Ismet Jonuzi – Krosi: Organizata ilegale “Kushtrimi i Lirisë” (1972) dhe Gafurr Loku (1949 – 1999), shok ideali me Heroin e Qëndresës Shqiptare, Rafi Halilin
Një natë gushti të vitit 1949, shtëpia e Xhafer Lokut në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, po i shtohej për një anëtarë. Nënë Rabishes po i afrohej edhe një krah pune. Kosovës së sfilitur nga lufta, skamja “otkupi”…, i lindi një luftëtar, i cili tërë jetën e dhuruar do ta shpenzonte për lirinë e popullit të tij. Pra, një natë gushti, gjegjësisht më 11.08.1949, u lind biri i Kosovës dhe i krejtë Shqipërisë, Gafurr Loku.
Gafurr Loku, lindi një muaj e gjysmë pasi u vranë tribunët e trevës së Kaçanikut, si Avdyl Dura dhe Ramë Beka, si një ogur i mirë iLëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe do të vazhdojë dhe regjimi i ri okupues sllavokomunist, që e nëpërkëmbi lirinë e Kosovës, vazhdimisht do të ndeshet me tribunë të tillë.
Gafurri rritej maleve dhe fushave të Kotlinës, tek këmbët e Sharrit Plak, me lojërat fëmijërore të asaj kohe. Kur i mbushi shtatë vite u regjistrua në klasën e parë me synime shumë të mëdha që në të ardhmen të bëhet mësues, profesor, inxhinier apo ekonomist i mirë, sepse analfabetizmi e kishte shkallmuar shqiptarin po aq sa robëria e shkaut.
Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje por, meqë Xhafer Loku bleu një shtëpi në Lagjen e Demëzenëve në Paldenicë, pjesën tjetër të fillores e kreu në Han të Elezit, ku pas përfundimit të saj, shpërngulet në Tetovë ku edhe regjistrohet në gjimnazin e këtij qyteti shqiptar. Gafurri në Tetovë do të gjejë rrethin e shokëve të ri, me të cilët do të bashkëveprojë deri në fund të jetës së tij.
Në gjimnazin e Tetovës, Gafurri filloi të lexojë me ëndje letërsinë shqipe. Romanet e lejuara dhe të ndaluara e nxitën edhe më shumë të merret me çështjen shqiptare. E kuptoi thellë se populli shqiptar u copëtua nga fqinjët e Shqipërisë dhe se Konferencat Ndërkombëtare, si ajo e Berlinit, e Londrës dhe e Parisit, vetëm sa bekuan këtë ndarje të padrejtë të popullit shqiptar. Në anën tjetër, krenohej me luftërat e epopesë së Skënderbeut kundër pushtuesve osmanllinjë, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe me kryengritjet e njëpasnjëshme të popullit shqiptar për Liri e Pavarësi.
Aktiviteti i i tij kombëtar filloi herët. Më 4 korrik të vitit 1968, së bashku me Rafi Halilin, filloi veprimtarinë e dalluar të Tetovës, ngritën Flamurin Kombëtar në Fabrikën e Tekstilit “Teteks” në Tetovë, në çastet kur edhe në Kosovë veprohej me të madhe për organizimin e demonstratave të Nëntorit të vitit 1968. Që nga ajo ditë e deri sa u vra së bashku me djalin e tij, Dritonin më 21 shkurt 1999, nga ana e sigurimit serb, në orën 19,50 minuta në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, Gafurri nuk pushoi për asnjë çast veprimtarinë dhe luftën e tij për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Vrasja e Gafurrit dhe djalit të tij pikëlloi thellë popullin shqiptar.
Ishte organizuar në veprimtarinë ilegale të kohës dhe së bashku me shokun e tij Rafi Halilin, me të cilin formojnë organizatën ilegale, qëllimi i së cilës ishte Bashkimi Kombëtar e Territorial i Atdheut të shtrenjtë, të cilin konferencat si ajo e Berlinit, Londrës dhe Parisit e kishin ndarë e copëtuar si është më së keqi. Bien në kontakt me redaksinë e revistës “Shqipëria e Re”, që botohej në Tiranë, dhe jo vetëm që e lexonte vetë, por atë ua jepte në lexim edhe shokëve të tij.
