Shemsije Elshani: Si dhe pse u “zhduk” fjala ime e mbajtur në Prishtinë për burgosjen e Ukshin Hotit
Në vitin 1994, kur u dënua Ukshin Hoti, u mbajt një mbrëmje protestuese në Shoqatën e Shkrimtarëve. Ndonëse me shumë pengesa nga menaliteti primitiv, arrita të marrë pjesë edhe unë. U mor vesh që mora fjalën:
– Mentaliteti primitiv të ha shpirtin, të djeg çdo ditë ngapak, kurrë nuk je i kuptuar, ku t’shkelësh është si të shkelësh në mina. T’ia lësh Ukshin Hotin një mentaliteti të tillë do të thotë që para se t’a ketë burgosur Serbia e kemi burgosur vetë ne… Heshtja e intelektualëve, duke filluar prej nivelit akademik në Prishtinë e deri te shkollarët e fshatit ndaj dramës së tij si politike e poashtu edhe asaj familjare, nuk është bonton as kulturë, është thjeshtë oportunizëm!
Është koha e fundit t’i emërojmë gjërat me emrin e tyre të vërtetë, pasi mbrojtja e një gënjeshtre të madhe kërkon edhe njëqind gënjeshtra tjera të vogla.
***
Profat akademikë bashkë me ish të burgosurit, që u ishin bashkuar, më shikuan si aliene. Njëri prej tyre më ftoi të pimë kafe. Prof Agim Vinca që mbante protokollin më shënoi emrin dhe mbiemrin tim Elshani.
– Shënoja mbiemrin e burrit të lutem… ndërhyri Myrvetja, motra e Ukshin Hotit… – që të mos kemi telashe me familjen e burrit të saj. Profi u habit, por nuk e zgjati dhe shënoi mbiemrin e fisit tjetër.
Si Myrvetja, e poashtu edhe prof Vinca, menduan që kjo fjalë e imja do të dilte në media dhe do të bëhej publike. Nuk ndodhi kështu. Një gazetar nga “Zëri i Kosovës” ma kërkoi tekstin që kisha lexuar. Një ndërhyrje nga një gazetare e gazetave tona në Prishtinë më pengoi që t’ia jepja atij. Përfundimisht, ia dhash tekstin asaj me premtimin që do ta nxirrte në gazetën ku punonte. Sot e atë ditë, ai tekst nuk u publikua kurrë! Më vonë e rikujtova tekstin dhe e shkruajta edhe njëherë. Ma kërkoi një gazetare tjetër në Tiranë. Sipas saj, për një arsye banale teksti u zhduk. Dhe për çudi emri im nuk figuroi as ndër emrat e atyre që morën fjalën në tubim.
-Nuk ju ke pëlqye… më tha Ukshin Hoti me humor.
– Mundet… thash. Dhe m’u kujtuan fytyrat e shtrembëruara të akademikëve, profesorëve e intelektualëve, të cilët s’e kishin pritur që një studente e tyre do t’ua përplaste të vërtetën kaq haptas në fytyrë…
add a comment