Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Ata që krijuan një shoqëri ku horrat gjejnë parajsën dhe të ndershmëve u bëhet jeta ferr na premtojnë sot demokraci, drejtësi dhe liri” – Analizë e një aventure groteske dhe fyese

“Pa të vërtetën për njerëzit, politika degjeneron në spektakël dhe demokracia rrënohet, duke lejuar kështu demagogjinë dhe cinizmin t’i zënë vendin”/  Xherri Braun*

Përveç shumë shkaqeve të tjera historike, shoqërore, psikologjike dhe ekonomike, një arësye madhore e zhgënjimit të popullit shqiptar gjatë këtyre tri dekadave ka qenë edhe shndërrimi në përmasa të frikëshme i politikës në demagogji, hile dhe në shfaqje aspak dobiprurëse. Në të gjithë botën veprimtaria politike shoqërohet nga këto shenja (simptoma), dhe të tjera, por për një popull të varfër dhe emocional si i yni këto “cilësi” të politikës bëhen akoma më të dëmshme dhe penguese drejt progresit.

Çfarë janë sot “Foltorja” dhe kundërfoltorja që sapo ka nisur në Shqipëri? Kush janë “oratorët” dhe “orakujt” e tyre dhe çfarë na premtojnë ata me përpjekjet që thonë se bëjnë për “shpëtimin” tonë? Normalisht, procesi politik dhe konkurrimi i individëve dhe grup-individëve në sistemin pluralist do të duhej të zhvillohej mbi bazën e nivelit kulturor të tyre, ideve dhe mendimeve që kanë ata rreth problemeve themelore që i intresojnë shoqërisë tonë. Mirëpo, gjatë këtyre tridhjetë viteve, në vend të ideve ne kemi dëgjuar akuza, në vend të mendimeve janë shfryrë mllefe, në vend të arësyes kemi parë të krekosen shëmtueshëm pasionet, konkurrimi i alternativave ua ka lëshuar vendin zhurmës së fyerjeve, shpifjeve dhe kërcënimeve, dialogu i intelektit është zëvendësuar me brutalitetin e instinkteve. Në vend që të kundërshtojmë idetë ne kemi luftuar individin si bartës i tyre, në vend të rreshtimit moral dhe parimor kemi zgjedhur reshtimin dhe militantizmin e grupit politik, krahinor dhe xhepmbushës.

Spekulimi, tallja dhe demagogjia me termin “popull” ka qenë dhe mbetet sjellje e vazhdueshme e shumicës së politikanëve hileqarë të të gjitha krahëve dhe, veçanërisht, e atyre politikanëve që e kanë mashtruar dhe dëmtuar më shumë interesin qytetar, popullor dhe kombëtar. Të flasësh në emër të të gjithë popullit, edhe kur je zgjedhur nga shumica e tij, është gabim dhe demagogji, por të flasësh në emër të popullit dhe të shqiptarëve edhe atëherë kur ata të kanë braktisur disa herë në shumicë është fyese dhe shpërfillëse për shumicën dhe kriminale për ata që të ndjekin.

Humbjet e zgjedhjeve politike disa herë radhazi dhe, veçanërisht, shpallja e Sali Berishës non-grata nga qeveria amerikane dhe, si pasojë dhe nën trysninë e saj, edhe përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i asaj partie sollën rreshtimet në dy grupime të “elitës” dhe të bazës së kësaj partie. Në të dy grupimet, atë të “Foltores” dhe në të “kundërfoltores”, bëjnë pjesë individë që kanë qenë aktivë në skenën politike të këtyre tridhjetë viteve, që kanë qenë bashkë në zullumet, padrejtësitë dhe fatkeqësitë që iu kanë shkaktuar shqiptarëve, që e kanë “dashur” njëri-tjetrin, e kanë brohoritur, inkurajuar dhe mbrojtur pa droje edhe kur kanë shkelur turpshëm moralin shoqëror apo parimet demokratike, kur kanë shkelur ligjet dhe kanë kryer krime.

