Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXVIII) – Çegrani – fshati i shtëpive të mbyllura dhe i kampit të Çegranit

Çegrani është fshati më i madh në R. e Maqedonisë së Veriut. Ndodhet në Pollogun e Epërm, rrëzë të Malit të Thatë dhe në bregun e djathtë të lumit Vardar, jo larg autostradës Shkup – Ohër. Është larg qendrës komunale, qytetit të Gostivarit, vetëm 7 km. dhe larg Tetovës 24 km.
Për herë të parë Çegrani përmendet në defterët e administratës Osmane në vitin 1464. Në vitin 1453 në Çegran e rrethinë është zhvilluar Beteja e Pollogut mes forcave shqiptare, nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe ushtrisë osmane. Në vitin 1913 forcat serbe i kanë vrarë mizorisht 37 shqiptarë të këtij fshati dhe i kanë hedhur në lumin Vardar.
Në fillim të shek. XIX Çegrani ishte fshat shqiptar që i përkiste nahisë së Gostivarit dhe kazasë së Tetovës. Në vitin 1900 kishte 900 banorë, kurse në vitin 1929 ishte shpallur qendër e komunës për pesë fshatra të Pollogut të Epërm, kur kishte 234 shtëpi dhe 1364 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 2002, Çegrani kishte rreth 2000 familje me 9000 banorë, të gjithë të etnisë shqiptare. Por, për shkak të ndjekjeve politike e të diskriminimit nacional, dhe të papunësisë e kushteve të vështira ekonomike, më shumë se gjysma e popullsisë së Çegranit jetojnë jashtë vendit, në shtetet e ndryshme evropiane. Më shumë se gjysma e shtëpive të Çegranit janë të mbyllura. Fshati është zbrazur e po zbrazet vazhdimisht, për të mbetur nesër me fare pak banorë.
Dy herë Çegrani ishte shpallë komunë, në vitin 1929 dhe në vitin 1996. Nga viti 1996 e deri në vitin 2004 Çegrani e kishte statusin e qendrës komunale, por me ndryshimin e ligjit për qeverisjen lokale, komuna e Çegranit iu ka bashkangjitur komunës së Gostivarit.
Çegrani është fshat i traditave e zakoneve të vjetra, të cilat ende kanë rol dhe rëndësi të madhe në shoqëri. Në fshat funksionon shoqëria kulturore artistike “Jahi Hasani”, e formuar në vitin 1974, që ruan, kultivon dhe paraqet vlera dhe tradita artistike e kulturore të fshatit dhe të rrethinës. Janë karakteristike sidomos vallet dhe këngët e Pollogut, që ruhen e kultivohen me kujdes. Ka shumë vite që Çegrani dhe Forina kërkojnë ndërtimin e Pallatit të Kulturës, por kërkesa është anashkaluar. Që nga viti 1973 Çegrani e ka edhe klubin e futbollit “Arsimi”. Në fshat vepron edhe klubi i xhudos. Thuhet se nga Çegrani ishte Milaim Pelivani, kampion botëror në mundje në Lojërat Olimpike të vitit 1939 në Çikago. Fshati tashmë e ka fushën e re të futbollit dhe sallën e sporteve, shumë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive sportive.
Banorët e fshatit Çegran kanë jetuar kryesisht nga bujqësia. Tokat e begatshme të Çegranit ndodhen në të dy anët e lumit Vardar dhe mundësia e ujitjes së tyre krijon kushte shumë të mira për prodhimtari të lartë bujqësore. Pos tokës së punueshme fshati ka edhe kullota e pyje të pasura. E keqja është se nga viti në vit banorët e Çegranit, si dhe të fshatrave tjera, po heqin dorë nga punimi i tokës, sa tash llogaritet se janë duke u punuar vetëm rreth 10 për qind e tërë sipërfaqes bujqësore. Bujqit ankohen për mungesë të tregut dhe për mungesë të pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale.
Në Çegran, më saktë mes Çegranit e Forinës, në Rudinat rrëzë të Malit të Thatë, në vitin 1999 është ngritur kampi për refugjatët kosovarë të luftës. Në këtë kamp, të cilin NATO e kishte ngritur për 60 mijë persona në një kohë rekorde, vetëm për 6 orë, ishin strehuar rreth 55 mijë shqiptarë. Mirënjohje për fshatrat Çegran e Forinë, pastaj edhe për qytetarët e Gostivarit e rrethinës, të cilët në atë kohë i kishin hapur dyert dhe zemrat për refugjatët e luftës nga Kosova, duke i strehuar edhe nëpër shtëpitë e veta rreth 12 mijë persona. Në kujtim të kampit sot është ndërtuar një shesh me emrin “Kosova”, në mesin e të cilit valon një flamur kombëtar dhe ku, herë pas here, organizohet shënimi i përvjetorëve të dëbimit të popullsisë së Kosovës dhe vendosjes së tyre në fshatin e tyre. Për mikpritjen, bujarinë dhe mbështetjen vëllazërore ndaj qytetarëve të Kosovës ish-kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Çegranin e ka dekoruar me “Urdhrin e Lirisë”.
Çegrani, si fshat i madh, ka pasuri dhe vlera të mëdha njerëzore e ekonomike, trashëgimi arkitektonike, folklor burimor autokton, bukuri të pamatshme natyrore…