Me ndihmën e sovjetikëve
Grekët e donin edhe një shuplakë. Zgjidhja sugjerohet me anë të aleatëve të Bllokut Komunist. Për fat të mirë përfaqësuesi i Ukrainës Manuilski (Dimitri Manuilski, 1883-1959) ende nuk kishte marrë fjalën. Delegacioni shqiptar, me anë të Javer Malos, diplomat në përfaqësinë tonë në Francë, i dërgon natën përfaqësuesit të Ukrainës një numër dokumentesh të shoqëruara me shpjegime përkatëse.
Në seancën e 23 gushtit në konferencën e Paqes në Paris, përfaqësuesi i Ukrainës atakon grekët me bateri të rënda.
“Delegati grek pyeti se çfarë bënë shqiptarët kur italianët sulmuan Greqinë? Por më lejoni t’i pyes se çfarë bëri qeveria greke kur agresorët italianë sulmuan Shqipërinë?”, ishte batuta më e fortë. I njëjti paraqiti në konferencë një numër gazetash franceze të vitit 1939, që ngrinin lart rezistencën e shqiptarëve ndaj pushtimit.
“Kujtoj se Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Manuilski, e goditi edhe personalisht Kaldarisin. I tha:
“Ke qenë dhe mbetesh një fashist. Godet Shqipërinë në kufi me ushtrinë tënde. Është e vërtetë se shqiptarët u detyruan të ishin me italianët, por i kanë larë të gjitha gjynahet me luftë. Ata janë të nderuar dhe demokratë, ndërsa ti je një fashist në veprimet e tua aktuale”, rrëfen Myftar Tare thelbin e akuzave të ukrainasit. Sipas të njëjtit, ukrainasi ishte njohës i shkëlqyer i frëngjishtes dhe kur fjalimi i tij, i lexuar në rusisht, po përkthehej në këtë gjuhë, ndërhyri duke pretenduar se i kishin shtrembëruar argumentet, duke i lexuar edhe njëherë, këtë radhë në frëngjisht. Kjo ishte një lëvizje e fortë për të vënë në sedër mediat, si dhe lojtarët e palës kundërshtare. Pasi vendet nga vinin, që të gjitha, e kishin përkrahur luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve italianë më 1939.
Enver Hoxha largohet nga Konferenca më 16 shtator, pasi lëshon deklaratë për shtyp që e përmbyllte me fraza të forta: “As Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërtve, as çdo konferencë tjetër nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e Shqipërisë ku nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj”.
Por pas largimit të tij, grekët tentojnë më të keqen. Më 7 tetor, një javë para mbylljes së konferencës, Kaldaris u ngrit për të kundërshtuar artikujt 21 dhe 22 të Traktatit të Paqes me Italinë, që kishin të bënin me njohjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe ishullin e Sazanit, të cilin e quanin tokë greke. Por votat e delegatëve i thyejnë përfundimisht. “Grekët për çudi përballë këtyre kërkesave të pabesueshme patën kundër edhe aleatë të tyre, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Francën e gazetarëve që na mbështetën aq shumë, Norvegjinë dhe krejt shtetet e Bllokut Komunist”, flet në epilog të rrëfimit shoqëruesi i Enver Hoxhës. Përfundimisht shqiptarët dolën të fituar nga kjo Konferencë. Ata u rreshtuan zyrtarisht në anën e fituesve të Luftës së Dytë Botërore, shteti nisi të njihej anembanë globit, u fituan reparacione lufte nga Italia dhe grekët nuk mundën të ndërhynin në kufijtë territorialë shqiptarë që u vlerësuan si të paprekshëm.
Rrefime nga një prej shoqëruesit e Enver Hoxhës,Myftar Tare i cili kishte ardhur në Paris bashkë me Shefqet Musarajn dhe Vaskë Kolecin (gazetar).
add a comment