Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Politikë dhe qeverisje e degraduar deri në degjenerim

POLITIKË DHE QEVERISJE E DEGRADUAR
Që në krye të këtij vështrimi dua t’ju them se komentet, reagimet dhe kundërshtimet për mënyrën se si po qeveriset komuna e Vitisë dhe për mënyrën se si po administrohet dhe shpenzohet paraja publike u takojnë partive politike dhe të zgjedhurve të tyre në Këshillin komunal. Por, edhe mua, duke qenë banor dhe qytetar i kësaj komune, më takon t’i them dy – tri fjalë për çështjen e qeverisjes në këtë komunë…
Qeverisja me komunat është e rregulluar me ligjin për qeverisjen vendore dhe me ligjet tjera në fuqi. Me këto ligje janë përkufizuar edhe kompetencat dhe përgjegjësit e komunave, siç janë të definuara edhe marrëdhëniet e pushtetit vendor (komunave) me pushtetin qendëror. Që këtu, te ligjet, e kanë burimin një varg deformimesh që auditorët (revizorët), edhe kur i evidentojnë, nuk merret kush me shqyrtimin ose korrektimin e tyre. Komunat në sistemin e qeverisjes të Republikës së Kosovës kanë “fituar” statusin e principatave, kurse kryetarët e komunave janë bërë princërit e tyre me autonomi dhe pushtet të pakontrolluar nga pushteti qendëror dhe nga organet që do të duhejë të mbronin interesat shtetërore, ekonomike, mjedisore e publike përgjithësisht!
Që kur nisi procesi i privatizimit, në fakt trafikimit dhe kontrabandimit të pronës dhe të pasurive të Kosovës, erdhi duke u krijuar dhe stabilizuar opinioni se prona dhe pasuritë e Republikës së Kosovës, me një të shpallur “pronë dhe pasuri shoqërore”, janë prona dhe pasuri pa zot! Si të tilla u nxorën në “ankand” dhe u shitën, u stërshitën, u përvetësuan dhe u trafikuan (u bënë rrushekumbulla) nga ata që e kontrollonin kētë proces kriminal dhe rrënues për bazën ekonomike të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar! Kultura dhe praktika e pandëshkueshmërisë ka lëshuar rrënjë në këtë copë Atdhe, të shkëputur mizorisht nga Trungu dhe të çliruar me lumenj gjaku!!
Nga ky proces i trafikimit dhe kontrabandimit të “pronës dhe pasurive shoqërore” doli i pasuruar dhe fuqizuar një grup i njërëze të politikës ose të atyre që ishin të lidhur me politikën (kryesisht ata që ishin me lidhje dhe rrënjë në politikën e vjetër)! Ky grupim njerëzish, pasi kapën pronën dhe pasuritë e Kosovës shqiptare, kapën edhe partitë politike, pushtetin dhe sistemin!! Sot, pasojat e këtij procesi kriminal janë të dukshme dhe të prekshme për secilin qytetar: varfërimi i vendit, shpopullimi (ikja nga vendi), çoroditja e shoqërisë në shumicën e segmenteve të jetës ekonomike, politike, kulturore, etj.. Në vend të shkencës dominon dhe “drejton” religjioni, në vend të diturisē dominon obskurantizmi fetar, në vend të kulturës dhe artit dominon vulgarizmi dhe shundi, etj..
Kultura dhe mendësia (e krijuar edhe me kontributet e pranisë “ndërkombëtare”) se pasuritë e Kosovës dhe “prona shoqërore” janë plaçkë për t’u grabitur dhe përvetēsuar s’mund t’i linte të paprekur edhe të “zgjedhurit me votën e popullit”! Ç’është e vërteta edhe sistemi zgjedhor është krijuar dhe përshtatur me logjikën dhe kutin e procesit të “privatizimit”, trafikimit të pasurive dhe të pronës “shoqërore”!! Me këtë sistem zgjedhor populli (votuesi) është i “formatuar” të zgjedhë, votojë vetëm kandidatët që përzgjedhen në shoshën dhe në sitën e atij grupimi (komuniteti) që doli nga procesi i grabitjes së pasurive të popullit të Kosovës! Prandaj, nuk është detyrë e lehtë të korrektohet sistemi i ndërtuar me “standardet” e tyre dhe deformimet që prodhon ky sistem I korruptuar dhe degjeneruar në gjenezë…
Kthehemi aty ku e nisa, te komuna e Vitisë!
Qeverisja e kēsaj komune, si shumica e komunave tjera, është më afër arbitrariteti se ligjit! Vullneti i kryetarit është i padiskutueshëm për vartësit e tij, që kryesisht janë anonim dhe pa kompetencën që kërkon sektori ose drejtoria përkatëse!! Harmonizimi ose përputhja e ideve, propozimeve, projekteve dhe investimeve me legjislacionin në fuqi nuk çon peshë në këtë komunë! Interpretimi i ligjit sipas rastit dhe interesave të pushtetarëve dhe grupeve me ndikim (kjo edhe për shkak të “elasticitetit” të ligjeve në fuqi dhe për shkak të mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatueshmërisë së ligjeve nga komunat) ka degjeneruar në shkallë të gjerë qeverisjen vendore…
Mënyra dhe se si zënë punë njerëzit në administratë, në arsim, shëndetësi dhe sektorë tjerë, ku ka dorë komuna, dhe si administrohet me këta sektorë do të përbënte skandal dhe penalitet edhe në vende shumë më të prapambetura se ky yni!
