Lëvizja\UÇK

Bislim Elshani: Zëri ynë i Kosovës

Sot, në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, u mbajt një akademi për nder të 50-vjetorit të “Zërit të Kosovës” ku unë lexova një kumtesë që shqyrtonte periudhën midis viteve 1981-1999.
Bislim Elshani,
Prishtinë, më, 2 prill 2024

Zëri ynë i Kosovës

   Të nderuar pjesëmarrës! Fillimisht ju përshëndes të gjithëve dhe falënderoj organizatorin për ftesën për ta prezantuar para jush përvojën time të dikurshme në punët redaktuese në gazetën “Zëri i Kosovës”!
Pohimit të dikurshëm të Napoleon Bonapartes, se “Historia s’është veçse një mori gënjeshtrash për të cilat është rënë dakord”, historiani britanik Thomas Carlyle i kishte replikuar më vonë me thënien e tij të çuditshme se “Historia s’është veçse distilimi i thashethemeve”. A mos vallë vërtetë ky historian faktet do t’i barazojë me thashethemet? Duke vlerësuar se figurat që i kanë dhënë vulën qytetërimeve të sotme në botë janë produkt mitizimesh të profetëve shpeshherë inekzistentë ose të legjendarizuar deri në absurditet, atëherë vërtetë që ky pohim i Karlajlit ka një bazë të padiskutueshme logjike. Në anën tjetër, edhe faktet e dëshmitë e shkruara, të depozituara nëpër arkiva historikë e të pashmangshme për historianët mund të thuhet se me kalimin e kohës përtypen e ripërtypen, herë hidhen poshtë e herë bëhen të vërteta absolute, dhe së fundi relativizohen aq shumë sa marrin vlerën e thashethemeve, gjë që Fridrih Niçen e çoi në përfundimin spektakolar, që sot mbase përfaqëson thelbin e postfaktualitetit postmodernist: “Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime!” E përkthyer në realitetin e sotëm kosovar, metafora e Karlajlit na kujton meselen aktuale të kuvendit të Kosovës mbi selektimin e qershive që kohë më parë ishin urinuar për një përdorim të dytë. Në gjuhën politike kjo mund të tingëllojë si një banalitet, mirëpo në atë filozofike, kjo është formula më e saktë që mund të shpjegojë interpretimin rivlerësues të historisë. Historianët s’bëjnë tjetër veçse i selektojnë sipas rëndësisë faktet – dmth qershitë e vjetra – që më parë ose i kishin heshtur, ose i kishin keqinterpretuar.
Kur mora përsipër përgatitjen e një kumtese mbi rolin e “Zërit të Kosovës” në proceset politike në Kosovë që nga viti 1981 e deri në çlirimin e Kosovës pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s nga ajri dhe luftës së reparteve të UÇK-së nga toka, ideja e parë që më shkoi ndër mend ishte: më mirë të mbyllë gojën e të hesht se sa të shkruaj ndonjë këngë lavdërimi për vetveten apo për organizatën së cilës i kisha takuar dikur! Mirëpo distanca kohore prej më shumë se dy dekadash që nga finalizimi i projektit tonë nacional me largimin e pushtuesit serb na ofron mundësinë të shmangim sa të jetë e mundur qasjen subjektive dhe ndjenjat e dikurshme sektariste në realitetin e përgjithshëm politik të Kosovës. Prandaj nga të gjithë librat e mundshëm që përzgjodha dhe që më shërbyen si orientim ishte ai i autorit britanik, profesorit nga Universiteti i Oksfordit, James Petiffer, me titullin “Ushtria çlirimtare e Kosovës”. Z. Petiffer, trashëgues i traditave më të mira të historiografisë perëndimore, e trajton problemin kosovar “ab ovo”. Mirëpo kjo “ab ovo” e Petiferit dallon shumë nga ajo e historianëve tanë vendorë, që fitoren e sotme e shohin ose si kurorëzim emfatik të përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri, me shpatë në dorë, me pushkë e me pendë etj. etj. ose si rezultat i fluturimeve diplomatike të një lideri të kthyer në profet. Petifer, në fakt, kufizohet vetëm te një burim fillestar që do të përcaktonte të ardhmen tonë: te shteti i ri shqiptar i pasluftës së dytë botërore i udhëhequr nga Enver Hoxha dhe te politika e tij në raport me Kosovën. Dhe gjersa kapitulli i parë i librit trajton këtë problematikë, finalizimi i librit i takon programit të organizatës kryesore bartëse të proceseve politike që çuan drejt pavarësisë: Lëvizjes popullore të Kosovës. Dhe krejt në fund të librit gjendet programi i UÇK-së dhe marrëveshja e saj sovrane për demilitarizim, të cilat gjithashtu janë produkte të LPK-së. Pra porosia është e qartë, fillimi është Tirana dhe fundi është LPK-ja.
