Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXVII)
SHTIMJA – QYTEZA ME HISTORI TË PASUR E ME ZHVILLIM TË MUNGUAR
Qyteza e Shtimes ndodhet në një skaj të fushës së gjerë të Kosovës, aty ku malet preken me fushën, në udhëkryqin e rrugëve që shkojnë për Prishtinë, Ferizaj e Prizeren. Nëpër Shtime dikur kalonte rruga Shkup – Ferizaj – Prishtinë, para se të ndërtohej “Magjistrala e Adriatikut”. Shtimja është larg Ferizajt – 13 km, Prishtinës – 30 km dhe Prizrenit – 45 km dhe lidhet lidhet me Rrugën e Kombit në Duhël (20 km) dhe me autostradën e Shkupit (16 km). Një lumë i vogël del nga mali në fushë, rrjedhë nëpër Shtime dhe ia merr emrin Shtimes. Ky është Lumi i Shtimes.
Komuna e Shtimes, e formuar në vitin 1988 nga qyteza dhe 22 fshatra, ka rreth 27 deri 30 mijë banorë, prej të cilëve rreth 7000 jetojnë në qendrën komunale, në Shtime. Me pozitë të përshtatshme gjeografike, e shtrirë në një terren kodrinor, malor dhe fushor, me klimë dhe me kushte të përshtatshme për jetë, me botë të zhvilluar bimore e shtazore, me ujë të mjaftueshëm, komuna e Shtimes shtrihet në 134 km2 dhe zë 1.2 për qind të territorit të Kosovës. Në pjesën kodrinore – malore të territorit të komunës ndodhen 13 fshatra dhe në pjesën fushore, në Fushën e Kosovës – nëntë fshatra.
Gjurmët nga e kaluara, siç janë gërmadhat e kishave ilire – dardane, rrugët e vjetra, dogana romake, toponimet e vendbanimeve, tumat ilire e gjësendet e gjetura vërtetojnë se treva e Shtimes ka qenë e banuar që nga kohët antike. Shumë lokalitete arkeologjike, historike e përkujtimore e bëjnë zonën e Shtimes mjaft tërheqëse për studiusit dhe turistët, siç janë: Varrezat ilire në Carralevë, nekropolet në Mollopolc dhe Grykë të Carralevës, Gjyteti në Grykë të Topillës, rrënojat e kalasë në Grykë të Carralevës, miniera në Grykë të Carralevës, Kroni dhe Varri i Çikës në Devetak, Kroni i Xhemë Osmanit në Raçak, Bunari i Qorr Ilazit në Raçak etj. Gjithashtu, ndodhen Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së, kompleksi përkujtimor “Masakra e Reçakut” etj.
Shtimja është ndër vendbanimet më të vjetra të Kosovës. Si vendbanim është përmendur në shek. XV, kur kishte 109 shtëpi. Emri i Shtimes gjatë shekujve paraqitet në disa forma, por me strukturë të ngjashme, si Stimni, Qtimla e Shtimla. Në vitin 1326 Stefan Deçani e përmend si Stimni, kurse në defterët turq të vitit 1896 e gjejmë me emrat Istimije, Shtimnja, Shtimlje, Shtime.
Pozita gjeografike pranë grykave të Carralevës e Topillës ka bërë që në afërsi të Shtimes të zhvillohen shumë beteja në kuadër të luftërave tona liridashëse. Ndër betejat historike të zhvilluara afër Shtimes përmendim atë të vitit 1881 në krye me Mic Sokolin e Sefë Kosharen kundër forcave osmane, betejën në Grykën e Carralevës të vitit 1910, në krye me Isa Buletinin e Sefer Kleçkën, betejën e vitit 1943 mes partizanëve të aradhës “Zenel Hajdini” dhe forcave pushtuese italiane. Gjithashtu, gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së Gryka e Carralevës ishte bërë ferr dhe rrugë e ndaluar për forcat serbe. Të theksojmë se komuna e Shtimes ishte zonë e rëndësishme e luftës, me kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës. Kështu, gjatë luftës çlirimtare komuna e Shtimes ka dhënë 46 dëshmorë, kurse 88 luftëtarë kanë mbetur invalidë të luftës, janë vrarë 90 persona civilë, janë djegur e shkatërruar 1413 shtëpi. Vlera e përgjithshme e dëmeve të luftës sillet rreth 40 milionë euro.
