Ekonomi

GREVA E MINATORËVE MUND TË KUPTOHET EDHE SI KËRKESË PËR MBYLLJEN E TREPÇËS APO BRAKTISJEN E KEQMENAXHIMIT ME RESURSET MINERARE?

 Kaosi në sektorin minerar, i krijuar për më shumë se dy dekada, veçanërisht në Trepçë, ka rezultuar me rrënim total të kapaciteteve metalurgjike dhe degradim të minierave deri në nivelin e një gërmimi të pistë të nxjerrjes së metaleve të çmuara. Ndërsa, ndërpreja e aktivitetve minrerare si rezultat i grevës së minatrorëve, mund të rezultojë me pasoja të mëdha në rrafshin politik dhe ekomik në Kosovë dhe më gjerë.

Historiani Dan Snou përmes një vështrimi të bërë vite më parë për BBC, lidhur me modelin e shfrytëzimit neokolenial të mineraleve, na rikujtonte se Republika Demokratike e Kongos është ndoshta një nga vendet më të pasura në botë, por kolonializmi, skllavëria dhe korrupsioni e kanë bërë atë një nga vendet më të varfëra. Ai thoshte se klima e biznesit minerar atje “është neveritëse”. Nga ai përshkrim i tij i gjatë, modeli i ekploatimit të mineraleve atje, me gjasonte shumë me atë në Republikën e Kosovës.  Pra, edhe tek ne, si në Republikën e Kongos, në vend të modernizimit, mekanizimit, automatizimit me koncesione dhe përafrimit të skemave tekniko-teknologjike më kërkesat e tregut unik dhe standardeve të BE-së, është zgjedhur modeli i “rrafshimit me zerro” të kapaciteteve metalurgjike dhe gërmimit të pistë minerar. Pra, është e qartë se kjo ka ngjarë! Pasi që biznesi më i madh xehetaro-metalurgjik Trepça ka degradur në nivelin e një gërmimi të mineraleve nga një grusht minatorësh, të cilët mezi po arrijnë të sigurojnë ndonjë maune koncentrat, për “boset” e nëntokës. Në rastet e gërmimit kaq të pistë, qeveritë nuk do të duhejë të ishin indiferente! Sepse, me nivele të tilla operimesh dhe me një Trepçë të sulmuar politikisht e etnikisht, jo vetëm që kanë rezultuar me nivele fëmirore të zhvillimit të sektorit meatalurgjik e minerar, por në të njëjten kohë po rrezikojmë edhe me ndarjen e Republikës së Kosovës.

Qeveria nuk do të duhej të rrinte e heshtur, në kohën kur greva aktuale e minatorëve ka eskaluar deri në kërkesat për mbylljen totale të Trepçës! Kjo indiferencë e akterve relevantë si dhe kërkesat për mbyllje të Trepçës nga politikologu Smajlaj, seç me solli në kujtesë E. Çershkov-in, një nga dijetarët më të informuar të kohës antike. Ai, ndërprerjen e aktivitetve minerare dhe metalurgjike në shekullin e IV-të, në lokalitetin e Soçanicës, (e cila ishte qendra më e rëndësishme metalurgjike e Dardanisë, e ndërlidhëte me fillimin e shkatërrimit të Perandorisë Romake. Sipas tij, ndërprerja e këtij aktiviteti nuk bëhej për shkak të harxhimit të rezervave minerare, por për arsye të gjendjes kaotike të Perandorisë Romake, pra “jo mungesë e metaleve por mungesë e eksploatuesve”. Ndërsa, politikologu Smajlaj, tha “Trepça duhet të mbyllet!”. “… kjo për shkak të ndërhyrjeve për interesa të ngushta si dhe për shkak të mungesës së dijes, vizionit, e politikave për menaxhim të resurseve”. Një konstatim i tillë, i z. Smajlaj është i pasaktë, sespe ndërprerja e aktiviteteve minerare, dhe atë vetëm në njërin nga vendburimet minerare të Dardanisë, edhe atëherë, si sot, tregon se minierat janë kapur nga “perandoria e korrupsionit dhe keqmenaxhimit”, të cilat  edhe atëherë, si sot, për mision kanë pasurimin e lehtë të vetëm një pakice oligarkësh.

Si dhe pse po ngjan kjo?

Kjo po ngjan nga se Kosova edhe pas luftës çlirimtare të UÇK-së, politikëbërjen në sketorin mineraro-metalurgjik ia ka lënë në dorë një grupi “ekspertësh titoistë”, të indoktrinuar me ideologji “metalostrugarçe”. Zgjedhja e koncepteve të tilla vetëshkatërruese nuk është e rastësishme, sepse “bosët e bizneseve minerare” përveç luftës për monopole, ata janë edhe mjeshtër të krijimit të krizave dhe kaosit. Kjo, nga se përfitimin më të madh e kanë nga krijimi i krizave. Shihni se si, pas çdo ndërprerjeje të aktiviteteve minerare, po pasurohet “mafia e mineraleve”.