Dhe kjo është e vërteta. Ndërkaq, për t’u kufizuar vetëm në subjektin e “Zërit të Kosovës”, për mua pika referenciale nismëtare është padyshim viti 1981 dhe përpunimi teorik që i bënë atyre ngjarjeve, jo thjesht shteti shqiptar dhe Radio Tirana, po vetë kosovarët, me përfaqësues të tillë dinjitozë si Hydajet Hyseni e Jusuf Gërvalla. Një tjetër personalitet, që i kishte bërë elaborimin më profesional teorik republikës së Kosovës si të vetmes zgjidhje që do t’i siguronte mbijetesën federatës jugosllave, përtej parametrave të vendosur nga shpjegimet enveriste nga valët e Radio-Tiranës apo nga broshurat standarde marksiste-leniniste mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje që qarkullonin në Kosovë, ishte Ukshin Hoti, i vetmi përfaqësues dhe transmetues i shkollës perëndimore të mendimit, që fatkeqësisht mbeti i panjohur për publikun shqiptar deri në vitet 90.
Kësisoj, mund të thuhet lirisht që ato çfarë u thanë e u shkruan nga shtypi ilegal i Kosovës pas vitit 81, e edhe nga “Zëri i Kosovës” i Jusuf Gërvallës, i nëntorit 81 dhe i janarit 82, ishin qoftë një reflektim, qoftë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të pikëpamjeve të emetuara në eter nga Radio-Tirana e nga “Zëri i popullit”. Dhe as që kishte nevojë të ishte ndryshe. I vetmi ndryshim ishte se ndonjëherë drejtuesit kosovarë të organizatave – legale në Perëndim dhe klandestine në Kosovë – në majtizmin e tyre tregoheshin akoma më euforikë e më entuziastë se sa vetë udhëheqja e shtetit shqiptar. Kjo sidomos mund të vihet re nga letrat e Jusuf Gërvallës drejtuar udhëheqësit shqiptar. Dhe kjo situatë do të zgjaste deri në vitin 1990, atëherë kur LPK-ja u çideologjizua tërësisht, gjë që reflektohet edhe në ndryshimin e emrit, për t’u orientuar drejt vlerave demokratike perëndimore dhe jo drejt ndonjë autoritarizmi të majtë. Ajo që vlen për t’u nënvizuar është fakti se LPK-ja qysh më herët në programin e saj kishte përmendur së paku dy herë rrezikun sovjetik ndaj aspiratave tona dhe asnjëherë atë amerikan. Pra sinjalet duhej të kishin qenë të qarta edhe për një diplomat amerikan si Holbruku, sepse diplomatëve nuk u shpëtojnë dot detaje të tilla.