Rreth 4 000 hektarë tokë, kryesisht e klasit të parë, madje edhe në komasacion, është zënë dhe vazhdon të zihet me shtëpi dhe objekte afariste (hekur e beton!) në kundërshtim me ligjet në fuqi, kurse pushteti vendor nuk ka as sy për të parë dhe as vesh për të dëgjuar!? Veç kësaj, komuna, në vend se të ndalonte dhe të merrte masa për rrënimin e tyre, merr rolin e asistimit, duke ua asfaltuar rrugët dhe duke ndërtuar kanalizimin, etj.! Jo rrallë është komuna që i paraprinë zënies së tokës së bukës me afaltimin e rrugëve të fushës më pjellore që ka komuna e Vitisë!! Edhe në këtë komunë është përvetësuar dhe vazhdon të përvetësohet prona komunale me lloj-lloj marifetesh (me dokumente kadastrale dhe aktgjykime të falsifikuara, por edhe të lëshuara nga gjykata të Serbisë, etj..)! Ndërtimet në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe në kundërshtim me planin urbanistik janë gjë e rëndomtë dhe e papenguar edhe brenda perimetrit të qytetit të Vitisë!
Nuk janē të pakëta rrugët që ndërtohen dhe asfaltohen (kuptohet të një cilësie të dobët!) me fonde publike, por që nuk i duhen kujt, janë rrugë të panevojshme dhe të papërdorshme! Ka rrugë që i kanë kushtuar komunës qindëra mijëra euro, por nuk janë përfunduar ose nuk mund të shfrytëzohen, sepse ka dalë dikush dhe e ka zënë ose e ka mbyllur rrugën, kurse komuna hesht, e “miraton” mbylljen e rrugës që është ndërtuar me paratë e taksapaguesve!?
Në një vend, që është vendi më i ulët në territorin e komunës së Vitisë (Budrikë), komuna, bashkë me pushtetin qendëror, ka ngritur një “zonë industriale”!! Të bësh zonë industriale në atë vend, o duhet të ishe i marrë, o i korruptuar! Për habinë e qytetarëve për inaugurimin e kësaj marrëzie, në vend se të inicoheshin hetime, çohet e vjen Kryeministri me Ministren!? U zu me një “zonë industriale” vendi ku me një të tretën e atyre shpenzimeve mund të bëhejë liqe i mrekullueshëm, ku do të freskoheshin dhe do të pushonin qytetarët, liqe që do të ndikonte mirë edhe në kualitetin e mjedisit…
Janë bërë rrjete kanalizimesh (jo aq të mira!) për ujëra të zeza në të gjitha fshatrat e kësaj komune, por nuk është bër as një gropë septike! Impiant jo se jo! Ujërat e zeza derdhen në përroska, në Moravë dhe në ara e livadhe, duke helmuar ujërat, tokën dhe mjedisin!!
Mbledhja dhe deponimi i mbeturinave nuk është as i përafërt me nevojat dhe sasinë e tyre… Nuk ka përroskë, lum, lēndinë e fushë që nuk është bër “deponi” plehrash, mbeturinash organike dhe të ngurta, të tretshme dhe të patretshme! Zotëron plastika (shishe, qese dhe materiale tjera)! Dëmet që i shkaktohen tokës, ujërave, ajrit dhe mjedisit përgjithësisht janë të pallogaritshme! Askush nuk merret në përgjegjësi! Të gjithë bashkëfajtorë! Gjendje parashteti!
Vitia, si i thonë fjalës, fle në ujë, kurse ujë s’ka!! Pushteti vendor, në bashkëpunim (bashkëmashtrim) me disa organizata e fondacione profitabile (zhvatëse) të huaja ka ndërtuar rrjetin e ujësjellësit në shumicën e katundeve… Disa nga këto fshatra kanë patur për pak kohë ujë, disa s’kanë patur kurrë! T’u rrojë tubacioni i ujësjellësit pa ujë! Ka më shumë se dhjetë vite që gënjehen këto fshatra për ujin që do ta kenë në shtëpitë e tyre, por uji nuk vjen që nuk vjen! Para disa vitesh dolën në fushatë (pak para zgjedhjeve!) dhe i vendosën edhe orëmatësit e ujit! Por, ishte mashtrim edhe kësaj radhe, sepse s’ka ujë as qyteti e lere më katundet… “Prit me muaj e prit me vjet”…, uji s’erdhi, kurse mashtrimi dhe mashtruesit vazhdojnë të qeverisin pa u hyrë ferrë në këmbë! Në vend të ujit mashtruesit vazhdojnë ta shpenzojnë paranë publike në ndërtimin e ca fushave sportive edhe nē ato shkolla ku s’ka më nxënës!
