Të nderuarit familjarë të Dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi,
Të nderuarit invalidë dhe veteranë të Luftës të UÇK-së, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të UÇPBM-së,
Të nderuarit veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare,
Të nderuarit përfaqësues të institucioneve të RK-së,
Zonja e zotërinj,
Aktiviteti i Shoqërisë Lëvizja dhe SHBP-së që pesëdhjetëvjetorin e formimit të GRK-së dhe dyzetvjetorin e bashkimit të organizatave atdhetare, përveç me konferencë shkencore e manifestime tjera, ta shënojnë edhe me vendosjen të pllakave me mbishkrime në shtëpitë , apo pranë shtëpive që kanë qenë baza të veprimtarëve atdhetarë e që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë, ka peshë të veçantë. Përveç ruajtjes në kujtesën kolektive, me këto pllaka shprehet nderim dhe mirënjohje, jo një anëtari, por brezave të familjarëve, pjesëtarë të një gjaku , pa sakrificën, përkushtimin dhe angazhimin e tërë familjarëve, Lëvizja Kombëtare nuk do të ishte e suksesshme. Njëra prej familjeve të tilla emërndritura, ishte dhe është familja Harizi.
Që në vitin 1921, nga kjo familje ishin flijuar për Atdhe bijtë e saj, Zymer e Osman Hajrizi, duke ua lënë pasardhësve amanet luftën kundër robërisë, luftë kjo të cilën do ta shpien më tej Zeqir e Zenel Hajrizi dhe daja i tyre Banush Ademi, për çka do të arrestohen në vitin 1961 dhe dënohen më burg të rëndë, kurse i riu tetëmbëdhjetëvjeçar, Naser Hajrizi, këtë amanet do ta vulos me gjakun e vet kur bie heroikisht së bashku me Asllan Pirevën , në ballë të demonstratave të 2 prillit 1981. Disa muaj më vonë, po të njëjtit vit , do të arrestohet njëri prej drejtuesve kryesor të GRK-së, Mehmet Hajrizi, i cili do të dënohet me 12 vjet burg të rëndë, kurse në vitin 1982 do të arrestohet edhe pjesëtari tjetër i kësaj familjeje., veprimtari i po këtij grupi, Jahir Hajrizi, i cili do të dënohet me 11 vjet bug të rëndë. Bashkëveprimtare besnike dhe e pandashme e Mehmet Hajrizit në GRK-së do të jetë edhe bashkëshortja e tij, Hagjerja dhe vëllezërit e saj, Gani dhe Ismail Syla.
Formimi i Grupit Revolucionar të Kosovës
Demonstratat e rinisë studentore e shkollore të vitit 1968, përveç jehonës që patën brenda dhe jashtë vendit, do t’i tregojnë qartë popullit tonë se po ngrehej e po masivizohej një forcë, e cila ishte në gjendje t’ u dilte zot të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e sociale të tij. Këto demonstrata do të ndikojë në ngjalljen dhe ngritjen e guximit tek të rinjtë dhe në vetëdijen e tyre për rolin historik që kanë në kushte robërie. Për këtë arsye, në vitet e shtatëdhjeta, në Kosovë do të formohen disa organizata të të rinjve, të cilat i bashkonte ideali më i lartë çarë është ideali i lirisë. Njëra prej këtyre organizatave me veprimtari më të gjatë kohore e, për këtë arsye, edhe me ndikim të jashtëzakonshëm në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, ishte edhe GRK, i formuar mu këtu, në shtëpinë e Bahtir Hajrizit, më 3 mars 1973. Në mbledhjen themeluese drejtues të GRK-së do të zgjidhen, Kadri Osmani, përgjegjës i Grupit, Mehmet Hajrizi , sekretar organizativ, Xhafer Shatri, përgjegjës për rininë, Binak Ulaj, përgjegjës për shtypin dhe Ferz Seferi, përgjegjës për çështje materiale. Pas arrestimit të Kadri Osmanit më 5 maj 1974 drejtues i Grupit do të jetë Mehmet Hajrizi deri me arrestimin e tij në fund të dhjetorit të vitit 1981 kur edhe pushon së vepruari si grup i organizuar, GRK.