A mund të ishin gazetat tona të emigracionit ndryshe nga politika zyrtare e shtetit shqiptar? James Petiffer në librin e tij disa herë nënvizon arsyet që e shtynë Enver Hoxhën të merrej me Kosovën: 1. Predispozitat e padiskutueshme nacionaliste të një individi që u rrit e u edukua në një mes të tillë që jo rastësisht polli formulën e neoshqiptarizmës dhe i cili për dallim psh. nga Sejfulla Malëshova e ndonjë tjetër, nuk kishte kryer ndonjë kurs leninist në Moskë. I gjithë studimi i historianit gjerman Bernhard Tönnes rreket të argumentojë pikërisht nacionalizmin e Enver Hoxhës si motorin lëvizës të politikës së tij, për të ardhur në përfundimin se Enver Hoxha s’bëri gjë tjetër pos që programin e Rilindjes kombëtare shqiptare të shekullit 19 e veshi me rroba marksiste. Dhe 2. Frika që në rast se Kosova do të injorohej nga Tirana, ajo shumë kollaj mund të shndërrohej nga përkrahëse, në rrezikuese potenciale të shtetit shqiptar, siç kishte ndodhur disa herë në kohën e Zogut. Në interesin e Tiranës ishte të rrethohej nga një element shqiptarësh miqësorë dhe ajo armiqësorë, siç kishte ndodhur me 1924 me bandat mercenare të Ahmet Zogut kundër qeverisë demokratike të Fan Nolit. Dhe natyrisht që kjo mënyrë argumentimi hedh poshtë edhe përfundimet e gabuara të Jens Schmitit (rreth mbylljes së supozuar të syve nga Enveri në raport me Kosovën), po edhe ato të ndonjë spekulatori si E. Bytyqi apo U. Butka. Pra, nolens-volens, Enver Hoxha ishte i detyruar të merrej me Kosovën, madje shumë seriozisht. Dhe argumentet që mbështesin këtë fakt janë të panumërta. Psh. analisti dhe dekoduesi i formulave ideologjike të Enver Hoxhës nga BBC-ja e Londrës, Viktor Çami, në shënimet e tij autobiografike thotë: “Kisha fituar bindjen se E. Hoxha kishte evoluar në një udhëheqës të kalibrit me plane, strategji dhe vizione afatgjata. Problemi ishte për t’i zbuluar dhe kjo kërkonte një punë analitike intensive. […] Brenda një kohë jo edhe shumë të gjatë nxora konkluzionin:
Politika e brendshme e shtetit shqiptar është në funksion të politikes së jashtme, e cila nga ana e saj është në funksion të çështjes së Kosovës dhe determinohet nga qëndrimi i fuqive të ndryshme ndaj kësaj çështjeje.”
Dhe pikërisht kjo arritje do t’i jepte të drejtën dhe mundësinë më vonë Enver Hoxhës që të deklaronte, se në rast se shtetit shqiptar i paraqitej ndonjë rrezik në kufijtë e tij verilindorë, pengesa e parë ku do të ndeshnin pushtuesit e mundshëm do të ishte elementi shqiptar i Kosovës e i Maqedonisë. Pra Kosova i duhej atij, përpos tjerash, edhe për sigurinë e brendshme, ashtu siç i duhet edhe Edi Ramës sot, edhe pse vendi që drejton është anëtar i NATO-s.
***
Unë iu bashkova redaksisë së “Zërit të Kosovës” menjëherë pas migrimit tim në Zvicër me 1994, atëherë kur ajo gjendej në qytetin e Lozanës. Mirëpo kontaktet e mia me redaksinë e saj kishin filluar qysh me 1990, atëherë kur ajo ndodhej akoma në qytetin Biel-Bienne, nën drejtimin e Mustafë Xhemajlit, ndërsa më pas të Avni Deharit. Për përgatitjen e këtij shënimi mua mu desh të shfletoja edhe librin e Mustafë Xhamajlit, “Publicistika kryengritëse”, ku ai në mes tjerash tregon edhe për përplasjet e tij me Këshillin e përgjithshëm për më shumë autonomi të gazetës dhe për një transformim demokratik që do të çonte në legalizimin e LPK-së si një subjekt i thjeshtë elektoral në Kosovë, gjë që ishte kundërshtuar vendosmërisht nga drejtuesit dhe kishte shkaktuar dorëheqjen e tij. Asokohe unë isha redaktor i disa gazetave radhazi, i Alternativës, i Republikës dhe i Demokracisë autentike në kryeqytetin slloven, në Lubjanë. Kjo e fundit botohej në bashkëpunim të ngushtë, sidomos financiar, me LPK-në, dhe mund të thuhet lirisht që kjo organizatë ka meritën e përpunimit të parë teorik të problemit të demokracisë në hapësirën kosovare e mbase edhe gjithëshqiptare nga penda e Ukshin Hotit. Në vitet që do të pasonin pas shuarjes së “Demokracisë autentike”, do të isha i pranishëm në faqet e “Zërit të