këtyre ditëve mund tu isha bashkuar edhe unë, një intelektual me bindje socialiste, që vazhdimisht kam votuar për Partinë Socialiste.

Jo për të kërkuar rrëzimin e qeverisë socialiste, në asnjë mënyrë jo, por për të shprehur indinjatën time ndaj qëndrimit tuaj refraktar përballë kërkesave ekonomike të bashkëqytetarëve të mi.

Si rrallë herë më parë, këto protesta duket se nuk kanë pasur një frymëzim politik, por janë motivuar nga nevoja ekonomike dhe kanë kërkesa ekonomike. Këto protesta nuk kanë qenë të dhunshme; ato kanë qenë paqësore dhe ky është një ogur i mirë për demokracinë shqiptare.

Në këto protesta ka pasur edhe kritika të ashpra, madje edhe thirrje kundër qeverisë dhe kundër jush, si kreu i saj, por kjo ndodh në çdo demokraci. Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara kritikohet nga qytetarët amerikanë dhe ka ndër ata që kërkojnë largimin e tij; edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, edhe ai kanadez, edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez.

Të gjithë liderët e zgjedhur demokratikisht janë të kritikueshëm; për shumë njerëz të pakënaqur edhe të padëshiruar. Ata u japin llogari qytetarëve në vendet e tyre, edhe atyre që nuk kanë votuar për ta. Vetëm drejtuesit autokratë dhe diktatorët nuk mund të kritikohen.

Ju dhe askush tjetër nuk mund të jeni një përjashtim, imun ndaj kritikave, sidomos pas 9 vitesh në krye të qeverisë. Veç punëve të mira që keni bërë deri më sot në këtë funksion shtetëror, keni bërë, sigurisht, edhe punë jo shumë të mira, edhe gabime dhe, pikërisht për këtë, jeni të qortueshëm, si ju, ashtu edhe një pjesë e anëtarëve të kabinetit qeveritar, atyre që ishin dhe këtyre që janë.

Mësohuni t’i mirëprisni dhe t’i pranoni qortimet dhe kritikat që ju bëhen, edhe nëse ato ju bëhen nga kundërshtarët tuaj politikë. Në politikë dhe për një politikan, prudenca është gjithnjë një bast më i mirë se sa arroganca.

E drejta për të kritikuar qeverinë është një e drejte demokratike; po kështu edhe e drejta për të protestuar. Nëse duam një demokraci të vërtetë e vibrante, protestat qytetare nuk duhet ta shqetësojnë dhe as ta trembin një qeveri të zgjedhur demokratikisht.

Përkundrazi, zëri dhe kërkesat e qytetarëve që protestojnë duhen dëgjuar me vëmendje nga ata që janë zgjedhur, ose janë emëruar të administrojnë, me taksat e qytetarëve (mos e harroni këtë) punët e këtij vendi dhe që kanë detyrë e përgjegjësi të mbrojnë dhe të rrisin mirëqenien e tyre.

Reagimi juaj dje ishte një reagim nervoz, disproporcional dhe arrogant. I tillë u është dukur shumë njerëzve, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, një sociolog i politikës, i doktoruar në Shtetet e Bashkuara dhe që, e përsëris, ka votuar gjithnjë për Partinë Socialiste.

Jo çdo protestë qytetare frymëzohet nga Sali Berisha, një armik i demokracisë shqiptare, ose nga opozita, cilado qoftë ajo sot. Jo çdo protestë qytetare bëhet për të rrëzuar qeverinë. Jo çdo protestë qytetare rrezikon të krijojë kaos, të prishë rendin publik dhe imazhin e Shqipërisë. Protestat e ditëve të fundit nuk kanë qenë aspak të tilla.

Jo çdo protestues e ngre zërin e tij kundër çmimit të babëzitur të karburantit për shkak se e ka të vështirë të furnizojë automjetin e vet luksoz BMW X6 ose X7. Shumica e atyre që protestojne as në ëndër nuk e shohin dot një automjet të tillë dhe kurrë nuk kanë hypur në një të tillë.