Pra, kaosi, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i Trepçës dhe përgjithësisht sektorit minerar, nuk është si pasojë mungese e dijes, eksperiencës, ose dhe e ndonjë defekti të brendshëm të shqiptarëve, por kjo po ndodh për shkak se është në interesin e të fuqishmëve, Nëse, i kthehemi kujtesës, jo më larg se në vitet e nëtëdhjeta të shekullit të kaluar, Bjeliçi, këshilltari kryesor për miniera i kyekriminelit Milosheviç (siç do të deklaronte), për këshilltar kishte “kuadrot” e trajnuar në shkollën politike të Kumrovcit. Në momnetin, kur minatorët kishin refuzuar “masat e dhunshme”, që i kishte sjellur aso kohe Kuvendi i Serbisë, edhe ai kishte sjellur konzerciume e kompani nga Serbia, Greqia me arsyetimin, se shqiptarëve ju mungon dija dhe eksperienca. Pra, për fatin e keq të Kosovës pikërisht këta dhe ky mentalitetet po vazhdon të dominojë që nga ajo kohë. Në kohën e Kushner-it, sektori minerar mbeti në duart e të njëtit grup“ekspertësh”, të cilët fillimisht shpikën “zjarrin” si arsye për rrënimin e  Metalurgjikut të Zingut, e më pas gjithë atë kompleks gjigant e shitën për skrap. Si për ironi të fatit, të njëjtit, dhe në të njëjtën kohë ishin këshilltar edhe të Kushnerit edhe të Bjeliçit. Ata, fillimisht me ndihmën e të gjeturave të diskutueshme të një komapnie franceze, urdhëruan ndaljen e aktiviteteve metalurgjike në Metalurgjinë e Plumbit dhe më pas vendosën kufirin mbi lumin Ibër. Pra, kjo perandori “korrupsioni e krimi” vazhdoi edhe pas ikjes së Kushnerit dhe Bjeliçit, dhe përmes infiltrimit të tyre “brilant” janë ngritur deri në nivelet e menaxhimit me të gjitha pasuritë e Kosovës.

E para, thirrja e politikologut Smajlaj që “Trepça të mbyllet”, do të duhej të zëvendsohejë me kërkesën për rënien e “perandorisë së korrupsionit dhe keqmenaxhimit”, e cila ka më shumë se dy dekada që ka kapur sektorin minerar dhe për ditë e më shumë po e mbytë shpresën për një zhvillim të qëndrueshëm.

E dyta, Kosova ka eksperiencë ndërë më të ndritëshmet në rajon për eksploatimin dhe valorizimin e metaleve me ngjyrë. Këtë dije e kemi të trashëguar që nga Dardania antike. Burimet e shkruara nga autorët antikë, siç janë Plini, Straboni, Çershkovi, etj. dëshmojnë se aktivitetet minerare dhe metalurgjike në Dardani kanë vazhduar edhe në kohën e pushtimeve romake, bizantine, osmane, serbe, gjermane, dhe jugosllave. Kjo, jo për faktin se këto regjime kanë pasur qasje miqësore ndaj të pushtuarëve-shqiptarëve, por për atë se vendburimet minerare të Trepçës përfaqësonin njërin nga faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të rajonit dhe përgjithësisht të civilizimeve njerëzore. Plini në veprën e tij Naturalis Historiae ndër të tjera shkruan: “… kur erdhën romakët,  burrat mbajnë në llërën e sipërme të dorës rrathë ari, që vinin nga Dardania, dhe prandaj quheshin dardane”. Ndërsa, Straboni shkruan: “… se në afërsi të Damastionit (në Dardani) gjenden minierat e argjendit.” Këtu janë farkuar edhe monedha prej argjendi (prej vitit 395-320 para Krishtit) me mbishkrim DAMASTION. Sa për rikujtim, edhe para viteve të tetëdhjeta, Trepça ishte gjigant me 22000 të punësuar, që prodhonte; koncentrate të plumbit e zinkut, plumb të rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ar, bismut, zink elektrolit, kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra super-fosfate, akumulatorë, bateri nikel-kadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte llamarine, materiale elektro-kontakti, vagoneta, elektro-lokomotiva për xehtari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehtari e produktet të tjera. Ajo, e tillë çfarë ishte, për RSFJ-në paraqiste më tepër se sistem ekonomik, ngase ajo ishte gjigant ekonomik i përmasave rajonale, duke u radhitur në vendin e 5-të të eksportuesve më të mëdhenj. Pra, problem nuk është se na mungon eksperienca, por përzgjedhja e modeleve dhe njerëzve të gabuar për menaxhimin e resurseve minerare. Por, megjithatë, e kaluara e afërt na mëson se sa herë është aktualizuar çështja “Trepça” pasojat në rrafshin politik kanë qenë me efekte të mëdha shkatërruese dhe, si gjithmonë, duke krijuar pasoja për rajonin e Ballkanit e më gjerë. Kështu që, me gjthë dhembjet dhe humbjet që po pëson Kosova, kjo gjendje kaosi në sektorin minerar dhe përgjithësisht në industrinë metalurgjike, do të duhej të ishte fundi i kësaj “perandorie keqmenaxhimi e korropsioni”, nga se  “Trepça është amanet që fle dhe zgjohet me Kosovën shqiptare” .

Drenas, 02.08.2024