Emërtimi revolucionar i Grupit nuk ishte i rastit. Historia dëshmonte se me revolucione të armatosura çlirimtare ishin çliruar shumë popuj të vegjël, por liridashës . Termi revolucion nënkupton edhe përballje të elitave edhe mobilizimin e masave. Është çështje tjetër si përjetohet revolucioni nga pozita e atyre që s’ ishin të gatshëm të sakrifikojnë asgjë për lirinë e Kosovës dhe prej kohësh ishin pajtuar me robërinë. Fundja, edhe ideologu kryesor i lirisë së Kosovës, bacë Adem Demaçi, në vitin 1964, organizatën e tij e kishte emërtuar Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.
Drejtuesit e GRK-së, duke pasur përvojë nga veprimtaria e mëparshme dhe disavjeçare e tyre, do t’ i qasen punës në hartimin e dokumenteve programore, Statutit dhe Programit si dhe udhëzimeve për format e ndryshme të organizimit e veprimtarisë. Në Projektin e Statutit theksohet se GRK është pararojë në luftën për çlirimin e tokave të pushtuara të atdheut, për bashkimin nacional përmes revolucionit të armatosur. I kësaj fryme e përmbajtje, me plotësimet e domosdoshme, të kushtëzuara nga rrethanat e kohës, ishte edhe Programi politik që ishte në harmoni të plotë me Programet e Lëvizjes kombëtare që nga Lidhja e Prizrenit e këndej.
Në përputhje me detyrat e programuara, për fusha të veçanta, do të formohen komitete nga celulat e Grupit. Njëri prej këtyre organeve të Grupit ishte edhe Komiteti i Studentëve, i formuar në mars të vitit 1974. Duke pasur parasysh faktin se detyrë e këtij organi ishte kryesisht puna me rininë studentore, ky organ do të këtë ndikim vendimtar në veprimtarinë e suksesshme të Grupit. Në këtë Komitet ishin zgjedhur Xhafer Shatri, Rexhep Mala, Jashar Alia, Gani Syla, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani. Për një kohë, përgjegjës i këtij Komiteti ishte Xhafer Shatri, e më pas, Rexhep Mala. Falë angazhimit të pandërprerë, formës së organizimit në celula, kryesisht prej tre veprimtarëve, dhe lidhjes së drejtuesve të celulave, GRK do t’ i bashkohet një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve të dalluar si : Shukrie Osmani, Sami Dërmaku, Fazli Abdullahu, Fatmir Salihu, Irfan Shaqiri, Isa Kastrati, Hasan Dërmaku, Xhevat Ajvazi, Rafi Halili, Reshat Avdiu, Nazmi Hoxha,Shemsedin Hoxha, Shefqet Hoxha, Vahide Hoxha, Basri Musmurati, Teuta Hadri, Kadri Zeka, Nijazi Korça, Avdi Limani, Jetullah Arifi, Nexhmedin Ahmeti, Xhavid Dërmaku, Nazmi Shurdhani, Kadri Abdullahu, Agim Sylejmani, Hidajete Osmani, Bejtullah Tahiri, Hasan Malaj, Nijazi Musmurati.
Moto e GRK-së ishte: ‘’Asgj[ mbi çështjen, asgjë mbi çështjen’’ gjë që tregon për vendosmërinë shkallën e përkushtimit të anëtarëve . Për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë , GRK do ta nxjerrë organin e vet të shtypit, të emërtuar ‘’ Zëri i Kosovës’’, që më të drejtë, është vlerësuar si organi i parë i shtypit ilegal, që do të fillojë të dalë nga shkurti i vitit 1974 dhe shumë vite më vonë. Botimi i këtij organi periodik kishte rëndësi të veçantë edhe për informimin e drejtë të masave të gjëra të popullit , por edhe për t’ iu kundërpërgjigjur shtypit e propagandës se organeve shtetërore jugosllave. Meqë për botimin organit periodik dhe materialeve të shumta nevojiteshin makina shkrimi, shumëzues ( geshtetnerë) të cilat nuk guxonim t’ i blinim për shkak se organet e UDB-së i kishin urdhëruar shitësit të evidentonin se kush i blinte, ato siguroheshin me aksione të analizuara mirë, në kryerjen e të cilave dalloheshin Rexhep Mala, Ilmi Ramadani, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni , Sami Dërmaku, Xhafer Shatri, Jashar Alia, Feriz Seferi, që si të rinj e më të shkathtë që ishin shpesh na kursenin ne që ishim si më të vjetër.