Për t’u çliruar nga pushtuesit serbo-malazezo-maqedon, së bashku me Rafi Halilin, morën armët nga gjimnazi i Tetovës dhe fillimisht i strehuan në shpellat e rrethinës së Tetovës. Aktivitetin e tyre e shtojnë me shkrimin dhe shpërndarjen e pamfleteve në të cilat ftohej popullata shqiptare në Maqedoni për çlirim kombëtar.
Arrestohet në Prishtinë më 21 shtator të vitit 1972. Hetimet për 5 muaj me radhë zhvillohen në burgjet e Maqedonisë ku torturohet rëndë. Më 21 janar të vitit 1973, Gafurri me shokët e tij nxirret para Gjykatës së Qarkut në Shkup dhe dënohen:
Rafi Halili, 7 vjet burg,
Gafurr Loku, 5 vjet burg,
Rushit Nesimi, 5 vjet burg,
Elmaz Ademi, 4 vjet burg dhe
Ajet Ademi me 2vite e 6 muaj burg.
Gafurr Loku burgun e vuan deri në ditën e fundit pa gëzuar asnjë ditë amnisti. Pas daljes nga burgu martohet me Hasibe Rakën nga Kaçaniku. Torturat e rënda në burg bënë që Gafurri për një kohë të qëndrojë i shtrirë në spitalin e Prishtinës, por kurrë pa iu ndarë veprimtarisë atdhetare. Kontaktonte me shumë njerëz, dhe me këdo që kontaktonte mbillte farën e çlirimit të atdheut. Arrestohet përsëri më 12 mars 1982, nga UDB-ja e Kaçanikut dhe Gjykata maqedone sërish e dënon me4 vite e 6 muaj. Pra, dëshmori Gafurr Loku, gjithësejt mbajti 8 vite e 6 muaj burg që e vuajti në Idrizovë. Ishte shok burgu i Rexhep Malës, Shpëtim Pollozhanit, Xhafer Shatrit, Sejdi Kryeziut, Naip Tanushecit e shumë të tjerëve. Pas viteve të 1990-s, ishte sekretar i Këshillit për Financa në Han të Elezit, nënkryetar i KMDLNJ-së si dhe kryetar i Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”. Nuk ishte anëtar i asnjë partie politike, sepse Gafurri besonte thellë se çlirimin e atdheut do ta bëjë vetëm gryka e pushkës.
Me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Han të Elezit, Gafurri bashkëpunon dendur me Shtabin e UÇK-së.
Vrasja e dëshmorëve Gafurr e Driton Loku, është një pikëllim i madh dhe njëkohësisht një humbje e madhe për popullin shqiptar, gjaku i tyre rënë në tokën e Arbërit, është amaneti për brezat pasardhës dhe shembull se si jetën duhet kushtuar atdheut.
Dëshmorët i bashkoi përpjekja dhe lufta për çlirimin e Kosovës, i bashkoi pushka, tani po i bashkon edhe varreza. Ata nuk duhet të qahen, me ata duhet të krenohemi ne të gjallët, sepse Dëshmorët nuk vdesin kurrë.
GAFURR LOKU – HERO I SHQIPTARISË
Kur mendoj për Gafurr Lokun, prore më shkon mendja te poezia e dashur, por e dhimbshme e Fan Nolit “Syrgjyn vdekur”, kushtuar shkrimtarit dhe veprimtarit kombëtar, Luigj Gurakuqi. Në vargjet e para të kësaj elegjie Noli i thërret “nënës” alias Shqipërisë që të mbajë zi për vëllain Luigj, pastaj e quajti shpirt i bardhë si dëborë, vigan liberator, që la kurorën e lirisë nënës në Vlorë të vitit të madh 1912, gojëmjaltë në fjalë dhe në shkrime, i vendosur në parimet e tija kombëtare për liri e mëvetësi si zemërhekur. Në fund vajton fatin që Luigjin e vranë në Bari të Italisë larot (renegatët, armiqtë e Luigjit dhe të popullit shqiptar). Këto cilësi njerëzore dhe kombëtare për Luigjin Noli i bën si përgënjeshtrim shpifjeve të sajuara se atë e vranë pse ishte tradhtar!? Pa pretendime plagjiature të motivit poetik nolian për Luigj Gurakuqin krahasimi me figurën e Gafurr Lokut, do të doja të peshoja vlerën e këtij të fundit.