Kosovës” nën drejtimin e Beqir Beqës me ndonjë artikull të rrallë, nga të cilët do të shquhej intervista ime me njërën nga figurat më markante të Lëvizjes sonë kombëtare të viteve 80-90, Hysen Gegën, ku ai demaskonte bashkëpunimin servil të një intelektuali tonë të shquar me organet jugosllave të ndjekjes. Atij me atë rast, në fillim të viteve 80, i ishte propozuar edhe likuidimi i vëllezërve Gërvalla kundrejt një shpërblimi, gjë që tani, pas publikimit, i jepte fund spekulimeve dashakeqe mbi vrasjen e tyre në një qërim të brendshëm hesapesh. “Zëri i Kosovës” në atë kohë kishte krijuar imazhin e vet të padiskutueshëm të një gazete serioze, me qëllime e synime të qarta për armatosjen shpirtërore të shqiptarëve, jo vetëm të emigracionit, dhe përgatitjen e tyre për rezistencë aktive që më pas do të çonte edhe në kryengritje të armatosur. “Zëri i Kosovës” kishte krijuar ura të shumta komunikimi të rregullt edhe me autorë nga Tirana e nga Prishtina, si me Shaban Sinanin, Naim Zoton, Bedri Islamin, Kadri Çenkon, diplomatin Viktor Çami, Agim Vincën, Rexhep Qosjen e të tjerë. Nga brenda Kosovës për të raportonin aktivistë e gazetarë të tillë të guximshëm si Nuhi Paçarizi, Merxhan Avdyli e poeti Besim Zymberi ndërsa anëtarë redaksie në kohën kur gazeta përgatitej në qytetin e Lozanës ishin: Beqir Beqa (kryeredaktor), Koço Danaj, unë (Bislim Elshani), Faik Raci, Haki Morina, Lulëzim Etemaj e Ramadan Avdiu. Me ardhjen time në redaksi u intensifikua bashkëpunimi edhe me një figurë madhore të kulturës e të letërsisë sonë, me një rol thelbësor në transformimin demokratik të partisë socialiste (ish-partia e punës), me poetin dhe eseistin Moikom Zeqo, me të cilin kisha krijuar raporte miqësore gjatë qëndrimit tim njëvjeçar në Durrës. Prania e tij e vazhdueshme në faqet e ZiK-ut i siguroi gazetës sonë një rrjet jashtëzakonisht të madh lexuesish, sidomos në Tiranë. Kur po asistoja në ato vite para një pike shitjeje gazetash, më la përshtypje se atë po e blinin edhe qytetarë tiranas pa ndonjë lidhje me Kosovën. “Përse po e blini këtë gazetë?” – e pyeta njërin prej tyre. “Sepse është e vetmja që flet shqip”, – mu përgjigj ai. Kjo sigurisht që më përkëdheli sedrën, dhe menjëherë ua komunikova kolegëve të mi në redaksi, gjë që nuk i befasoi, sepse në rubrikën “Letrat e lexuesve” na vinin vazhdimisht vlerësime të tilla të larta. Përpos kësaj rubrike, ZIK-u kishte edhe rubrika të tjera standarde që ndeshen pothuaj në të gjitha gazetat shqiptare, me një fokus të veçantë në mbështetjen dhe propagandimin e luftës çlirimtare si dhe në nderimin e dëshmorëve. Pas faqes së parë që zakonisht i rezervohet komunikatave të UÇK-së dhe deklaratave zyrtare politike të LPK-së, në faqet tjera figuronin rubrika si vijon: Aktualitete, Vështrime, Trajtesa, Opinione, Fejtoni, Në fokus, Dëshmorët, Kulturë, art e letërsi, Ngjarjet e javës, Nga shtypi i huaj, e ndonjëherë edhe Faqja humoristike e Fjalëkryqi. Në letrat e lexuesve kemi pasur kujdes që të mos ia mbyllim askujt derën po gjithkush të thoshte mendimin kritik apo mospajtimin e tij hapur e të pacenzuruar. Ndonjëherë, në të rrallë, kur goditej politika redaksionale, e shihnim të arsyeshme të reagojmë edhe vetë si redaksi, por pa fyerje e diskreditime.
Për dallim nga mediat e sotme të shkruara e audio-vizive që ia kanë hapur dyert hapekrah sharlatanizmit e pseudoshkencës, në faqet e ZiK-ut botoheshin analiza të mirëfillta shkencore të autorëve eminentë, si psh. fejtoni i Paskal Milos mbi Shqipërinë në arkivat e SHBA, pastaj shkrimet historike të Gazmend Shpuzës e Jahja Drançollit, etj. Nga bashkëpunëtorët e brendshëm ndër më produktivët ishin Sabri Kiçmari, Bardhyl Mahmuti e Rexhep Kasumaj. Në disa artikuj ZiK ka ndjekur edhe fatin e aktivistit patriot Remzi Hoxha që u zhduk pa gjurmë në Vain të Lezhës nga agjentët e Berishës e të Gazidedes. Ndoshta mund të kompilohen libra të tërë vetëm nga artikujt e botuar në ZIK të Moikom Zeqos, Shaban Sinanit, Rexhep Qosjes e Bedri Islamit.