Tani ata na hiqen sikur po ndahen për parime dhe ideale dhe po sakrifikohen për të mirën tonë. Tani që kanë ndryshuar rrethanat dhe po ngushtohet laku, ata “nuk” janë më ata të parët. Glorifikimet dhe përbetimet reciproke ua kanë lënë vendin talljeve, akuzave, poshtërimeve dhe etiketimeve. Secila gjysëm e shpall gjysmën tjetër “në shërbim të Edi Ramës” dhe të dyja bashkë e shpallin Kryeministrin dhe partinë në pushtet si “e keqja më e madhe dhe e vetme e Shqipërisë”. Ata të Foltores, deri dje e quanin Bashën politikan perëndimor, i suksesshëm etj. dhe marrëveshjen e vitit 2017 me Ramën e vlerësonin si “të shkëlqyer”, ndërsa tani e shpallin Bashën si politikan dhe drejtues i dështuar, i paaftë, i shitur dhe marrëveshjen e lartpërmendur e çmojnë si pengmarrje të L. Bashës nga z. Rama. Gjysma tjetër, ajo e Kundërfoltores, deri dje bënin be në kokën e S. Berishës, e konsideronin “lideri historik”, themeluesi i shkollës së tyre politike, një aset i PD-së dhe i krejt Shqipërisë, demokrat 24 karatësh e të tjera përralla zbavitëse, ndërsa tani na thonë se Sali Berishës i ka kaluar koha, nuk e lidh gjë me PD-në, i ka përdorur dhe po i përdor PD-në dhe forumet e saj politike vetëm për interesa vetjake etj.etj.

Pse janë kaq të zemëruara sot dy gjysmat e mollës së kalbur PD?! Për shkak të parimeve dhe ideve të ndryshme që mbrojnë? Jo! Për shkak të keqardhjes për gjendjen e vendit, mungesën e shtetit ligjor dhe të optimizmit qytetar? Kurrësesi! A i ndan ata meraku për gjendjen në të cilën ndodhet vendi apo hidhërimi dhe zemërimi për mosarritjen e pushtetit dhe të privilegjeve që ai sjell? Sigurisht, që ky i dyti. Po të vihet re me kujdes, shumica e atyre të “Foltores” nuk e akuzojnë Bashën për shkelje të parimeve demokratike dhe për korrupsion, gjëra që i ka dhe që dëmtojnë interesin e përgjithshëm shoqëror, por thjesht pse nuk ka qenë i zoti t’i sillte në pushtet, gjë që ka prekur vetëm interesat dhe aspiratat vetjake të tyre. Nga ana tjetër, “Kundërfoltorja” duket sikur i thotë Berishës: “Ti je burrë i mirë, je ati ynë shpirtëror e politik, por s’kemi çfarë bëjmë sepse, jo vetëm nuk të do Amerika, ndoshta krejt gabimisht dhe pa të drejtë, por ajo nuk na lejon as ne të vijmë në pushtet duke të mbajtur sërish në gjirin tonë. Pra, e kemi nga halli dhe jo nga malli”.

Ata që disa herë iu ishte besuar e sotmja dhe e ardhmja e vendit dhe po aq herë dështuan, ata që shumë herë dhe pa pushim, për tre dhjetëvjeçarë rresht, iu frynë borive të demokracisë, lirisë e drejtësisë dhe po aq herë u sollën dhe vepruan si “minues” të tyre, nuk mund dhe as duhet t’u  besohet se kanë hallin tonë dhe po digjen nga meraku i ardhmërisë sonë. Ata i ka ndarë pamundësia për të ardhur në pushtet dhe padurimi për të përfituar prej tij, por i ka ndarë edhe lakuriqësia e “mbretit”. Mbreti i tyre ka qenë lakuriq dhe këtë e kanë pikasur me kohë shumica e shqiptarëve por, kur shumica e shqiptarëve i kthenim shpinën mbretit të tyre dhe ndjekësve të tij, togerët e “Foltores” dhe kapterët e “Kundërfoltores” së sotme na mallkonin duke pretenduar se mbreti i tyre, ati i tyre shpirtëror dhe themeluesi i shkollës së tyre politike, ishte i veshur me kostume firmato perëndimore. Kur forca madhore perëndimore iu vuri kusht që me mbretin e tyre lakuriq as do të respektoheshin, as mund të gjenin partnerë në Perëndim dhe kishte të ngjarë “të hanin bar” edhe nja njëzet vjet të tjera, atëherë iu filluan dhimbjet e barkut, dhimbjet e kolltukut dhe dhimbjet e xhepave dhe prandaj “e braktisën” mbretin. Mbreti rrëmbeu shpatën e aventurës dhe heshtat e marrëzisë dhe u betua se do t’i fillonte betejat edhe një herë si dikur, si atëherë kur këto forcat madhore të Perëndimit i kishte në krahë duke e ndihmuar pa rezerva dhe pa kushte.