Gafurr Loku është lindur në fshatin Lumbardhë (ish-Kotlinë) të Kaçanikut në vitin 1949, jetoi e veproi në Tetovën e mosmposhtjes shqiptare kundruall shtypjes sllavokomuniste, mendoi për arealin gjuhësor shqiptar, vdiq nga plumbat e pashpirt. Njihet si veprimtar atdhetar që në korrik të vitit 1968 me legjendën e mbijetesës sllavokomuniste, Rafi Halili, vuri flamurin kombëtar shqiptar afër Fabrikës së tekstilit në Tetovë, ngjashëm si Luigji me Ismail Qemalin në Vlorën historike në vitin 1912, akt që la mbresa të pathyeshmërisë në jetën e Gafurrit. Më nuk ka rehati për këtë njeri, ngase përndiqej nga thjerrëza pushtuese e Jugosllavisë, kur ishte në ndeja familjare, kur bastisej, kur burgosej, kur lirohej nga burgu dhe përsëri burgosej, shpeshtësi që u shndërruan në rit jetësor për të. Megjithatë, Gafurri nuk çante kokë për këto “pikniqe udbeske”, sepse, fundja e dinte ç’donin ata nga ky dhe ky pse ankohej nga ata. Në misteret e “lirisë së qarkullimit, mendimit të lirë e demokratik” lundronte misioni njerëzor dhe kombëtar i Gafurrit, duke zbrapsur tallazet përmbytëse të oqeanit antishqiptar, Jugosllavi. Me modestinë që lente mbresën nga një malësor shqiptar, punoi aty ku mundi, në kontabilitet, tubimin e mjeteve në sigurimin e rrogave për shkollën që e donte shumë, në celulën e sapoformuar të “Nënës Tereze” në Han të Elezit, në kontaktet me UÇK-në e veprimtari të tjera të rrezikshme për jetë, por të domosdoshme sipas tij. Në bisedë me të, kur një bashkëbisedues thoshte se flinte në ”majicë”, Gafurri shfaqi pasigurinë e tij ndaj kohës (dhjetor 1998) se flinte gati me rroba, meqë në çdo çast mund ta bastisnin e zinin gafil. E dinte se ndiqej nga kodoshët e regjimit millosheviqian, kur dilte të mblidhte mjete financiare për shkollën shqipe, zemërohej në ata që e përbuznin në këtë mision dhe trimërohej me ata që e përkrahnin. Gafurri paksa e parandiente rrezikun që i kanosej, por nuk e dëshironte vdekjen në mënyrën si e vranë para familjes me djalin e tij, Dritonin.
Vdekjen e kishte të afërt si frymëmarrjen, ndaj ngutej që sa më shumë vepra atdhetare dhe bëmirëse të linte në këtë botë. Gafurr Loku jetën e kishte kaluar me ëndrrën për Shqipërinë që e kishte në vegim, jo këso të cunguar. E njihte një Shqipëri tjetër me një popull shqiptar që e dëshironte dhe që kishte besim në të, i liruar nga grilat ideologjike e etatiste të titoizmit hipokrit e rankoviqizmit pansllavist, kryeneçsisë milosheviqiane e dinakërisë postmilosheviqiane. E donte një regjim të tij shqiptar, qoftë edhe zhelan ai, por regjim në tokat e shtëpitë shqiptare ku frymohet shqip . Zatën, kësisoj ishte edukuar nga librat, gazetat e revistat, audio e video incizimeve nga mërgata dhe Shqipëria. Në to ai e gjente Gafurrin e Ilirisë, të mesjetës së Skënderbeut, të Rilindjes së Naimit e Çajupit, të Pavarësisë së Ismail Qemalit e Isa Boletinit, Gafurrin bashkëkohanikëve të tij si vëllezërit Gërvalla e Rexhep Mala, heronjve të UÇK-së trimëruese dhe shpresëlindur për të. Këta e shumë të tjerë që botën shpirtërore e lëndore shqiptare do ta vendosnin në kalanë e lartë të mëvetësisë, zhvillimit dhe pavdekësisë. Vetja dhe familja për të ishin shumë të vogla, gati të parëndësishme kurndruall çështjes kombëtare, parim i njerëzve të përkushtuar për humanitet e çlirim të gjithanshëm. Veprimtarinë iluministe arsimuese e kishte bërë edhe në burgje, sipas rrëfimeve të bashkëvuajtësve të tij, duke i mësuar analfabetët të lexojnë e shkruajnë shqip, deri edhe në poezi, bashkë me intelektualët tjeër, si Mehmet Gega, Beqir Berisha, Shpëtim Pollozhani e të ngjashëm.