Bashkëpunëtorët tanë në Kosovë shpeshherë vinin në rrezik edhe jetën e tyre për të siguruar informata nga vendi i ngjarjes. Dallohej sidomos gazetari Nuhi Paçarizi, që në janarin e vitit 1998 pati shkuar në Prekaz për të ndjekur zhvillimet rreth kullave të jasharjave, të cilat dy muaj më vonë do t’i nënshtroheshin një rrethimi asgjësues me përfundime gjenocidale. Dy vjet më herët, në mars të vitit 1996, Nuhiu ishte ndaluar dhe torturuar për një javë rresht nga policia malazeze për shkak se i ishin gjetur disa ekzemplarë të librit të Ukshin Hotit, “FPÇSH”. Një fat akoma më të hidhur kishte pësuar nga policia e fshehtë serbe bashkëpunëtori ynë, poeti Besim Zymberi. Ai ishte torturuar mizorisht për orë të tëra dhe vetëm kur ishte pandehur i vdekur i ishin ndërprerë torturat.
Një aspekt i veçantë i angazhimeve të gazetës sonë ishte kultivimi i harmonisë fetare dhe unitetit kombëtar pa dallime feje e ideologjie. Në këtë drejtim ne bënim krejt të kundërtën e asaj për çfarë angazhohej gazeta përçarëse dhe antikombëtare “Bota sot” përmes zëdhënësit të saj Teki Dervishi me të cilin revista jonë u detyrua të merrej disa herë. Do të mbetet në kujtesë reagimi kundër tij i ish-shokut të tij të burgut nga Goli-Otoku, Haxhi Zybaj – babai i deputetit të sotëm të VV – Sali Zybajt, i cili ia përkujtonte atij servilizmin e dikurshëm të shfaqur qysh si i burgosur në raport me gardianët rankoviqistë të Goli-Otokut. Pas publikimit të disa artikujve të Moikom Zeqos mbi fillet e krishterimit shqiptar dhe mbi autorët ikonografë shqiptarë të disa kishave e manastireve në Kosovë, papritur një ditë në zyrën tonë të redaksisë na u shfaqën disa intelektualë të besimit të krishterë që po jetonin e vepronin në Zvicër. “Nga propaganda që po bëhet kundër jush kemi menduar se bëhet fjalë për ca fanatikë fetarë islamikë apo marksistë antifetarë. Ndërkaq në faqet e gazetës suaj po vëmë re se nuk jeni as njëra dhe as tjetra. Na falni për keqkuptimin e derisotëm, dhe prej sot e tutje jemi me ju, qoftë edhe në llogoret e luftës!” Pastaj, si “marksistë e myslimanë të devotshëm”, çuam bashkë me ta edhe nga një gotë raki rrushi. Në fakt njëri prej tyre, që ishte dhe ekzekutues i talentuar i çiftelisë, pas një kohe iu bashkua radhëve të UÇK-së. Episode të tilla ishin të shpeshta në redaksinë tonë, në të cilën si bashkudhëtar të përhershëm kisha Haki Morinën, ish-themeluesin e FRESH-it socialist në Tiranë bashkë me Pandeli Majkon. Me Hakiun ndodhte që të na zinte mëngjesi në redaksi, natyrisht atë shumë më shpesh se mua, sepse unë zakonisht merrja trenin e fundit nga Aarau për në Bazel, ndërsa Hakiu faqoste deri në mëngjes, duke i nxjerrë shpesh kokëçarje të shumta vetes në raport me gruan.