Të dy gjysmat betohen e stërbetohen se kanë hallin e popullit dhe flasin në emrin e tij. Merreni me mend kur Sali Berisha i sotëm flet ende për parime e ideale, duke u shprehur se “PD është shtëpia e lirisë, e djemve dhe e vajzave, burrave dhe grave që njohin tolerancën si virtyt… Tek ne shohin shpresën për një ndryshim të vrullshëm të Shqipërisë. Ne garantojmë tregun, zhvillimin dhe integrimin e pandalshëm, liri dhe të drejta të garantuara… Ky entusiazëm dhe angazhim buron nga idealet dhe virtutet tuaja…”. Mos qesh po deshe me guximin dhe besimin e këtij paraku dhe ndjekësve të tij se me këto fjalë e premtime do të na shuajnë kujtesën për gjithçka kanë bërë ata në tridhjetë vjet. Ata që kanë kontribuar më së shumti në krijimin e një gjendjeje të tillë shoqërore dhe politike ku horrat gjejnë parajsën dhe të ndershmëve iu bëhet jeta ferr, na flasin dhe premtojnë demokraci, drejtësi, liri dhe “blegërima” të tjera ndjellëse dhe mashtruese. Kjo aventurë groteske dhe njëkohësisht fyese të kujton thënien e Filip van der Veken se “Një ujk i maskuar si dele nuk mund të diktohet nga blegërimat e tij të këqija, por nga bajgat që ka lënë mbrapa”.

Në emër të të gjithë shqiptarëve na flet edhe kryetari i “Kundërfoltores”, z. Basha duke shpallur Kryeministrin dhe shumicën qeverisëse si “e keqja e vetme dhe më e madhe e Shqipërisë, armiku i gjithë shqiptarëve” dhe përralla të tjera nga libri i kotësive. Në emër të popullit nuk duhet të guxojë të flasë askush, për shumë arësye. Politikisht, intelektualisht, kulturalisht dhe emocionalisht populli nuk është gjithmonë i njëjti. Jo vetëm pse ndërrohen brezat por, kryesisht, sepse populli manipulohet dhe vetëgënjehet në rrethana të caktuara. Pra, kemi “tjetër popull” në disa rrethana dhe një “të dytë” kur ndryshojnë rrethanat, kemi një popull përpara dhe gjatë manipulimit dhe një “popull tjetër” kur ai bëhet “esëll”, domethënë i del narkoza e manipulimit, kemi një popull që s’i ka provuar ende politikanët dhe partitë e reja dhe një “popull të ndryshëm” pasi i ka provuar e njohur dhe është zhgënjyer prej tyre.

Përveç dy gjysmave politike të lartpërmendura që spekulojnë me fjalën popull, këtë gjë e kanë bërë dhe po e bëjnë edhe “gazetarët e Pavllovit”. Qeni i Pavllovit vraponte drejt derës ku dëgjohej zhurma e ziles dhe, nën efektin e instinkteve, lëshonte sekrecione, i shkonte goja lëng, duke besuar se aty do të gjente edhe mish, pavarësisht se kjo s’ishte e vërtetë. Ndërsa “gazetarët e Pavllovit”, sapo ua mbyll derën e favoreve një pushtet, të orientuar nga “instinkti i xhepave”, vërsulen drejt atyre që i dëgjojnë të bëjnë zhurmë duke iu krijuar iluzionin se po vijnë në pushtet dhe pastaj do të ofrojnë “mishin e xhepave”.

Gazeta “Koha Jonë”, e cila realisht ka qenë gjithnjë koha e të zotit të saj dhe jo e shqiptarërve, dikur nuk ka lënë gur pa luajtur për të larguar Sali Berishën nga pushteti si “autokrat, diktator, antidemokrat, vrasës, hajdut, kriminel” etj. dhe, për këto arësye Berisha i pati burgosur, rrahur e sakatuar fizikisht dhe u pati djegur redaksinë. Tani kjo gazetë na thotë se “Berishën nuk e do Amerika por e kërkojnë shqiptarët… Berisha mbetet e vetmja shpresë demokracie… Ka nevojë që kjo lëvizje e inicuar nga Berisha të përhapet e të kthehet në ortek popullor”.

Pra, përveç se kërkon të manipulojë mendjet e shqiptarëve duke identifikuarr një pjesëz të anëtarëve të PD-së me krejt popullin shqiptar, “gazetaria e Pavllovit” e shpall “diktatorin dhe kriminelin” e dikurshëm si të vetmen shpresë të demokracisë së sotme. Guximi i këtyre lehësve i lë prapa qentë e Pavllovit. Është e drejta e tyre të përjargen sa herë dëgjojnë “zilen” e Sali Berishës dhe imagjinojnë pushtetin e tij të ardhshëm me privilegjet që do të mund t’iu sillte. Njëlloj si zilja pa mish e Pavllovit.

 

* Jerry Brown – Ish – governator i Kalifornisë në SHBA.  (DITA)