Ka vite (mbi 10 vite!) që ka nisur ndërtimi i sallës së sportit dhe s’ka shenja se do të përfundojë! Të njëjtin fat e ka edhe shkolla në Pozheran! Qindra mijëra euro (shifrat e sakta nuk i kam…) për një objekt gërmadhë, që ishte dikur shkollë, pastaj për gjimnazin e Vitisë, që po ha para pa hesap dhe nuk po kryhet puna (meremetimi), etj.. Askush nuk është pyetur, hetuar apo përgjegjur (dënuar) për këto projekte të “dështuara” dhe për shpërdorimin (vjedhjen) e pashembullt të parasë publike!
Organizimi dhe funksionaliteti i qarkullimit të automjeteve në qytetin e Vitisë janë cenuar rëndë! Lëvizja (hyrje-daljet) e makinave në qytetin e Vitisë është komplikuar dhe vështirësuar nga ndërhyrjet dhe “zgjidhjet” që ka bër komuna! Në kundërshtim me çdo koncept urbanistik vetëm në 500 m gjatësi janë ndërtuar 5 ura (e gjashta është nisur)!! Po nē këtë gjatësi, siç shihet në foto), në të dyja anët e lumit janë ngritur mure prej guri e betoni! Në vend se të bëhejë trotuari për qytetarë përgjat bregut të lumit dhe të mbilleshin pemë, nën hijen e të cilave do të ecnin e shëtisnin banorët e kalimtarët, komuna e mashtruesve dhe zhvatësve të parasë publike ka ngritur mure që shëmtojnë lumin dhe brigjet e tij!
Me të njëjtën logjikë antiurbanistike komuna (drejtuesit e saj) ka ndërhyrë në rrugën qendërore, duke vështirësuar edhe më shumë lëvizjen e makinave dhe të njerëzve! Qindëra mijëra euro të hedhura në baltë! Ka hequr pllakat e betonit, që ishin shtruar para trembëdhjetë vitesh dhe po shtron pllaka të njëjta betoni (mund të shihen edhe në foto), si dhe po i “vesh” pemët me beton!! Po të ishin këto investime në interesin e qytetarëve edhe mund të pranoheshin, por këto investime dhe këto projekte janë vetëm e mira e atyre që zhvatin paranë publike, taksën e qytetarit… Siç ka thënë ai i moçmi: “mirë që s’po dinë për mbarë, po qysh po dinë kaq mbrapsht se”?!
Në përfundim do të thoja që, nuk është shumë e dëmshme grabitja dhe përvetësimi i parasë publike me këto marifete sa janë të dëmshme dhe kompremetuese, edhe për të ardhmen, mendësia, kultura politike dhe qeverisëse që po ngritet, po zhvillohet dhe “akomodohet” në Kosovën shqiptare pa u ballafaquar me kundërshtimin e ndonjë force politike apo nga shoqëria! Pajtimi me gjendjen ose dorëzimi dhe moskokëçarja e pjesës së ndershme dhe të emancipuar të popullit tonë përbën shqetësim për mua. Tërheqja e elitave dhe e shtresës me formim intelektual, politik e demokratik nga “fusha e lojës” ua zgjatë jetën grupeve dhe strukturave që Kosovën dhe pasuritë e saj i shohin vetëm si plaçkë për t’u grabitur! Rreth këtyre grupeve dhe strukturave, që ndonjëherë quhen edhe “parti politike”, janë mbledhur pjesa më e paarsimuar e qytetarëve tanë, më e paformuar dhe më e paedukuar politikisht dhe bëjnë “militantin” e partisë duke sharë, duke shpifur dhe duke etiketuar partinë kundërshtare ose njerëzit e saj! Me “militantizmin” e tyre primitiv dhe me propagandën e tyre të ulët kjo shtresë e partive politike ndezin gjakrat, thellojnë përçarjen dhe rrisin tensionet, shpeshherë pa e ditur për kend luajnë! Dëmi edhe më i madh është largimi i vëmendjes nga problemet, nevojat dhe çështjet jetike të Atdheut dhe të kombit tonë…
Kjo fatkeqësi e kishte zënë edhe shtetin tonë AMË pas vitit 1990, kur ligjin e bënin pikërisht kjo kategorie e hurit dhe e litarit, që i kishin trembur njerëzit e ndershëm dhe elitat e vendit. Politika dhe qeverisja janë arte dhe shkenca me rëndësi jetësore për një vend. Prandaj, me to duhet të merret pjesa më e ditur, më e përkushtuar dhe më e emancipuar e një populli (Jam rritur me atë thënien e pleqve tanë: “Hajduk aga kurrë kujt s’i kanë thënë”!)… Ndryshe, “vaj vatani e mjerë mileti”!