Për redaksinë e ZIK-ut do të jetë i paharruar gjithashtu edhe emri i Avdi Mujës, i vrarë në vendlindjen e tij pas lufte në rrethana enigmatike, i cili na plotësonte çdo kërkesë të mundshme që kishte të bënte me pajisjet kompjuterike më moderne të kohës. Ai, ashtu si Hakiu e Gafurr Elshani, jetonte në Aarau, një qytet të cilin Petiffer në librin e tij e cilëson si kryeqendrën zvicerane të aktiviteteve politike kosovare në luftën për pavarësi gjatë viteve 90. Jo rastësisht pikërisht në lokalet e redaksisë së ZIK-ut në Aarau lindi e mori jetë edhe logoja, përkatësisht, stema e UÇK-së, me një ide të skicuar të Gafurrit dhe me realizim mjeshtëror kompjuterik të Adnan Asllanit. Në rrethin e Aaraut jetonte gjithashtu edhe njëra ndër figurat qendrore të LPK, menaxhues i fondit “Vendlindja thërret”, Jashar Salihu, mirëpo edhe një anëtar tjetër i redaksisë, Shukri Buja, ashtu si dhe aktivistë të zellshëm me detyra specifike si Zenun Bajrami e Muharrem Elshani. Në Aarau jetonte edhe ushtronte veprimtarinë e tij gjithashtu edhe drejtuesi i Shkollës së vallëzimit “Shota”, Agron Bajrami, si dhe bashkëpunëtori ynë i vjetër, Ibish Neziri.
Ajo që bie në sy në pothuajse në gjithë artikujt redaksionalë të ZiK-ut gjatë viteve 90 është fakti që luftën kundër pushtuesve serbë ne e quanim me emrin e saj të vërtetë: luftë antifashiste, sepse nacionalshovinizmi serb nuk kishte kurrfarë dallimi nga ideologjia fashiste hitleriane. Mirëpo duhet nënvizuar edhe fakti, që ZIK nuk bëri kurrë propagandë shoviniste kundër popullit serb, dhe kurrë ndonjëherë nuk e konsideronte luftën tonë çlirimtare si një luftë hakmarrëse. Ajo që autori Jeton Neziraj, në farsën e tij për “Marksistë-leninistët e Zvicrës”, ia mvesh LPK-së nuk qëndron fare, përkatësisht, vargjet kanunore të Ali Podrimjes, (Kosova është gjaku im që nuk falet), s’kanë të bëjnë fare me ndonjë bashkëpunëtor të ZIK, po me një ushtar besnik të së djathtës konservatore dhe LDK-së rugoviste. As edhe vargjet që citon në librin e tij për UÇK-në Z. James Petiffer nga një poet i panjohur kosovar, se “me gjak serbi do të shkruaj fjalën liri” s’kanë të bëjnë fare as me ZiK-un dhe as me LPK-në. Modeli ynë ishte ai i Petro Nini Luarasit, që në rast se duhej shkruar diçka me gjak, ai do të ishte vetëm gjaku ynë dhe jo ai i huaji. Nuk përjashtohet mundësia që në luftën tonë për liri të ketë pasur vendin e vet edhe ndjenja e hakmarrjes për shkak të aq shumë vuajtjeve e torturave që popullit tonë i ka shkaktuar sundimi afro një-shekullor serb, mirëpo as në qëndrimet zyrtare të LPK-së dhe as në faqet e ZIK-ut nuk gjen askund shfaqje resantimanesh të tilla.
Sa më përket mua, përpos disa esesh dhe artikujve redaksionalë e polemizues, kam realizuar edhe disa intervista të çmuara me autorë si Xhevahir Spahiu, Dritëro Agolli, Bedri Dedja dhe Viktor Çami. Më duhet të pranoj se pas dorëheqjes sime nga mesi i vitit 1998 dhe ardhjes në krye të redaksisë të Adnan Asllanit, redaksia e shtoi numrin e bashkëpunëtorëve nga Prishtina dhe e pakësoi numrin e artikujve nga Tirana gjë që e konsideroj si potez të mençur. Njëkohësisht, gazeta u fokusua më shumë në mbështetjen propagandistike të UÇK-së dhe të luftës së saj, duke siguruar edhe intervista me krerët e saj, si me Ramush Haradinajn, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin etj. Më kujtohet se ajo i botonte rregullisht Komunikatat e UÇK-së dhe se së paku njëra prej tyre pati ngjallur shumë polemika nëse i shërbente më shumë bashkimit apo përçarjes.