Figura e Gafurrit, jeta dhe veprimtaria e tij, është edukative sidomos për brezat e ardhshëm të këtij nënqielli. Ai në jetë nuk e ndiente veten si kaçanikas, hanelezas, tetovar, por edhe ulqinak, preshevar, suliot dhe i Çamërisë. Atdhetaria e tij kishte gjenezë njerëzore, sepse donte të ndihmonte më të dobëtin, që në këtë rast ishin shqiptarët e pushtuar nga Jugoserbia e Greqia, kurse për Shqipërinë thoshte se është vend i shenjtë dhe për mbrojtjen e saj kemi hise edhe ne që nuk jetojmë atje. Atdhetari burgoset që një ditë të thyejë grilat dhe të çlirohen të shumtët, vdes atdhetari i robëruar që të rilinden të çliruarit. Kënaqësia më e madhe e robit është liria, gjykonte Gafurri. Përkushtimi i tij mëson se njeriu nuk duhet të luftojë vetëm një javë, një vit ose një dekadë, por atdhetari luftën borxh e ka gjatë tërë jetës së tij, me veprat që lë pas edhe pas vdekjes lufton për interesat njerëzore, kombëtare, pa kursyer asgjë.
I bindur se nuk kam mundur ta sheshoj sa duhet personalitetin, veprën jetësore dhe shëmbëlltyrën postmortum të Gafurr Lokut, ashtu si e përshkroi Noli atë të Luigj Gurakuqit, binduni se ai ishte njeri që për mbjelljen e gjërave të mëdha nuk zgjidhte vend dhe kohë, çmim e rrethanë. Atdhetar i pakontestueshëm, humanist i palodhshëm, bëmirës i pakursyeshëm, mik besnik e i sinqertë ishte Gafurri. Ndaj, ai nuk i takon vetëm trojeve ku jetoi dhe veproi, sepse jeta e tij simbolikisht theu kufij gjeografikë e kulturorë ndërmjet shqiptarëve. Përkundër disa shkrimeve që u bënë për të në disa gazeta, revista e libra, i la me borxh historianët, institucionet dhe mësimdhënësit e këtushëm, por jo vetëm këta, që t’i demistifikojnë skutat e pandriçuara të jetës e të punës së tij. Virtytet e tij na shtërngojnë të mendojmë se vepra e Gafurrit duhet të amshohet me themelimin e institucionit (çmimit, shpërblimit) kombëtar gjithëshqiptar për të drejtat e liritë e njeriut, bëmirësisë e atdhetarisë. Këtë ndershmërisht do të mund ta organizonin më së miri shoqatat simotra të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Kosovës e të Maqedonisë, mundësisht edhe të hapësirave të tjera. Kjo ngjarje fisnike do të kishte motive dhe efekte krijuese kulturore, studiuese e hulumtuese. Vitin e ardhshëm(1959) bëhen 60 vjet nga lindja e Gafurrit dhe 10 vjet nga vrasja e babait me të birin, Gafurr e Driton Loku. Nuk është vonë shoqatat që përkujdesen për pavdekësinë e figurave atdhetare të mendojnë meritën ndaj jetës e veprës së Gafurr Lokut, këtij Heroi të Shqiptarisë. Gafurri e tha fjalën e vet të fundit, ne duhet të mësojmë nga porosia e saj.
Burimet dhe dëshmitë:
• Letërnjoftimi i Gafurr Lokut në burgun e Idrizvovës
• Shaban Çupi “GAFURR LOKU (1949-1999)” f. 9, 10 dhe 11. Monogrfai dokumentare, Hani i Elezit-2003
• Faksimi nga aktgjykimi nr. 168 73
• Fjala e rastit e Mehmet Ballazhit zv.komandant i Brigadës 164 „Gafurr Loku” të UÇK-së në rivarrimin e dëshmorëve Gafurr e driton Loku, 29 gusht 2001
• Faksimil i vendimit për zgjerimin e hetimeve nr. 36 82
• Faksimil i vendimit për paraburgim i datës 14.03.1082
• Fadil Curri, ky tekst me pak modifikime është kumtesë nga Akademia Përkujtimore kushtuar Gafurr Lokut, mbajtur në Han të Elezit, Nga libri në dorëshkrim me tekste publicistike,komente e zhanre të tjera
• FLAKA, E hënë, 16 gusht 1999, f. nr. 6
• KOHA DITORE, 23 shkurt 1999
add a comment