Në fshatin Reçak, afër Shtimes, më 15 janar 1999, forcat serbe kanë vrarë mizorisht 45 banorë të moshave të ndryshme, nga 13-vjeçare deri 99-vjeçare. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, që tronditi botën dhe bëri të ndërhyjë NATO, është ndërtuar Kompleksi Përkujtimor i Masakrës së Reçakut.
Megjithëse ka potenciale të konsiderueshme natyrore, komuna e Shtimes është nga komunat më të varfëra të Kosovës, me papunësi të theksuar. Shtimja dhe rrethina e saj është trevë bujqësore e blegtorale, por sot të ardhurat kryesisht i siguron nga mërgata. Komuna ka shpallur një zonë ekonomike dhe, në kuadër të saj, është ngritur Parku Teknologjik, ku kanë gjetur strehë shumë kompani. Është ngritur edhe Qendra e Agrobiznesit, e cila mundëson grumbullimin, ruajtjen dhe plasimin e prodhimeve bujqësore të bujqëve të kësaj komune dhe komunave fqinje në tregjet e qyteteve tona. Territori i komunës ka kushte shumë të mira edhe për zhvillimin e turizmit, veçanërisht në fshatrat malore, si në Llanishtë, Rancë, Karaçicë e fshatra tjera, të cilat tashmë pothuaj kanë mbetur pa banorë.
Disa nga problemet, me të cilat përballet qyteti i Shtimes dhe fshatrat e komunës së Shtimes, janë: mungesa e një stacioni të autobusave, mungesa e hapësirave publike dhe e hapësirave të gjelbëruara, mungesa e parkingjeve të rregulluara, disa gurëthyes nëpër fshatra, varfëria e papunësia e lartë, mosmirëmbajtja apo ndotja e lumit të Shtimes, problemet me ujë, ndriçim, kanalizim etj. Edhe pse lumë i vogël, lumi i Shtimes është një pasuri e madhe natyrore e komunës dhe e qytetit të Shtimes, por që tash më shumë ngjanë në një rrjedhë kundërmuese të ujërave të zeza dhe shpesh si një vend për hedhjen e mbeturinave.
Shtimja hyn ndër qytetet e pakta të Atdheut e cila (më 28 nëntor të vitit të kaluar), në qendrën e saj, aty ku pikëtakohen rrugët që shpiejnë për Ferizaj, Prishtinë e Prizeren, e ka vendosur shtatoren madhështore të Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Gjithashtu, vitin e kaluar Shtimja u bë me sheshin e ri të qytetit “Ahmet Shtimja”, një shesh i rregulluar bukur pranë brigjeve të lumit të Shtimes.
Dy institucione të veçanta të nivelit republikan, që i ka vetëm Shtimja, janë Instituti Special i Shtimes dhe Instituti i Shëndetit Mental i Shtimes apo Qendra për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë. Këto institucione, pos karakterit edukues, shërues e rehabilitues, kanë edhe karakter humanitar, për çka e nderojnë qytezën e Shtimes.
Janë dy personalitete që lidhen dhe identifikohen me Shtimen; Ahmet Shtimja dhe Hajdar Shtimja. Ahmet Shtimja ose Ahmet Syla (1887 – 1923) ishte pjesëmarrës i kryengritjes kundër forcave osmane në vitin 1910, kryetar i komunës së Shtimes gjatë pushtimit bullgar në vitin 1916, i zgjedhur në kryesinë e Xhemijetit, një organizatë apo parti mbi baza fetare me qendër në Shkup, që merrej edhe me mbrojtjen e popullsisë shqiptare, pjesëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër, kryetar i komunës në vitin 1921, i vrarë në pritë nga xhandarmëria serbe në vitin 1923. Kurse Hajdar Shtimja përmendet në popull në kuptim pezhorativ, por për të mungojnë shënimet biografike.
Padyshim se Shtimja, si një qytezë e bukur e simpatike, si një nyje e rëndësishme rrugore dhe si një vend me pasuri të shumta natyrore, me pozitë të volitshme gjeografike e mjedisore, ka kushte dhe mundësi reale për një zhvillim më të shpejt ekonomik, kryesisht duke e stimuluar bujqësinë e blegtorinë, duke i përkrahur kompanitë e vogla private dhe duke e zhvilluar turizmin malor e fshatar.
add a comment