Do ta përfundoja këtë shënim me një ngjarje private që mbase mund të ilustrojë më së miri kuptimin e përpjekjeve të ZIK-ut për të shtuar radhët e UÇK-së e për të ndezur zemrat e luftëtarëve të UÇK-së për luftë çlirimtare. Duke udhëtuar rastësisht në verën e vitit 1998 me autobus midis disa vullnetarëve që përmes Italisë po shkonin në portin e Barit, dhe prej aty me anije për në Durrës, kur prezantova veten si kryeredaktor i ZIK-ut, njëri nga vullnetarët më tha: “Është gazeta juaj që po na çon në luftë!” Më vonë jam kujtuar shumë herë se ç’ishte ajo që ua kishte mbushur mendjen për një vendim të tillë kapital, ku do të vihej në lojë jeta ose vdekja? A mos vallë vetëm apelet tona të rregullta? Apo artikujt e individëve më kompetentë e me kredi morale të larta e të dëshmuara, si puna e Ukshin Hotit që vazhdonte të shkruante për ZIK-un edhe nga qelitë e burgjeve, apo si puna e Moikom Zeqos, Dritëro Agollit, Viktor Çamit dhe akademik Qosjes? Nuk e di, po e di se për vendime të tilla jetësore nuk mjafton thjesht ndjesia e hakmarrjes, sepse ata po shkonin për të sjellë liri në Kosovë.
Kur u vendosa në një bujtinë disa blloqe pas pesëmbëdhjetëkatëshit në Tiranë, sërish më ra fati të gjendesha midis një grupi tjetër vullnetarësh që po prisnin ikjen drejt kufirit me Kosovën. Më pyetën për emrin dhe ua thashë: Bislimi! “Ou, po ty po të presim, ne jemi gati!” E pashë se qe në pyetje një ngatërresë. “Më falni po cilin Bislim po e prisni?” – i pyeta. “Bislim Zyrapin”, – më thanë. “Aha, unë jam Bislim Elshani. Me gjithë qejf do ta prisja edhe unë Bislimin tuaj, sepse e kam pasur dikur nxënës!” Mirëpo fatkeqësisht ai atë mbrëmje nuk erdhi, ndërsa të nesërmen unë duhej të ikja.
Përfundimi që rezulton është si vijon: për të shkuar drejt luftës ka nevojë për dy figura: për një predikues xhihadist (në kuptimin metaforik të fjalës) si puna ime dhe e gazetës që drejtoja mbi shenjtërinë e luftës për liri dhe mobilizimin e vullnetarëve, dhe për një komandant të zotin si Bislim Zyrapin.* Dhe në mos do ta fitonim luftën, së paku do të kishim të drejtë të thërrisnim për ndihmë.
*Sot u publikua lajmi se gjenerali Bislim Zyrapi, ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të UÇK, kishte përjetuar një atak në zemër dhe ishte gjendur për disa ditë në koma, prej së cilës ishte zgjuar dje, ndërsa tani po e merrte veten gradualisht. I dëshirojmë shërim të shpejtë!
Literatura:
Çami, Viktor: Letra nga mërgimi, Prizren 2000
Gega, Sejdi: Zëri i Kosovës, Winterthur, Zvicër, 2016
Goxhaj, Dilaver: Dallimet programore midis LPK-LDK, Prishtinë 2021
Hoxha, Enver: Kosova është Shqipëri, Tiranë 1999
Hoxha, Enver: Titistët, Tiranë 1983
Islami, Bedri: Lëvizja – lindje e përgjakur, Tetovë 2012
Keçmezi-Basha, Sabile: Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë 1945-1999, Prishtinë 2008
Mix autorë: E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 1990
Petiffer, James: Ushtria çlirimtare e Kosovë, Onufri, Tiranë 2013
Xhemajli, Mustafë: Publicistika kryengritëse 1980-2000, Prishtinë 2010
Mbi ngjarjet në Kosovë: artikuj të “Zërit të Popullit” dhe organeve të tjera, Tiranë 1981
Tafallari, Faridin: Terror, dhimbje, qëndresë, Tiranë 1997
Tönnes, Bernhard: Sonderfall Albanien, Enver Hoxhas „eigener Weg”
und die historischen Ursprünge seiner Ideologie, München 1980
Zenelaj, Eqrem: Shtypi i Austrisë për demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1968, 1981 dhe 1989, Prishtinë 2011
Zogaj, Agim: Kurthet e Serbisë, Prishtinë 2023
Nga interneti:
Enver Bytyqi: Stalinizmi i Enver Hoxhës dhe nacionalizmi shqiptar, https:// gazetadielli.com /stalinizmi-i-enver-hoxhes-dhe-nacionalizmi-shqiptar/
Pëllumb Xhufi: A ishte Enver Hoxha një nacionalkomunist, https://www. gazetatema.net /2016/01/02/a-ishte-enver-hoxha-nje-nacionalkomunist