Shumica e tyre e kanë të vështirë të shkojnë në punë me mjete të transportit publik, ose me mjetet e tyre shumë modeste, për të marë një pagë edhe më modeste, me të cilën përballojnë nevoja shumë modeste, mjaft herë nevoja krejt bazike.

Është cinike për një kryeministër që t’u thotë protestuesve paqësorë, të mbledhur në sheshin para Kryeministrisë, se atij i vjen “turp” që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe i Europës ku protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë” dhe se “vetëm ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë thonë se kërcimi i çmimit të naftës nuk është pasojë e luftës”.

Zoti kryeministër, nuk besoj se ju, ose dikush tjetër në administratën tuaj, mund të dyshoni në aftësitë e mia për të kuptuar dhe shpjegur ngjarjet politike, edhe ato ndërkombëtare më të ndërlikuara.

Çfarë po ndodh aktualisht në Ukrainë nuk është diçka e papritur. Një zhvillim të tillë unë e kam parashikuar qysh në vitin 2010, në librin tim Fati i një shekulli. Pra, unë kuptoj fare mirë (nuk jam ndër ata që “bëjnë sikur nuk kuptojnë” – të tillë, pa dyshim, ka), por qëndrimi juaj, si kryeministër i vendit, duke e justifikuar rritjen absurde të çmimeve të karburanteve me gjoja “ligjet e tregut” dhe, sidomos, arroganca me të cilën ju përçuat te ne, qytetarët e kësaj republike, qendrimin tuaj përmes atij mesazhi penegjirik e shumë të gjatë nga zyra juaj nuk ishin reagimi i duhur.

Argumenti juaj në atë mesazh, duke u kundërvenë, krejt artificialisht, pakënaqësisë së qytetarëve dhe protestave të tyre ditët e fundit për çështje thjesht ekonomike, NATO-n dhe Europën, pra duke i quajtur ato “të turpshme” për një vend anëtar të Aleancës, që kërkon të anëtarësohet edhe në BE, nuk i shkon një kryeministri.

Qytetarët shqiptarë i duan NATO-n dhe BE-në jo më pak se ju dhe,  ju e dini fare mirë, ata nuk protestojnë kundër tyre. Një argument si ai mund të konsiderohet “makiavelizëm” politik dhe nuk ka njeri me dy para mend në kokë që e beson.

Nuk po flas për 7 masat e “Paketës së Rezistencës Sociale” (edhe pse ky cilësim nuk më duket se bën shumë kuptim); për to mund të gjykojnë më mirë ata që janë specialistë të ekonomisë e të financave.

Ajo që, si qytetar dhe si një intelektual i angazhuar, unë dëshiroj të shoh te kryeministri i vendit tim është një qëndrim më pak arrogant, më prudent dhe më modest kur është puna për të dëgjuar ankesat dhe kërkesat e qytetarëve. Dhe kjo nuk bëhet as përmes Facebook-ut dhe as përmes një pyetësori, por çdo ditë, duke mbajtur kontakte të gjalla me qytetarët.

Unë dëshiroj, gjithashtu, që arsyet e pakënaqësisë dhe të protestave qytetare të mos i justifikoni thjesht me “dorën e padukshme” të tregut (the invisible hand), me të cilën Adam Smith shpjegonte raportin mes çmimit, kërkesës dhe ofertës në një treg të lirë kapitalist.

John Stuart Mill, themeluesi i liberalizmit klasik, do ju këshillonte që, kur shihni se mirëqenia ekonomike e shoqërisë është në rrezik, qeveria duhet të ndërhyjë për t’i mbrojtur qytetarët e vendit të vet. Prandaj qytetarët ju kanë dhënë votën e tyre. Që t’i mbroni në kohë krizash ekonomike dhe të përshpejtoni zhvillimin e vendit e të rrisni mirëqenien e tyre në kohë normale.

Me respekt,
Fatos Tarifa