Një ndër format e veprimtarisë ishte edhe shkrimi i parullave dhe shtypja e shpërndarja e trakteve. Është karakteristikë e veprimtarisë së GRK-së se traktet, përveç tek studentët , që ishte shtresa më premtuese, do të shpërndahen tek punëtorët, veçmas të minatorët, në Mitrovicë, në Tunelin e Parë, në Stan Tërg, Kishnicë, Ajvali, Golesh, Magurë, si pjesa më e shfrytëzuar e shoqërisë.
Me qëllim të marrjes së këshillave e sugjerimeve për veprimtarinë atdhetare, GRK kishte vënë kontakte me personalitete të caktuara të shtetit shqiptar tek i cili kishte besim të palëkundshëm. Siç është dëshmuar, ky veprim ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm. Pa udhëzimet e sugjerimet e shtetit shqiptar, pa ndihmën dhe përkrahjen e tij, Lëvizja Kombëtare e as Lufta e UÇK-së, nuk do të ishte e suksesshme dhe nuk do të arrihej liria e Kosovës. Atyre, të cilët janë përpjekur, dhe përpiqen edhe tani, ta arsyetojnë pozitën e tyre në anën e kundërt të historisë kombëtare, duke i quajtur veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të indoktrinuar nga regjimi komunist i Tiranës, duhet përgjigjur me një pyetje të thjeshtë: Kush sakrifikoi me dekada dhe mbajti të ndezur flakën e luftës për liri? Kush e organizoi dhe mori pjesë në UÇK-në, enveristët, apo titoistët jugosllavë? Po të ishim pajtuar me robërinë , ku do të ishte Kosova sot? Me çka do t’ i dëshmonim botës së ne e meritojmë lirinë. Kur SHBA dhe shtet demokratike panë se ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në vdekje për liri e pavarësi, atëherë na erdhën në ndihmë. Të luftosh për lirinë e Atdheut të robëruar, është detyrim njerëzor e moral për të cilin profesor Rexhep Qosja shkruan: ‘’ Po të mos ishte rinia studentore do të mund të quheshim popull i pa dinjitet.’’ E, popull i pa dinjitet dhe i padenjë për të qenë të lirë do të quheshim edhe sikur mos të luftonim për ta bërë Kosovën të lirë e të pavarur. Fundja, lufta për liri është edhe përgjegjësi dhe detyrim moral.
Mjerisht, në kundërshtim më këtë obligim dhe me të drejtën tonë për të luftuar për të mos u zhbërë si popull, qarqe të caktuara vendimmarrëse, për interesa të tyre strategjike, me akuza të padrejta ndaj drejtuesve të luftës së UÇK-së, po bëjnë përpjekje të mohojnë karakterin mbrojtës të luftës sonë çlirimtare, me çka rrezikojnë edhe këtë liri që na dozojnë, në themelet e të cilës është gjaku i bijve e bijave të popullit tonë. E, qëndrimi ndaj drejtuesve të UÇK-së, është qëndrim ndaj UÇK-së dhe dëshmi e përgjegjësisë kolektive dhe e vlerave morale, atdhetare, politike e secilit individ.
Kur i referohemi historisë, është bërë shprehi të thuhet se historia përsëritet. Jo! Kjo thënie nuk është e vërtetë. Përsëritën vetëm çështjet e pazgjidhura drejt.
Duke shprehur përgëzimin tim të thellë për organizimin e këtij aktiviteti, uroj që sakrificat e brezave të njëpasnjëshëm, sakrificat e familjes Hajrizi dhe sakrificat e familjeve tjera atdhetare në veçanti, t’ na ndërgjegjësojnë për bashkimin e forcave, si në çaste vendimtare historike, çfarë është edhe kjo periudhë, pavarësisht përkatësive partiake, për të punuar në të mirë të popullit dhe Atdheut tonë,
Ju faleminderit !