Histori

Kadri Rexhaj: Hasan Prishtina – Kolos i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë

(Në 83-vjetorin e vrasjes së atdhetarit demokrat Hasan Prishtina)
“Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet Kombi im”
“Unë kam me kenë njeni, e ndoshta i pari i atyne, qi kam për ta ngrehë flamurin e kryengritjes…”
“Në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”.
“Akuza, shpifje, kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësuar kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mi le të janë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me shtrue vetën vdekja”
“Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë
dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!”
Hasan Prishtina
*
T’U DALIM ZOT TROJEVE TONA STËRGJYSHORE
(Fjalim i Hasan Prishtinës, mbajtur më 5 maj 1912, në Drenicë, në kullën e atdhetarit Ahmet Delia)
Të dashur vëllezër! Nata pesëqindvjeçare aziatike po kalon. Perandoria e kalbur po shembet. Fuqitë e mëdha evropiane po bëjnë plane djallëzore. Fqinjët grabitqarë po i mprehin thikat për të na rënë pas shpine. Populli ynë gjendet para një fataliteti. Nga çdo anë na kanoset rreziku. Të bëhemi syçelë e vigjilentë. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. T’i mbrojmë qysh i kemi mbrojtur gjithmonë, me gjak. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, si një grusht i vetëm. Unë e braktisa Parlamentin e ndyrë turk. Tri vjet i kalova në të dhe çdoherë i pakënaqur. Aq haptas i kundërshtoja, saqë më quanin deputet kryengritës. U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: E bëmë Alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit. Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Por, të pabesët, turqit e rinj, na tradhtuan. Nuk i realizuan premtimet. Kabineti i Hilmi Pashës i mohoi të gjitha. Ai vetë pat deklaruar para deputetëve se: Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në Perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbët, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës. Të gjitha këto i kundërshtova ditën e enjte, më 11 janar 1912, kur u mblodh Parlamenti. Aty i pata paralajmëruar haptas: Po nuk u përmbushen kërkesat tona, do të plasë revolucioni. E ndër të parët që do t’i rrok armët do t’jem unë. Si sinjal të kryengritjes e pata lënë: “Kur t’i mbathi opingat e të dal në Drenicë”. Dhe, e mbajta fjalën. I shita të gjitha magazet e mia në Shkup, se na duhen para dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë Turqisë. Të pranishmit u pajtuan njëzëri. U betuan sipas tekstit që e kishte hartuar vetë Hasani, në të cilin thuhej: “Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoft nevoja kemi me i ba kurban me duart tona robët e fëmijët tanë.
O GURAKUQ, IDEALIN TËND ASNJË FORCË NUK DO TË MUNDET TË NA E SHUAJË..!
(Fjalimi i Hasan Prishtinës në varrimin e Luigj Gurakuqit)
Hasan Prishtina u ndodh në Itali kur u vra Luigj Gurakuqi, madje ai ka mbajtur fjalën mortore në ceremoninë e varrimit të atdhetarit Gurakuqi, në Bari të Italisë, në mars 1925.
Lexojeni të plotë fjalimin e Hasan Prishtinës:
Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm.
Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë.
Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!
O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.
Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë